Tregtarë flamujsh, kontrabandistë pasaportash...

Postuar në 16 Shkurt, 2013 04:18
Halil Matoshi

Pasi që kardiologu Sali Berisha u bë edhe doktor futbolli dhe kontrabandist pasaportash, lëshoi jehona nacionaliste prej këtu e deri në Munih, ai së fundi i hëngri fjalët e veta. Mjaftoi t’ia ngrehte veshin komisionari për Zgjerim i BE-së, Stefan Fyle, dhe Berisha u zbyth nga kursi i fortë nacionalist – që u përpoq t’ua servonte shqiptarëve. Në anën tjetër të Bjeshkëve të Nemuna, patriotët e kafehaneve të Prishtinës shtiren të zhgënjyer që nuk munden ta mbajnë në jetë “Operën e tyre prej sapuni”

Kryeministri shqiptar dr. Sali Berisha e nisi këtë vit (mos qoftë viti i mbrapshtë ‘13) duke bërë tregti flamujsh, kontrabandë pasaportash, për “të doktoruar” edhe në temën e patriotizmit folklorik- futbollistik!?
Nën ndikimet e fuqishme të frymës nacionaliste një “doktor futbolli” në Kosovë po thoshte në një debat televiziv se vetëm Shqipëria mund të ketë kombëtare në futboll, kurse Kosova mund të ketë fillimisht një përfaqësuese e kurrsesi kombëtare, derisa të bashkohemi...
Ai së bashku me një disertacion për futbollin e kishte “blerë” në Tiranë edhe pak theks gjuhe prej Mallakastre dhe mbi të gjitha një “certifikatë prej patrioti”!
“Te dashur miq, ideja e një Lige mbarëkombëtare të futbollit duket se është pritur me entuziazëm në tërësi, por në mënyrë të veçantë nga tifozët kuqezi, si një akt tjetër në rrugën e bashkimit kombëtar. (…) Ne do ta krijojmë atë! Gëzuar!” – shkroi Berisha në faqen e tij në “Facebook”, duke tundur flamurin kombëtar shqiptar me agresivitet, thua se donte t’ua nxirrte fqinjëve sytë me shtizën e tij.
Përderisa analistë, diplomatë e deputetë të Kuvendit të Shqipërisë e quajtën flamurin kosovar “një leckë” ose flamur artificial, teknik, etj.
Nuk zmadhohet forca ikonike e flamurit vetëm duke e shoqëruar atë me retorika nacionaliste dhe me fraza mashtruese parazgjedhore.
Fuqia ikonike e flamurit rritet sa më shumë që qytetarëve u rritet mirëqenia, vetërespekti, sa më shumë që janë të lumtur. Nuk është dukja vizuale e flamurit ajo që shpreh krenarinë e qytetarëve, por është krenaria e tyre ajo që reflekton fuqinë e flamurit...
Sipas Ernest Gelnerit, fuqia dhe prestigji i një kombi varen nga përqindjet e rritjes ekonomike, e jo nga madhësia e hartës që arrin ta lyejë me ngjyrën e vet.
Dhe kryeministri shqiptar u shpreh t’i ketë urdhëruar rrethet e Shqipërisë që do t’i regjistrojnë klubet kosovare. Këto deklarata u dhanë nën ethet e dasmës së 100-vjetorit të shtetit shqiptar, por sapo u harruan ato duke u zhbërë si flluska sapuni, ai shpiku një ide të re edhe më joshëse, edhe më me shumë tru-muskul!
Një pasaportë shqiptare për të gjithë, pra edhe për kosovarët!
Aventurierë si “doktori i futbollit patriotik” nga fillimi këtij shkrimi thanë se Prishtina dhe Trepça kanë marrë vendim të regjistrohen në Tiranë, Kukës a Shkoder... Armand Duka në Prishtinë i nxehu së tepërmi (duke pirë birra “Peja”!) kosovarët – por me t’u kthyer në Tiranë ai çoi selame se “kjo punë s’u bëka dot!
Kjo punë bëhet vetëm nëse krijohen klube të reja shqiptare me emrat e Prishtinës apo Mitrovicës dhe hyjnë në garat e kategorisë së tretë! Por, ato klube nuk do të ishin më kosovare, pra do të ishin “firma” shqiptare dhe s’do të lejoheshin kurrë të luanin në livadhet e blerta të Kosovës!
Përndryshe “na dënuaka” UEFA dhe FIFA!
Avazin e retorikeve nacionaliste Berisha e pati nisur me futbollin!
Pas që kardiologu Sali Berisha u bë edhe doktor futbolli dhe kontrabandist pasaportash, lëshoi jehona nacionaliste prej këtu e deri në Munih, ai së fundi i hëngri fjalët e veta. Kur këto ditë zbarkoi në Tiranë me sebep komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fyle, mjaftoi “t’ia ngrehte veshin” dhe Berisha u zbyth nga kursi i fortë nacionalist – që u përpoq t’ua servonte shqiptarëve.
