Rama: Ndryshon me themel struktura e Policisë së Shtetit; model tjetër, me më pak shefa dhe më shumë agjentë

Postuar në 11 Tetor, 2013 04:35

Në një takim të sotëm me drejtuesit e rinj të Policisë së Shtetit, Kryeministri Rama kërkoi prej tyre përgjegjësi maksimale në kryerjen e detyrës.  “Sot kemi një trupë drejtuese të Policisë, të përzgjedhur me kujdesin më të madh, duke kërkuar në radhët e shërbëtorëve të këtij shteti, nën uniformen blu, njerëzit më të përshtatshëm për të kryer një reformë të thellë dhe për të ndërmarre një aksion historik të Policisë së Shtetit, që do të rivendosë raportet e drejta mes shoqërisë, pasurisë së përbashkët dhe pa asnjë dyshim mes individit dhe pronës", u shpreh Rama, duke theksuar se reforma e saponisur në Polici ka kaluar fazën e saj të parë dhe do të vijojë me ndryshimin e plotë, rrënjësor të saj.  

Pas takimit të Ramës me efektivë të policisë, zbulohet struktura e re e Policisë së Shtetit e firmosur nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.  Ndryshimet kanë nisur nga organigrama e Ministrisë së Brendshme te struktura e Drejtorisë së Përgjithshme e deri te drejtoritë e qarqeve e komisariatet. Ideja është një zinxhir drejtimi me më pak drejtues e me më shumë punonjës në terren, ndryshe nga piramida e mëparshme me “kokë poshtë”, që numëronte 811 oficerë në Drejtorinë e Përgjithshme, të gjithë funksionarë. Ndryshimi strukturor ka nisur pikërisht në zyrat qendrore të Policisë, ku është parashikuar që të mbeten vetëm 255 funksionarë të lartë policie. Ndërsa 556 oficerët e tjerë do të shpërndahen nëpër drejtori të tjera e komisariate. Organigrama e re e Policisë së Shtetit parashikon 3 departamente që do të drejtohen respektivisht nga 3 zv.drejtorë të Përgjithshëm. Drejtori i Përgjithshëm do të ketë në varësi: 2 ose 3 zv.drejtorët, Byronë Kombëtare të Hetimit, Akademinë e Policisë, Institutin Kriminalistik, Drejtorinë e Studimeve Strategjike, drejtoritë e qarqeve dhe njësinë speciale RENEA.  Kjo pjesë është ende në diskutim, pasi po shqyrtohet mundësia edhe për shkrirjen e Departamentit të Kufirit, që do të thotë se do të ketë vetëm 2 zv.drejtorë të Përgjithshëm, ai i Rendit dhe i Hetimit të Krimit. Drejtoritë e policisë së qarqeve do të marrin funksione parësore në parandalimin dhe zbulimin e krimeve të hapura, si dhe policimin në komunitet.  

Organika e qarqeve

Në strukturën organike aktuale, drejtoritë e policisë në qarqe funksionojnë me dy zëvendësdrejtorë, një për rendin e një për hetimin e krimeve. Në projektin e strukturës së re do të vendoset struktura e Shefit të Policisë së Qarkut, i cili do të jetë zëvendësdrejtor, në varësi të të cilit të jenë të gjitha strukturat policore të qarkut, që përfshijnë më së shumti krimet.  Në këtë formë nuk do të ketë më zv.drejtor për rendin dhe sigurinë publike, me përjashtim të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, që është drejtoria më e madhe. Sipas organigramës, drejtori i policisë së qarkut do të ketë në varësi: Seksionin e Administrimit të Dokumenteve dhe Përfaqësimit Ligjor; Seksionin e Shqyrtimit të Kundërvajtjeve dhe Apelimet; Sektorin e Shërbimeve Mbështetëse dhe Financës; Policinë Shkencore; Sektorin Operacional dhe Kërkimi; Sektorët Ndihmës dhe Mbështetës, sigurisht edhe shefin e policisë (zv.drejtorin).

Zh.

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.