Klosi, requiem shprese vs një kulture vdekjeje

Postuar në 29 Prill, 2012 04:42

Menjëherë sapo mora vesh vdekjen e Ardian Klosit, gjëja e parë që bëra ishte një lutje për shpirtin e tij dhe në wall-in tim të Facebook-ut, pa thënë se kujt ia kushtoj, vendosa një requiem të Mozart-it (Lacrimosa) me këto fjalë që po i sjell në latinisht (origjinali) dhe në shqip (shqipërimi im): Lacrimosa dies illa /Qua resurget ex favilla /Judicandus homo reus. /Huic ergo parce, Deus:/Pie Jesu Domine, /Dona eis requiem. Amen (Mbushë me lot plot ajo ditë/ Kur prej zjarrit ka me u ngrit, /Për me u gjyku njeriu fajtor. /Por ti kurseje o Hyj qiellor. /E ti o Jezus plot mëshirim, /Jepu atyre(atij) tëndin pushim./Amen.).  E kisha takuar vetëm një herë pesë minuta, më këmbë, publicistin e njohur dhe gjithmonë e kam parë e dëgjuar nga larg. Në të vërtetë, për të kanë shkruar dhe do të vazhdojnë të shkruajnë miq, të afërm e shumë të tjerë që e kanë admiruar Klosin për kontributin që ka dhënë. Unë nuk kam kompetencën e as qëllimin të bëj një gjë të tillë.
Në këtë shkrim dua vetëm të “akuzoj”, jo pa një farë keqardhjeje të brendshme, një lloj histerie justifikuese jo kundrejt personit të Ardian Klosit, por aktit të vetëvrasjes. Po citoj disa thënie të këtyre ditëve, që në gojën e shumë personave publikë dhe me influencë tingëllojnë përnjëmend problematike. Ja disa prej tyre: “Klosi ka vdekur për ta parandaluar vdekjen, sepse ndonjëherë është më mirë të vdesësh për të jetuar gjatë…”; “Ardian Klosi zgjodhi të ikë për të jetuar te vdekja”; “Ardian Klosi e thirri vdekjen e tij, madje e bëri vetë, me një kurajë mbinjerëzore apo me një lehtësi hyjnore – kush e di”; “Do ta kishte pasur shumë të lehtë Dani nëse do të zgjidhte ujërat e cekëta, rrymat konformiste, koret optimiste, por nuk mundej. Donte të ishte vetvetja. Dhe mbeti vetvetja deri në fund”; “Klosi iku në një botë ku ndoshta ndihet më i qetë”; “U ndje i braktisur dhe në braktisjen e tij, i fyer. Ishin shenjat e vendimit të tij të fundmë. Mos e merrni për dobësi vetikjen e tij”; “Ndoshta vulgariteti i fundit që i refuzoi vetes ishte ta priste vdekjen në shtrat”.
Ajo çka bie në sy është një raport me vdekjen dhe me aktin e vetëvrasjes, i përshkuar thellë nga një kulturë nihiliste dhe ekzistencialiste. Kjo është kultura e vdekjes. Dhe vulgariteti i vërtetë nuk qëndron në pritjen e vdekjes në një shtrat, por në justifikime të tillë të aktit vetëvrasës. Nuk mund t’i analizoj një e nga një të gjitha këto deklarime, që në të vërtetë do t’ia vlente, por dua të them se askush nuk mund ta gjykojë Ardian Klosin, njeriun, personin e tij, por ama po aq askush nuk mund të justifikojë aktin vetëvrasës. Dhe ata që e justifikojnë kanë arsye shumë vulgare. Duket sikur ky akt kthehet në epilogun përfundimtar dhe në modelin e një jete të jetuar në vërtetësi. Nëse personi nuk duhet të gjykohet, akti, nga ana tjetër, nuk mund të marrë trajtën e modelit dhe të etalonit me të cilin duhet të matemi.
Sa njerëz përditë përballen me moskuptimin, poshtërimin, vuajtjen, pamundësinë, humbjen, errësirën, por jo të gjithë ata, madje vetëm pak apo shumë pak prej tyre, vendosin të ikin nga kjo botë, sepse diku tjetër ndoshta (kinse) u gjendkan më mirë, më në paqe? Ejani një ditë në Kamzë t’ju njoh me Lekën, që para do kohësh i vdiq e shoqja me tumor dhe i la katër fëmijë, më të madhen 10 vjeçe, e ai nuk ka as punë e as shtëpi. Ejani e takoni në Kasallë Zefin 83-vjeçar prej Puke, që punon gjithë natën për pesëqind lekë duke ruajtur një grumbull plehrash për të mbajtur fëmijët e djalit që është në burg. Mund t’ju prezantoj nënën dhe gruan e Pjetrit, që i shërbejnë atij prej më se gjashtë vjetësh në koma. Po duhet të takoni edhe Vjollcën nga Valiasi me katër fëmijët e saj, ndër të cilët Pjetri, i vogli, është edhe autist e po i rrit e vetme në një familje me 14 veta e vetëm me tre dhoma. E çdo ditë këta njerëz gjejnë motive jete e shtytje për të ecur përpara, për të mos u përkulur asnjëherë.
Ne nuk mund të jemi kaq nihilistë me jetën. Ardian Klosi vari veten. Arsyet i dinte vetëm ai, por neve sot, e sidomos njerëz që merren çdo ditë me publikun, na takon të japin mesazhet se jeta duhet ruajtur e jetuar deri në fund, një fund që duhet pritur dhe jo vetëdhënë. Nuk mund të ketë dy zgjidhje, sikurse shkroi dikush, “të gjesh forcën t’i qeshësh në sy atij që të përjashton, ose të ikësh përgjithmonë bashkë me shpresat e tua dhe të të tjerëve”, por vetëm një, ajo për jetën.
I dashur Ardian, deri tani nuk e kisha me ty. Tani më lejo të them dy fjalë. Edhe pse nuk i përket grigjës që unë bëj pjesë, e di nga miqtë e tu se kishe shumë simpati për katolikët dhe katolicizmin. Sot është e diel! Dita e diel është dita e diellit, e Zotit. Ajo çka mund të bëj për ty, edhe kur kori i justifikuesve të vetëvrasjes të ketë mbaruar, është të lutem. Për ne katolikët është e diela e Bariut të Mirë që jep jetën për delet e veta. Duke shpresuar që në dyert e amshimit të ketë pritur Bariu i mirë, i vetmi i aftë për të justifikuar, (për të të bërë të drejtë edhe nëse nuk je) mëshirës së Tij, në përshpirtjet e mia, ia besoj shpirtin tënd…!

Panorama

Comments

Submitted by Genti (not verified) on

<p>Ky eshte nje problem i vjeter sa edhe vete bota. Edhe ata qe e justifikojne vetevrasjen edhe ata qe e denojne kane argumente ne favor te qendrimit perkates.&nbsp; Mbaj mend qe perpara disa ditesh M.Nano shkroi se nqse do ta kishte ne dore do ta ndalonte te flitej per vetevrasjen e A. Klosit, prandaj mund te na e kishte kursyer predikimin e Gj. Metes.</p>

Submitted by Zapbone (not verified) on

<p>Brenda ka requemin apo memorjen e perjetshme te shpreses. Te shpreses si nje Ylber qe lidh dy brigjet apo stacionet Jetes dhe Vdekjes. Nje shkrim shume i bukur.</p>

Submitted by sinan hibro (not verified) on

<p>Shkrim vertet shume i bukur ; kam ndjekur , madje guxoj te shkruaj edhe vete ndonje shkrim, por autori meriton respektin tim me te thelle !</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.