Transgresiv në mes të transgresionit

Postuar në 14 Tetor, 2011 05:54
Mustafa Nano

Po e filloj me një pohim: Një nga sfidat e mia në Shqipëri është të respektoj rregullat. Po ta dëgjonte ndonjë i huaj këtë pohim, me siguri do thosh: “Sfidë? E ç’ka për sfidë këtu? Rregullat duhen respektuar dhe pikë”. Në fakt, rregullat janë rregulla, e respektimi i tyre as që mund të vihet në diskutim. Mendja ta thotë, se nuk jemi në fushën e zgjedhjeve fakultative; nuk është në dorën tonë të zgjedhim pra, nëse duhet apo nuk duhet t’i respektojmë. Ato duhen respektuar se s’bën dhe tamam kjo, tok me ndonjë gjë tjetër, është në themel të qytetërimit të kohëve të moderne.

E megjithatë – po kthehem aty ku u nisa – bota shqiptare nuk ka lidhje me qytetërimin. Në Shqipëri të shkelësh e të dhunosh rregullat është rregull më vete; t’i respektosh ato është një përjashtim. Prandaj, të jesh në rregull me rregullat është sfidë e njimendtë. Këtejpari jeta e secilit është e ngritur mbi transgresionin; kjo do të thotë se kush nuk është transgresiv duhet të bëhet gati të vuajë e të përpëlitet ca si shumë në luftën për mbijetesë. Dhe është pikërisht kjo që ka ndodhur e ndodh. Kush ka si busull në jetën e vet standarde të caktuara morale, kush i ka vënë vetes për qëllim të mos i shkelë rregullat, mbi të cilat ngrihet bashkëjetesa (dhe kuptohet që me rregulla kuptoj çdo udhëzim të natyrës etiko-morale e ligjore), me siguri ndihet i shtypur prej mainstream-it mujshar, të dhunshëm, të egër, barbar. Ai është rëndom më i varfër se të tjerët, ai duhet të heqë më shumë se të tjerët për të zgjidhur një problem, ai dhe të vetët duhet të vuajnë më shumë për të gjetur një vend pune, për t’i hapur vetes një korridor karriere, për t’u vetërealizuar, për t’u afirmuar në shoqëri, etj., etj. E gjithë kjo e bën jetën të mundimshme.

Por mund të ndodhë që dikujt, pikërisht ky fakt, t’i japë paradoksalisht pakëz paqe brenda vetes. Është mazokiste sa të duash, por është dhe bukur, pasi jetohet me idenë që ti, me sjelljen tënde, po e mund dhe sfidon një botë të tërë (në një formë më sublime, kjo sjellje duket tek Armiku i Popullit i Ibsenit, ku kuptohet qartë se çfarë sfide është t’i kundërvihesh mbi bazën e ca standardeve të tua etiko-morale një komuniteti të marrosur pas jetës së kollajtë e të nënshtruar ndaj autoriteteve konvencionale).

Personalisht, nuk ia kam dalë dot t’i respektoj rregullat deri në fund. Ka momente kur, i ndjellë a i tërhequr nga stili transgresiv e karari që të jep ky stil jetese (të jep alamet karari, s’ke ç’thua), unë bëhem njësh me mainstream-in. Në këto raste e di që po dhunoj rregullat, provoj një “vuajtje civike” për këtë, por me sa duket, qari e dobia që më vinë prej aktit transgresiv janë ku e ku më të mëdha. Por edhe sikur të mos bëhet fjalë për asnjë qar a dobi, më ndodh të bëhem transgresiv pa e pasur mendjen fare, d.m.th pa qenë i vetëdijshëm se çfarë po bëj. Është transgresioni rrotull teje që të përfshin në gjeratoren e vet.

Një ilustrim. Unë jam, fjala vjen, duke ecur në këmbë në trotuar, jam në një gjendje të përhumbur, krejt i dhënë pas mendimeve të mia. Papritur më shfaqen përpara semaforët në ngjyrë të kuqe, dhe unë instinktivisht ndalem buzë rrugës, mú në fundin e trotuarit. Ai sinjal i ndezur që kuqëlon është një “stop” i fortë në ndërgjegjen e në nënndërgjegjen time. Dua të them se mund të jem duke folur, duke qeshur, duke lexuar një libër a gazetë, duke bërë sms, duke puthur dikë, mund të jem i shushatur, i përgjumur, i dehur, i droguar, i plagosur, a ku di unë në ç’gjendje tjetër, por përballë atij sinjali bëj gjithë herën të njëjtën gjë: ndalem. Më pas fare mirë mund të vijoj rrugën pa pritur ngjyrën e gjelbër, por fillimisht ndalem.

