Kronika e një të arrestuari për ryshfet që përfundoi studimet me medalje...

Postuar në 20 Shtator, 2012 06:09

Kronika e masës gjyqësore të sigurisë ndaj pedagogut të gazetarisë Isidor Koti ishte sot në të gjitha të përditshmet, disa prej të cilave citonin një frazë të tij para gjykatësit: “Krimi nuk jam unë”. E ka patur fjalën që dikush tjetër duhet të akuzohet, apo e ka patur fjalën që ai vetë është viktimë e gjithë sistemit?
Mungonin detaje të tjera, kështu që është e pamundur të saktësohet çfarë ka dashur të thotë pedagogu i ri i Universitetit të Elbasanit i arrestuar fundjavën e shkuar me akuzën për marrje ryshfeti së bashku me një studente. Kjo e fundit sipas policisë bënte ndërmjetësen mes tij dhe studentëve që paguanin kalimin në provime. (Koti ishte pedagog i tri lëndëve, mes të cilave edhe i lëndës së Etikës).
Për të dy, gjykata ka dhënë masën “burg pa afat” çka do të thotë që duhet të presin gjatë në qeli derisa prokuroria të dërgojë dosjen e tyre në gjykatë, një masë kjo të cilën avokati e cilësoi tejet të ashpër pasi pedagogu dhe studentja, - tha ai, - nuk përbëjnë rrezikshmëri shoqërore. Sipas avokatit “pedagogun e kanë futur në kurth” por sipas hetuesve “ai u kap në flagrancë me 300 euro dhe 38 mijë lekë të ofruara për të kaluar në provime”.
Sido që të jetë, e gjitha duket një kronikë e trishtuar që dëshmon sa thellë ka hyrë krimi dhe/ose mashtrimi në shoqëri. Pikëpyetjet bëhen më shumë se një, kur lexon në gazeta një portret të të arrestuarit.
Shkruan ndër të tjera “Panorama”: “Isidor Koti është bërë pedagog në moshën 22-vjeçare pasi përfundoi studimet në Gazetari me medalje dhe në vitin 2005 është shpallur një nga studentët më të mirë në universitetin e Tiranës”. Kjo të bën të mendosh se ka qenë student i shkëlqyer nga ata pra, që një shoqëri i klasifikon tek “të mirët”. Dhe këtu, një pyetje që nuk vlen thjesht për këtë rast: Çfarë i ndryshon në këtë shkallë “të mirët” në Shqipëri? – A.N.

Comments

Submitted by RP(Rrezik Publik) (not verified) on

<p>Ka harxhuar shume para ndoshta,per te marre medajlen,ndaj tani po perpiqet te kapi leket sa me shpejt.Shpejt,se iku treni...</p>

Submitted by Relapso (not verified) on

<p>Te ben pershtypje fakti qe ky djale ka filluar pune si pedagog pa pasur asnje pervoje pune ne gazetari, pa bere se paku nje doktorature, thjesht se ka i ka marre provimet me dhjeta. Gjithsesi ne Universitetin e Elbasanit veshtire se gjen ndonje padagog qe nuk merr para nga studentet.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.