“Ndjesë Kadaresë”? Mazokizëm, servilizëm dhe idhujtari

Postuar në 24 Maj, 2013 12:30
Ilir Hashorva

Ka ngjallur interes libri i Bardhyl Londos “Jeta që na dhanë” për mendimet që jep autori për shoqërinë shqiptare të kohës së komunizmit dhe veçanërisht të intelektualëve në përgjithësi dhe të shkrimtarëve e artistëve në veçanti. Gazetat vazhdojnë e shkruajnë për atë libër dhe për Bardhyl London, për të duke vënë në dukje të metat e shoqërisë në komunizëm si dhe meritën morale të autorit për t’i vënë në dukje ato të meta.

Në një shkrim homazh për Bardhyl London dhe librin e tij të Agron Gjekmarkaj, me titull “Londo, ndjesë Kadaresë për heshtjen pas pretencës penale të ‘Pallatit të ëndrrave’”, më bëri përshtypje fraza: “...Bardhyl Londo rrëfen një shoqëri të depersonalizuar, të mposhtur, të nënshtruar, të banalizuar e po aq të tillë intelektualin e saj.... Leximi i “Jetës që na dhanë” të bën të kuptosh sesi intelektuali shqiptar zhytet në historinë “e re”, në historinë e fituesit pa i rezistuar asaj”.  

 

I. Nuk ishin njëlloj të gjithë intelektualët

Unë nuk mund të pajtohem me një mendim të tillë, aq më tepër që ky mendim jepet nga një prej atyre intelektualëve që, në njëfarë mënyre, ka përgjegjësitë e veta në ndihmën që i ka dhënë sistemit për të krijuar në atë kohë shoqërinë që ai fshikullon sot. Ta shikosh njëlloj të gjithë shoqërinë shqiptare të asaj kohe, do të thotë të kesh një fushë shumë të ngushtë pamjeje dhe të ndikohesh vetëm prej asaj që ke përreth.

Intelektualët nuk kanë qenë njëlloj të gjithë. Në librin tim “Gandi, analiza e komente mbi Gandin dhe Gandizmin, Pjesa III”, analizoj me hollësi qëndrimin e intelektualëve në komunizëm dhe arrij në përfundimin se intelektualët në atë kohë ishin të ndryshëm. Aty them:

Një pjesë fare e vogël e tyre (e intelektualëve) ishte e tipit Giordano Bruno. Kjo pjesë e ndërgjegjshme dhe plotësisht e moralshme e kundërshtoi komunizmin qëkurse u fol për të, pa ardhur ende në pushtet, apo që në ditët e para të pushtetit të tij. Kjo pjesë, ndjekëse e palëkundur e ideve dhe idealeve të saj të lirisë e të moralit, u përballua me dilemën “ose mbijetesë, ose ndërgjegje” dhe zgjodhi ndërgjegjen. Kjo pjesë shumë shpejt u asgjësua, ose fizikisht, ose intelektualisht.

Një pjesë tjetër e vogël ishte e tipit Galileo Galileu. Kjo pjesë nuk pati forcën e nevojshme t’i rezistonte komunizmit dhe, e sforcuar, u bashkua pa dëshirë me të, ndonëse e dinte se ajo që po bënte ishte e gabuar. Kjo pjesë u përballua me dilemën “ose mbijetesë (jo në kuptimin e jetës biologjike, por në atë të jetës profesionale), ose ndërgjegje,” dhe nuk pati forcë të zgjidhte ndërgjegjen.

Një pjesë e madhe e intelektualëve ishte e tipit Faust. Këtë pjesë e përbënin ata që, edhe pse kishin bindje antikomuniste, u bashkuan me komunizmin si renegatë, u bashkuan me të jo për të shpëtuar nga ndonjë e keqe, jo për të mbrojtur diçka të rëndësishme e jo personale, por për të përfituar prej tij pra, për njëfarë pragmatizmi imoral. Kjo pjesë u përballua me dilemën “ose famë, ose ndërgjegje” dhe zgjodhi famën. Kjo pjesë bëri marrëveshjen e Faustit me Mefistofelin, duke i shitur shpirtin djallit në shkëmbim të famës që do i jepte ai.

Një tjetër pjesë e përbënin intelektualët idealistë komunistë, të cilët ishin të bindur atëherë për vlerat e komunizmit dhe mbeten edhe sot me po ato bindje. Për këta nuk kemi ç’themi. Moralisht ata nuk mund të kritikohen, të paktën ishin njerëz me parime.

