Ngrihet për t’u rrëzuar prapë

Postuar në 18 Nëntor, 2011 04:04
Ardian Klosi

Panairi i 14 i Librit në Tiranë nxori më qartë se asnjëherë problematikën e një panairi të tillë, por shumë më gjerë se kaq, atë të librit në Shqipëri. Polemikat vazhdojnë edhe këto ditë. Ato janë të ashpra sepse edhe qëndrimet apo vlerësimet janë deri dhe diametralisht të kundërta.

Për organizatorët e këtij panairi, veçanërisht kryetarin e Shoqatës së Botuesve (kryetar për historik, jo për ndonjë shoqatë funksionuese, siç ndodh me gjithë kryetarët e partive të vogla në Shqipëri që mëvetësohen me vrap përpara), ky panair ishte shumë i suksesshëm, këtë e vërteton fluksi i vizitorëve dhe blerësve të librit. Madje ai ka edhe një shifër, mbi 90.000 vizitorë, që nuk dimë si i ka matur e me ç’sy magjik mund të maten, por që edhe çudi nuk është sidomos po të llogaritësh grupet e organizuara të fëmijëve që vizitojnë panairin paradite.

Të tjerë zëra thonë se ky nuk është panairi që mund të përfaqësojë librin shqip, madje është një deformim i konceptit të panairit dhe të përfaqësimit. Kjo është ndier sidomos në qëndrimet e shoqatës së botuesve Shoqëria e Librit Shqip, por edhe në gazeta dhe media të tjera. Këto vlerësime në thelb thonë: Panairi që sapo mbaroi e ka ndarë peizazhin e botuesve shqiptarë me klasa: klasa e të pasurve, klasa e mesme dhe klasa e botuesve të varfër që në këtë panair nuk u përfaqësuan fare. Ata të pasurit, që kryesisht kanë të bëjnë me librin shkollor ose janë të lidhur me shtetin me rrugë të tjera tenderash (libra për bibliotekat e shkollave etj.) kishin stendat qendrore, më të mëdhatë, më të bukurat; këtu hyjnë natyrisht edhe botues të mëdhenj tradicionalë si Toena e Onufri që nuk kishin rënie në përfaqësimin e tyre, hyn edhe organizatori i panairit, Dituria, me një sipërfaqe të stërmadhe, me promocion të vazhdueshëm të librave të tij në dy ekranet e vendosura te hyrja e panairit, me reklamë të titujve të vet përmes qendrës së zërit të panairit (!), e cila normalisht ka për detyrë të njoftojë vetëm aktivitetet kryesore. Një botues-organizator që, si ka akaparuar një traditë, madje edhe si ka marrë sponsorizime dhe para publike, bën të fortin, i krijon vetes kushte optimale, qëndron në këmbë sajë elitës së të pasurve, madje godet dhe kundërshtarët duke i quajtur të paligjshëm, jashtë-tatimorë (kështu veproi në emisionin e së hënës në TVSH), ndërkohë që vetë e ka shitur sipërfaqen e panairit pa fatura tatimore dhe jo me lekë por me euro hard cash, plot 70 për m2.

Botuesit e tjerë ishin shpërndarë në sipërfaqe rastësore pa kurrfarë sistemi, libri artistik ngatërruar me librin ezoterik, me atë fetar, atë akademik e atë për fëmijë në një kakofoni ku spikasnin më shumë pikërisht fondacionet fetare. Dhe kudo shitje shitje shitje (siç shkruante „Shekulli“: shit, shit, shit), në atë ngazëllimin e botuesve të varfër shqiptarë – pse ta mohoj, më kapi edhe mua vetë – që guxojnë për pesë ditë rresht të fusin në xhep fitimin që zakonisht u takon librarëve dhe shpërndarësve të librit, pra 20-30 % të çmimit duke përfituar nga fluksi i madh i njerëzve.

Ky panair është në thelb pamja e vendit tonë në miniaturë: disa të pasur që shkëlqejnë në majë kundrejt varfërisë së përgjithshme, anarki, rrëmujë vlerash, evazion fiskal.

Për të na nxjerrë nga ky kaos vlerash dhe shpërdorimi të pushtetit, ndihmuan në këtë panair promocionet dhe shitjet e jashtëzakonshme të katër librave: Blendi Fevziu „Enver Hoxha“, Edi Rama „Kurban“, Elena Kadare „Kohë e pamjaftueshme“ dhe Ben Blushi „Shqipëria“. Në mungesë të orientimeve të tjera (cilët janë librat më të rëndësishëm këtë vit, cilat romane të huaja, po shqiptare, çfarë ka pëlqyer më shumë Europa, po Amerika këtë vit, po vendet fqinje? - për asnjë prej këtyre s’kemi ndonjë lloj udhërrëfyesi për lexuesit), mediat ndihmuan të tërhiqej publiku nga këta katër autorë si kurrë ndonjëherë: me mijëra herë hodhën ata nënshkrime për adhuruesit e tyre, kur vajta të shoh të diel pasdite Edi Ramën, fansat kishin thyer banakun e botueses Dudaj.

Asgjë e keqe, madje punë e mirë që mijëra shqiptarë marrin në dorë libra nga 400-500 faqe dhe  i lexojnë! Në një kohë kur shpërqendrimi, goditja me lajme, të qena e të paqena, me stacione televizive, të qena e të paqena, me faqe interneti që e kanë bërë njeriun një si punë ketri që hidhet degë më degë nëpër pemët e informacionit dhe dijes pa qëndruar dot asgjëkundi më shumë se 5 minuta, përqendrimi në një libër të vëllimshëm është gati si kundërdrogë. U jemi mirënjohës mediave dhe Henri Çilit (mendoj se ky është aktualisht një medium më vete, edhe pse vetë hidhet si ketër nëpër media dhe personazhe të ndryshme) që po kthejnë te shqiptarët zakonin e të lexuarit.