Vë re që për mbi 90% e banorëve të Tiranës nuk e lënë veten të kondicionohen nga loja ‘idiotike’ e ngjyrave në majë të shtyllave metalike. Dhe mua më ndodh të shoh të ngjashmit e mi që nuk ndalen, që vijojnë të ecin, që s’duan t’ia dinë se aty ka semaforë dhe se ata janë në ngjyrë të kuqe, që s’e kanë për gjë të gjarpërojnë mes makinave që lëvizin me shpejtësi, duke rrezikuar jetën e tyre, dhe aty për aty më ndodh të bëj si të tjerët, të harroj urdhrin e semaforit, dhe të zgjidhem nga zinxhirët e skrupujve urbanë që më kishin mbajtur të lidhur buzë rrugës. Atë copë rrugë nga njëri trotuar në tjetrin e bëj, ç’është e vërteta, me pakëz brerje ndërgjegjeje, por ndërkohë jam në anën tjetër, tok me të tjerët, në fytyrën e të cilëve mund të lexohet çdo emocion i mundshëm human, por jo brerja e ndërgjegjes. Ata nuk janë të vetëdijshëm që kanë dhunuar një rregull.

Është e lezetshme të shohësh se si sillemi ne me vijat e bardha. Kalimtarët, sa herë që duan të kalojnë nga njëra anë e rrugës në tjetrën, nuk është se i kërkojnë ato. Ç’është ajo fjalë! Ata i bien rrugës mes për mes në atë vend, ku ua jep në kokë për t’u hedhur matanë. Po të vendosësh një kamerë në kreun e një rruge të gjerë, dhe të filmosh gjatë gjithë ditës, syri do të të shohë veç silueta që hidhen në stil brown-an nga ana e majtë në atë të djathtë të rrugës, dhe anasjelltas. Njëra nga ato silueta, tek-tuk, mund të ndodhë të jem dhe unë. Madje, ky është nga gjestet transgresive që bëj pak më shpesh. Në ndonjë rast, ndonëse kjo sjellje transgresive është tmerrësisht e shtrirë dhe e përhapur, unë bëj me pahir një sforcim për ta sfiduar, vihem në lëvizje për të kërkuar vijat e bardha, e vazhdimisht jetoj me idenë se jam i vetmi në Tiranë që e bëj këtë. Nëse ka dhe ndonjë tjetër që e bën, le të bëhet i gjallë; ndoshta mund të krijojmë ndonjë klub së bashku; do jetë klubi me numrin më të vogël të anëtarëve: klubi i vijave të bardha. Tek ky klub do të përfshijmë dhe ata që, teksa janë duke i dhënë makinës, dinë të ndalojnë herë pas here përpara vijave të bardha në respekt të kalimtarëve që korsinë e shenjuar me vija të bardha e kanë të tyren. Mirëpo, këtë gjë s’e dinë as kalimtarët, as grahësit e makinave. Kalimtarët, pikërisht ata që hidhen në anën tjetër të rrugës në çdo koordinatë që t’i kapë hera, tek vijat e bardha, që janë të tyret, ndalen, stepen, kanë frikë, presin sa të kalojë makina e fundit, dhe pastaj e kalojnë rrugën me shpejtësi, duke kthyer kokën sa majtas, djathtas. E di, është gallatë e shkuar gallatës, por është e vërtetë. Këmbësorët në Tiranë janë si të trembur veç tek vijat e bardha, ku makinat, me sa duket e një djall e di se pse, janë më të shkujdesura se gjetkë, mu sikur ato vija të bardha të ishin një tabelë për të rritur shpejtësinë.

Unë përpiqem të shumtën e herëve të ngadalësoj shpejtësinë te vijat e bardha, dhe kur e bëj shpërblehem me mirënjohje nga këmbësorët që kanë mundur ta vënë re “mirësjelljen” time. Shumica në këto rrethana më vënë dorën në zemër, dhe më thonë diçka me buzë, që unë nuk di pse e lexoj si “Merhabá Mustafa Efendi!” Sidoqoftë, është e sigurt që falënderojnë, dhe kurrë s’kam për ta kuptuar pse falënderojnë, kur ua hapin një rrugë që është e tyrja dhe vetëm e tyrja.