Kjo retorikë nacionaliste nuk do ta dallonte Berishën nga homologët e tij europerëndimorë po qe se Konferenca e Munihut të ishte mbajtur më 3 shkurt të vitit 1913, mirëpo kryeministri shqiptar tërësisht jashtë kohe po fliste kështu më 2013-n!? Berisha tek flet për një “Shqipëri etnike” harron apo nuk e di se etnia është strukturë që ka dalë nga historia qe një shekull dhe kush normal më nuk e zë ngoje.
Modernistët mund të argumentojnë lehtë se këto origjina etnike janë versione të fabrikuara, të shtrembëruara e madje të shpikura të së kaluarës (Anderson)  por, megjithatë, sipas Nicola Guy, në kohën e tyre ato rezultuan të ishin të efektshme për nxitjen dhe ushqimin e lëvizjeve kombëtare.
Sidoqoftë, gjithnjë gjendet dikush që të rri pranë dhe të kthjellon.
Janë këta miqtë e shqiptarëve, sepse armiqve u pëlqen shumë që ta shohin Berishën si luftënxitës dhe çekuilibrues të rajonit.
Nacionalizmit të Berishës po i vjen fundi, hala pa dalë në zgjedhjet e qershorit, duke i mbetur vetëm pështyma e tharë(të) në buzë, por fara që ai mbolli do t’i dëmtojë shqiptarët gjithandej ku jetojnë e veçanërisht në Kosovë.
Burra të dheut, që i thonë vetes, por që s’ia kanë idenë ç‘është shteti as kombi, këtejpari, tashti po thonë: Na zhgënjeu, e paska pasur vetëm për vota!?
Tërheqja e Doktorit nga ideja për t’u dhënë kosovarëve një pasaportë shqiptare e zuri n’zgabim edhe Adem Demaçin edhe disa azganë që patën marrë udhën deri n’Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, për të aplikuar për pasaportën shqiptare, të cilën ata e perceptojë si certifikatë patriotizmi!
Doktori e mori fjalën në Konferencën e NATO-s në Munih më 3 shkurt 2013, për t’u mbajtur “Orë nacionalizmi” burrështetasve europerëndimorë, të cilët derisa ai fliste e shikonin njëri-tjetrin me habi. Dukej ashiqare, askush s’e merrte seriozisht.
Derisa në Tiranë në disa raste ia tërhoqi vërejtjen ambasadori amerikan Arvizu, Berisha tashmë e kishte shndërruar në avaz të përditshëm “teorinë e tij të gjakut dhe truallit”mbi teoritë e kombit dhe shtetit. Unë besoj se nëpërmjet procesit të Bashkimit Evropian kufijtë bëhen të parëndësishëm, por e rrezikshme është ideja, sipas të cilës meqenëse shqiptarët janë të copëtuar në 5 shtete, duhet të shndërrohen në 5 kombe të ndryshme nga njëri- tjetri. Kjo është tërësisht e papranueshme. Kjo do të prodhonte dhe provokonte reagimin e kundërt.
Republika e Shqipërisë është shtet-komb klasik. Kosova është shtet i cili pavarësinë shtetërore e ka arritur në një proces të gjatë zhvillimi e përplasjesh midis nacionalizmit serb dhe atij “kosovar”, duke ngjizur një komb të dalë nga konflikti, për t’iu nënshtruar pastaj një procesi politik të negociimit të pavarësisë, si rast sui generis dhe sipas të drejtës ndërkombëtare jashtë kontekstit kolonial. Kosova e pavarur mësyn afirmimin ndërkombëtar dhe anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke e farkëtuar kështu kombin e ri (me tendenca nga një komb shumetnik kosovar), ndërsa shqiptarët kudo tjetër janë pakica kombëtare shqiptare në shtetet përkatëse dhe u takojnë të drejtat civile si qytetarë të barabartë, por pakicave kombëtare, sipas ligjit ndërkombëtar, nuk u takon e drejta e secesionit, as e drejta për të krijuar shtet dhe ata nuk mund të jenë kurrë pesë kombe të ndryshme, sipas “shpikjes” së Berishës.
Berisha s’e ka idenë kush mund të ndërtojë komb e kush jo, ai s’e di fare kuptimin e nocionit komb, sepse i ka mbetur në kokë definicioni i Stalinit dhe më tej për të është ndalur koha, në këtë aspekt! Berisha duket se që nga shkolla, në orët e marksizëm-leninizmit, nuk ka dëgjuar as lexuar gjë mbi konsideratat bashkëkohore rreth etnisë dhe identitetit kombëtar.
