Ç'mendonte Arbën Xhaferi për politikanin, intelektualin, tolerancën, udhëtimet, vetizolimin, homoseksualitetin etj

Gazetari Enver Robelli, në librin “Në Tetovë, në kërkim të kuptimit” (Botimet Koha, 2011) bën një dialog të gjerë me Arbën Xhaferin për nocionet politike, proceset historike, si dhe për fenomene të tjera të botës shqiptare në rajon. Nga kjo intervistë shkëputëm disa pjesë ku Xhaferi jep përkufizimet e tij për politikanin, tolerancën, udhëtimet, vetizolimin etj. Arbën Xhaferit i jepet sot lamtumira me një ceremoni në orën 12.00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë ku do bëhen homazhe para trupit dhe më pas do përcillet për në varrezat e qytetit. Arbër Xhaferi la pas të shoqen, Violetën dhe dy fëmijët djalin Ilir dhe vajzën Vlora.
Për tolerancën
Është vështirë të kultivohet toleranca në debate publike në një shoqëri ku s’ka ekzistuar një traditë e këtillë, qoftë për shkaqe objektive, siç është mungesa e shtetit, e institucioneve të ndryshme. Krahas kësaj, duhet marrë parasysh të kaluarën e një populli, në rastin konkret, robërinë pesëshekullore, diktaturën komuniste, traditën patriarkale që diturinë, fjalën e fundit, me automatizëm ia besonte autoritetit moral.
Për politikanin
Politikani dallohet nga intelektuali për shkak të kapacitetit vendimmarrës dhe guximit për marrje të përgjegjësisë. Ndërkaq politikanët dallohen në mes vete sipas aftësisë për zgjedhje të prioriteteve. Një politikan që nuk e di këtë punë, ai është i rrejshëm, ngaqë ka hyrë në këtë veprimtari për motive jopolitike. Punën e parë që duhet të bëjë një politikë është funksionimi i ligjit. Kjo është elementare. Pas kësaj vijnë punët tjera. Mbarësia e një shoqërie vjen nga respektimi i ligjeve dhe e kundërta, ligësia vjen nga mosrespektimi i ligjit.
Për luftën për liri
Lufta për mbrojtje të vendit është kuptimplote dhe sublime nëse paraprakisht shteti është formuar me qëllim që pjesëtarët e atij populli të jetojnë dhe gëzojnë në të mirëqenie, siguri dhe barazi. Agresioni i jashtëm objektivisht ka për qëllim që ta rrezikojë këtë status, këtë barazi dhe mirëqenie të qytetarëve, prandaj reagimi i qytetarëve ndaj këtij rreziku është i natyrshëm dhe masiv. Ëndrra më e madhe Integrimi i popullit shqiptar në sistemin e vlerave perëndimore, politike, etike, kulturore etj. Një fjali e thjeshtë, e përbërë me fjalë, tashmë të banalizuara, por që kanë një domethënie shumë të thellë dhe shumë vështirë për ta kuptuar në tërësi.
Për udhëtimet
Thënia e Gëtes për rëndësinë e udhëtimit në procesin e mësimit është gjithsesi e saktë për kohën e tij, kur nuk ekzistonin mjetet, mekanizmat e tjerë të informimit dhe të edukimit. Sot njeriu informohet nga shumë burime që deri diku zbusin problemin që shfaqet në sistemet e dobëta të mësimit dhe arsimimit masiv.
Për vetizolimin
Individi vetizolohet duke prodhuar parime të kota nga frika e dështimit, ashtu si shtetet që ndalojnë informacionin nga jashtë që hedh dritë mbi mjerimin e brendshëm
Për homoseksualizmin
Shumëçka në jetën e njerëzve më duket e neveritshme, ashtu si edhe martesa ndërmjet njerëzve të së njëjtës gjini, por nuk jam i prirë që bindjet e mia t’i imponoj si standard për jetën e njerëzve të tjerë. Pranoj parimin qytetërues se njeriu nuk duhet të dënohet për shkak të preferencave të tij seksuale.
Comments
Për homoseksualizmin
<p><strong>Për homoseksualizmin </strong></p><p>Shumëçka në jetën e njerëzve më duket e neveritshme, ashtu si edhe martesa ndërmjet njerëzve të së njëjtës gjini, por nuk jam i prirë që bindjet e mia t’i imponoj si standard për jetën e njerëzve të tjerë. Pranoj parimin qytetërues se njeriu nuk duhet të dënohet për shkak të preferencave të tij seksuale.+++++</p>
Add new comment