Strategjitë elektorale të dy kampeve politike

Postuar në 03 Prill, 2015 04:48
Roland Lami

Ditët e fundit, media elektronike dhe ajo e shkruar po na informojnë mbi takimet bilaterale dhe multilaterale të lidershipit të PS dhe PD për të finalizuar aleatët e koalicionit, kandidatët e përbashkët, si dhe ofertat e ofruara në këmbim të bashkëpunimit.

Ajo që bie në sy në këtë fazë parazgjedhore është fakti se po jepen sinjale të mjaftueshme për të kuptuar strategjinë elektorale të dy forcave kryesore politike në këto zgjedhje.

Përsa i përket strategjisë së PS, bie në sy prirja për të zgjeruar sa më shumë të jetë e mundshme numrin e partive në koalicion në këmbim të ndarjes së tortës së pushtetit dhe maksimizimit të votës. Një strategji e ndryshme nga ajo e 2009 dhe 2011, por e ngjashme me atë të 2013 nga ana e PS.

Ajo që mund të lexohet në këtë strategji është logjika e maksimizimit të numrave që i mbivendoset prirjes natyrale për akumulim pushteti në pak duar (shohim ndarje zonash influence me cilëndo parti që pranon të bashkëpunojë me këtë forcë politike në këmbim të votave), aleat brenda kampit politik (përkundrazi, përfshirje e partive me profil të djathtë si: PDIU, PDL, FRD etj në koalicion), përfshirje të partive aleate tradicionale të PS për të ruajtur profilin ideologjik të së majtës (përkundrazi, hezitim për të bashkëpunuar me PSD dhe PDS për shkak të peshës elektorale të këtyre dy forcave përkundrejt pretendimeve të këtyre të fundit), përzgjedhja e kandidatëve të njohur si: deputetë, kryetarë bashkish të rizgjedhur më shumë se një herë, kryetarë këshillash qarku dhe shumë pak figura të reja të patestuara më parë në publik.

E gjitha kjo të përforcon idenë se PS në këto zgjedhje po ndjek një strategji që mbështetet në dy linja kryesore: akumulim sa më i madh votash, por me koston e shpërndarjes së pushtetit në shumë duar, dhe  së dyti, rikandidim i figurave të testuara më parë si të suksesshme, duke eksperimentuar një numër të kufizuar kandidatësh të patestuar më parë.

Pyetjet që ngrihen në këtë rast janë: Pse duhet të ndërmarrë një strategji të tillë kampi i majtë kur nga zgjedhjet e 2013-s diferenca në vota ishte 1 000 000? Pse duhet të ndajnë pushtet PS dhe LSI me forca të tjera politike, kur mund të përqendrojnë akoma më shumë pushtet dhe ta përdorin atë në zgjedhjet e 2017-s në favor të tyre, aq më shumë që bashkëpunimi me një pjesë prej tyre nuk sjell garanci për vazhdim bashkëpunimi në zgjedhjet e përgjithshme të 2017?

Pse synohet sigurimi i një supermazhorance edhe në pushtet lokal, ku eksperienca ka treguar se kapja e pushtetit qendror dhe lokal nga disa forca politike, për pak kohë rrit probabilitetin e votës kundra nga ana e publikut në zgjedhjet e radhës, për shkak të kostos së dyfishtë që merr qeverisja ?

Sigurisht nuk pretendohet t’u jepet përgjigje këtyre pyetjeve në këtë shkrim, pasi kërkon një analizë të detajuar, por disa arsye në mënyrë të përmbledhur mund t’i japim. Së pari, qeveria nëpërmjet anketave të realizuara në terren, mesa duket, ka informacion se masat e marra në këtë periudhë nga ana e qeverisë kanë ulur ndjeshëm shkallën e mbështetjes krahasuar me zgjedhjet e përgjithshme të 2013.

Prishjen e ndërtimeve pa leje, masat shtrënguese për pagesën e energjisë elektrike, shpërthimet me tritol, testimi i mësuesve, i punonjësve të administratës publike etj. Së dyti, historia e dy deputeteve, Doshi dhe Frroku mund të ketë ndikuar negativisht te mbështetja elektorale e së majtës.

