Stefani, Nano, Minxhozi, Çipa dhe Yzeiri: Fryn erë ndryshimi

Postuar në 23 Qershor, 2013 18:13
Nga Shqip

1.

Si e vlerësoni fushatën elektorale? A kishte vërtet alternativa për zgjedhësit?

 

Andrea Stefani

Alternativat ishin dhe janë të qarta: njëra ajo e qeverisë dhe e Kryeministrit Berisha është alternativa e autokratizmit, e rrënimit të institucioneve që mundësojnë demokracinë e lirinë dhe tjetra ajo e opozitës, që duke ofruar rotacionin e pushteteve dhe duke shmangur betonimin e një pushteti afatgjatë, mban hapur opsionin e demokracisë në Shqipëri. Dhe meqenëse me autokratizëm nuk ka integrim në Europë kuptohet lehtë që alternativa e Berishës është ajo antieuropiane. Por më thelbësor është fakti që edhe këtë herë, Sali Berisha nuk mbajti premtimin, por edhe nuk kreu detyrën që i ngarkon Kushtetuta, për organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri. Dhunimi i ligjit dhe i së drejtës nisi që me ndarjen e zonave zgjedhore, vazhdoi me caktimin e mandateve sipas vitit 2009, duke neglizhuar zhvendosjet demografike që kanë ndodhur që atëherë, për të kulmuar me shkarkimin e kundërligjshëm të Ilirian Muhos nga KQZ-ja dhe caktimi i një besniku të Berishës në vendin e tij. Duke instaluar përdhunshëm një shumicë besnike në KQZ, Kryeministri Berisha hodhi gurin e themelit për manipulimin e zgjedhjeve. Këmbëngulja e tij për të mos pranuar ofertën e opozitës për një ristrukturim të KQZ-së dhe për ta bërë atë realisht të paanshëm, denoncon qëllimin e Berishës për manipulimin e rezultatit. Indicie të frikshme të këtij skenari janë edhe një zinxhir faktesh, duke filluar nga përdorimi i administratës dhe mjeteve publike për fushatë nga partia në pushtet e deri te presionet mbi përfaqësues të opozitës dhe sidomos organizimi i një rrjeti të blerjes së votës. Edhe dështimi i dy projekteve për një verifikim dhe numërim elektronik të votave në Tiranë dhe në Fier nuk është aspak i rastit, por pjesë e skenarit të manipulimit të zgjedhjeve nga qeveria.

 

Mustafa Nano

Fushata ishte më e mirë se të tjerat në planin etik, ndonëse palët nuk bënë gjë tjetër, veçse u morën me njëra-tjetrën. Në ndryshim nga herët e tjera, nga tribunat e tubimeve nuk u lëshuan sharje, fyerje, kërcënime etj. Është aq e vërtetë kjo, sa Kryeministrit i mbeti merak pse i thoshin “gjysh, apo katragjysh”, dhe pse ia përmendnin antiplumbin, në një kohë që herë të tjera çfarë nuk është thënë, më së pari nga Kryeministri, d.v. Ndërsa këtë herë u regjistrua veç një shpërthim banal i Jozefina Topallit kundër Edi Ramës.

Lidhur me alternativat, duhet thënë se me to pakkush u mor. Ato u shpalosën në një farë mase para fushate e gjatë ndonjë interviste televizive, por gara në muajin e fundit u karakterizua nga premtimet pa doganë. Fushata ka qenë aq e personalizuar, sa për alternativa janë marrë Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta, Bamir Topi etj. Shkurt, këtë radhë do të votohet për udhëheqësit politikë. Madje, më saktë duhet thënë se në thelb këto zgjedhje kanë vetëm një pikëpyetje: Do ta rrëzojnë, apo do ta konfirmojnë shqiptarët Sali Berishën e regjimin e tij? Kjo është një dilemë që bën copë-copë çdo fokusim apo kokëçarje programore. Kjo dilemë i bën këto zgjedhje me rëndësi historike.

