“Detaje” të stilit e të përmbajtjes në ballafaqimin e mbrëmshëm televiziv Obama-Romney

Barack Obama ishte i tendosur mbrëmë gjatë debatit me Romney-n (“Ai është mësuar me tele-prompter përpara, por këtë herë nuk e kish; prandaj e humbi debatin”, u shpreh më pas me ironi i famshmi Rudy Giuliani). Ra në sy se Presidenti, që mbante një kravatë të kaltër, nuk ‘guxonte’ t’ia hidhte vështrimin sfidantit të tij, që i ish përgjigjur me një kravatë të kuqe (në respekt të partive të tyre); Obama i mbajti kryet ulur gjatë kohës që fliste Romney dhe shihte nga kamerat gjatë kohës që fliste vetë. Ndërsa Romney u soll ndryshe: I mbante sytë nga Obama. Kur fliste ky i fundit, Romney reagonte me ndonjë gjest të lehtë, me buzëqeshje, duke tundur kryet në shenjë miratimi apo kundërshtimi, por pa ia ndarë sytë. E kur ish hera e tij për të folur, ai sërish e mbante shikimin nga Obama, kërkonte sytë e tij, dhe kërkonte ta thëthinte a përfshinte Presidentin në ato që thosh.
E gjitha kjo u mor si shenjë sigurie e Romney-t, i cili këtë supermaci nuk e demonstroi vetëm në planin stilistik. Edhe gjatë debatit të vërtetë, teksa flitej për taksat, deficitin, papunësinë, shtresën e mesme, etj., etj., ai u duk më bindës përballë Obama-s që – kjo bëri përshtypje tek të gjithë – nuk e pa me vend, ndoshta harroi, t’i përmendte dhe gafën më të madhe të bërë gjatë fushatës. Është fjala për rastin, kur Romney ishte në një veprimtari fond-mbledhëse e tha në një moment shkujdesjeje përpara të vetëve, se “47% e amerikanëve, që nuk kanë fuqi të paguajnë taksat federale mbi të ardhurat, janë përtacë e hiqen si viktima, por ai nuk ka ndërmend të merret me ta”.
Mbi 67% e të anketuarve nga CNN-i ishin të idesë se debati u fitua nga Romney. Obama-s do t’i duhet të presë dy debatet e tjera, më 16 tetor në Neë York dhe më 22 tetor në Florida, për të demonstruar forcën e tij.
Re.Pu.
Comments
Boll me propaganda
<p>Boll me propaganda republikanesh.</p><p>Romney u tregua agresiv, dhe Obama u mbrojt shume mire. Ku e shikojne keta "fitoren" e Romney? Pastaj debatet mua me duket se jane nje show televiziv, ai qe ka ne mendje te votoje njerin apo tjetrin nuk do lekundet nga nje debat. Apo jo?</p>
Add new comment