Nacionalizmi patetik i Berishës për Kosovën në seancën e Kuvendit

Postuar në 16 Shkurt, 2013 10:29

Shfaqja që na dhuroi Kryeministri në Kuvend, e cila shoqëronte një memo paralajmëruese me tone të forta të Ambasadës Amerikane, ka marrë komente të forta në media. Më poshtë, po japim disa prej tyre:

Edi Rama

“Kjo seancë tinëzare parlamentare në emër të Kosovës, por në fakt vetëm për llogari të pushtetit të këtushëm të përfshirë në ethet elektorale, s’ishte tjetër veçse një inskenim gjasme patriotik me një qëllim mirëfilli elektoral. Këta janë dashnorët e mëdhenj të shqiptarisë që kemi në qeveri! Këta janë atdhetarët e mëdhenj që përvëlohen për Kosovën deri në pikën sa për të marrë ca vota më shumë në Shqipëri, janë gati të hedhin në erë urat e ngritura gjatë paqes në rajon me retorikat e tyre prej turbofolku nacionalist. Sot provokojnë miqtë e partnerët tanë të pazëvendësueshëm, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, me një retorikë perverse që kërcënon të hedhë në erë të gjitha arritjet madhështore të shqiptarëve si komb në këto vite falë mbështetjes së këtyre miqve e partnerëve”

Fatos Baxhaku (Shqip):

“Skena e djeshme në Parlament ku Kryeministri me gishtin lart u përgjigjej kritikave më të fundit të SHBA-së për nacionalizëm kishte diçka patetike. Ishte si një skenë filmi ku i vogli shpërfill gjigantin, ku trimi i shurdhër vendos të ndjekë rrugën që i ka caktuar Zoti, ku bindja e thellë nuk ka më veshë të dëgjojë. Ishte e ngjashme me një tablo në përmasa të mëdha të të ndjerit Guri Madhi ku paraqitej Enver Hoxha në mbledhjen e 21 partive komuniste në Moskë më 1960, në këmbë dhe me gishtin lart (duhet të jetë veti nacionale kjo e gishtit kërcënues) dhe në këmbë seç i bërtet Hrushovit që është strukur diku në qoshe.

Arban Hasani (Tema):

Kryeministri i Shqipërisë duket se e ka llogaritur se në këtë hapësirë të re ku ka hyrë, do të gjejë kundërshtimin e fortë të ndërkombëtarëve. Madje në një farë mënyre ai e ka provokuar atë. (...) Në të vërtetë duket se për Sali Berishën pikërisht këto kritika të përkohshme janë shumë herë më të dëshiruara sesa ato të tjerat për lirinë e zgjedhjeve, demokracinë, korrupsionin apo luftën ndaj krimit. Ndaj nacionalizmi atij i duhet deri në zgjedhje.

Skënder Minxhozi (Shqip)

Kësisoj, tashmë ndodhemi në korsinë e një gare të padukshme, mes një opinioni të vjetër dhe të ri të administratës amerikane, aspak pozitiv për Kryeministrin shqiptar, që po vazhdon të piqet, e në anën tjetër, të punës prej “urithi” të Podestas e ndonjë kompanie tjetër të marrë me qira, për t’i bërë makijazhin demokracisë së korruptuar shqiptare. Vështirë të thuhet se cila nga këto linja do të triumfojë në qëndrimin final që amerikanët do të mbajnë ndaj qeverisjes aktuale, megjithëse vetë Berisha po investohet fort, siç po e shohim këto orë, që t’ua bëjë jetën sa më të vështirë njerëzve që ka pajtuar në Uashington.

Besi Bekteshi (Sot)“Ata që jo vetëm lexojnë keq, por që nuk lexojnë fare, që nuk merren me thelbin e problemeve, por me retorikën, në fakt janë nacionalistët. Një nga shprehjet më të larta të Albert Einstein, ajo për nacionalizmin, kur thotë: “Nacionalizmi është një sëmundje foshnjarake, është fruthi i njerëzimit”, ka vetëm realitet brenda. Kurse Umberto Saba për këdo që nuk e di shprehjen e madhe, ka thënë: “Patriotizmi, nacionalizmi dhe racizmi janë midis tyre si shëndeti, nevrastenia dhe çmenduria! Nuk ka më bukur si shpjegim se sa kaq.

 

k.c.

 

Comments

Submitted by Megi Tome (not verified) on

<p>Berisha kerkon te thithe sa me shume vota te nacionalisteve, te cilet ne momente krizash shtohen si kerpudhat pas shiut, si edhte te largoje vemendjen nga problemet reale te shqipatreve. Atij nuk i inereson me integrimi ne Europe (Thaci para pak ditesh ju hakerye Eurepes ne nje linje me Erdoganin) dhe kjo nuk eshte rastesore...</p>

Submitted by Paul Tedeschini (not verified) on

<p>Ne fotografi shihet nji NACIONALIZEM PA KOKE</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.