Mes Shtetit dhe Call Center-it

Postuar në 24 Mars, 2014 10:55
Leart Kola

Nuk ka gjë më të thjeshtë në botë se të flasësh për të rinjtë. Kjo e bën këtë temë edhe më të vështirën gjithashtu, sigurisht nëse nuk do të flasësh nëpërmjet klisheve. Duke u frigur që ky artikull është në vetvete një klishe (si vetëmbrojtje), dua të rreshtoj një seri të tillash, që diskutohen lirisht sot në çdo hapësirë publike dhe private. Si i ushqejnë këto klishe paradokset e thella që po e shoqërojnë këtë kategori shoqërore deri sa bëhen pleq, e pa e kuptuar se si u shkoi rinia, fillojnë të riprodhojnë të njëjtat klishe pa e pyetur veten një herë në formë kritike a ishin ato të sakta?

Thuhet, “të rinjtë janë dembelë, nuk e duan punën”. Po mirë, cilën punë? Shqipëria pas 23 vitesh përqafimi të neoliberalizmit ku u shit gjithçka, nuk zotëron asnjë industri të asnjë lloji. Ekonomia e shërbimeve që kemi ndërtuar, i ka shkuar për shtat spekulantëve të tregut, madje deri vonë biznesmenët në Shqipëri quheshin “tregtarë”. Ky në fakt është dhe termi më i saktë për ta, sepse ajo ç’ka bënë ishte tregtimi i aseteve publike për interesa private. Ndërkohë, historia e njerëzimit na tregon që të gjitha vendet të cilat kanë pasur sukses me punësimin, kanë qenë ato vende që kanë ndërtuar ekonomi prodhuese nëpërmjet ndërhyrjes së shtetit duke favorizuar pikërisht këtë sektor. Ky është rasti i baby boomers, dhe kejnsianizmit pas Luftës së Dytë Botërore, kjo është mënyra se si u ndërtua Europa nga rrënojat. Shembull i largët për Europën, por shumë aktual për Shqipërinë, e cila sot është vendi me moshën më të re në Europë, por nuk do jetë për shumë kohë, siç thonë parashikimet. Pas 25 vjetësh do kemi katërfishim të detyrimeve për pensione, e atëherë do të jetë shumë vonë për të përfituar nga ky rast që na jep historia e biologjia. Në mungesë të një ekonomie prodhuese, e cila prodhon jo vetëm materiale por dhe vende pune, të rinjtë kanë vetëm dy punëdhënës të mëdhenj, Shtetin ose Call Center-in.

E kjo na sjell dhe tek rënia e klishesë tjetër, “të rinjtë duan të punojnë në shtet”. Po patjetër që duan, sepse shteti nuk i ka dhënë alternativë tjetër përpos vetvetes. Duhet të jetë rast unik, por vetëm në Shqipëri njerëzit ëndërrojnë të punojnë doganierë, sektori më i mërzitshëm publik kudo në botë. Jo për të qënë naiv, sepse të gjithë e dinë pse shihet si alternativë e mirë dogana; por mbi të gjitha për të treguar se në ç’gjendje e kemi katandisur imagjinatën kolektive të suksesit, e këtë nuk e ka bërë brezi i të rinjve, por ai tjetri “parimori”.

Thonë që të rinjtë nuk e meritojnë punën se “nuk e duan arsimin”. Po mirë cilin arsim? Nëse sot mbaron arsimin e atij “brezit tjeter” deri tek i mesmi, dhe di shkrim e lexim, tashmë klasifikohesh si nxënës i mirë. Për të mos folur pastaj për universitetet të cilat fabrikojnë diploma. Me këtë lloj arsimimi një i ri edhe kur shkon 30 vjeç nuk e ka kuptuar akoma se çfarë profesioni ka. 30 mijë euro investim që prodhojnë vetëm dyshim, ky është arsimi ynë. Për të mos folur pastaj për vajzat, që janë rast dhe më specifik, sepse praktikisht kanë një trajektore të qartë: Nga ëndrrat e babit tek ëndrrat e burrit. Arsimi nuk është i kohës, por i të ardhmes, ndaj duhet rindërtuar mbi koncepte të qarta e duhet ndërtuar dorazi me ekonominë, në mënyrë që zyrat e këshillimit të karrierës të mos ngjasojnë me fallxhorë profesionistë, por me hapësira ku i riu vendos me vullnet të lirë se ku do të kontribuojë në shoqëri.

Thonë që të rinjtë nuk punojnë, se duan punë “me shumë lekë”. E në fakt puna nuk është lek, por dinjitet. Nuk është e vërtetë që të rinjtë duan të jetojnë në kurriz të prindërve; në fakt është ndjesia më e keqe në botë. Unë personalisht, kam jetuar një periudhë jo të vogël në kurriz të prindërve të mi, e sado që në familje nuk më kanë munguar mundësitë, e klasifikoj si gjendjen më të turpshme të kaluar ndonjëherë në jetën time. Puna të zhvillon imagjinatën, të vendos në paqe me shoqërinë e mbi të gjitha të krijon vetëbesim. Të rinjtë e duan punën, sepse nëpërmjet saj kanë dinjitetin, e nëse një shoqëri nuk arrin të sigurojë punë për të rinjtë e saj, jo vetëm është duke dështuar ekonomikisht, por mbi të gjitha është duke ua hequr individualisht dinjitetin e bashkarisht të ardhmen.

Ka ardhur koha, e për fat nuk është vonë që t’i nxjerrim të rinjtë nga statistikat e Instat-it e mbi të gjitha t’i çlirojmë nga klishetë, që me sa duket qenkan më të lehta për t’u prodhuar se vendet e punës. Nuk ka nevojë për shumë fjalë, ka nevojë vetëm për pak sinqeritet e për shumë vizion, para së gjithash ekonomik. T’i rikthejmë ekonomisë, bujqësisë prodhimin vendas, si katalizator i industrializimit të vendit nëpërmjet shfrytëzimit të krahut të punës që e kemi me bollëk. Të ndërtojmë një sistem arsimor serioz, jo vetëm në shkencat praktike, por dhe në ato humane që do mundësonin ndërtimin e një komunikimi të ri shoqëror. Vetëm kështu do mund të flasim me seriozitet për Shqipërinë e gjeneratës tjetër.

 

 revista Klan nr.861

Comments

Submitted by SuperAtlantik (not verified) on

<p>Jam i majte dhe kam votuar gjithnje PS, por ky ketu eshte nje tregtar demagogjie...llafe, llafe, llafe</p>

Submitted by reformer (not verified) on

<p>i dashur Leart, ke disa ide te shendosha, por ceshtja e punesimit nuk eshte vetem ceshtje morali. ju te rinjte duhet te prodhoni me shume ide per tu punesuar. nuk ljafton cfare ben qeveria. duhet vrare mendja per te gjetu rrrugezgjidhje dhe jo vetem individuale.</p>

Submitted by Albi (not verified) on

Ky eshte ... [deleted], shkruan llafe pa kuptim.

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>komplet aut... dhe keta tipat si kola paguhen me parate tona... parazitizmi ne kulm... shtet i degjeneruar nga keta parazitet llafolloge</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.