Tap, Nabuko, aleanca strategjike Rusi - Gjermani dhe doktrina Brzezinski

Kemi kaluar gjithë jetën duke u vetëndëshkuar, ose duke u vetëshfajësuar. S'kemi fat, kemi qënë 5 qind vjet nën Turqinë, na dënuan, na plasën nën protektoratin e Rusise, e kemi fajin vet se u lidhëm me Kinën. Po a është vërtetë kështu? Çfare peshe kanë vendimet e njëkahëshme të një shteti apo bashkësie shtetesh?
Le të marrim një nga frazat më domethënëse të politologut të madh amerikan Zbigniew Brzezinski -këshilltar i besuar i Xhimi Karterit dhe anëtar i përhershëm i Komisionit Trilateral - po e shkruaj në thojza të plotë:
"Duke përdorur një terminollogji që të kujton kohët brutale të Perandorive të lashta, tre jane pikat e palujtëshme të strategjisë amerikane, parandalimi i përplasjeve midis vasalëve, mbajtja e tributarëve të dobët e të mbrojtur njëkohesisht dhe sidomos pengimi i bashkimit të barbarëve."
E famshmja Pax Augustea o Pax romana.
Jemi në pikën ku barbarët bashkohen. Ndodh historikisht në mënyrë ciklike: pakti i Treshes lindore të Perandorëve, Austri, Germani, Rusi 1881, pakti Von Ribbetrop- Molotov në 1939, zbatimi me disiplinë gjermane e të ashtuquajturës Ostpolitik, janë këto disa shembuj më kulmorë të shprehjes kostante të politikës së jashtëme gjermane.
Fuqizimi dhe intensifikimi i mardhënieve tregtare me Kinen, si rezultat i një politike zhvendosjeje të njëtrajtëshme gjermanike drejt Lindjes dhe Lindjes së Largët, vërteton tendencën për afrim me qendrat e reja të gravitetit të planetit, BRIK's - Brazil, Rusi, Indi dhe Kine - të cilët po zhvendosin akset e rritjes ekonomike botërore nga Atllantiku në Oqeanin Indian e Paqësor. Pak shifra sa për të patur idenë e masave finanziare që lëvizin këto dy ekonomi.
Në prill të këtij viti kryeministri kinez Wen Jibao firmosi në Wolfsburg hapjen fabrikës Volkswagen në rajonin e Xinjang, do jetë një nga 6 mije fabrikat me teknollogji gjermane në Kinë. Intershkëmbimi Gjermani e Kinë arriti në vitin 2011 shifrën 144 miliardë dollarë dhe brënda 2015 kap shifrën e 221 miliardëve.
Ky vendësim i ri i fuqisë teutonike i detyrohet në një masë kritike rolit të Rusise së Putinit: 400 mijë ton mallra vjetore të prodhuara nga 6000 fabrikat e zhvendosura në Kine kalojnë mbi binarët e hekurudhës të përbashkët Deutsche Bahn e Rossijskie Zheleznije Dorogi. Këtë të fundit, sipas marrëveshjes Eurasia Rail Logistic, po e modernizon shoqëria hekurudhore gjermane në bashkëpunim me Siemens; 9000 kilometra hekurudhe Transiberiane. Interesat e kapitalit gjerman, të përfaqësuar nga kolosi financiar Deutsche Bank, filluan të shprehën që nga rënia e murit te Berlinit, kur Alfred Herrhausen presidenti i atëhershem i DB, ndërhyri pranë Bankës Botërore për të ndërmjetsuar faljen e borxhit ndërbankar të DDR që kapte 200 miliarde marka.
Ajo që ndodhi më vonë është ende më e qartë. Interesat e Berlinit ishin largëpamëse dhe aty nga fillimi i viteve 90 kolosi BASF, nëpërmjet Wintershall dhe të kontrolluarës Wingas krijojne një partnership me Gazprom, që do te furnizonte me gaz 40% të tregut Gjerman dhe në korrik të vitit 2011 bashkëpunimi i këtyre shoqerive do të çonte në përmbarimin e një nga veprave më madhore energjitike: gazsjellsi Nord Stream OPAL.
Asaj që i trembej Henry Kissinger ndjekës i Sir Halford Mackinder, babai i gjeopolitikës britanike.
Le te kthehemi te shpresat tona. Jemi akoma ne bunacën e Shadow line të përshkruar nga Konrad duke u qarë e përpëlitur?
Duket sikur pak fllad ka filluar. Firmosja më datën 27 shtator - vini re vendin, se nuk është i rastësishëm - në New York, në ndertesën e OKB e një marveshjeje të përbashkët Itali, Shqiperi, Greqi për mbështetjen politike të gazsjellsit te Adriatikut, Trans Andriatic Pipeline ishte një hap i madh. I shtyrë nga Shtetet e Bashkuara do të shtoja me një kenaqësi të brendshme.
Shpëtuam? Na hoqën nga black list - lista e zezë? Pak durim.
