Vizita e Papës dhe rishkrimi i historisë së Luftës

Postuar në 24 Nëntor, 2014 12:10
Shaqir Vukaj

Lexuesi me të drejtë mund të pyesë: Po Papën çfarë e lidh me Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit tonë dhe me rishkrimin e historisë së saj? Ashtu siç pyesnin kalimtarët, në prag të vizitës së Papës, kur Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u mbush me fotografi klerikësh kristianë: Po ata, çfarë duan aty? Pati edhe ndonjë kalimtar të vëmendshëm që pyeti: Po fotografia e Patër Anton Harapit, përse nuk është aty? A nuk e meriton të ishte edhe ai që propagandohet sot nga disa si personalitet i shquar i katolicizmit, politikës, letërsisë dhe patriot i madh?

Sipas disa autorëve që janë marrë me persekutimin e klerit në Shqipëri, veçanërisht të klerit katolik, numri i priftërinjve të persekutuar është shumë më i madh (ata shkruajnë për rreth 160 vetë, pa përmendur 35 priftërinj të arratisur jashtë shtetit, si kundërshtarë të regjimit). Pavarësisht sa është numri i saktë, aty ishin varur portretet e 40 martirëve, për të cilët, prej vitit 2002, ka filluar procesi i kanonizimit, proces i gjatë dhe i komplikuar, që bëhet nga Vatikani, sipas disa procedurave të përcaktuara me saktësi. Ajo që binte në sy në bulevard, ishte se mungonin portretet edhe të disa klerikëve me emër dhe jo vetëm i Patër Anton Harapit. Pa u futur në procedurat, mënyrën e përzgjedhjes dhe rrugët për përcaktimin e martirëve që do kanonizohen, bie në sy se mungonin portretet e disa personaliteteve të tjera të Kishës Katolike, të persekutuar nga sistemi i kaluar, por që gjatë Luftës Nacional Çlirimtare ishin “ngatërruar keqas” në politikë, si bashkëpunëtorë të pushtuesve nazifashistë. Nuk e dimë nëse ky ka qenë një ndër kriteret për mospërfshirjen e tyre në listën e martirëve të shpallur për kanonizim, por duke pasur parasysh qëndrimin që ka mbajtur Vatikani për disa priftërinj katolikë në vende të tjera të Europës, të njohur si kolaboracionistë, dhe qëndrimin e dënimet për ta deri në çkishërim, mendja të shkon se kjo mund të jetë një ndër arsyet. Duhet të kthehemi në të kaluarën dhe, konkretisht në vitet e Luftës ANÇ, në periudhën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste e më vonë nga Gjermania Naziste, për të kuptuar më mirë rolin e Patër Anton Harapit dhe të disa klerikëve të tjerë të lartë të asaj kohe, portretet e të cilëve nuk i pamë në Bulevard.

 

Kleri katolik shqiptar kundër Vatikanit

Sipas dokumenteve të asaj periudhe, që me ardhjen në pushtet të Hitlerit e më vonë, në prag të fillimit të Luftës së Dytë Botërore, Vatikani dhe personalisht Papa Piu XI, në mënyra të ndryshme i kundërvihej fashizmit dhe veçanërisht nazizmit gjerman, që po merrnin revan, madje shtypi europian i asaj kohe shkruante se parashikohej një përplasje publike midis Vatikanit dhe Hitlerit. Më e theksuar u bë kjo mbas aneksimit të Austrisë nga Gjermania. Sipas dokumenteve të botuara vitet e fundit, Papa përgatitej, që në një konferencë të Ipeshkëvisë italiane që do të mbahej në shkurt të vitit 1939, të dënonte publikisht nazizmin gjerman dhe fashizmin italian, por papritmas ai ndërroi jetë. Që atëherë hidheshin dyshime dhe, nën zë, thuhej se ishte helmuar nga agjentë të Gestapos. Mbas 40 vjetësh, kardinali Tisseran publikoi kujtimet, ku denonconte Dr. Petaçin (babanë e mikeshës së Musolinit, Klara Petaçi), si agjent i shërbimeve të zbulimeve të fshehta të Hitlerit dhe Musolinit, që kishte helmuar Papën. Në qarqet zyrtare të Berlinit dhe Romës u prit me kënaqësi vdekja e Papa Piut XI, aq sa Musolini ishte shprehur se “më në fund dha shpirt ky njeri kokëfortë”.

