Vete gjuha ku dhemb dhembi?

Nëse ka ndonjë gjë historike Kuvendi i sotshëm Kombëtar i Partisë Demokratike, kjo padyshim është fjala e ish-drejtuesit të saj, Sali Berisha. Kjo sepse gjithçka tjetër është formalitet. Edhe kooptimet nga “e majta progresiste” janë më shumë në vijim të praktikës së z. Berisha për të zgjeruar sa më shumë rrezen e interesit në përfaqësimin në parti. Fjala e tij është moment i rëndësishëm, sepse në të, ish-kryeministri i Shqipërisë dhe ish-president i Republikës, ka dalë me disa qëndrime, të cilat shpesh i janë mveshur në mënyrë të aluduar, por që as në vitin 1997, nuk i ka shprehur hapur. Z. Berisha ka folur edhe me gjuhën e përkatësisë krahinore, duke shitur si fakt të vërtetë viktimizimin e Veriut nga qeveria e Rama-Meta. Kjo e përcjellë si pasojë e natyrshme e sintezës politike të së majtës së Edi Ramës dhe Ilir Metës, sintezë që bashkon sipas z. Berisha, neoenverizmin dhe korrupsionin. Cilësi këto me sa duket larg virtyteve që përshkojnë të djathtën e supozuar të përfaqësuar për kaq kohë nga z. Berisha. Një e djathtë që në leximin politik të ish-Presidentit të vendit, duket se ka si humbje gati të pakuptueshme, rezultatin fatal të 23 qershorit, i cili i la PD-së vetëm Kukësin. Por asnjë nga bastionet e saj. “Me ne, në këtë sallë, është çdo atdhedashës, qytetar, patriot i këtij vendi që lëndohet kur sheh se kjo është qeveria më anti-kombëtare pas qeverisë së Enver Hoxhës, apo qeveria më përçarëse kombëtare pas qeverisë së Enver Hoxhës. Kjo qeveri është antikombëtare, sepse Edvin Kristaq Rama, i udhëhequr nga urrejtja atërore krahinore, vendosi në themel të anti-reformës territoriale diskriminimin më të egër të shumicës së shqiptarëve, që jetojnë në veriun dhe mesin e vendit, duke realizuar kështu ndarjen teritoriale pothuaj të njëjtë me atë të antishqiptarit famëzi, Jorgji Zografi. Kjo është qeveria e urrejtjes, diskriminimit dhe përçarjes kombëtare, sepse Edvin Kristaq Rama ka ndëshkuar ekonomikisht, financiarisht verilindjen e Shqipërisë, si asnjëherë në 102 vite pavarësi të Shqipërisë. Kështu nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, qeveria e klikes Rama-Meta ka dhënë për Korçën mëshumë se për Tiranën, Shkodrën, Dibrën, Kukësin të marra së bashku, që kanë një popullsi 5 herë më të madhe se qarku i Korçës në veçanti. Kjo është klika e urrejtjes dhe përçarjes kombëtare sepse Rama-Meta ka dhënë nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve më shumë për Gjirokastrën se sa për Shkodrën, Lezhën, Kukësin të marra së bashku, që kanë një popullsi 6 herë më të madhe se sa qarku i Gjirokastrës. Kjo klikë, qarkun më të varfër të vendit, qarkun e Kukësit e ndëshkoi me dënim kapital financiar, e lë pa asnjë qindarkë financim nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, për shkak të votës të këtij qarku kundër tij, paçka se qarku i Kukësit, me prodhimin e tij, është një kontributor kryesor publik në buxhetin e shtetit”, tha ndër të tjera Berisha. Kujt i drejtohet në realitet ky mesazh? Shqiptarëve patriotë dhe të ndershëm, atyre me ndërgjegje kombëtare? Po a nuk ishin të tillë edhe ata 1 milionë që i thanë “Jo” Berishës më 23 qershor, për arsye, disa nga të cilat i shprehu sot edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha? Apo i drejtohet asaj Shqipërie të bastioneve, që për 20 vjet stabilizoi një ekulibër politik, në të cilin PD-ja e drejtuar nga z. Berisha kishte përherë një hapësirë ku të luante? Mos vallë 23 qershori ishte më shumë se mesazh për arrogancën e disa qeveritarëve? Mos vallë ai ishte një kërkesë unanime për t’i thënë ndal “erës Berisha” në politikë? Me siguri që ka shumë votues të tillë, por një mesazh i tillë do të kërkonte me siguri një ndryshim të një lloji tjetër në PD. Neoenverizëm, korrupsion dhe krahinarizëm, leksema politike që mëtojnë ta shpallin qeverinë aktuale, si antihistorike, pra si vazhduese e “Diktaturës së Jugut” që mishëron te shumëkush periudha e Enver Hoxhës. Dhe sot për ta përforcuar këtë salvaxhente politike, u soll në ndihmë edhe Jorgji Zografi. Nuk dihet nëse z. Berisha beson realisht në këto që thotë apo ato i shërbejnë nevojave të tija politike? Me siguri që të tilla qasje kanë brenda edhe një përpjekje për të “restauruar” PD-në në bastionet e humbura, por jo me ide dhe projekte, por duke u kujtuar shqiptarëve të Veriut, votuesve të PD-së në Veri, për të qenë më të saktë, se me këtë qeveri ata nuk përfaqësohen. Në një kohë tjetër, këtë sjellje politike, e quanin reaksionare. Por ja që ajo kohë ka ikur, edhe pse dikush e kujton. Sikurse me shpresë, ikën edhe koha e albanofobisë.
s.z
Comments
Po lere propaganden 23
<p>Po lere propaganden 23 vjecare "berisha i ka fajet" se e morem vesh qe Berisha i ka fajet se ju rrezoi ju komunistet dhe me cdo fjale qe thote ju a perplas ne fytyre jeni po na thuani njehere, a ka te drejte apo ska te drejte Berisha ne ato qe tha sot? Merrini ato fjale dhe analizoni problemin pastaj po sju dolen llogarite atehere ktheuni e bejini "gjygjin komunist" Berishes & Co.
Add new comment