Vitrina e Pasqyra Ligjërimi

Qysh kur banakët e panairit të librit gëzueshëm u thyen ose gati u thyen gjatë dhurimit të autografëve dhe blerjeve të Kurbanit të Edi Ramës, grafiku i shitjes së të cilit, po t’i përmbahem raportimit mediatik, duhet t’i ngjajë trajektores së raketës kur lëshohet prej tokës në orbitë, praninë e librit e gjeta siç mund të pritej edhe në kuvendet e studiove televizive. Sidomos u interesova të dëgjoja se ç’thuhej për të në emisionin Top Story të Top Channel-it të Tanit të ndjerë po të Topit, si dhe në emisionin Opinion të TV Klan.
Përpara se të them diçka për librin, në krye po përpiqem të vë në dukje ç’kam vërejtur në përgjithësi rreth programeve të tilla, edhe kur kam ndjekur tema të tjera, jo vetëm Kurbanin. Së pari, skuadra prej 4 të ftuarish, por më shumë 6-8 komentuesish të përkushtuar marrin e japin me njeri-tjetrin. Shumica janë burra e përgjithësisht shfaqen me kollare bukur-kombinuar me ngjyrë këmishash e cohë kostumesh të mira. Kur ka gra (shumë më poshtë se 30%-ishi i shumëdiskutuar gjetiu) shumica spikasin më fort për veshje elegante, gjunj të zbuluar hijshëm prej fundesh e fustanesh, krehje e stoli in vouge, look e makijazh të mirë-kuruar (siç është e modës të thuhet sot), aq sa mendon se fill pas debatit i pret me siguri një audicion modelimi, vallëzimi me yjet, a mbrëmje gala ku fare mirë mund të jenë dama nderi. Të gjithë të ftuarit kanë vështrim serioz e të përqendruar, rrinë shpenguar këmbë mbi këmbë, ndonjëherë hedhin ndonjë shënim të shpejtë në bllok e që prej bardhësisë së kolltukëve të rehatshëm ofrojnë përshtypje e shtrojnë pikëpamje, përsiasin argumente e shtjellojnë interpretime, numërojnë të vërteta e rendisin të pavërteta, miratojnë a kundërshtojnë, shtrojnë arsyetime, mbrojnë, sulmojnë, kundërsulmojnë.
Herë-herë humbasin durimin, ngrenë zërin e zënë të flasin në kor. Dhëmbë shtrëngohen. Buzë shtrembërohen. Sy çakërrohen. Krahë tunden e gishta tregues shkunden në furi e kanosje. Herë të tjera komentuesit sfidojnë kolegun folës duke u pozicionuar disi diagonal në kolltuk (fol ti fol) e ia nisin një diskutimi paralel nën zë me shokun përbri. Po moderatori? Ky si bariu që kujdeset të mos i lërë dhentë të hallakaten shumë jashtë vathe, herë pas here e sheh të arsyeshme të vërë rregull duke shqiptuar jo më shumë se: “Edhe, zoti Myzafer…? Po pastaj…? Ç’doni të thoni me këtë zoti Vangjel? E ç’lidhje ka…? Që do të thotë…?” e kështu me radhë. Kur zhurma bëhet ca e lartë, ky shpesh hesht aq sa pandeh se do ta ketë braktisur logun. Por, ndodh të kujtohet se ka zgjidhje më të mirë - ngre gishtin tregues lart si revolver e gjuan shkoqur e prerë: Publicitet!
Nganjëherë në valë e sipër të punës të ftuarit ndihen të detyruar ta shpien vemendjen doemos edhe te sms-të që u duhet o të lexojnë o të dërgojnë prej celularëve që i mbajnë në gatishmëri për çdo rast mbi tryezat e vogla përbri, ku qetësisht presin shishe të vogla uji për t’ua njomur buzët e ruajtur hidratimin në nivel të pranueshëm komentuesve punëtorë e televizivë…
