Fakte skandaloze në Portin e Durrësit, dhunimi i aseteve publike në emër të koncesioneve kalon çdo masë e kufi

Postuar në 06 Shtator, 2013 02:27

Ca nën rrogoz e ca në dritë të diellit, qeveria në ikje e ka nxjerrë portin e Durrësit në pazar: në emër të koncesioneve shiten shërbime, makineri, bëhen privatizime dhe kalime pronësie pa kriter, shkruan revista Java, duke renditur njëra pas tjetrës aferat e vetëm dy muajve të fundit në port.   

  1. Portet e jahteve. Pas tenderit të 18 qershorit që shpalli fitues të vetmin të interesuar për dhënien me koncesion të ndërtimit të një porti jahtesh në Gjirin e Lalzit pranë Kepit të Rodonit në Durrës, në 27 qershor në mbledhjen e parë të qeverisë pas humbjes së thellë që i shkaktoi koalicioni opozitar, u miratua një tjetër kontratë koncesionare e pa kërkuar. Bëhet fjalë për ndërtimin e një porti jahtesh në Porto Palermo, ku qeveria ka miratuar propozimin e njëanshëm të një kompanie private. Së fundmi, pa shumë bujë e rrëmujë, një tjetër port jahtesh ka marrë bekimin në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të 21 gushtit, porti i jahteve pranë Urës së Dajlanit në Durrës!!!
  2. Dhënia e Portit të Durrësit me koncesion.  Gjatë muajit maj janë zhvilluar pranë Autoritetit Portual të Durrësit disa tenderë për të përzgjedhur se kush do të ketë të drejtën e shërbimeve jetike për Portin dhe kush do të marrë për një periudhë kohe hapësira pranë kësaj ndërmarrjeje për t’i shfrytëzuar si koncesionar, por asnjë prej garave nuk është njoftuar as në faqen e internetit të Portit Durrës, as në atë të Ministrisë së Punëve Publike e Transportit, madje vendimet nuk janë pasqyruar as nga Agjencia e Prokurimit Publik. Megjithatë ajo që është nisur është bërë!!!
  3. Terminali i Trageteve. Gjithçka që do të nxirrte nga duart këtë aset publik që sillte jo pak të ardhura në arkën e shtetit, duket se ishte kopsitur mirë, duke qenë se tenderi u zhvillua vetëm tri ditë para zgjedhjeve, duke anashkaluar tërësisht Autoritetin Portual të Durrësit. Terminali i Trageteve në Portin e Durrësit u dha me koncesion për vetëm 3.2 milion euro. Një shifër qesharake!!!
  4. Një tjetër subjekt kyç që kaloi në duart e privatit ishte edhe kontrolli fizik në dogana. Në vitin 2012 kontrolli fizik i mallrave që hyjnë dhe dalin në doganat shqiptare u dha me koncesion. Deri atëherë ky proces kryhej nga punonjësit e administratës doganore. Pas dhënies me koncesion, mallrat kontrollohen nga një skaner i instaluar nga firma private dhe përkthehet në kosto, që i faturohet bizneseve importuese dhe eksportuese. 
  5. Terminali i Kontejnerëve. Këto ditë janë shitur në fshehtësi të gjitha pajisjet dhe mekanizmat e rënda të Terminalit të Kontejnerëve në Portin e Durrësit Makineritë si piruna, autovinça, koka tërheqëse Scania, porta-kontejner, por edhe shtatë vinça të mëdhenj portualë është bërë për një shumë prej 3.7 milionë eurosh, ndërsa procedura dhe shuma minimale e kërkuar në total për ankandin është 520 milionë lekë të reja, pa TVSH!!!

Të gjitha sa u thanë më sipër, janë bërë fakt i kryer, përfundon Java dhe, pavarësisht se socialistët kanë paralajmuar anulim të të gjithë tenderave abuzivë, do ta kenë vështirë, pasi qeveria në ikje “ka bërë poçen, por ka bërë edhe vjegën”, ajo ia ka kaluar Portin e Durrësit për menaxhim  dy kompanive të huaja, duke i hequr kështu çdo të drejtë shtetit shqiptar për menaxhimin e portit më të madh në vend.  Këto kompani janë grupi FRS Chartering Beteiligunsgesellschaft MBH dhe Global Albania Netëorking, të bashkuar në subjektin Albanian Ferry Terminal Operator (AFTO), që merr koncesionin e menaxhimit, operimit, përmirësimit teknik dhe mirëmbajtjes të terminalit në Portin e Durrësit.

Zh.

Comments

Submitted by lab gjysem opinge (not verified) on

<p>pas gjithckaje eshte drejtori i portit Eduart Ndreu me Sokol Olldashin, frimat e siper cituar si gjasme gjermane jane te tyret, gjithe administarata e portit po zhvendos dokumentat dhe zyrat prane tyre,faktet qe sjell Java sjane asgje, aty eshte dhene me koncension gjithcka, vetem baseni ujor ka ngelur pa iu dhene prvatit.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.