Pasardhësi i tij, Papa Piu XII, në fillim të veprimtarisë së tij si Papë, u përpoq të pengonte shpërthimin e një lufte të re botërore, madje u përpoq të organizonte një lloj “Mynihu të ri” dhe u përgatit të ftonte në Vatikan përfaqësuesit e shumë vendeve europiane, për rregullimin në mënyrë paqësore të problemeve ekzistuese. Në prill të vitit 1939, Italia Fashiste pushtoi Shqipërinë, veprim që u dënua nga shumë njerëz përparimtarë në botë. Papa, pavarësisht se nuk pati kurajën ta dënonte këtë veprim, të paktën nuk e bekoi. Ndryshe, krejt ndryshe u soll dhe veproi një pjesë e klerit katolik shqiptar, veçanërisht krerët e lartë te tij.

Pa u zgjatur me rolin e klerit katolik dhe popullsisë së besimit katolik gjatë shekujve në Shqipëri, çka nuk është objekt i këtij shkrimi, duhet thënë se ata kanë luajtur një rol pozitiv, tepër të rëndësishëm, në shumë fusha të jetës së popullit tonë. I Jashtëzakonshëm ka qenë kontributi në letërsinë shqipe, madje fillesat e saj i përkasin pikërisht klerikëve katolikë, ashtu siç mund të thuhet për muzikën, pikturën, teatrin, arkeologjinë, fotografinë etj. Tepër i madh ka qenë roli i klerit katolik dhe patriotëve të besimit katolik në ngjarjet më të rëndësishme të popullit tonë, në kryengritjet e luftërat për liri e pavarësi, shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar, mbrojtjen e të drejtave të Shqipërisë në shumë Konferenca Ndërkombëtare etj. Shumë kuptimplotë është fakti se nënkryetari i qeverisë së parë shqiptare, mbas shpalljes së pavarësisë, ka qenë Dom Nikoll Kaçorri, apo që ndër bashkëpunëtorët më aktivë të Ismail Qemalit, ka qenë Luigj Gurakuqi. I pavdekshëm mbetet për ne shqiptarët vargu himn i katolikut nga besimi, Pashko Vasë Shkodrani: “Feja e shqiptarit asht shqiptaria”. Ishin njerëz të besimit katolik që festuan për herë të parë në Shqipëri (Shkodër), 1 majin në vitin 1905. Edhe në të parën organizatë socialiste apo social-demokrate të organizuar në Shqipëri, apo në Grupin Komunist të Shkodrës, ata kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm…

 

Patër Anton Harapi, fashist

Por ndryshe u sollën disa nga përfaqësuesit kryesorë të klerit katolik në prag dhe gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste dhe Gjermania Naziste. Dëshmitë dhe dokumentet e asaj periudhe janë tepër komprometuese për disa prej tyre. Kanë marrë formën e një legjende fjalët e komandantit të trupave artiliero- xheniero-tokësore në Shkodër, kolonelit Kuçuk Ullagai (rus i bardhë) në takimin me parinë e Shkodrës, në prag të pushtimit, kur ai në krye të trupave ushtarake dhe vullnetare, përgatitej të priste pushtuesit me pushkë, kur hapte llogore e mbushte topat me predha. Një përfaqësi e parisë së Shkodrës, me në krye patër Anton Harapin, takoi kolonelin Ullagai për ta bindur që të hiqte dorë nga rezistenca dhe të dorëzohej pa kushte. Kanë mbetur lapidare fjalët e tij drejtuar patër Anton Harapit dhe të tjerëve: “Paçi faqen e zezë, pjellë e keqe e këtij vendi. Unë që kam ardhë prej stepave të Rusisë, jam gati me derdhë gjak për këtë vend që më ka mbajtë me bukë tash pesëmbëdhjetë vjet dhe ju, që keni lindë e jeni rritë këtu, silleni kështu. Turpi ju mbuloftë për jetë të jetëve”. Këto ishin fjalët e fundit të tij dhe, që nga ky moment ai iku nga Shkodra e s’u duk më kurrë në Shqipëri.