Por çfarë po lexojnë, po a do të lexojnë përsëri kur t’i kenë mbaruar këto? Pikëpyetje të mëdha që lidhen edhe me pikëpyetjen mbi moralitetin e mediave tona. Ta lëmë mënjanë njëherë për njëherë e le t’i gëzohemi numrit të madh të vizitorëve në panair dhe lexuesve.

Fluksi i jashtëzakonshëm i vizitorëve në panairin e librit dëshmon përtej gëzimit pesëditor një të vërtetë të hidhur: në Shqipëri nuk funksionon sistemi i librarive, në Shqipëri nuk ekziston komunikimi i rregullt shkrimtar-lexues, pa folur për mungesën totale të leximeve publike dhe takimeve me shkrimtarë të vendit ose të huaj. Në Shqipëri nuk ekzistojnë trena a tramvaje ku njerëzit mbushin kapërcimet e distancave me lexime, por edhe leximet e përqendruara në një vend të ngulur jashtë katër mureve të shtëpisë janë të rralla, sepse kudo, në plazh a në kafene, në park a në shëtitore, kudo ka një xhahil, një pronar, një zhurmues në formën e muzikës rep ose të fadromës që do të ta çjerrë qetësinë se s‘bën.

Ndaj nuk mund të gëzohem nga qindrat e vizitorëve që kalojnë nga stenda ime, që kapin librin me dorë dhe, i pari veprim që bëjnë, e kthejnë mbrapsht për t’i parë çmimin para se të shohin ndonjë gjë nga brendia. Pyes: a mos dhe këta vizitorë duan të qetësojnë ndërgjegjen e tyre që nuk e ndjekin rregullisht kulturën e librit, nuk hyjnë rregullisht në librari, duke blerë 4-5 libra çdo vjeshtë?

S’është çudi që të jetë kështu; në një sistem të çrregulluar dhe të çkoordinuar që kur libri humbi statusin mbretëror që kishte para vitit 1990, për t’ua lënë vendin ekraneve dhe mediave zhurmëmëdha, janë çkoordinuar të gjitha vidhat. Lexuesit janë po aq humbës sa edhe botuesit, sa edhe librarët. Janë humbës në radhë të parë brezat më të rinj që kapin libra me duar pa patur ndonjë orientim të qëndrueshëm.

Se ç’duhet bërë s’më takon mua ta them, edhe nuk do ndryshoja gjë sikur ta thosha. Por që duhen larguar monopolet nga një fushë si kultura e librit që është, tekefundit, një e mirë e madhe publike, kjo nuk do shumë mend. Dhe që duhet të punojmë përherë, në çdo muaj të vitit dhe në çdo javë të muajit për të ngritur në këmbë qenien e drobitur që quhet libër shqip, dhe kjo nuk do shumë mend.

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

nje nga monopolistet e kultures jeni edhe ju z. Klosi. Artikujt tuaj synojne jo te zgjidhin monopolet, por te perqendrojne me shume monopolin ne duart tuaja dhe te klanit tuaj. lufte klanesh. asgje e re nga ky front i balkanit.

Submitted by Anonim (not verified) on

Ardian Klosi, respekte. Thjeshtesi e shkrimit tuaj, e ben dhe me te bukur dhe te drejtperdrejte mesazhin e shkrimit.

Submitted by Fatri B. (not verified) on

Ashtu eshte Z.Klosi.Para se te hapej panairi,patem nje bombardim mediatik te qytetareve lexues qe me shume se pasqyronin vlera,rekomandonin se ç'fare librash duhet te lexonim.Ne radhe te pare kjo eshte nje fyerje per lexuesin qytetar.Diten e fundit te panairit erdha special nga Kukesi ne panair,per librin.Pashe se ne Panair ishte zor te gjeje Elefantin e duhur se lere me librin qe doje.Tek nje shtepi botuese pashe se kishte nje organizim rreth 10 veta dhe qe recitonin poezi.Me erdhi mire.Dy ore humba dhe mezi gjeta nja 10 tituj qe me duheshin.Bleva Ali Asllanin te stenda juaj dhe ju pyeta personalisht per nje liber te Ejell Çobes.Shkurt ishte rremuje dhe nje fyerje per librin.Sidomos propoganda mediatike para panairit ishte e bezdisshme.Dy nga librat e reklamuar i bleva ne Kukes dhe i lexova menjehere.U zhgenjeva!Kjo per shkak te propogandes.

Submitted by A.G (not verified) on

Dikur, diku takoheshim si grup miqsh ne nje "lokal" per te biseduar per artin, dashurine, hallet, gezimet, librat e rinj, etj. duke pire nje kafe mbase shoqeruar dhe me ndonje cigare "DS" (firmato) per kohen; ndersa sot bisedojme , bile debatojme, se ne cilin "lokal" do te pijme kafen me te mire per "llogje kavaje"...A kjo dynja!...

Submitted by Afrim (not verified) on

Z. Klosi,

Cfare do te kete ndryshe ne panairin qe do te organizoni ju ne Prill?

Submitted by belorta (not verified) on

Te lexosh c'shkruan Klosi,  nxit ne reflektim. Edhe sikur te mos  jesh dakort, vlen ta kesh kundershtar ne mendime dhe kendveshtrime.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.