Por ka raste që unë turrem pas makinave të tjera, dhe veç kur e shoh veten tek vijat e bardha, me këmbësorët që, në pritje, duket sikur janë duke parë gratis filmin “2 fast, 2 curious”, ftillohem dhe u kërkoj ndjesë njerëzve që më kap syri dhe marr aty për aty mirëkuptimin e tyre. Me mijëra herë kam menduar se shqiptarëve mund t’u bësh ç’të duash, dhe më pas mjafton një “ju kërkoj ndjesë” që të fitosh, jo mirëkuptimin e tyre, por dhe zemrat e tyre.

Vetëm në Shqipëri ndodh kështu. Gjetkë mund të të fusin një të kafshuar m’u në zverk në një rrethanë të ngjashme. Para nja dy vjetësh ndodhi të isha ca ditë në Kopenhagën. Në një rast, teksa po ecja me makinë në një nga rrugët e gjera të kryeqytetit danez, kuptova se kisha ngatërruar rrugën. Po të ecja drejt, do t’më duhej të humbisja nja 10 a 15 minuta për të dalë aty ku doja. Nuk e mendova gjatë, dhe bëra atë që do të bëja në vendin tim, në Shqipëri, pa ndonjë problem. Hodha sytë përpara, hodha sytë dhe pas me ndihmën e pasqyrave, pashë rrugën të pastruar nga makinat dhe i jap një të kthyer me 180 gradë makinës sime. Në harkun e një fraksioni të sekondës dëgjoj nga dritarja e hapur një britmë. Ishte një qytetar, hipur mbi biçikletë, i cili e pa atë që bëra, frenoi, u kthye nga unë, dhe m’u afrua duke m’u hakërryer. Nuk e kisha vënë në rrezik. Ai ishte në rrugën e tij (në Kopenhagen çdo rrugë ka korsinë e vet të biçikletave), por ai nuk po më hakërrehej si një njeri, të cilit iu rrezikua jeta. Ai po i hakërrehej dikujt që po dhunonte mënyrën e tij të jetës e të jetesës mes rregullave që duhen respektuar.

I kërkova ndjesë. Nuk iu shpjegova, se s’kish se pse e s’kish për çfarë. Thjesht i kërkova ndjesë dhe po kuptoja se ai nuk ish i gatshëm as t’më falte. Më mirë t’më kish zënë polici e t’më kish futur një gjobë të mirë; më mirë t’më kishin rrahur. Kurrë nuk jam ndodhur aq ligsht në jetën time. Dhe e kisha hak të ndihesha ashtu. “Si muti në shi”, do thosh gjyshja ime.

Ndërsa në Tiranë “si muti në shi” ndihen, jo ata që i dhunojnë rregullat, por ata që i respektojnë ato. Prandaj është tamam një sfidë respektimi i rregullave këtej nga ne. Një sfidë që unë personalisht s’e fitoj gjithnjë. Më ndodh ndonjëherë të bëj atë që bëra në Kopenhagen, e që në Kopenhagen s’kam për ta bërë kurrë më. Në Tiranë, po.

Comments

Submitted by A.G (not verified) on

Ke keto semafore jeshil,verdhe e kuq ,mu kujtua dicka...Kam qene dhe une jashte kufijve te atmemedheut tone.Kam pare vija te bardha e semafore topke si tanet kudo,por ne Janine,semaforet e kuq,jane shume me te medhenj se te zakonshmit kudo ne dynja,bile dyfish,ja, sa nje karpuz.Dhe, qe kur u fanepsen fillimisht ,  pata pyetur nje janjot , c'jane keto ? Pse semafori i kuq kaq i stermadh  ,saqe dhe i fikur ai te behej si i ndezur , sidomos kur kishte dhe ndricimin perballe ? E dini si m'u pergjegj ?... Qe kur na erdhen shqiptaret , filluan te shkeleshin rregullat dhe justifikoheshin qe nuk i dallojme dot , nuk jemi mesuar etj.  dhe ka patur karambole pothuaj ne te gjitha kryqezimet . Nje shoqeri sigurimesh ja propozoi pushtetit vendor dhe ai vendosi menjehere qe semaforet e kuq ta kishin diametrin sa dyfishi i semaforit te verdhe e jeshi . Thone se e dha dhe kjo nje efekt ne qarkullim . Kush te kete rastin le ta shijoj dhe kete "cudi" greke per shqiptaret...

Submitted by Edi (not verified) on

@ Anila:

Riciklimi nganjehere eshte gje e mire per t'i fiksuar disa gjera.

