Mirela Kumbaro ecën e ‘shkrep foto’ në rrugën Mali i Robit-Vlorë

Mirela Kumbaro lë plazhin në Malin e Robit (“pas krismave vdekjeprurëse për një hije në rërë”, thotë ajo), dhe niset drejt detit Jon. Na e thotë vetë në një shkrim të publikuar në Panorama. E teksa udhëton, vëzhgon e “hedh shënime”, të cilat të sillen si foto.
Fotoja e parë ka titullin ‘Rrugës për Rrogozhinë’: “Shpendë që shiten nën rrotat e makinës, motorë e biçikleta që barten frikshëm në bagazhin e shqyer të një benz-i, një veturë që prehet në katin e dytë të shtëpisë-depo të pambaruar, tezga me pjepra dimërakë, kumbulla importi, domate gjenetikisht të modifikuara, shalqinj Kavaje e karota Maqedonie, pirgje kanoçesh me ngjyra marramendëse si një instalacion fantastik arti, por, me ç’dukej, edhe biznes interesant. Lajmëronte fundin e Rrogozhinës një karabina e frikshme me beton të murrëtyer, pa emërtim e pa kuptim. Mbi fasadën e saj ku ndërtimi duhej të ishte prej kohësh në agjërim, ishte shpalosur një pankartë gjigante ku shkruhej ‘Agjëro dhe ti! Muhamedi ka thënë: Xheneti ka tetë dyer. Në të gjendet një derë që quhet Rejan, në të cilën hyjnë vetëm ata që agjërojnë’.”
Fotoja e dytë ka titullin ‘Lushnjë-Fier’: “Unaza e Fierit – pluhur Kandahari me ndërtesa të përçudnuara, të shëmtuara, të pista, ku s’mungojnë investime private, fantazia e të cilave nuk e kalon industrinë e pllakave, dhomave frigoriferike e pallateve shumëkëmbëshe. Kandahari i vërtetë vijonte më pas, nga dalja e Fierit deri te qafa e Koshovicës, ku ka guximtarë që vazhdojnë të hedhin beton hu më hu e degë më degë, mes tregjeve primitive të këpucëve prej kartoni, sytjenave sintetike, gomave të përdorura, mobilieve të pluhurosura e fidanëve frutorë dhe, natyrisht, si në çdo dalje a hyrje qyteti shqiptar, nuk mungojnë punishtet që prodhojnë gurë varresh, vazo guri, parmakë të gurtë, kokë luanësh e dragonjsh.”
Fotoja e .... katërt ka titullin ‘Vlora, Vlora’: “Dhe më në fund: ‘Ja Vlora, çuna!’ – do të thoshte ministri i sotëm i Mbrojtjes, veshur me uniformën e ushtarit të aktorit të filmit ‘Ballë për ballë’. Qyteti nuk ka pamjen e përvitshme të sezonit ku do të duhej të gëlonin turistët. Çadrat e diellit, më së shumti bosh, kishin varur turinjtë. Por hotelet, trefishuar krahasuar me një vit më parë, të çorodisnin në emrat e tyre që çdo atlas bote do t’ua kishte zili: Coco-Bongo, Saint-Tropez, Brooklyn, Queen Elisabeth, Lucky Star, Montreal, Harley-Davidson…”
Shkrimin e plotë mund ta ndiqni në linkun e Panoramës: http://www.panorama.com.al/2012/07/30/pa-kamera-te-fshehte/
Re.Pu.
Comments
gjithe lezet mirela, ec e ec
<p>gjithe lezet mirela, ec e ec dhe fut nga nji spec...</p>
Perpiqem çdo dite te mesoj
<p>Perpiqem çdo dite te mesoj mire gjuhen time, shqipen. Duke lexuar artikullin e mesiperm, ("... ecen ... ne rrugen Mali i Robit - Vlore", s'besoj ne kembe) me lindi pyetja se kush eshte perkufizimi i fjales "ecen". Kjo sepse sinqerisht deri me sot mendoja se folja "ecen" i referohet te ecurit ne kembe, d.m.th te zhvendoseh duke bere hapa. Me shume dashamiresi do te deshiroja te dij ne se ky perkufizim i imi eshte i sakte dhe me respektin qe kam per gazeten tuaj, do te uroja qe ky perkufizim te ishte i gabuar. Pershendetje. </p>
Add new comment