Jetojmë pa dyshim në kohë të eficiencës, të shpejtësisë, aksionit e rezultatit “bottom line”, vlugut të punës dhe të “multi-task”- imit. Vetëm se s’kam si të mos çuditem: në gjithë këtë rendje marramendëse, produktivitet televiziv e vemendje të shpërndarë në fronte të shumfishta, si është vallë e mundur të gjendet gjithë ajo kohë për të diskutuar (s’po them për të bërë muhabet)? Me ç’kam vënë re debatet televizive në Tiranë nuk janë më të shkurtër se 121, 143, 138, 158 minuta e ndonjëherë edhe më shumë se kaq (kam ndeshur një herë një debat në Opinion të TV Klan-it, që ishte i gjatë 198 minuta, d.m.th më shumë se 3 orë – u sprapsa sinqerisht edhe e tutur nuk provova fare ta hap video-linkun). Për më tepër, po të mendosh se kush dëshiron të flasë me mençuri e përgjegjësi e synon t’i ofrojë diçka të dobishme publikut, gjasat janë se do të bëjë paraprakisht edhe ndonjë përpjekje për t’u përgatitur disi, së paku për të organizuar, verifikuar e sistemuar idetë e veta, atëhere i bie që koha e përgjithshme që ha debati të shkojë akoma edhe më gjatë…
[Çfarë? Përse po shkon buzën në gaz e më ndërpret, lexues i nderuar? Mos e kam të kotë që e përmend “përgatitjen”? Po më thua “ta harroj atë muhabet”? S’paska nevojë, vërtet? E po mirë, s’po ta prish. Mjaft më përqeshe. Ndoshta ke të drejtë. Veçse siç e di edhe vetë, disa syresh i shohim ndonjëherë të vijnë me një tufë letrash (në stilin e konferencave të shtypit), të cilat rreken t’i valëvitin ekranit si prova në mbështetje të asaj që thonë, paçka se asnjë teleshikues (madje as edhe ti vetë për be) s’është në gjendje të shquajë gjësendi; madje siç do ta kesh vënë re me siguri, shpesh i njejti komentator përfundon i mbytyr nën pirgun e vet të fletushkave e zor e gjen ose s’e gjen fare çka kërkon… ]
Shpesh po të njejtët komentatorë i gjej edhe në TV Klan edhe në Top Channel të diskutojnë bash po për të njejtën temë. Me siguri kjo ndodh edhe në kanale të tjera televizive. Kjo do të jetë ndoshta një nga aryset se pse disa të ftuar vijnë ndonjëherë me vonesë në program (pasi të kenë lajmëruar mirësjellshëm paraprakisht moderatorin). Mbase mbërrijnë vrik si të kenë kryer punë në një stacion sivëlla televiziv, ndërsa gjithë kolegët e tjerë (me sa duket me kalendarë krahasimisht jo aq striktë e pa impenjime të dyfishta televizeve brenda së njejtës mbrëmje) kanë zënë vend prej kohësh nëpër kolltukët bardhoshë e i janë shtruar bisedës për së mbari. Nuk prish punë. I sapoardhuri (me ç’kam vënë re, të vonuar deri tani kanë qenë burra, ndoshta gratë janë më të disiplinuara ose iu mungon ende vetë-besimi për inovacione të tilla të thyerjes së lehtë të rregullave dhe autoritetit) zë vend shpejt-shpejt e shpengueshëm dhe po aq shkathtësisht kap fillin edhe rrëshqet fjollë në rrjedhë të bashkëbisedimit.
Gjithësesi, në debate të tilla gjenden gjithnjë edhe zëra të cilët e vlejnë t’i dëgjosh e prej të cilëve mund të informohesh e të mësosh. Pikërisht me këtë predispozitë u nisa të ndiqja e t’i shkoja për fundi emisionit të 17 nëntorit në Top Channel, pasi mblodha më parë mendjen se një gjë e tillë do të ishte e mundur po ta ndaja më parë programin në dy pjesë. Njërën pjesë e pashë një mbrëmje kur të gjithë flinin, e tjetrën e ruajta për darkën tjetër – pothuaj si film të palejuar erotik me seri, si ato që dikur i ndiqnim me babëzi, fshehtësi e kokëderrësi adoleshentësh në gjurmim të së ndaluarës e misterit, dikur netëve të vona të viteve 80, te kanalet televizive jugosllave. Vërtet bash si vashë gjimnazi u ndjeva kur ime bijë qëlloi të ngrihej në mes të natës për një gotë me ujë dhe befas më zuri gafil me kufje në vesh kërrusur mbi tryezë duke këqyrur Ramën me çorape që skuqnin flakë që prej kaviljes së mbështetur lart në gju, tek shpjegonte zë-dridhur emocioni Kurbanin, kapaku i zbërdhylët i të cilit vjen edhe ai e skuqet strategjikisht, spërkatur vende-vende me njolla të errta gjaku dashi gojë-shqyer – a thua se po shihja sekuencat hyrëse filmike të serialit të Neil Jordan-it, The Borgias! “Ah, hiç gjë për t’u trembur – ca rrëfenja epike, edhe pak grafike prej Tiranës që ti e njeh dhe e ke vizituar, e dashur!”