Pjesën më të madhe të intelektualëve e përbënin dallkaukët e çdo lloji. Këta nuk e patën për gjë të bashkoheshin me fanatizëm në atë kohë me komunizmin dhe nuk e patën për gjë të ndërronin fletë sapo komunizmi ra e të tregoheshin kundërshtarë fanatikë të tij. U bashkuan atëherë me komunizmin për të përfituar dhe e anatemojnë sot komunizmin përsëri për të përfituar. Mjerisht, kjo kategori del në çdo kohë përfituese. Ndofta Bardhyl Londoja ka qenë midis tyre, i njeh mirë këta intelektualë të neveritshëm dhe e ka fjalën pikërisht për këta që, edhe pse përbëjnë pjesën më të madhe, nuk përbëjnë të gjithën.

 

II.  Nuk kërkohet ndjesë për një faj të pabërë

Është bërë zakon që t’u kërkohet atyre që mendohet se kanë kryer një mëkat, një vepër të keqe, në komunizëm apo edhe sot, të kenë kurajë dhe ndershmëri për të kërkuar ndjesë, dhe dalin disa që, me demek, e kuptojnë këtë kërkesë dhe thonë diçka fare pa vlerë si kërkesë ndjese, për t’u mbajtur më pas si shembuj morali. Është një investim i vogël që jep fitime të mëdha. Këtë gjë duket se bën edhe Bardhyl Londoja në pjesë ku flet për kritikën që i bëhet në “Lidhjen e Shkrimtarëve” Kadaresë dhe qëndrimin e tij të heshtur, të cilin e paraqet si faj, si mëkat, si ndihmë për regjimin.

Ja se ç’thotë Agron Gjekmarkaj në shkrimin e tij për vërtetuar këtë: “Fjala në emër të së cilës rrëfehet (Bardhyl Londoja) thërret “mea culpa” për mungesën e fuqisë për t’u rebeluar, kundërshtuar, kuptuar më shumë e më thellë..... Mjerimi, frika dhe xhelozia e shkrimtarit shqiptar shfaqet ndoshta në një përmasë që krijon model të së keqes, kur në vitin 1982, Ismail Kadaresë i lexohej pretenca penale nga kolegët e tij të letrave dhe shefat e tyre partiakë për romanin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Të gjithë heshtin, askush nuk e mbron dhe të gjithë e braktisin tek i vetmuar dhe i zymtë zbret shkallët e Pallatit të Kulturës për në shtëpi. Të gjithë shtiren të pamëkatë, të gjithë gjuajnë edhe gurin e fundit kundër tij. Kjo është një brengë për Bardhyl London, i cili ishte aty i frikur si të tjerët... Duhet fuqi morale dhe intelektuale për t’u bërë pjesë e fajit të një epoke edhe atëherë kur ti gjendesh në skajin më të padëmshëm të tij. T’ia njohim këtë akt Bardhyl Londos”.

Bardhyl Londos të mos i mbetet fare merak që nuk ka folur në mbrojtje të Ismail Kadaresë në mbledhjen që iu bë atij në “Lidhjen e Shkrimtarëvë”, kur e kritikuan shokët e tij, shkrimtarë e artistë të tjerë të “Lidhjes”, të gjithë gati njëlloj, të asaj Lidhje që Maks Velo, në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” më 10 korrik të vitit 2012, e përshkruan: “Mendoj se ......dënimi im, ishte i tëri nga ligësia e artistëve. Nuk ishte Dega e Brendshme, as ministria, as pushteti popullor që i bënte ato, por ishte ligësia... e Lidhjes së Shkrimtarëve që për mua s'ishte Lidhje Shkrimtarësh por kriminelësh”.  

