Këshilli Ndërkademik: “Shqipja të jetë provim në fund të shkollës së mesme. Në shkolla t’i kushtohet vëmendje edhe larmisë dialektore të gjuhës”

Këshilli Ndërkademik i Gjuhës ka dalë me një deklaratë të radhës në të cilën apelon për përfshirje më te gjerë të mësimit të shqipes në programet e shkollave. Këshilli sugjeron që gjuha shqipe të jetë provim më vete në përfundim të shkollimit parauniversitar, që gjuha shqipe të mësohet në të gjitha shkollat e mesme gjatë tri viteve “me program të ri dhe me tekste të reja”. Po kështu Këshilli propozon që në ciklin nëntëvjeçar t’i jepet përparësi anës praktike, zotërimit të standardit, kurse në vijim edhe aspektit teorik të gjuhës. Këshilli ka kërkuar prioritet për albanologjinë në investimet për kërkimet shkenocore dhe si pikë të fundit ka lënë edhe që në shkolla “t’i kushtohet vëmendje diversitetit kulturor e begatisë dialektore të shqipes, në mënyrë që të mos krijohet hapësirë për stigmatizim të cilitdo varieteti të shqipes”. Propozimet duhet thënë se i bëjnë jehonë shqetësimit në rritje për një rrëgjim të pandalshëm në asimilimin e shqipes së shkruar, të standardit dhe sidomos për implikimin e rëndë që politika ka bërë në diferencimin dhe dallimin dialektor mes qytetarëve. Nga kjo pikëpamje këshilla për ushtrim praktik në 9 vitet e para dhe mandej për studim teorik më tej duket në pamje të parë një reflektim ndaj realitetit kur standardi vetë nuk asimilohet mirë që në bankat e fillores. Dhe kur çalon shkolla nuk ka sesi të pranohet vërejtja se përgjegjësi ka standardi. Problem paraqet këshilla e fundit, ku kërkohet vëmendja për begatinë dialektore të shqipes. Kjo duhet rregulluar posaçërisht dhe nuk mund t’u lihet në dorë mësuesve apo shkollave, pasi përndryshe mund të krijohen probleme të reja. Njohja me dialektet dhe pasurinë dialektore, në formën siç jepet këtu, duket se synon të krijojë një perspektivë të re te brezat e rinj në relatimin e tyre me folës të dialekteve të ndryshme, çka priret të zbusë keqkuptimin e tanishëm në diskutimin për gjuhën, por që është i tillë vetëm dhe vetëm për shkak të politizimit. Apo edhe qëllimeve politike që nuk mungojnë pas propozimeve të shumta për rishikimin e standardit në këto 23 vjet.
s.z
Comments
shpetimtaret e kombit.
<p>shpetimtaret e kombit. hahahaha</p>
Add new comment