Dhe ai nuk e di se sa ka kombe po aq ka edhe teori. Porse, nga të gjitha, njëra (ligjërata nacionaliste) jo që është politically Incorrect, por edhe e papranueshme në fjalorët e diplomacisë moderne evropiane. Diplomacia perëndimore tashmë e ka të qartë tagrin e nacionalizmit të Slobodan Milosheviqit, i cili u tolerua në fillimet e tij dhe solli fatkeqësinë më të madhe njerëzore me të cilën u ballafaqua Evropa pas Luftës së Dytë Botërore, e cila tek sapo kishte hyrë në etapën e zgjerimit drejt pjesëve të sajë juglindore. Nacionalizmi si patologji shoqërore dhe paranojë kolektive së këndejmi në mendësinë e Evropës Nobel shihet si relikt i vendeve primitive të Ballkanit Perëndimor dhe mund të thuhet lirisht se nacionalizmi i shprehur i kujtdo në sytë e secilit evropian të emancipuar duket si ulërimë e historisë, si mësymje plot egërsi.
Nacionalizmi pra nuk i bën shtetet e Ballkanit Perëndimor as më demokratike dhe as më të mirëqena, por i varfëron edhe më tepër ato, ua shter kot energjitë, ua mjegullon të parit, ua errëson mendjen dhe ua topit vizionet për të sotmen dhe të ardhmen.
Shqiptarët në Serbi, Mal të Zi dhe në Maqedoni (shqiptarët në këtë shtet janë pakicë e madhe, prandaj edhe e kanë të drejtën e pjesëmarrjes në shtetkrijim) janë thjesht pakica kombëtare shqiptare, nuk janë kombe, prandaj kombi unik shqiptar është vetëm një prononcim politik, që i shkrep në mendje dikujt për të krijuar dhe nxitur rikthimin e konflikteve.
“Bashkimi kombëtar” tek shumë shqiptarë është shndërruar në etalon të demokracisë dhe zhvillimit ekonomik, duke mos i lënë ata që të shmangen nga mendësia kolektive dhe t’i ndërtojnë fatet e tyre si njerëz të lirë dhe me mundësi të mëdha për sot dhe për nesër.
Hartat e tyre etnike nuk ua mbushin syrin dhe synojnë t’i zmadhojnë ato, duke pandehur se vetëm shtetet dhe kombet e mëdha kanë sukses.
Po ja që e kanë gabim!
Duke bërë fjalë për shtetet e vogla dhe mundësitë e tyre të mëdha, Nicola Guy në librin brilant “Lindja e Shqipërisë”, thotë se edhe një shtet i vogël ka mundësi t’i përmirësojë shanset e mbijetesës së tij. Shtetet e vogla në praktikë  kanë më shumë forcë sesa e hetojnë teoricienët e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ku e gjeti tërë atë forcë mbijetese Sllovenia, e cila doli nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe u bë shpejt ndër shtetet më të respektuara të BE-së?
Ku e gjetën tërë atë forcë shtetet baltike apo Luksemburgu për mbijetesë.
Po modeli i lakmuar zviceran si mbijetoi?
Po Kosova si ia doli?
Madhësia e vogël zakonisht, sipas Guy, konsiderohet disavantazh, pasi ajo mund ta bëjë shtetin të dobët, të varur nga mbështetja apo patronazhi i shtetit (ve) të fuqishëm, gjë që, për politikëbërësit në fushën e marrëdhënieve me jashtë të shtetit në fjalë lë vend vetëm për një përqindje të vogël gabimi, ajo mund të jetë së këndejmi edhe avantazh. Ajo mund të ndihmojë  në ushqyerjen e shpirtit dhe unitetit kombëtar, në shmangien e burokracive të mëdha, po ashtu shteti i madh përfshin edhe një mori pakicash kombëtare që shpesh përdoren si pyka për çarjen e shtetit. Shteti më i vogël, sipas Guy, prandaj siguron një marrëdhënie më të ekuilibruar, ai do të rezultojë më i suksesshëm në shkrirjen ose trupëzimin e interesave të tij kombëtare me ato të Fuqive të Mëdha dhe për rrjedhojë, në sigurimin e mbështetjes së Fuqive të Mëdha për programin e vet kombëtar.
A nuk është rast shkollor mbështetja që mori dhe që merr Kosova?
Ç'është një komb modern?
Nëse e lëmë anash konceptin gjerman të kombit kulturor (linguistik) dhe etninë si bartëse të shtetit, dhe kësaj çështjeje i qasemi nga pikëpamjet moderniste - mbi kombin si konstrukt politik (strukturë e përfytyruar, imagjinare) del se nuk ka komb modern pa kushtetutë moderne (komb i mbështetur në ligj), pa trup të shëndoshë politik (që e shumëzon lirinë në demokraci) dhe pa solidarësi qytetare.
Definicionet e tjera janë ose nacionalsocialiste, ose staliniste!
Berisha i kohëve të fundit, duke i fryrë nxitjes së nacionalizmit, që Evropa pretendon se e ka tejkaluar tashmë, po duket si një elefant në shitoren e porcelanit!
Dhe, duket se Berisha këtë avaz do ta përfundojë me shpërndarjen e “certifikatave të tradhtisë kombëtare” për të gjithë ata kosovarë që e duan shtetin e tyre dhe që mendojnë politikisht!