Tek flitej për Kurbanin, në Opinionin e TV Klan-it nuk mungonte as edhe vetë botuesja, e cila paraprakisht kish publikuar te gazeta Shekulli vlerësimin e vet të lartë për librin (afermendësh i lartë, sepse si mundet një botues/e të ofrojë vlerësim të ulët për atë çka boton vetë?)
Ndërsa te Top Channel më bëri përshtypje më shumë një komentuese, e cila, duke iu referuar librit e duke marrë përsipër të përqaste vizionin e Ramës me atë të Tanit të Topit, bëri një analogji bizarre midis shpejtësisë ose më mirë ngadalësisë së progresit në Shqipëri dhe shpejtësisë së Tanit të Topit. Sipas saj: “Mendoni pak: po, Shqipëria? Ku shpejtësia e Shqipërisë, e ku shpejtësia 300 km/orë e Tanit të Topit!”
Mos nuk e dëgjova mirë? Pandeha se komentuesja s’e kish seriozisht edhe se dikush do të ndërhynte për të thënë diçka. Mirëpo, jo. Kërrkush nuk e pa të arsyeshme një gjë të tillë… Po, ngadalë moj zonjë e ndalu pak, të lutem shumë! Shpresoj se nuk i dëshiron Shqipërisë vetë-vrasjen si të Tanit-të-Topit-të-qindra-kilometrave-në-orë (pa llogaritur edhe vrasjen e dikujt tjetër -- kurban bonus i së njejtës shpejtësi). Në fakt për të bërë vetë-vrasje Shqipërisë do t’i mjaftonin jo 300km/orë të Tanit të Topit, por do t’i dilnin e tepronin edhe 120 km/orë të aksidentit të freskët automobilistik në Tiranë - shpejtësi e raportuar nga vetë Channel-i i Topit këto ditë, shpejtësi e cila përfundoi për fat të keq me vdekjen e qytetares Brunilda Pinderi dhe dëmtimin fizik të disa të tjerëve...
Nuk e di pse shpejtësia shihet kaq kryengulthi e lidhur ngushtë me prosperitetin e kënaqësinë, por jo me rrezikun e kokëthyerjes! Obsesioni ynë me shpejtësinë dhe shpërnjohjen e rregullave (= stadi i zhvillimit të Shqipërisë sot) s’është thjesht çështje të rinjsh të papjekur e mendjelehtë, është me sa duket i ngërthyer keq në botëkuptimin dhe veprimet tona. Eshtë i pakurueshëm, së paku hë për hë… madje edhe në nivel debatesh televizive e përtej!
Po në Top Channel krahas katër komentatorëve në studio, ishte ftuar edhe vetë autori, Edi Rama. Për çudinë time ky nuk ishte në studio tok me të tjerët. Merrte pjesë me telekonferencë, paçka se ndoshta dhoma e tij e punës në apartamentin e shumëpërfolur s’ndodhej as 10-15 minuta në këmbë larg studios (lyp ndjesë po të jetë me larg!). Rroftë teknologjia! Tek e fundit, meqë e kemi, pse të mos e përdorim! Për kontrast, para nja dy ditësh, në një bisedë të ngjashme të zhvilluar në një kanal televiziv publik në Toronto (ku pjesëmarrësit prej distancash të konsiderueshme bëjnë rëndom lidhje telekonferencë), Steven Pinker – studiues e autor i njohur me origjinë kanadeze e ligjërues i shumëkërkuar – kish marrë mundimin të kapërcente kufirin prej Shteteve te Bashkuara e kish begenisur të vinte posaçërisht në Ontario për të diskutuar librin e vet të ri: E paqmja anë e natyrës tonë: Pse dhuna ka rënë / The Better Angels of Our Nature: Why Violence has Declined. (Me siguri Pinker s’do ta ketë patur parasysh Shqipërinë, ku dhuna ka ardhur duke u shtuar). Gjithë-gjithë intervista ballë-për-ballë në tryezë të studios shkoi jo më shumë se 33 minuta… Pinker do të ketë pas gjase tjetër koncept për teknologjinë e shpejtësinë.
