Shënim: Një Drejtësi që duhet të flasë me emra

Postuar në 04 Dhjetor, 2013 07:59

Kanë kaluar vetëm pak muaj qëkurse qeveria e re e kryesuar nga Edi Rama mori pushtetin dhe perceptimi fillestar mbi atë se çfarë vullneti ka realisht ajo për të ndryshuar gjendjen është formësuar. Ndonëse është e qartë se ajo e refuzon status quonë e instaluar nga qeveria e mëparëshme, ideja se veprimet korrigjuese apo rehabilituese do të jenë jo të plota, madje shpesh edhe kaotike, ka nisur të zërë vend. Si shembull domethënës është shembja e kompleksit “Jon” në Vlorë, i shpallur si objekt i ndërtuar në shkelje të ligjit, shoqëruar madje me një padi nga ministri i Brendshëm, por që do të prodhojë një faturë të dyfishtë për qytetarët shqiptarë: Së pari është abuzimi në ndërtimin e tij dhe së dyti është vendimi i qeverisë aktuale për të shpronësuar banorët me paratë e taksapaguesve shqiptarë që nuk kanë asnjë faj. Ky rast që e ka futur qeverinë në një paradoks, irritues për shumëkënd, është në fakt një parathënie e asaj që është prova gjenerale e kësaj mazhorance: vendosja e Drejtësisë në këtë vend. Të mos harrojmë se kombinimi PS-LSI i 23 qershorit ka marrë një mandat të plotë për të kryer çdo reformë, ndaj asnjë alibi apo justifikim nuk mund të funksionojë. Përpos kësaj faktet janë evidente dhe të qarta, ato po publikohen dhe po vënë në testim të përditshëm qeverinë nga e cila priten veprime. Lëvizjet në gjyqësor, apo prokurori, ndryshimet në ligje nuk kanë mesa duket asnjë efekt, sa kohë që edhe partnerët, si ambasada amerikane, ashtu edhe OSBE-ja po nënvizojnë nevojën e zbatimit të ligjit. Nga Bashkimi Evropian vijnë kërkesa për “arrestime të nivelit të lartë” në këmbim të vlerësimit real të Shqipërisë si një vend që meriton të hyjë në BE. Vetë përfaqësuesit e PS-së, dikur në opozitë ishin autorë të akuzave shumë të rënda për qeverinë e Sali Berishës. Më e rëndësishmja: vetë njerëzit kërkojnë publikisht zbatim të ligjit të paktën për çështje të nxehta si 21 janari dhe Gërdeci. Përse nuk po veprohet atëherë konkretisht? Pyetja  i delegon qeverisë aktuale besimin, gjë shumë e rëndësishme, pasi në momentin që nuk do të shtrohet më, atëherë vetiu edhe ekipi i Rilindjes do jetë barazuar me Qeverinë e Duarve të Pastra. Mund të hipotetizohet se nëse do të mbërrihet në këtë pikë, pra kur shpresa te ndryshimi të jetë fikur edhe njëherë, me siguri që do të kuptojmë se të vetmet institucione të qëndrueshme dhe efektive për të cilat kemi votuar, apo kemi përpara syve do të jenë liderët e partive dhe strukturat e krimit që po dominojnë sistemin. Nuk ndodh shpesh që shoqëria të kërkojë në mënyrë kaq aktive dhe me unanimitet të madh zbatimin e një kërkese kaq të natyrshme për vetë demokracinë: zbatimin e ligjit. Ndaj edhe dëgjimi i këtij zëri është nevojë për politikën shqiptare, e cila po zbulon veten se nuk ka asnjë projekt apo vizion të vërtetë. Dhe po varfërohet madje edhe në armën e fortë të saj: demagogjinë.

s.z

Comments

Submitted by res ipsa loquitur (not verified) on

Statuja e drejtesise ka dhe shpate ne dore jo vetem peshore, por ne Albanistan i ka rene shpata nga dora .

Submitted by Bard (not verified) on

Kush eshte kjo gruaja me kandar ne dore, Eduart Halimi apo ky tjetri i LSI?

Submitted by dritan (not verified) on

Problemi qendron se sh nga akuzat e artikuluara kane qene thjesht hamendesime pa baza dhe sot eshte e pamundur per nje gjyaktes normal te transformoje akuzat poetike plot pathos te opozites se djeshme ne fakte dhe argumenta juridike.

Sigurisht votat per te prodhuar gjykates te tipit Aranit Cela edhe mund t'ua japin mundesine por pastaj ne vend te peshores ne doren e statujes lart do vendosnim serisht kazmen dhe lopaten.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.