Qyteti, sheshi, qytetari

Postuar në 21 Nëntor, 2011 06:02
Edvin Kukunja

Trinomi Qyteti-Sheshi-Qytetari nga njëra anë dhe Arkitektura dhe Urbanistika nga ana tjetër. Lëmi është i madh dhe ka nevojë për një qasje të shëndoshë dhe të bazuar mbi njohuri dhe zgjidhje të mirëmenduara e që kanë kaluar në sitën e madhe të diskutimit publik. Ndaj dhe ky diskutim do të mundohet të tregojë respekt maksimal ndaj këtyre fushave dhe çështjes që bie në jurisdiksionin e tyre. Gjithsesi, çështja në fjalë nuk është thjesht një çështje politike, apo urbanistike e më the e të thashë dhe ndaj e ndihem i lirë, si pjesëtar i shoqërisë ku jetoj, të them dhe unë atë çka mendoj.

Nëse gjuha është shtëpia e shpirtit, Qyteti është hapësira ku çdo njeri mund të shprehet, të ndërveprojë me të tjerët dhe të ndërtojë shtëpinë e trupit dhe të ëndrrave që e vënë në lëvizje atë si trup dhe indentitet. Çdo çështje që ka të bëjë me Qytetin është lidhur në mënyrë të patjetërsueshme me çështjen e formimit të identitetit qytetar dhe si rrjedhojë me formimin e shoqërisë dhe të individit si element përbërës i saj.

Qytetaria nuk është më një cilësi apo thjesht tejzgjatje moderne e statusit "borgjez", por është çelësi i zgjidhjes të shumë prej problemeve më bazike që kemi ne si shoqëri. Çdo problem i madh politik mbart në gjirin e tij, si thelb me shumë thelpinj, një problem të madh social. Dhe Qyteti është arena, Qyteti është skena ku luhet dhe çmbështillet egzistenca e qënies në akte, gjeste dhe fjalë.

Por Qyteti ka një zemër! Ai ka një shpirt, një pikënisje ku përkojnë dhe lindin ëndrra të shumta. Thelbi i Tij është Sheshi: kjo hapësirë e pakufijtë dhe e zbrasur nga çdo pengesë e paragjykim. Kjo hapësirë është si një enë në qiell të hapur ku derdhen e përzihen, bashkë mpleksen për të mos u çmpleksur më elementët që formojnë indentitetin e një shoqërie.

Sheshi ka arsyen e tij, ka kujtesën e tij nga e cila niset e lëvron dhe kjo arsye. Të ndërtosh një shesh nuk është një çështje teknike, burimesh materiale dhe njerëzore që mund të kërkojë realizimi i një projekti. Të ndërtosh një Shesh nuk është çështje që mund të identifikohet me koordinatat “tani” dhe “ja ku është”.

Rruga që përçon në realizimin e çdo projekti që ka për qëllim ndërtimin, ndryshimin e Sheshit është një fill i hollë dhe i padukshëm që kalon nëpër thellësirat e ndërgjegjes, në hapësirat e dëshirës dhe vullnetit, e ngjiz me këto substanca të nesërmen. Sheshi është, sheshi duhet të jetë medoemos, për shoqëritë që shikojnë drejt së ardhmes me përgjegjësi, produkt i një vizioni të qartë për atë çka duam të jemi nesër, pasnesër, pas një viti e pse jo dhe pas një shekulli.

Logjika e Sheshit, për ata që nuk e dinë ose që bëjnë sikur nuk e dinë, është logjika e dialogut, e ballafaqimit të ideve pa asnjë pengesë dhe ku vështrimi kap e përqafon çdo njërin prej nesh pa asnjë përjashtim. Kjo është logjika e Sheshit për ato shoqëri që janë të çliruara nga vargonjtë e babëzisë të pakicës në pushtet dhe nevojës për të fshehur mëkatet dhe krimet mbi të cilat është themeluar ky pushtet.

Ndërsa ajo tjetra, mos-arsyeja e së tashmes që dot nuk ndahet nga e kaluara, është logjika e pyllit. Logjika e asgjesimit të kundërshtarit nëpërmjet ngritjes së kurtheve, zënies pritë dhe të pabesisë. Kjo është logjika e atyre që nuk duan kurrsesi që njerëzit, që qytetarët ta rrokin njëri-tjetrin plotësisht e pa pengesa aspak. Logjika e pyllit është mos-arsyeja e së tashmes që nuk do kurrsesi, që nuk mund të lejojë kurrsesi që Qyteti-Sheshi-Qytetari të jenë trinomi i fortë mbi të cilin të ndërtohet identiteti i individit shqiptar dhe i shoqërisë shqiptare.

Logjika e Sheshit është e qartë dhe e thjeshtë. Ndërsa ajo tjetra, logjika e Pyllit, mos-arsyeja e së tashmes peng e së kaluarës është e errët, të rrëshket duarve sado që ti të rrekesh ta kapësh e të mundohesh ta kuptosh.

Comments

Submitted by L. (not verified) on

<p>Llogjika e pyllit i ka kapur te gjithe.Por une nuk mund ta perceptoj dot dhe ti them te zezes te bardhe dhe me thone:-Je akoma me Partine e Punes,por une jam per te verteten ,per norma e moral.Kete ja mesoj dhe femijve por a e bejne shumica e prinderve, qe te dime kujt po ja leme stafeten?ligesia dhe djallezia po kap majat dhe po infekton te ardhmen ,medja duhet te beje me teper ,nuk ka e majte e djathte ,por ka nje shesh per te gjithe dhe jo te bejne pershesh vetem maskarenjte.</p>

Submitted by edvin K (not verified) on

<p>Shpesh ndodh te degjoj pyetje te tipit &quot;C&#39;duhet bere?&quot;, &quot;Cila eshte zgjidhja?&quot; e shume e shume te tjera. Sinqerisht, mendoj se problemi yne nuk ka nevoje per nje perqasje te tipit &quot;sot dhe menjehere&quot;. Mendoj se nje aksion &nbsp;politik i mirefillte duhet te shohe pertej se tashmes duke investuar mbi te ardhmen. Nje qasje e shendoshe e gjithsecilit prej nesh mund te jete qendresa ndaj frikes, pasigurise dhe tundimit perpara te cilave na ve perditshmeria jone. Une kam hequr dore nga e tashmja dhe zgjihem cdo dite me sy e veshtrim kredhur tek e nesermja. E nesermja me shqeteson, e nesermja me zgjon si trup e intelekt. Dhe ne kete rizgjim kam nevoje te gjej mes turmes njerezit qe po si une jane te shqetesuar per te nesermen. Kam filluar te mendoj qe jemi shume, shume me shume se turma e te babeziturve dhe te viktimave te mendimit dhe rrugeve qe i bien shkurt.&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.