Kryeministri flet për çështjen e energjisë elektrike, një ditë para protestës së opozitës

Opozita ka paralajmëruar se nesër, më 22 nëntor 2014, do të zhvillojë një protestë kundër masave shtrënguese të qeverisë së drejtuar nga Edi Rama. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha është kujdesur, dhe kjo vihet re edhe në spotin informues në media, që protesta të ruajë theksin ekonomik, me idenë që në protestë dalin njerëzit të pakënaqur nga masat e qeverisë, që vijnë në kundërthënie flagrante edhe me premtimet e bëra. Një pyetje që mund të shtrohet deri sa protesta të zhvillohet, është sesi e pret atë qeveria? Mund të flitet për këtë gjë, nisur nga reagimet e fundit të drejtuesve të qeverisë. Kryeministri Edi Rama postoi sot këtë reagim në “Facebook”: “Edhe njëherë për cilindo këtu që thotë s'kemi lekë të paguajmë energjinë: 98% e pensionistëve e paguajnë! 93% e personave me aftësi të kufizuar, invalidë, paraplegjikë e tetraplegjikë e paguajnë! Kush është më i dobët se këta le të flasë! Po më të dobët se këta nuk ka dhe krim kush e vjedh pa e paguar e turp kush thotë si ta paguaj kur nuk është as pensionist e as invalid!” Që të jemi të hapur deri në fund: Turpi i shkon edhe qeverisë që nuk mban asnjë premtim nga ato që ka bërë për energjinë e që janë të shkruara e zezë mbi të bardhë dhe i kemi dëgjuar në fushatë me zë dhe me figurë. Ulja e TVSH-së deri në masën 6% për konsumatorët familjarë ishte një nga premtimet, që u bë në emër të politikave sociale të reja, që mirëkuptojnë dhe synojnë të ndryshojnë situatën e vështirë të shoqërisë. Kurse sot, këto politika i kanë lënë vendin moralizimeve fare të papranueshme, teksa kryeministri u bën llogarinë të gjithëve dhe madje u thotë edhe “turp të kenë që ankohen”. Mundet madje që të të krijohet edhe ideja se njerëzit duhet të dalin në tubime soliadarizuese me çmimin e ri, që nuk është se rritet, por vetëm ndryshon, dhe se duhet të bërtasin me të madhe: “Rrite, rrite”. Sa për pagesën, është e sigurtë, se ata që kanë paguar, do të vijojnë të paguajnë, sikurse ata që ia gjejnë anën qeverive, do të vazhdojnë që t’ia gjejnë anën prapë. Për të mos folur më tej se masat me natyrë represive dhe presioni politik kundrejt Debitorëve që punojnë në administratë, pra Debitorëve dhe jo shkelësve të ligjit, është i dëshmuar si akt në kundërshtim me Ligjin dhe të drejtat e njeriut. Para disa ditësh “ResPublica” publikoi rekomandimin e Avokatit të Popullit për të gjitha institucionet. Dhe më tej akoma, kjo e çmimit të energjisë përmbys politikat e premtuara edhe pse, siç u shpreh ministri i Financave dje në “Top-Story”, përveç heqjes së fashës këtë vit, në vitin 2016 ose 2017 çmimi do të rishikohet sërish. Mund të jetë ekonomikisht shumë logjike, por politikisht, çështja nxjerr zbuluar qeverinë. Në kuadër të zhvillimeve që lidhen me protestën, mund të sillet edhe një element tjetër që reflekton një lloj pasigurie. Kryeministri ishte sot në një aktivitet që kishte të bënte me politikat në bujqësi, ku u prezantua harta rajonale e zhvillimit të bujqësisë. Fjalia hapëse e fjalës së Ramës: “Ky nuk është një takim i radhës, as një komunikim i radhës me publikun. Vet prania e Kryetarit të Kuvendit këtu është dëshmi e rëndësisë së këtij takimi për “Aleancën për Shqipërinë Europiane”, për koalicionin tonë, që ka vendosur një fokus tërësisht të ri mbi fshatin dhe në mënyrë të posaçme për zhvillimin rural”. Është një mesazh që konfirmon bashkëpunimin me LSI-në, aleatin kyç të PS-së dhe të Ramës, vetëm pak ditë pasi qeveria miratoi fondin për financimin e sektorit fason.
s.z
Comments
Si ke filmi -Beni ecen vete-
<p>Si ke filmi -Beni ecen vete- qe per te larguar friken nga nata Beni fershellente.</p><p> </p>
O Edvin Kristaq Rama, ti nuk
<p>O Edvin Kristaq Rama, ti nuk e ke gabim kur thua qe pensionistet dhe invalidet e paguajne, por harron qe me keq se keta ka sa te duash dhe ti e di kush jane TE PAPUNET. Meqe ra fjala sikur premtuat qe do te hapnit nja 300,000 vende pune. Ku jane???? Meqe ra fjala, edhe une jam dakord qe energjia te paguhet e te mos vidhet, por fakti qe edhe pensionistet edhe invalidet paguajne tregon qe shume nga ata qe nuk e paguajne s'kane me cfare ta paguajne se o do te paguajne dritat, o do blejne noi buke se u kerrcasin zorret....</p>
Add new comment