Kur kjo pari priste me lule pushtuesit në hyrje të Shkodrës, disa klerikë të lartë i uronin mirëseardhjen fashistëve italianë duke rrahë kambanat e kishave. Kjo është e vërteta e atyre ditëve, çka dëshmohet nga shumë dokumente, pa përmendë qindra fotografi, ku duken shumë qartë këta “patriotë” që me përulje të neveritshme, të rreshtuar tek Ura e Bahçallëkut, prisnin kush e kush t’i uronte mirëseardhjen e t’i jepte dorën i pari komandantit të trupave pushtuese, kolonelit fashist Skattini. Nuk është e rastit që dreka e parë zyrtare për “miqtë e nderuar” italianë u shtrua në Arqipeshkvinë e Shkodrës.

Ja çfarë i shkruante me këtë rast, në emër të Provincialatit Françeskan, patër Çiprian Nika, ministrit Françeskan në Romë, At Leonardo Zellos: “Shumë i nderuemi Atë. Më ditën e 7 prillit, trupat italiane zbarkuen në katër portet e Shqipërisë… Për fat nuk pati gjakderdhje me përjashtim në Durrës, ku disa vullnetarë kishin vendosë të luftonin. Popullsia, në mënyrë të veçantë ajo katolike, ishte e lajmërueme të mos bante asnjë qindresë… Me datën 8, rreth orës 17, trupat e motorizueme hynë në qytetin e Shkodrës. Për të bisedue mbi dorëzimin e qytetit, unë dërgova në komision patër Anton Harapin, i cilli, në emën të popullsisë shkodrane e bindi komandën ushtarake shqiptare që të mos bante qindresë të kotë…”.

Tepër domethënës është fakti që Dërgata e Shkodrës në Asamblenë Kushtetuese që u mblodh më 12 prill në Tiranë, për “Shpalljen e bashkimit personal të Shqipërisë me Italinë dhe dhënien e kunorës mbretënore Vitore Emanuelit”, pra për të shitur Shqipërinë edhe “ligjërisht”, kryesohej nga patër Anton Harapi. Është shumë kuptimplotë telegrami i Ipeshkvijve të Shqipërisë, drejtuar Viktor Emanuelit, ku shprehnin kënaqësinë e tyre për “bashkimin personal të dy mbretërive”, nënshkruar nga 6 ipeshkvët e Shqipërisë.

Dihet se disa krahina, me popullsi kryesisht katolike, nuk u përfshin në Luftën Nacional Çlirimtare në atë shkallë që e kërkonin interesat e atdheut, krahina që në të kaluarën ishin dalluar në kryengritjet e luftërat popullit tonë kundër pushtuesve. Dhe këtu, krahas tjerave edhe kleri katolik ka luajtur rolin e vet, sepse, ashtu siç e pohon në letrën e sipërpërmendur Patër Çiprian Nika, rol kanë luajtur ai dhe disa bashkëpunëtorë të tij, gjatë gjithë periudhës së pushtimit nazifashist. Por do të ishte gabim i madh të përsëritej gabimi i historiografisë komuniste, kur i gjithë kleri katolik etiketohej reaksionar e bashkëpunëtor i pushtuesve. Dokumentet e atyre viteve flasin se disa priftërinj katolikë kanë qenë jo vetëm ishin simpatizantë të Luftës NAC, por kanë qenë aktivë dhe kanë ndihmuar direkt. Është i veçantë roli dhe veprimtaria e priftit të Reçit (Malësi e Madhe) Patër Luigj Pici, që ishte zgjedhur deri N/kryetar i Këshillit Nacional Çlirimtar për Qarkun e Shkodrës, apo rasti i Dom Lec Sahatçisë, prifti i fshatit Gziq në Mirditë që ka ndihmuar me gjithçka kishte partizanët, apo Dom Ndoc Ndoja, prifti i fshatit Perlat (Mirditë), Dom Nikollë Luli i Ungrejve etj.

