Triumfi i frikës në botën globale

Postuar në 02 Maj, 2013 03:01
Dominique Moisi

Në maj 1981, Papa Gjon Pali II i mbijetoi një atentati. Tridhjetë vjet më vonë Osama bin Laden u vra nga forcat speciale amerikane. Por, duke e parë botën tani mund të arrihet lehtë në përfundimin se lideri frymëzues, kredoja e të cilit ishte maksima e Franklin Roosevelt-it për të patur frikë ‘vetëm nga vetë frika” ka humbur, dhe se fanatiku i cili donte që frika të zotëronte botën e ‘infidelëve’ ka fituar terren.

Sot frika është e kudogjendshme dhe bombat në maratonën e Bostonit duhen parë në atë kontekst, pasi sulmi hedh dritë dhe thellon sensin tonë mbisundues të pasigurisë.

Shkalla e sulmit të Bostonit ishte, natyrisht, shumë më e vogël se e atij të 11 shtatorit 2001. Por amerikanët do ta kujtojnë këtë komplot të brendshëm si një moment tejet simbolik: një sulm ndaj një eventi sportiv ndërkombëtar të mirënjohur, bash në ditën e Festës së Patriotëve. Maratona është një ngjarje e mirëpritur sepse pasqyron vlerat paqësore të një shoqërie demokratike që kërkon t’i tejkalojë sfidat e veta përmes qëndresës. A do të përforcojë zotërimin e frikës në shoqërinë amerikane, që njëherë e një kohë përkufizohej nga shpresa, një sulm mbi një simbol të tillë?

Frika nga terrorizmi është vetëm një segment i asaj, që më së miri mund të përshkruhet si një strukturë shumënivelëshe e panikut. Së brendshmi ekziston frika e masakrave ‘spontane’ si kasaphana në dhjetor e nxënësve në Newtown, Connecticut.

Ndërkombëtarisht ekziston frika e luftërave civile në botën arabe; e trazirave sociale në Europën e përfshirë nga kriza; dhe e luftës në Azi si pasojë e politikës konfliktuale të Koresë së Veriut, apo përshkallëzimit të konfliktit të papërgjegjshëm territorial në detet e Kinës së Jugut dhe të Lindjes. Gjithashtu, ekzistojnë frikëra globale të lidhura me ndryshimin klimaterik, epidemitë, luftërat kibernetike dhe të tjera. Lista duket e pafund.

Duke riparë librin tim The Geopolitics of Emotion: How Cultures of Fear, Humiliation, and Hope are reshaping the World, duket qartë se frika ka dalë mbi shpresën. A do të thotë kjo se një Perëndim i frikësuar ka dalë në pah edhe njëherë? Dhe, a është frika në pjesën tjetër të botës, një reagim ndaj forcës së Perëndimit apo dobësisë së tij?

Sido që të jetë, Perëndimi tashmë i ka përhapur emocionet e veta negative pasi ka cytur vlerat e tij, kryesisht materiale mbi pjesën tjetër të botës. Është natyrisht shumë herët për të thënë nëse kjo është shenjë e ndryshimit të thellë, apo thjesht një prirje kalimtare, dhe realiteti është, pa dyshim, jo dhe aq i thjeshtë. Por për të distiluar thelbin e humorit aktual mund të thuhet se frika është rezultat direkt i procesit të globalizimit: bota nuk është domosdoshmërisht e rrafshët, por padiskutim që duket më e vogël- dhe ‘të tjerët’ shfaqen më të rrezikshëm se kurrë më parë.

Pas Luftës së Dytë Botërore, një grup idealistësh francezë të vendosur për pajtimin me armikun e dikurshëm, shpallën se Franca do të ketë “Gjermaninë që meriton”. Që do të thotë, sjellja gjermane do të ishte e lidhur me atë se si Franca sillej përkundrejt fqinjit të vet të mundur.

Ngjashëm, ne do të kemi ‘tjetrin’ që meritojmë. Nëse sjellja jonë bazohet te frika, do të shohim me dyshim të gjithë ata që janë të ndryshëm nga ne, duke e thelluar tëhuajëzimin e milionave brenda e jashtë vendeve tona që besojnë se ata nuk mund të integrohen as edhe në shoqëritë më të hapura. Reagimi i tyre mundet të vërë në dyshim edhe vetë hapjen.

Natyrisht, në botën e sotme të ndërvarur dhe transparente, asnjë shoqëri nuk mund ta mbrojë veten plotësisht. Nuk ka izolim nga tregjet e globalizuara, krizat e identitetit të fqinjëve, apo poshtërimi i ndjerë nga ata të cilët je përpjekur me aq shumë energji të integrosh. Njëkohësia e dyshimeve të pamenaxhueshme- vetë zemra e globalizmit-mund të joshë disa në kërkim të një procesi të kundërt që është bërë i pashmangshëm dhe i cili nuk mund të kontrollohet prej askujt.

Duke parë se të gjitha alternativat e globalizimit janë jorealiste, alarmante, ose të dyja bashkë, si mund t’i sublimojmë, tejkalojmë ose të paktën kanalizojmë frikërat tona? A munden shoqëritë perëndimore të mbeten ato që janë, ose të paktën ato që duhet të jenë-të hapura, tolerante dhe me respekt ndaj ndryshimeve-ndërsa u përgjigjen kërkesave për mbrojtje më të madhe përkundër kërcënimeve të shumëfishta, qofshin të njëmendta apo imagjinare, me të cilat përballemi?

Si u përgjigjemi këtyre pyetjeve do të përcaktojë më së shumti nëse, në një botë papushim globaliste, frika do të thotë fjalën e fundit.

 

*Dominique Moisi është këshilltar në Institutin Francez të Çështjeve Ndërkombëtare dhe Profesor në L’Institut d’études politiques de Paris (Sciences Po). Ai është autori i The Geopolitics of Emotion: How Cultures of Fear, Humiliation, and Hope are Reshaping the World. Marrë nga MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.