Kabineti “Rama”, ministrat dhe portofolet që synon LSI

Postuar në 02 Korrik, 2013 04:47

Lëvizja Socialiste për Integrim synon Ministrinë e Transporteve, atë të Arsimit, Integrimin dhe Ministrinë e Mbrojtjes në qeverinë e re. Deputeti i Durrësit, Lefter Koka, emri më i sigurt në kabinetin Rama. Përfliten edhe Rrokaj, Luan Rama e Manjani

 Kur u pyet për ministrat e LSI-së në qeverinë e re, Ilir Meta u përgjigj se do të duhen disa javë për të mësuar emrat. Megjithatë, gara tashmë është hapur në selinë e Lëvizjes për Integrim. Njësoj si në PS, edhe në partinë e Metës ka dilema rreth lënies së mandatit të deputetit, po aq sa edhe për njerëzit që do të përfaqësojnë në ekzekutiv këtë forcë politike me sukses të pazakontë në zgjedhjet e 23 qershorit. Emrat e parë kanë nisur të qarkullojnë dhe mes tyre, deputeti i Durrësit, Lefter Koka duket se ka gjetur konsensusin më të madh. I papërfshirë në qeverinë “Berisha” dhe me një rol të njohur tashmë në afrimin e Edi Ramës dhe Ilir Metës, Koka përflitet si njeriu që e ka tashmë të sigurt një post në kabinetin e ri, që do të mandatohet në shtator. Burime pranë LSI-së bënë me dije për MAPO-n se Lefter Koka pritet të marrë Ministrinë e Transporteve dhe Punëve Publike. Me këtë portofol të rëndësishëm në qeverinë “Rama” duket se LSI ka vendosur të lëshojë atë të Ekonomisë, e drejtuar për 4 vitet e shkuara nga Nasip Naço dhe Edmond Haxhinasto. Ministritë e tjera që pretendon të marrë Lëvizja Socialiste për Integrim janë ato të Arsimit, të Integrimit dhe Ministrinë e Mbrojtjes, për të cilat po diskutohen edhe emrat e mundshëm. Edhe pse gjithçka është ende në proces negocimi me Partinë Socialiste. Duke iu përmbajtur të njëjtit parim si në rastin e Kokës, edhe ministrat e tjerë të LSI-së pritet të mos kenë qenë pjesë e kabinetit Berisha. Emrat më të mundshëm, të cilët janë diskutuar në ditët e fundit janë ata të Shezai Rrokajt, Luan Ramës dhe Ylli Manjanit. Burimet pranë LSI saktësuan dje se gjithçka është në proces diskutimi brenda partisë, ku nuk kanë munguar shqetësimet për lënien e mandatit të deputetit. Megjithatë, Meta e ka dhënë tashmë këtë kompromis tek Rama, duke e cilësuar vendimin për të ndarë ekzekutivin nga legjislativi si një hap përpara në menaxhimin e punëve të shtetit. Gjatë daljeve publike pas fitores bindëse në zgjedhjet e së dielës së kaluar, si Edi Rama, ashtu edhe Ilir Meta kanë premtuar se dy partitë nuk do të qeverisin si në të shkuarën, me ndarjen e pushtetit në përqindje. Megjithatë, pritshmëritë e LSI-së, bazuar edhe në rezultatin zgjedhor janë më të mëdha se aleanca e prishur më 1 prill me Berishën. Mësohet se LSI pritet të marrë 4 deri në 5 portofole ministrore e për këtë arsye, numri i ministrive pritet të zgjerohet nga 14 që janë aktualisht, në 16 apo 17. Aktualisht, Partia Socialiste është duke zhvilluar bisedime edhe me aleatët e tjerë të koalicionit voluminoz, ku përveç PBDNJ-së së Vangjel Dules, të tjerëve do t’u duhet ndoshta të kënaqen me poste zv/ministrash. Kabineti i Ramës ka shfaqur veçanërisht interes për nismën që ai ka ndërmarrë: ministrat duhet të lënë mandatin e tyre të deputetit. Figurat më të njohura të PS-së, që me fitoren prisnin edhe një vend në qeveri, e shohin me dyshim këtë vendim të Ramës, që pas “bekimit” të Metës, i duhet të kalojë edhe në forumet e partisë.

 

 Mark Frroku i PKD pret një post në kabinetin “Rama”

Deputeti që mori një mandat në Pukë dhe drejtuesit e Partisë i bënë thirrje Ramës që t’i përmbahet marrëveshjes parazgjedhore

 

Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë, që arriti të marrë një mandat deputeti në qarkun e Shkodrës i kërkon Ramës që t’i përmbahet marrëveshjes parazgjedhore. Mark Frroku, i cili do të jetë deputet në Kuvend tha dje se me votën që kjo parti mori, iu dha fund bastionit të PD-së në Shkodër. “I vetmi deputet që përfaqëson direkt pukjanët është Mark Frroku i PKD. PKD konkurroi në këto zgjedhje me një staf të ri politik, me biznesmenin e njohur Mark Frroku,” -thanë drejtuesit e PKD-së, të cilët nuk lanë pa shpotitur edhe Nard Ndokën. “Ne morëm 6 për qind të votave në qarkun e Shkodrës, gjashtë herë më shumë edhe se Nard Ndoka, që është deputet falë listës së PD. Ne kemi vetëm të drejtën morale të flasim në emër të demokristianëve”. Kurse deputeti i ri, Mark Frroku tha se kjo është një ngjarje historike. I pyetur nga gazetarët, ai tha se pret një post ministror nga kryetari i PS, pasi kështu ka qenë marrëveshja. Çdo parti që merrte deputet, do merrte post ministror. “Ne nuk kemi asnjë arsye të besojmë se marrëveshja nuk do zbatohet. Akoma nuk është marrë një vendim nga PS, aleati kryesor. Nuk kemi shprehur preferenca”, - tha Frroku. Mark Frroku është vëllai i Arben Frrokut, i akuzuar për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt. Për shkak të spekulimit me këtë fakt, PKDSH i ka kërkuar medias që të trajtojë me dinjitet emrin e kësaj partie.

 

 

MAPO

Comments

Submitted by ladi (not verified) on

urojme qe ministrat e rinj te sjellin vertete rilindjen dhe ndryshimin. rendesi ka te vendosen njerez serioz e te fushes perkatese. Shezai Rrokaj tek arsimi mendoj se eshte personi me I nevojshem, ka treguar gjithmone profesionalizem dhe vendosmeri edhe kur ishte Rektor. Luan Rama nuk eshte per drejtim por per foto neper pub e tr

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.