 

Skënder Minxhozi

Vlerësoj se është zhvilluar një fushatë më e mirë sesa paraardhëset. Ose, që ta konkretizoj, ka qenë më e mirë se një seancë e zakonshme parlamenti e tetë vjetëve të fundit. Siç e kanë quajtur me të drejtë, ka qenë fushata më ideologjike që kemi parë deri më sot. Pra, një fushatë e fokusuar në oferta ekonomike e sociale që kanë pasqyruar dy kahet e politikës shqiptare. Por ka qenë gjithashtu edhe një fushatë e mirë, ndoshta për shkak se i kemi shpëtuar banalitetit të debateve televizive, të cilat injektojnë shpesh tension dhe ndarje mes votuesve. Ka qenë më në fund fushata që e ka bërë pis Tiranën si asnjë tjetër më parë. Një përdhosje e shëmtuar e kryeqytetit me gjithfarë rreckash importi me ngjyra, që do të mund t’i quanim edhe flamuj e simbole, nëse nuk do të kishin errësuar aq banalisht qiellin e Tiranës.

 

Aleksandër Çipa

Ishte fushatë luksi në kohë të krizës së pranuar nga qeverisësit dhe nga opozita deri në ditë të fundit të saj. Ishte një “Shqipëri tjetër” për një Shqipëri që dominohet prej një realiteti me kontrast të thellë. Palët u përballën në fushatën më të gjatë të 10 vjetëshit të fundit, duke na dhënë perceptimin se kemi hyrë ndoshta në kapërcyell të tranzicionit. Natyrisht, nëse ky perceptim nuk përmbyset nga dita e votimit dhe në ditët e numërimit.

Kohëzgjatja e kësaj fushate solli edhe alternativa për zgjedhësit. Ndonëse sistemi aktual zgjedhor, ky i dalë prej marrëveshjes së shumëankimuar të ndryshimit të Kushtetutës në vitin 2008, po rezulton me probleme të mëdha përjashtuese dhe disfavorizuese, kjo fushatë mbarti garën e dy koalicioneve dhe një spektri masiv partish politike, të cilat garuan nën dominimin e përballjes dhe oratorisë së dualizmit partiak të kryesuar nga zotërinjtë Berisha dhe Rama.

 

Ilir Yzeiri

Fushata zgjedhore që sapo u mbyll paraqiti gjendjen politike në të cilën ndodhet Shqipëria pas zgjedhjeve të fundit politike, atyre të vitit 2009. Fushata ishte e ndarë në dy kampe të mëdha dhe i ngjante më shumë një beteje fjalësh në distancë sesa ballafaqimit të alternativave ose modeleve. Unë nuk jam prej atyre që i fajësojnë të dyja palët njësoj. Mendimi im është se në të gjitha rastet përgjegjësia kryesore është e asaj force politike që qeveris. Ajo dikton edhe përmbajtjen e fushatës, stilin dhe modelin. Mirëpo, mazhoranca në pushtet ka shumë vite që e ka humbur legjitimitetin demokratik dhe po sillet si një qeveri autokratike, me elemente diktatoriale shpeshherë. Kulmi i kësaj shfaqjeje është 21 janari dhe të gjitha atentatet që i janë bërë medias së lirë, shtypjes sistematike dhe dhunës mbi administratën, çrrënjosja e meritokracisë dhe kthimi masiv i administratës publike në punësim për militantë që janë gati edhe të japin jetën për udhëheqësin dhe korrupsioni i pakontrolluar, si dhe imazhi negativ se ne qeverisemi nga një njeri i vetëm që ka mbledhur në krye të punëve publike në këtë vend familjen e tij dhe farefisin. Gjithë kjo pamje e bën të vështirë ballafaqimin demokratik dhe e kthen fushatën zgjedhore në një betejë ose në një luftë për ta mbajtur pushtetin me çdo kusht. Ndaj në ligjërimin politik të Kryeministrit nuk pamë asnjë alternativë, por vetëm përsëritjen monotone e të lodhshme të premtimeve të bëra bajate në gjithë këta vjet. Fjala vjen, në Berat premtonte se do të lidhte këtë qytet me të gjitha akset rrugore, me Korçën, me Fierin, me Shkodrën, pra do ta bënte Beratin qendrën e Shqipërisë, ndërkohë që sot nga Lushnja në Berat nuk shkon dot. Në këto kushte opozita kishte përparësi dhe arriti të ndërtojë një fushatë më konkrete, me alternativa më të prekshme. Ajo që i dha peshë më shumë opozitës ishte alternativa politike. Në këtë pikë, ajo arriti që të shfrytëzojë pakënaqësinë në rritje të zgjedhësve shqiptarë për Berishën si një figurë tejet të lodhur e të konsumuar që ka eliminuar demokracinë. Nga ana tjetër, kjo fushatë na krijoi edhe njëherë përfytyrimin se ndarja politike është e thellë, se, pas njëzetë vjetësh, ne gjendemi edhe njëherë në fillim, pra në vitet ‘90. Për fat të keq, qeveria e sotme është projektuar si qeverisja e dikurshme komuniste që nuk e promovon demokracinë dhe opozita është bërë e vetmja shpresë për të shpëtuar nga një tirani e pështirë. Të gjithë do të donim të shihnim nëpër ekrane debate mes krahëve politikë, por nuk pamë të tillë. Do të preferonim gjithashtu edhe një debat mes dy liderëve të të dyja krahëve, por edhe kjo nuk ndodhi. Pamë më shumë shfaqjen e kandidatëve të partive pa asnjë peshë dhe dëgjuam retorikën e njohur të atyre që janë gati të flijohen me Berishën dhe të atyre që e kanë delegjitimuar pushtetin e tij që herët.

