Artan Fugës i rezulton që gazetarët kanë informuar cekët ose kanë keqinformuar për shkishërimin e vrasësve

Artan Fuga ka pritur më kot nga mediat të sqaronin çështjen e “shkishërimit për ata që vrasin” dhe më pas ka shkuar vetë me ndihmën e një miku për të parë nga afër dokumentin kishtar mbi këtë vendim. I rezulton që gazetarët jo vetëm kanë qenë të cekët në informim por edhe kanë keqinformuar në disa raste. Shkruan Fuga në një editorial të sotëm botuar në në disa të përditshme:
“Pa dyshim, lajmi kryesor social i javës ishte ai që raportonte se institucioni kishtar i Veriut, me anë të një deklarate solemne dhe zyrtare, vendosi të marrë dënimin e shkishërimit për të gjithë ata besimtarë që praktikojnë gjakmarrjen. Prita nga shtypi dhe gazetarët e medies ta sqaronin dhe investigonin këtë ngjarje madhore, por mbeta i pangopur në kërkesën për informacion. U lanë pas dore anë që kanë të bëjnë pikërisht me shpjegimin e nëntekstit dhe të kontekstit të lajmit, çka në “gazetarinë e re”, përbën ndofta anë prioritare. Gazetari shpjegon, jo vetëm informon. Aq më pak i lejon vetes të interpretojë gabim. Dikush tha se ai që shkishërohet ndalohet të varroset në varrezat katolike! Çfarë? - thashë me vete. Por, varrezat nuk janë as të Kishës dhe as të Xhamisë. Por, në tekst ishte krejt ndryshe, korrekt. I privohen ceremonitë sipas riteve kishtare. Po ashtu, në një gazetë tjetër lexoj se shkishërohen ata që marrin gjak! Po pse vetëm ata ? Duhet të shkishërohet, sipas kësaj logjike, kushdo që vret ! – thashë me vete. Por, në tekstin e deklaratës çdo gjë ishte e qartë: Njësoj trajtohet si një vrasës i zakonshëm ashtu edhe ai që merr gjak sipas Kanunit ose duke abuzuar me të. Pa dallim…”
Pasi merr edhe disa shembuj të tjerë të raportimeve që nuk përputhen askund me atë që vetë Fuga ka lexuar në dokumentin orgjinal, profesori i gazetarisë shton:
“Përse duhet që gazetarët apo komentuesit të vrapojnë pas “berihajt”, ndërkohë që lexuesi ka nevojë për të njohur thellë se çfarë kuptimi ka informacioni që jepet? Përse interpretohen gjërat keq? Përse nuk gjurmohen anët e pandriçuara të ngjarjes? Me një fjalë na duhen gazetarë që të mos flenë… Etërit e shenjtë e bënë punën e tyre. Ndofta do të ketë më shumë ditë të bardha për fëmijët e ngujuar. Ndofta do të ketë më pak gjak. … Dokumenti është aq i rëndësishëm sa ai duhet të ruhet në origjinal diku në një muze me roje, me ajër të kondicionuar për pesëqind vitet e ardhshme...”. – A.N.
Foto: Fuga duke marrë "Certifikaten e Mirenjohjes", nga Njësia 10 në ambjentet e Muzeut Kombëtar (LSA)
Comments
Fuga eshte nje nga njerezit
<p>Fuga eshte nje nga njerezit me te pergatitur profesionalisht ne Shqiperi, shume inteligjent dhe me mendime te perparuara ne shoqerine aktuale shqiptare. Mjafton te lexosh vetem disa ese dhe shkrime te tij per ta kuptuar kete gje. Edhe ne kete rast duken qarte vlerat e tij.</p>
Add new comment