I çuditshëm m’u duk pozicionimi gjeometrik i komentuesve të Topit. Këta qenë vendosur në formë gjysmë rrethi që i kthente shpinën ekranit të madh në ballë, prej ku shfaqej Rama me golf e çorape që kuqëlonin përpara bibliotekës së vet të pasur, a thua se kishin turp ta shihnin njeri-tjetrin, ose më keq, s’donin t’ia shihnin sytë shoku-shokut. Kur merrte fjalën Rama, për së afërmi vizualisht komunikonte me shpinat e bashkëbiseduesve. Ndërsa, për së largu edhe mund të mbante me nga pak vështirësi kontakt syri me drejtuesin e emisionit, i cili nga ana e vet dukej se vinte nga mugëtira. Që andej, tej në sfond e ballazi me Ramën, disi më me zor përhihej audienca si peizazh i ngrirë në celulozë i një posteri të madh absurd. Komentuesit, edhe këta nga ana e tyre, kur flisnin për librin dhe autorin e tij, nuk mund ta shihnin Ramën në sy po të mos merrnin mundimin të kryenin një rrotullim special 90 deri 180 gradë në mos më shumë prej kolltukut ku kishin zënë vend (aty nga fillimi disa edhe e lëvizën pak trupin në kërkim të kontaktit me sy, por dikur u lodhën e hoqën dorë prej rrotullimit jo komod e pak komik qafë-shpinë). Kaq sa i takon konceptimit dhe efektivitetit ‘top’ të komunikimit në studion Top.
Edhe dy fjalë për librin. Në nisje po shpejtoj të sqaroj se s’e kam lexuar. E kam porositur e shpresoj ta lexoj së shpejti. Megjithatë informacioni që gjej në media, më ofron këndvështrime e lëndë të mjaftueshme për të formuar gjykime (që t’i qëndrojnë kritikës ose jo), të cilat mund t’i parashtroj këtu.
Së pari, sado me vlerë të jetë libri Kurban – edhe s’kam pse të mos i marr të mirëqena e t’i konsideroj të sinqerta disa prej cilësimeve pozitive në shtyp – besoj është e pamohueshme se kundërmimi i propagandës është megjithatë i pranishëm e nuk mund të mos vihet re. Sido që ta kenë quajtur, e sidomos sido që ta quajë vetë autori veprën e tij, libri është padyshim një lloj jetëshkrimi a autobiografie që rreket të dokumentojë e vetë-reflektojë mbi një periudhë të caktuar, por edhe krejt të freskët e ende në përpunim e interpretim në mendjen e gjithëkujt. Krahasuar me lloje të tjera shkrimtarish ku autori nuk e vë e nuk synon të vendosë “veten” në qendër - së paku jo drejtpërdrejt, një autor që zgjedh të shprehet përmes një zhanri të tillë, është vetiu i ndjeshëm dhe protektiv ndaj vetes, e cila mbetet veçanërisht vulnerabël ndaj gjykimit të lexuesit, ngaqë ekspozohet njëherazi si objekt e subjekt (edhepse në qendër të qendrës thuhet se është Shqipëria e peripecitë e saj). Edhe tek e fundit të gjitha autobiografitë (ashtu si edhe CV-të e çdo gjë tjetër që përsillet rreth personazhit “unë”) vetvetiu cenet, të metat, gabimet, e shëmtitë, kur nuk i fshehin dot mëtojnë që në analizë të fundit t’i vendosin qëllimshëm ose jo në një dritë në mos të favorshme së paku që priret kah justifikimi, e shpjegimi vetë-mbrojtës. Eshtë natyra njerëzore. Në fotografi duam të gjithë të dalim më bukur se ç’jemi në të vërtetë. Edhe nuk besoj se bëjmë ndonjë faj kur përpiqemi të buzëqeshim, të ngrejmë pak vetullat përpjetë, të rregullojmë krehjen me dorë shpejt-e-shpejt para shkrepjes së aparatit, t’i hedhim vetes një vështrim ashtu si vjedhurazi në pasqyrë, të vendosim gishtin mendueshëm por gjoja shkujdesshëm në mjekër a në tëmth, e më në fund të themi: “Fshije të lutem se s’dola mirë. Nisim nga e para!”