Bardhyl Londos të mos i mbetet fare merak që nuk ka folur në atë mbledhje, ku u zhvillua një analizë kritike e zakonshme ndaj Ismail Kadaresë, ashtu siç ishte bërë ndaj shumë të tjerëve, dhe jo një “pretencë penale”. Në atë mbledhje, Bardhyl Londoja ka mbajtur qëndrimin më të mirë që mund të mbahej, duke pasur parasysh kohën. Të mos flisje në një mbledhje të atillë për një person që e kritikonte Partia, ishte gjëja më e guximshme që mund të bëje. Bardhyl Londoja e di fare mirë këtë dhe, prandaj, jo vetëm që s’ka arsye të dëshpërohet dhe të kërkojë ndjesë e ta brejë sot ndërgjegjja, por, përkundrazi, mund të mburret realisht me atë që bëri. Ai që e ka jetuar atë kohë, e di fare mirë se ç’do të thotë të heshtje kur kritikohej një person me urdhër nga “lart”.  Të mos flisje në një mbledhje ku Partia kritikonte një anëtar të saj, do të thoshte të mos ishe me vijën, do të thoshte të rebeloheje ndaj Partisë, të asaj Partie që kërkonte entuziazëm, madje garë entuziazmi në mbështetje të punëve të saj, garë entuziazmi artistësh dhe shkrimtarësh për të gjetur fjalët e shprehjet artistikisht më të goditura për të bërë pleh atë që godiste ajo. Bardhyl Londoja të mos përdorë shprehje të tilla si “Me heshtjen tonë jemi bërë bashkëfajtorë”, shprehje që përdoren fare mirë e me vend në shoqëri normale. Regjimi shqiptar ishte anormal, ai kishte rregulla krejt të tjera. Bardhyl Londoja të mos e ndëshkojë veten për një episod ku ai nuk kryen asnjë mëkat, sepse ashtu kalon në mazokizëm. Veprimi i pakuptimtë vetëndëshkues i Bardhyl Londos në këtë rast, më sjell ndërmend atë që bëjnë çdo vit besimtarët myslimanë shiitë që vetëndëshkohen, duke fshikulluar publikisht veten me zinxhirë hekuri, deri sa bëhen tërë gjak, të pikëlluar nga vrasja në luftën e Qerbelasë të vitit 680, të Imam Huseinit, nipit të Profetit Muhamed, për vdekjen e të cilit  shiitët e sotëm nuk kanë kryer asnjë mëkat dhe nuk mbajnë asnjë përgjegjësi. Besoj se dhe vetë Ismail Kadareja do të ketë vënë buzën në gaz kur ka dëgjuar për ndjesën që paraqet Bardhyl Londoja dhe për paraqitjen e vetes si bashkëfajtor me regjimin vetëm se heshti, kur të gjithë e kritikuan.

Bardhyl Londoja, po, mund të shprehte keqardhje që nuk kishte mbrojtur siç duhej ndonjë të pambrojtur për të cilin edhe mbrojtja mund të mos paraqiste ndonjë rrezik, në qoftë se ka pasur ndonjë rast të tillë (dhe me siguri ka pasur), por jo që nuk foli dot në përkrahje të Ismail Kadaresë, të njeriut që nuk kishte nevojë për mbrojtjen e tij. Në mos e dinte atëherë, të paktën, sot duhej ta kishte marrë vesh se Ismail Kadaresë Partia mund t’i tërhiqte pak veshin herë pas here për natyrën e tij jo plotësisht konformiste e për ta sjellë në binarë, por Partia e Punës, vetë Enver Hoxha, e kishte vënë atë në mbrojtje të sigurt, në atë mbrojtje që nuk vuri askënd tjetër. Pastaj, përsëri, në mos e dinte atëherë, duhej ta dinte sot, se Ismail Kadareja ishte mjeshtër në vetëmbrojtje. Formulimi i autokritikës që bëri ai, pas kritikës tjetër për vjershën “Pashallarët e Kuq”, e tregon më së miri këtë.

Jo vetëm shkrimi në gazetë i Agron Gjekmarkajt, por edhe vetë libri i Bardhyl Londos duket sikur janë  bërë vetëm për të vënë në dukje “persekutimin” që pësoi Ismail Kadareja nga Partia e tij, “ligësinë” e shokëve të tij komunistë ndaj tij, “vuajtjen” e ca “njerëzve të mirë” që nuk kishin guximin të flitnin dot në mbrojtje të tij dhe që sot kanë kuptuar “gabimin” dhe pranojnë fajin ndaj idhullit të tyre. Nuk është vënë më kot edhe titulli i shkrimit: ‘Londo, ndjesë Kadaresë për heshtjen pas pretencës penale të ‘Pallatit të ëndrrave’”. Për mua, ajo që përpiqet të shfaqë Bardhyl Londoja si brejtje e thellë e ndërgjegjes që nuk doli hapur në mbrojtje të Kadaresë, nuk është gjë tjetër, veçse shfaqje idhujtarie e servilizmi të shkallës më të lartë ndaj Kadaresë.

Comments

Submitted by Dardan (not verified) on

<p>Djalli i Parase, i mbajtur per gati nje gjysem shekulli ne kemishen e forces, sapo doli ne fillim te viteve 90, beri qe te deformohen shume personalitete. Krijoi grupime dhe kopera njerzish me vese qe vetem njerez nuk mund te quhen.&nbsp;</p>

Submitted by Agim ShaniAnonim (not verified) on

<p>Por</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.