Fjala është për klerin e lartë që drejtonte e jepte udhëzime, madje aktivizohej edhe direkt në shërbim të pushtuesit. Nuk janë në nderin e tij shkrimet e shumta në gazetat e revistat e tij, apo thirrjet e propaganda që u bënin shumë priftërinj besimtarëve katolikë, në mbështetje të pushtimit fashist italian.

Janë të mbushura me shkrime adhuruese për pushtuesit fashistë, revistat e klerit katolik “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Kumbona e së Diellës” etj. Ja çfarë shkruante revista “Hylli i Dritës” në kuadrin e një vjetorit të pushtimit: “Një epokë e re qi hapet në vorrimin e njij tjetre, e cilla, mbas njëqind e ma vjetëve lëvizjesh shqetësuese mbi kontinentin evropian sod fiket, meket, mbaron. Të himtë e Italisë në Luftë, të himtë e ushtrive gjermane në Paris u dhan shtjellin demokracive; idetë e revolucionit francez u zhgulen, hine në të kaluemen, hine në shtillin e pamasë të historisë që kje. Nji botë e re shifet kah ngrihet. Njerzimi pret tanë kureshtje rendin qi vjen mbas kësaj shtergate të furishme, pret pagjen, drejtësinë e nji rendim shoqnuer të qindrueshëm. Sjell sytë kah dy persona-zhenij, qi kanë sot fatin e popujve në dorë: kah Musolini e Hitleri… Në pak kohë Shqypnia po bahet nji lulishte. Në kët lulishte, shqyptarë e italianë, të vllaznuem nen mbretin e vet peranduer e t’udhhjekun prej Duçes së madh të fashizmit, i ven themelet me vangë e shpatë, nji epoke te re, nji qytetenimi të ri”.

Pushtimi gjerman shënon një moment tjetër tradhtie të disa klerikëve të lartë katolikë. Është rast tepër i rrallë që një klerik të bëhej anëtar i një regjence të krijuar nga pushtuesit, siç ndodhi me patër Anton Harapin (megjithëse “ligji i shenjtë” ja ndalonte). Tepër interesant është qëndrimi i Papës për këtë rast. Për të justifikuar pjesëmarrjen në regjencë, kryesia e klerit katolik shqiptar iu drejtua Papës për të aprovuar pjesëmarrjen e tij. Por Papa, tepër i kujdesshëm dhe i matur në qëndrimin ndaj bashkëpunëtorëve të nazistëve gjermanë, me shumë diplomaci, ja la për “kompetencë” Arqipeshkvit të Shkodrës, Gaspër Thaçi, i cili e aprovoi pa asnjë mëdyshje.

Të kthehemi tek portretet e varura në bulevard, ku krahas portretit të patër Anton Harapit, i pushkatuar nga regjimi komunist, nuk ishin edhe portretet e disa priftërinjve të tjerë të persekutuar, por që ishin shquar në veprimtarinë e tyre në shërbim të pushtuesit. Kur analizon veprimtarinë e tyre, nëpërmjet dokumenteve të kohës, rritet dyshimi se kolaboracionizmi i tyre i theksuar, mund të jetë arsyeja përse edhe ata nuk janë në listat për kanonizim. Pa u zgjatë me shumë emra, do të përmendë disa prej tyre, si Dom Nikoll Gazulli (bashkëpunëtor i zellshëm i pushtuesve italianë e gjermanë, vrarë duke luftuar kundër forcave qeveritare mbas çlirimit të vendit), At Daniel Gjeçaj (arratisur në Jugosllavi), Mark Gjani, (bashkëpunëtor i ngushtë i Gjon Marka Gjonit), Imzot Frano Karma (anëtar i Bllokut Indipendent, krijuar në Itali nga Gjon Marka Gjoni), Imzot Bernardin Shllaku (Anëtar i Komitetit Qendror të Demokristianes), At Lek Luli (përfaqësues i Demokristianes pranë organizatës së Legalitetit, që ka luftuar me armë në dorë kundër partizanëve, pushkatuar prej tyre në v. 1944) etj.

