Shkolla e Policisë, qeveria miraton uljen e pragut të pranimeve.

Postuar në 03 Prill, 2014 15:42

Një vendim i qeverisë shqiptare i datës 2 prill ka vendosur uljen e pragut të pranimeve në policinë e shtetit.
Vendimi i qeverisë bën një ndryshim në rregulloren e pranimit të punonjësve të rinj në policinë e shtetit.
Ndryshimi parashikon pranimin në polici të kandidatëve që plotësojnë në mënyrë të saktë 50 për qind të pyetjeve të testimit.
Më parë, rregullorja parashikonte pranimin e kandidatëve që plotësojnë 60 për qind të testimit në mënyrë të saktë.
Ulja e pragut të pranimeve është bërë për arsye se numri i kandidatëve që morën pjesë këtë vit, dhe që ka kaluar 60 për qind të përgjigjeve të sakta, ka qenë më i vogël se kuotat e miratuara për pranim në shkollën e policisë.
Me uljen e pragut, me propozim të Ministrisë së Brendshme, synohet plotësimi i vendeve që kishin mbetur vakante.
V E N D I M PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.804, DATË 21.11.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË PERSONELIT TË POLICISË SË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 49 e 52, të ligjit nr.9749, datë 4.6.2007, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në rregulloren e Policisë së Shtetit, miratuar me vendimin nr.804, datë 21.11.2007, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në nenin 14, bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
a) Pikat 2 dhe 3 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“2. Rezultatet e testit me shkrim shpallen brenda të njëjtës ditë, kur zhvillohet testimi. Aplikantët që kanë marrë 50% të pikëve të përcaktuara për testin me shkrim njoftohen për të vazhduar procesin e testimit. Rezultatet e testit me shkrim ruhen në dosjen e aplikantit dhe përbëjnë 50% të rezultatit të përgjithshëm të tij.
3. Aplikantët që nuk arrijnë 50% të pikëve të nevojshme të testit me shkrim kanë të drejtë të riaplikojnë për t’u pranuar në Polici me shpalljen e radhës së vendeve të lira.”.
b) Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Nëse për aplikantët që u përkasin minoriteteve, nga pikët e grumbulluara në testimin me shkrim nuk arrihet kuota prej minimalisht 2%, sipas nenit 19, do të njoftohen për të vazhduar procesin e testimit kandidatët e tjerë, sipas rendit zbritës, pavarësisht pikëve të testimit me shkrim.”.
2. Pas pikës 4, të nenit 19, shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
“5. Minimalisht 2 % e kandidatëve që pranohen në Polici të jenë nga minoritetet. Kur në listën respektive nuk ka kandidatë të mjaftueshëm për të plotësuar këtë kuotë, deri në plotësimin e saj kandidatët do të pranohen bazuar në listën e rezultateve të arritura sipas rendit zbritës, pavarësisht rezultatit të përgjithshëm të aplikantit.”.
3. Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Comments

Submitted by ena (not verified) on

<p>po ata qe jane skualifikuar per kod dhe variant do te kete ndonje shpres per te perseritur provimin zoti minister tahiri</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.