Shqiptarët duket të jenë akoma më të ndjeshëm ndaj formave të tilla të shkrimtarisë, edhe për shkak se këto janë relativisht të reja në Shqipëri. Nga ana tjetër dihet se lexuesi mesatar kudo në botë përgjithësisht i ka për zemër biografitë e celebriteteve, sepse janë më argëtuese e kërkojnë më pak përpjekje e përqëndrim mendor për t’u ndjekur. Sa më pikante ngjarjet, sa më shokuese e të befta ndodhitë, sa më të tensionuara dramat, sidomos sa më të paparashikueshme përfundimet, sa më sugjestionuese pezullia, sa më shumë të fshehta private derdhur prej bodrumeve personale në bulevard publik aq më i mrekulluar publiku. Këto janë të gjitha karakteristika që nuk janë të huaja për Edi Ramën. Jo më kot biografitë e personave që e kanë jetuar jetën e tyre private publikisht zënë vend të parë në vitrinat dhe stendat e librarive – në fakt zor që libra të tjerë në libraritë perëndimore të krahasohen për nga suksesi i shitjeve me biografitë e celebriteteve.
Përkundrazi një biografi e ndërtuar mbi parime e kritere rigoroze të hulumtimit, që mëton të analizojë në mënyre sistemike dhe dialektike, e që më fort se të mbajë gojëhapur e të mrekulluar prej habisë lexuesin – sipas stilit fiction ose gjysëm-fiction që ndërvepron sidomos me emocionet – synon t’i drejtohet arsyes, rreket të qëmtojë imtësisht, të analizojë aq sa të jetë e domosdoshme e pa e patur merak shpejtësinë, e të mbështetet në referenca dokumentare të verifikueshme është natyrisht jo aq tërheqëse në mos e thatë dhe e mërzitshme për publikun e mësuar me Big Brother, Këngë Magjike, Fiks Fare, e kështu me radhë. Në këtë kuptim Edi Rama, si personazh në qendër të epikave politike dhe të dramave private të kthyera në melodrama publike, me jetë publike e private si pikturë e komplikuar plot ngjyra e kontraste të spikatura suksesesh e humbjesh të bujshme, me jetë që mund të krahasohet për mirë a për keq sa me atë të politikanëve, aq edhe me atë celebriteteve, është kështu ndoshta si asnjë shqiptar tjetër i pozicionuar si personi publik që e ka vetiu të garantuar suksesin e një (auto)biografie.
Nga ç’kam vënë re prej pasazheve të botuara në shtyp, nga prononcimet e reklama mediatike, nga shitjet e larta dhe nisur nga bindje e informacione si ato që përshkrova më lart kam dyshime e kureshti. Thelbësore sidomos është kureshtja që kam për të rrokur sadopak sesi vetë-reflekton për rolin e impaktin e vet në rrugëtimin e mundimshëm prej më shume se një dekade të Shqipërisë – ndërsa mëton të mbajë sytë nga e ardhmja - një nga personazhet qendrore drejtuese të elitës politike të saj. Të gjitha sa përmenda janë bërë shtysë që ta porosis librin e të përqas sa më sipër me përvojën që sendërtohet me anë të kontaktit intim e pa ndërmjetësi që mund të përftohet vetëm përsëdrejti përmes leximit. Pavarësisht se ç’përgjigje do të marr prej tij e pavarësisht sa bindës, i sinqertë e mendjembushës të më duket rrëfimi, jam e bindur se do të kem ç’të mësoj.
Comments
shume e guximshme qe i jep