 

Rishkrimi i historisë dhe kolaboracionistët

Me të drejtë vitet e fundit flitet për nevojën apo më saktë, domosdoshmërinë e rishkrimit të historisë së Luftës ANÇ, si një proces i domosdoshëm, i vazhdueshëm dhe i pandërprerë, që popujt dhe vendet e zhvilluara demokratike e kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë. Ndryshojnë kohët, këndvështrimet, gjenden dokumente të reja, dalin teori e argumente të reja etj, dhe të gjitha këto, bëjnë të domosdoshëm rishkrimin e historisë, por kurrsesi deformimin e për më tepër shtrembërimin e përmbysjen e saj për interesa të ngushta politike apo komerciale të partisë apo personave të veçantë në pushtet, në funksion të zhvillimeve e konjukturave ndërkombëtare, deri edhe për interesa biznesi.

Për Luftën Nacional Çlirimtare, ne trashëguam nga sistemi komunist tekste dhe libra historie të ideologjizuar, të shkruar nga fitimtarët, në funksion dhe interes të ideologjisë komuniste dhe udhëheqësve te saj. Është e vërtetë se në atë periudhë janë bërë gabime, janë shtrembëruar mjaft të vërteta, janë bërë falsifikime për ngjarje e personalitete që kanë luajtur rol të rëndësishëm në atë luftë etj. Por, kryesorja, u ruajtën dhe u promovuan vlerat dhe roli i jashtëzakonshëm dhe i pazëvendësueshëm i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar, që jo vetëm solli çlirimin e atdheut, por na bëri aleat të Koalicionit Antifashist (çka pati rëndësi të jashtëzakonshme për ruajtjen e tërësisë territoriale të kësaj Shqipërie që kemi sot).

Megjithëse kanë kaluar afro 70 vjet nga përfundimi i Luftës Dytë Botërore, në të gjithë botën përkujtohet me madhështinë që i takon, fitorja mbi nazi-fashizmin. Dhe kryesorja, respektohen dhe vlerësohen në shkallën më të lartë ata që e bënë luftën, komandantët e ushtarët e thjeshtë dhe, në mënyrë të veçantë ata që dhanë jetën për lirinë e popullit të vet dhe popujve të tjerë. Ruzvelti, Stalini dhe Çërçilli, kanë mbetur në histori, si politikanë dhe komandantë të klasit të lartë, që pavarësisht nga ndryshimet politike, arritën të merreshin vesh dhe të krijonin atë Koalicion Antifashist që mposhti në të gjitha planet dhe zhduku nga faqja e dheut, nazi-fashizmin. Figura e Papa Vojtilës, ngrihet shumë më lart në sytë e njerëzve përparimtarë, kur shkruhet se ai ka luftuar kundër nazistëve gjermanë. Franca ka pasur shumë presidentë, por De Goli mbetet mbi të gjithë, sepse ai i doli zot Francës në luftë kundër Gjermanisë Naziste, kur disa të tjerë e shitën…

Kushdo që shkon nëpër Europë, në sheshe e rrugë sheh pllaka përkujtimore, buste e monumente të atyre që dhanë jetën në luftë kundër nazi-fashizmit. Në shumë ndërtesa qeveritare apo bashkiake janë të shkruar me germa të arta emrat e punonjësve të këtyre institucioneve që dhanë jetën në luftën për çlirim. Nën kujdesin e autoriteteve dhe popullit gjerman, ndrisin varrezat e ushtarëve sovjetikë të rënë në betejën e Berlinit. Shembujt janë pafund në shumë vende të Europës e botës.

Po në Shqipëri? Përmbysja e sistemit, në ndryshim me të gjitha vendet tjera ish socialiste, krahas me shkatërrimin e fabrikave, uzinave, plantacioneve të frutave e vreshtave, kanaleve kulluese e të shumëçkaje që ishte ndërtuar me mundin e djersën e popullit, u shkatërrua dhe gjëja më e shenjtë e një populli, kujtimi i atyre që kishin dhënë gjënë më të shtrenjtë, jetën për popullin e vendin e vet. Nuk dua të besoj që turmat laramane të asaj kohe, kur shkatërronin, udhëhiqeshin nga parulla “të shkatërrojmë gjithçka që na la komunizmi”, apo “nga çeku i bardhë” e parulla të tjera antishqiptare të asaj kohe, të jenë udhëzuar edhe për shkatërrimin e varrezave të dëshmorëve, busteve e monumenteve të heronjve e dëshmorëve të atdheut.

