Topi-Meta..

Postuar në 13 Shkurt, 2013 03:47

E kanë quajtur rëndom në javët e fundit “Poli i tretë”. Ndoshta do të ishte më e saktë ta quanin Poli i Komisionerëve. Fjala është për një tentativë konkrete të LSI për të mbledhur rreth vetes, në një aleancë parazgjedhore, Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Frymën e Re Demokratike. Një projekt që duket se po ngec qysh në nisje, për shkak të qëndrimit të ftohtë të ish-presidentit Topi... – shkruan Skënder Minxhozi në të përjavshmen JAVA duke analizuar mundësitë e një koalicioni LSI-FRD-PBDNJ per 23 qershorin.

Në FRD nuk mendojnë se kjo është gjëja e duhur – thekson Minxhozi dhe shkruan:

Lajmet që vijnë nga baza e partisë, flasin për një qëndrim të ftohtë, disa herë përjashtues e armiqësor, ndaj afrimit me një parti si LSI...Bamir Topi ka gjithë të drejtën morale që ta shohë me dyshim Ilir Metën, teksa ky i fundit ndante i pashqetësuar tortën e pushtetit, ndërkohë që ai qëndronte i rrethuar brenda gardhit të Presidencës, i paralizuar nga armiqësia e maxhorancës në parlament dhe ekzekutiv. Nga ana tjetër, FRD lindi dhe po përpiqet të formatohet si një forcë politike që konteston korrupsionin dhe konsumimin e imazhit të qeverisjes aktuale. Një aleancë e mundshme me LSI, do të diskretitonte dukshëm fushatën e saj elektorale, për sa kohë që do t’i hiqte elementin e kritikës së ashpër ndaj asaj që ka ndodhur në katër vjetët e fundit me qeverisjen e vendit. Pa harruar faktin se ka mjaft dyshime për këtë spostim të papritur të Metës jashtë koalicionit qeveritar, i cili duket edhe si një mision i kamufluar elektoral i maxhorancës, për të çuar nesër, pas zgjedhjeve, një thes me vota të qendrës, në prehrin e Berishës. E parë kështu, rruga drejt Polit të Tretë është mjaft e komplikuar dhe me pengesa. Nëse në fund të negociatave, do të rezultonte se Meta dhe Dule do të ishin të vetmit që do të firmosnin krijimin e Polit të Tretë, vetë projekti do të niste i mangët dhe defektoz, pa praninë e FRD”

Duke e quajtur një bashkim LSI-PBDNJ si “poli I komisionerëve” (vë në dukje një rrethanë që në kushtet e Shqipërisë ka gjithmonë peshë: LSI dhe PBDNJ do të kenë, që të dyja, anëtarë në të gjitha komisionet e numërimit në zgjedhje), - Minxhozi konkludon:

Javët në vazhdim do të tregojnë nëse Poli i Tretë do të jetë vërtet i tillë, apo do të jetë de facto një Pol Komisionerësh, mes Ilir Metës nga njëra anë dhe Vangjel Dules nga ana tjetër. Pra, një bashkim ku nuk flitet asfare për programe politike dhe për pozicionime ideologjike, por për numërues anonimë votash. Zgjedhjet shqiptare janë pikërisht të tilla: programet dhe idetë s’kanë thuajse fare peshë, rëndësi ka infrastruktura elektorale. Një banalitet njëzetvjeçar, prej të cilit nuk do të shpëtojmë as këtë verë…” A.N.

 

Më shumë:

http://www.revistajava.al/politike/2013212/poli-i-komisioner...

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.