Për trasportimin e gazit azerbajxhanas të depozitave të Konsorcit Shah Deniz, i përbërë nga British Petroleum, STATOIL norvegjeze, SOCAR azere, TOTAL franceze, LUKOIL ruse, NIOC iraniane, TPAO turke, u rradhitën në garë disa projekte; ITGI , Nabuko, TAP e Southstream.
Italia në këtë loje shahu deri dje ndiqte projektet e drejtuar nga Enel, Eni, dhe nën strehën e miqësisë Berluskoni Putin, nënshkroi në vitin 2009 në Soci krijimin e SeverEnergia, shoqëri e përbashkët me Gazprom per shfrytëzimin e rezervave siberiane. Menjëherë mbas nënshkrimit, ndërkohë që Putin edhe Berluskoni po festonin me një darkë të madhërishme në restorantin Mare Blu, një restorant karakteristik buzë Detit te Zi, e përditshmja ekonomike ruse Kommersant komentoi dobësinë e partnerit italian në këtë marrëveshje, partner që kishte manovruar jashtë konsensusit të BE, lexo të Gjermanisë. Opcioni ITGI që nxirrte Shqipërinë jashtë loje dhe që i pëlqente shumë Greqisë u skualifikua, per mosbesimin e Konsorcit Shah Deniz tek qendrueshmëria financiare e shoqerise greke DEFA.
Nabuko, shprehje e interesave te bashkësise satellitore austriako germane, mbështetej fillimisht në masë të barabartë 16,67% nga Hungaria (FGSZ) e cila në prill të këtij viti beri sikur të dilte nga projekti, Rumania (TRANSGAZ), Austria (OMW) Bullgaria (BEH), Turqia (BOTAS) dhe Gjermania me shoqërinë (RWE). Ndërkohë që Hungaria filloi të kishte probleme me buxhetin, edhe Bullgaria filloi të lëkundet nga joshjet e Gazpromit.
Që mos ta zgjasim shumë, Konsorcit Shah Deniz tashmë i duhet te zgjedhë midis Nabuko i ashtuquajtur Nabuko perëndimor e TAP.
Për ne zgjedhja e TAP ka domethënie të jashtëzakonshme.
Por si né ato filmat horror thriller, kur aty nga fundi të duket vetja si shumë smart, ke zbuluar autorin e krimin, enigma po zbërthehet, pikërisht atëhere të arrin një element i cili zgjon një seri llogjikash të fjetura. Gjëra që i dije, po nuk i kishe vërtetuar për t’i dhëne patentë qarkullimi në mendjen tënde.
Në fund të fundit kush është elementi që vendos? SHBA nëpërmjet lobeve të saj, apo koloset energjitikë nëpërmjet mbështetjeve të tyre politike? Vendos Kongresi Amerikan apo Komisioni Trilateral? Ka më shumë peshë Deutsche Bank, British Petroleum, Siemens, Basf, apo qeveritë? Apo është e kundërta, jane lobet energjitike që përcaktojnë fatet e qeverive dhe qeveritareve. Vini re humbjen e Merkel në rajonin Reno Westfali ku fitoi ne Znj Kraft e koalicionit SPD - Verdi.
Veza pulën apo pula vezën?
Një komunikatë e British Petroleum në qershor të këtij viti i hap dritën jeshile TAP duke groposur Nabukon, për të cilin në thelb vihet në dukje se është ekonomik deri në masën e 10 miliarde m3 gaz në vit. Nabuko ka një projekt faraonik prej 30Mld m3 ne vit.
Mbase British Petroleum ka në plan të investojë vetë në projektin TAP, ose mbase po zbatohet doktrina Brzezinski.
Por Nabuko eshtë si ai faraoni: i vdekur, i patretur. Më daten 8 tetor 2012 në Vjenë u zhvillua një mbledhje në rang ministrash ku mori pjese edhe ministri i Azerbajxhanit Natig Aliev. Ministri i Ekonomise, austriaku Reinhold Mitterlehner tha se shanset e Nabukos për tu zgjedhur janë tek 50%.
Nëqoftëse BP do të orientohet vendosmërisht për TAP, një gjë është e sigurt, në supermerkatën botërore, ne si Shqipëri, që aktualisht nuk jemi të kataloguar tek reparti i tulipaneve, kalojme tek tregu i energjise.
Burimet
- Affari & Finanza 15/5/2009 "Eni, Enel intesa con Gazprom per il Gasdotto Southstream",
- Il Sole24Ore 29/06/2012 "Nabucco Ovest in gara per il gas azero" Sissi Bellomo,
- Il Sole24Ore 13/05/2012 "Crolla la CDU della Merkel in Nord Reno-Vestfalia. Trionfo SpD, pirati in parlamento per la quarta volta"
- http//www.wingas.de/20 jahr, press site
- La Stampa Economia 13/07/2011 "22 mesi Wingas controllato da Wintershall-Basf-Gazprom completa lavori Nord stream",
- http://in.mobile.reuters.com/article/ Gazprom eyes bigger stake in Germany's Wingas - report sept, 12,2012,
- Il Mondo (Fonte AFP) 8/10/2012,
- Zbigniev Brzezinski, "La grande scacchiera. Il mondo e la politica nell'era della supremacia americana" Longanesi, Milano 1998.
Add new comment