 

Rikthimi i kolaboracionistëve

Me ndryshimin e sistemit, shumë shqiptarë mendonin se krahas tjerave, do të korrigjoheshin e do të viheshin në vend të vërtetat e mohuara, do të vlerësohej Lufta ANÇ dhe ata që e bënë, do të ngrihej edhe më lart respekti e nderimi për ata që dhanë jetën për liri, siç ndodh në të gjitha vendet demokratike të botës. Por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu.

Që ditët e para të pluralizmit në Shqipëri, nga njerëz të caktuar, kryesisht bij dhe pasardhës të atyre që kishin bashkëpunuar me pushtuesin, filluan të hidheshin parulla e të shkruhej kundër Luftës. Por drejtuesit kryesorë të Partisë Demokratike, që përgatitej të vinte në pushtet, mbanin qëndrim të matur ndaj saj, të paktën nëpërmjet deklaratave zyrtare, çka i rriste vlerat në sytë e elektoratit, (sigurisht votat) sidomos tek ata, që kishin kontribuar e kishin qenë të lidhur me këtë Luftë. Por, me kalimin e kohës gjërat filluan të ndryshonin. Përfaqësues të saj i ngritën tonet kundër Luftës, çka u bë më e dukshme sidomos mbas zgjedhjeve të vitit 1992, kur Partia Demokratike fitoi dhe erdhi në pushtet.

Duke mos dashur të dilte hapur dhe të mohonte luftën, ajo zgjodhi një rrugë mjaft të djallëzuar, atë të ndryshimit të datës së çlirimit, duke tentuar t’i bashkonte dy Datat, 28 dhe 29 Nëntorin në një ditë të përbashkët, që faktikisht e bëri zyrtare në festimet e 80 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, ku kryetari Shtetit i asaj kohe deklaroi: “Gëzuar festën, ditën e madhe të historisë sonë, ditën e flamurit, ditën e çlirimit, 28 nëntorin”.

Më 21 dhjetor 1992, në prag të Krishtlindjeve, në një seancë të zakonshme të Kuvendit Popullor (kështu quhej atëherë Kuvendi i Shqipërisë), u hodh për diskutim projektligji, “Për festat zyrtare” paraqitur nga Këshilli i Ministrave. Për çudinë e shumë deputetëve, ishte hequr Festa e Çlirimit të Atdheut. Në atë seancë, për herë të parë, disa deputetë të Partisë Demokratike dolën hapur jo vetëm kundër datës 29 Nëntor, por kundër vetë Luftës Nacional Çlirimtare, madje siç u shpreh një deputet i PD, “Shqipëria ishte çliruar disa herë, por kjo nuk do të thotë se çdo lloj lufte të ketë një festë zyrtare”.

Në forma të ndryshme, me raste festash, përvjetorësh apo ditëlindjesh filluan të përkujtoheshin disa nga figurat më të njohura si bashkëpunëtorë të pushtuesve italianë e gjermanë, madje disa prej tyre u dekoruan, ndërsa gjithnjë e me pak flitej e shkruhej për heronjtë e dëshmorët që kishin dhënë jetën në luftë kundër pushtuesit. Jo vetëm që nuk po riparoheshin pllakat përkujtimore, përmendoret, bustet e monumentet e shkatërruara ato ditë e muaj të dalldisjes kolektive, por ato po shkatërroheshin përditë e më shumë në sytë e qeverisë dhe drejtuesve të shtetit të asaj kohe.

 

gazeta DITA

Comments

Submitted by Paul Tedeschini (not verified) on

<p><em><strong>Interesant, </strong></em></p><p><em><strong>Brezi i formuem me nji mendesì, </strong></em></p><p><em><strong>Nuk ndrron as tesh ne Demokracì.</strong></em></p>