Koha Ditore

Comments

Submitted by Lira (not verified) on

"Berisha i kohëve të fundit, duke i fryrë nxitjes së nacionalizmit, që Evropa pretendon se e ka tejkaluar tashmë, po duket si një elefant në shitoren e porcelanit!"

Autori sikur kundershton veteveten.  Nga njera ane na shtyn qe te behemi evropian ne dem te identitetit tone vetjak.  Dmth. na fton qe te harrojme vetveten (nacionalizmin).  Nga ana tjeter na thote se Evropa pretendon se e ka kaluar nacionalizmin, edhe pse ne fakt nuk e ka kaluar, nuk ka qene e zonja ta lere menjane si fenomen, prandaj eshte nacionaliste.  Atehere, mqs. Evropa eshte nacionaliste, i bie qe nacionalizmi nuk bie ndesh me te qenurit evropiane. Ne mund te jemi edhe nacionaliste, edhe evropiane.

Autori le te jete me realist.  E para nuk flitet per Evropen sikur te ishte nje shtet i vetem.  Vendet e BE-se nuk jane te bashkuara politikisht ende.  E dyta, le te hulumtoje pak autori dhe te na tregoje se si qendron gjendja ne shume shtete te Evropes si Greqia, Italia a Spanja. A nuk jane popullsite e ketyre shteteve nacionaliste dhe rraciste? Mua me duket se tentojne te jene.  E treta, autori, nese do te jete i besueshem ne ate qe thote, le te na shpjegoje se c'mund te na ndodhe ne, nese nje dite BE-ja shperbehet? Dhe, nese nje gje e tille ndodh, c'na mbetet neve qe kemi luftuar nacionalizmin per tu bere evropiane?

Sa per ta saktesuar pak, nuk po mbeshtes aspak Berishen dhe jam me se pro-evropiane.  Por, besoj se te qenurit evropian nuk duhet te shkoje ne dem te te qenurit shqiptar

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.