@ Mustafa:

Do te isha shume i interesuar te ribotohej ketu nje shkrim i juaji i para disa kohesh ne gazeten "Shqip, titullin e te cilit nuk e mbaj mend saktesisht, por perafersisht ishte "Sa preokupohen amerikanet per shkeljet e demokracise ne Shqiperi". Me ka bere shume pershtypje kur e kam lexuar atehere.

Submitted by reforma (not verified) on

Nuk ka individe te ndryshem , ka fryme te ndryshme! Mustafa mos mendo se je vetem! Fatkeqsisht ne qe jemi si ty nuk organizohemi dot, nuk lidhemi, nuk protestojme, nuk bejme as xheste simbolike, sic do te ishte krijimi i Klubit tend te Vijave te Bardha. Kur ta krijosh do te vij te shkruhem i pari!

Submitted by luani (not verified) on

Artikull shume i bukur (dhe perputhet plotesisht me mendimin tim per situaten aktuale kaotike te vendit).
Mendoj se do ishte me mire per te gjithe sikur njerez si ju Z.Nano te fillonin nje levizje politike. Kemi nevoje per njerez me "kellqe" dhe qe e dine se si duhet te jete Shqiperia, te nisin ndryshimin. Duke patur parasysh situaten aktuale, me shkon gjithmone mendja tek shprehja "Qe e keqja te fitoje, mjafton qe te miret te mos veprojne". Une do te regjistrohesha menjehere ne nje levizje te tille.

Submitted by Engjell (not verified) on

Z Nano!

Tematike e goditur dhe teper aktuale por per nje bote qe tek ne nuk ka gjasa te vije shpejt Shembujt jane pa kufi  per kete teme ,dhe ato gjenden qe ne nivelet e kulmit te piramides se shtetit e deri  tek individe te vetmuar qe jetojne larg metropolit dhe zonave rurale ,çobanet  ( tek keta te fundit grafiku i intensitetit te shmangieve eshte afer boshtit te absisave ,tek maja e piramides eshte afer infinitit ne boshtin e y ( me vjen keq qe po perdor ,termat matematikore per ilustrim) Kjo gjendje nuk ka se si rregullohet kur drita e kuqe e moszbatimit te ligjit nuk respektohet ne radhe te pare  nga ligj-beresit ,pastaj nga zyrtaret e pothuajse te te gjithe niveleve ,e me tej po vete gjyqtaret ,prokuroret ,policet etj qe jane gardianet e zbatimit te ligjit si ja bejne ?! Edha ata i bejne hile rregullit dhe zbatimit te ligjit .

Edhe une jam ndier keq ,por shume kohe me pare ne vitet 90 bashke me dy shoke te tjere ne Gjeneve ,diten e fundit te qendrimit para se te largoheshim per ne aeroport na kishin mbetur ca franga te cilat ne Shqiperi nuk na hynin ne pune dhe vendosem te shkonim per ti shpenzuar ne nje "PLACETE" afer hotelit por duke nxituar per te qene ne rregull me kohen ,shkojme dhe e gjejme deren e supermarketit hapur ,ishte dimer dhe temperatura ne ambjent ishte rreth 2 ° c nderkohe tek dera prisnin rreth 4 deri 5 persona burra e gra qe te futeshin ne super market ,per hollesi dyert e placetes izoloheshinn termikisht me ajer  te nxehte ,ne te tre duke e pare deren hapur ,pavaresisht se jashte saj ishin ata persona qe permenda me siper u futem direkt ne mjediset ,por pa mbrritur ende tek banaket e ekspozimit te mallerave vume re se po na shikonin te çuditur edhe punonjesit e super marketit nga brenda por edhe ata qe prisnin jashte ,ne menyre instiktive i thirrem mendjes ,pse  , nderkohe dikujt nga ne te tre i shkoi ndermend ,donte edhe tre minuta qe te shkonte ora 9 qe te fillonte punen super marketi .U kthyem te turperuar dhe pritem me te tjeret jashte deri sa ra gongu ne oren 9 fiks qe te futeshim brenda .Me duket se shprehja e gjyshes tende nuk mjafton per te pasqyruar realisht sikletin qe ndiem ne ate çast ,diçka me keq ,u kthyem si te "dh.er"

Miqesisht do te beja nje verejtje ,ne shkrimin Tuaj perdorni shume terma qe nuk jane shqip ,mundohuni ti shqiperoni sepse do te keni me teper lexues ,edhe ky eshte nje pjese e problemit te "vijave te bardha "

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.