Submitted by Mah (not verified) on

<p>Jo jo jo jo, nuk eshte nga ata Shaqo Bregu.&nbsp; Nga nje fragment filmi.&nbsp; Duke lexuar kete shkrim qe kalon nga çeshtja e Papes ne Shqiperi tek 40 martiret e Kishes dhe ne fund te data e çlirimit Shaqo i fut te tera ne nje thes me nje kontekst. Si çdo gje qe egziston ne kete bote Shaqo ka te mirat dhe te keqiat e saj, dobine dhe defektin. Ne kete kendveshtrim sado qe mundohesh te besh te persosur ndonje gje aq me shume verehet defekti i saj. Sa me e forte te jete drita aq me e forte eshte hija mbas objektit qe ndriçohet. Tregojne nje rast te nje prifti qe kalonte sa ne nje ane ne tjetren te frontit diku ne kufirin midis Austrise dhe italise. Partizanet italiane i thone priftit perse u sherben dhe nazisteve. Po dhe ata njerez jane, u pergjigj prifti. Feja eshte diçka tjeter me politiken dhe ajo ne vete ka politiken e saj. Ashtu sikurse ka njerez te mire dhe te keqinj, ka dhe prifterinj te mire dhe te keqinj. Disa prifterinj u ngaterruan me politiken dhe patriotizmin disa jo. Ne pergjithesi pas luftes te gjithe e paguan shtrenjt. Shkoi i njomi me te thatin. Ne fakt dihet dhe nuk mund te mohohet fakti se Kisha e kishte frike komunizmin. Fati deshi qe fituan komunistet dhe feja nuk kishte me vend. Nuk do mundohem aspak te trajtoj tragjedine si besim por tragjedine e njerzve. Atyre njerzve qe u vrane pse besonin ne Zot. Per rrenimin e Kishave dhe Xhamive. Per djegjen dhe shembjen e tyre e bashke me to edhe shume libra. Jo vetem libra fetare por edhe historike, kalenda te ndryshme, histori te ndryshme. Bashke me to edhe anagrafe te ndryshme lindjesh, pagezimesh, martesash, vdekjesh. Historia per komunistet fillonte me ta dhe çdo gje para tyre ishte asgje. Kollaj te gjeje nje njolle ne biografi dikujt dhe e plasje ne burg ose internohej. Histroia na u trumbetua si historia e lavdishme e popullit tone nder shekuj. I cili nder shekuj e ka çare rrugen e historise me shpate ne dore. Flitej vetem per te mire dhe te keqinj. Te miret ishin perfaqsues tepopullit dhe vete populli ndersa te keqijte ishin dikushi me emer e mbiemer. E mbushen historine me stereotipe bajate duke e zhveshur njeriun nga ndjenjat dhe shpirti i tij. Asnjhere nuk trajtonte shkaqet dhe i vetmi motiv ishte apo duhej te ishte atdhedashuria dhe vetmohimi per te. Ne vitin 1991 a i pe Shaqo se si shqiptaret mbushnin anijet e kerkonin te iknin nga Shqiperia? A e mendon se cili ishte motiovi i tyre qe iknin ashtu neper ambasada e anije te sterbushura thua se po iknin prej ferrit. A i pe Shaqo qe ajo ishte pasqyra e realitetit qe perjetonte asokohe ky vend. Shkaqet i di Shaqo!&nbsp; Ne fakt Shaqo kjo kish filluarme perpara dhe shume njerez, te rinj ne fakt sakrifikuan jeten e tyre ne kufij per te ikur nga vendi i dashur i çliruar me 29 nentor nga nazi fashizmi per tu pushtuar nga komunizmi. Pasi i vritnin ne kufi i lidhnin me tela dhe i terhiqnin zvarre mba Zizave e duke u bere xhiro ne qytet Shaqo. E shikon Shaqo sa e erret eshte ana e pandriçuar ne shkrimin me siper. Me nje ndryshim ama. Une flas per njerez e jete humane dhe jo, ata ishin te mire dhe keta te keqinj, ata tradhtare dhe keta heronj. Njeriu Shaqo njeriu dhe vlersimi per te ne princip te gjitha gjerave, pastaj vijne rastet dhe shkaqet, te mira apo te keqija qofshin.&nbsp;</p>

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

<p>Mah, falemnderit, me kurseve nje koment. Vetem nje gje te vogel dua te shtoj: Shaqoja, Shaqo ka qene e Shaqo do te mbetet sa te jete jeta. Truri i ka ngrire diku aty nga 1975-80 dhe nuk absorbon dot asgje tjeter.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.