Së treti, shfrytëzimi i situatës së disfavorshme në të cilën është momentalisht LSI në kuptimin e imazhit në publik, po shfrytëzohet nga PS për të minimizuar sa më shumë përfitimet potenciale të LSI në këto zgjedhje vendore. Ndryshe nga PD në 2011, që me LSI u tregua shumë bujare duke i zgjeruar zonat e influencës me qëllim marrjen e një rezultati që t’i rikuperonte imazhin kësaj force politike në publik, por edhe ta shfrytëzonte në zgjedhjet e 2013-s në faktor të rezultatit të përgjithshëm.

Një bilanc jo shumë pozitiv i LSI në këto zgjedhje e bën më vulnerabël pozitën e saj në qeverisje dhe në elektorat, kështu që bashkëpunimi me të nuk kthehet më në domosdoshmëri, por në varësi të konjukturës politike. Së katërti, përfshirja e partive të tjera jashtë koalicionit si PDIU, por që janë të pranishme në parlament duke iu dhënë mundësi për të konsoliduar pozitat e tyre elektorale nëpërmjet favoreve në këto zgjedhje, krijon një bazë të fortë për bashkëpunim të mëtejshëm, qoftë në pushtet qendror në ditët në vazhdim, por qoftë edhe për zgjedhjet e 2017.

Përsa i përket strategjisë së PD, lëvizjet e lidershipit Basha tregojnë për një strategji që synon të projektojë një model të së ardhmes sesa një projekt fitues të së sotmes. Një strategji që më shumë synon të ndërtojë një imazh të PD për t’u konvertuar në vota në zgjedhjet e 2017-s, sesa një strategji fituese për zgjedhjet lokale 2015.

Le të japim disa argumente për ta mbështetur këtë qëndrim. Së pari, PD ndryshe nga PS, po i jep shumë rëndësi procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për të siguruar sa më shumë legjitimitet në bazë dhe në strukturat e drejtimit të partisë me synim krijimin e një imazhi ndryshe të lidershipit Basha, krahasuar me atë të paraardhësit të tij, Berisha dhe rivalit, Rama.

Mirëpo dhënia rëndësi procesit ka sjellë vonesa në shpalljen e kandidatëve dhe në përmbylljen e marrëveshjes me aleatët e mundshëm në këto zgjedhje. Ankthi dhe pasiguria tek aleatët janë shfrytëzuar nga kundërshtari politik duke iu bërë ai i pari ofertat.

Së dyti, PD po bën kujdes në përzgjedhjen e aleatëve, ndryshe nga strategjia e ndjekur në 2009, 2011 dhe 2013, ku gjithkush ishte i ftuar pavarësisht krahut politik ku ishte pozicionuar. Deklarata e Bashës se nuk bëjmë kurrë aleancë me LSI, lë të kuptohet se moraliteti politik merr më shumë rëndësi sesa pragmatizmi politik, pavarësisht kostos në rezultatet zgjedhore.

Së treti, përzgjedhja e kandidatëve të patestuar më parë dhe pa ndonjë të kaluar me shumë eksperiencë partiake, tregon tendencën e kësaj force politike për të ofruar kandidatura sa më pak të atakueshme nga pikëpamja morale, ligjore dhe profesionale. Së katërti, kujdesi për të mos qenë shumë “bujar” në lëshimin e zonave të rëndësishme zgjedhore aleatëve (siç është rasti i kandidaturës së z. Duka në Durrës, në ndryshim me qasjen me aleatët në zgjedhjet e 2011 dhe 2013) tregon më shumë një prirje për të ndërtuar një imazh të caktuar në disa nga qytetet kryesore, sesa nevojën për të siguruar fitoren me çdo kusht.

Këto ishin disa nga diferencat në strategji, që pritet të sjellin reagime të ndryshme nga ana e elektoratit. Për asnjërën nuk mund të thuash se kjo apo ajo është strategjia e duhur, këtë gjë e përcakton publiku. Kështu që mbetet për të parë në ditët në vazhdim se kush ka qenë më vizionar në këto zgjedhje.

 

Roland Lami

“MAPO”

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.