shume e guximshme qe i jep penes te shkruash 'opinionet' e tua mbi nje liber qe nuk e ke lexuar. Tani kur ta lexosh, nuk do ti shpetosh dot paragjykimit dhe nuk do arrish t'a pranosh librin per ate qe eshte, por per ate qe ti ke zgjedhur te jete paraprakisht

Gjeja me " e paster" qe

Gjeja me " e paster" qe kemi eshte monumenti i Skender-beut ne sheshin qendror, edhe pse nga larg duket si i "glasuar". Ndryshe afer, ndryshe larg dhe monumenti gri.

Shume e veshtire te kuptosh

Shume e veshtire te kuptosh se cfare do te thote autori ne kete shkrim!

Kuptoj qe ka nje perbuzje per cdo gje qe eshte shqipetare dhe ben krahasime te pagjetura me Toronton e Kanadane.

Shume e veshtire te kuptosh

Shume e veshtire te kuptosh se cfare do te thote autori ne kete shkrim!

Kuptoj qe ka nje perbuzje per cdo gje qe eshte shqipetare dhe ben krahasime te pagjetura me Toronton e Kanadane.

Nihil turpius quam cognitioni

Nihil turpius quam cognitioni assertionem praecurrere (nuk ka gje me te turpshme se sa te deklarohesh per dicka qe nuk e di) shkruante Ciceroni. Artikullshkruesja na tregon neve qe kemi lexuar librin pershtypjet e saj paraprake pa e lexuar ate.

Nuk e shoh të ketë shkruar

Nuk e shoh të ketë shkruar për librin per se, por për komentet mbi librin. Zonjës në fjalë, ia kam shijuar shkrimet e tjera nga blogu i vet, dhe duket që ka brumë e diçka për të thënë, në më të shumtën e rasteve. Komentimi i komenteve nuk mund të sjellë ndonjë cilësi të madhe.

Vetem per nje gje nuk shkruan

Vetem per nje gje nuk shkruan askush per librin e Rames, qe ky eshte nje turp per letrat shqiptare, ngjashem me te vjellat. Te vjen keq kur shikon njerez qe perpiqen ta lexojne kete liber - i cili ne te vertete eshte i palexueshem - dhe aq me teper kur komentojne per te. Komentojne per cfare? Aty nuk ka asgje per te cilen mund te komentosh. Fjalite jane ndonjehere nje faqe te gjata, autori hidhet nga dega ne dege dhe eshte e pamundur te mesosh dicka te sakte. Eshte natyra njerezore qe kerkon nje lloj te thuket e koncize komunikimi dhe kete nuk mund ta ndryshoje njeri ne bote. Eshte njelloj sikur te kerkosh te rishpikesh zjarrin. Si mund te komunikosh me tjetrin kur ne nje fjali ti hap dhjetra paranteza dhe nuk hyn ne teme? Ose, si mund te te degjoje bashkebiseduesi kur ti perserit te njejten fjale disa here ne fjali? Ajo qe i ka munguar Shqiperise ne dekada eshte literatura dhe njerezit qe dine te shkruajne, ne nuk kemi mjaft libra ne gjuhen tone, ne kemi nje varferi letrare, edhe ne ato qe jane shkruar sundon mediokriteti. Ne vend qe te na ofrohet kulture, ne marrim antikulture. Natyrisht, Rama mund te beje karikatura sa te doje, faji eshte i yni qe lejojme te na fyhet inteligjenca.

Add new comment