 

 

2.

Bazuar në premtimet e fushatës, besueshmërinë e tyre dhe në atmosferën që perceptoni, si e parashikoni rezultatin e këtyre zgjedhjeve? Sa mandate u “jepni” partive të vogla LSI, FRD, PDIU, AK?

 

Andrea Stefani

Bazuar në sondazhet e realizuara nga kompani të specializuara për disa muaj rresht, ne kemi parë që opozita ka ruajtur një marzh avantazhi që shkon nga 6 deri 9 për qind përpara qeverisë. Në zgjedhjet e kaluara, të vitit 2009, kishim një panoramë tjetër. Qeveria Berisha e nisi fushatën 6 pikë prapa opozitës dhe në prag të ditës së votimit rikuperoi mbështetje duke u barazuar në sondazhe. Sot kemi një epërsi të qartë të opozitës, lënë mënjanë një “sondazh” të fabrikuar me nxitim ditët e fundit nga pushteti, gjë që të krijon bindjen se opozita do të jetë fituese e këtyre zgjedhjeve. Duke pasur parasysh edhe klimën e frikës që ekziston në Shqipëri, për shkak të së cilës jo pak votues druhen të pohojnë një votë kundër qeverisë, mendoj se rezultati do të jetë edhe më i thellë në favor të opozitës. Në një përpjekje hipotetike, besoj se llogaritë për opozitën nisin 74 mandate e lart. Besoj se LSI-ja do të marrë 6 mandate, FRD-ja 2 mandate, PDIU-ja 1 mandat. Nuk shikoj mundësinë që AK-ja të marrë ndonjë mandat.

 

Mustafa Nano

Matematika thotë se opozita do të dalë fituese e këtyre zgjedhjeve. Mazhoranca ka bërë gjithçka ka mundur gjatë kësaj fushate e i ka përdorur të gjitha mjetet, legale e jolegale, për ta optimalizuar rezultatin e vet, por duket se nuk do të mund ta evitojë fundin e saj. Kjo është era që fryn. Kjo është pritmëria e krijuar. Dhe vetë berishianët këtë pritmëri kanë.

PS-ja ka bërë një fushatë më të mirë se herët e tjera, ka qenë më motivuese, por rezultati i zgjedhjeve nuk besohet se ka të bëjë me të, apo me opozitën në tërësi. Siç e thashë më sipër, këto zgjedhje janë një referendum lidhur me Berishën. Nëse ky i fundit konfirmohet në pushtet, atëherë shqiptarët kanë zgjedhur atë që meritojnë. Nëse nga ana tjetër ky rrëzohet, kjo nuk ka të bëjë me besimin tek opozita. Opozita nuk do të gjykohet për këto zgjedhje. Kjo opozitë do të gjykohet për atë që do të bëjë në pushtet (nëse vjen).

Lidhur me partitë e vogla, ka vetëm një të panjohur. Kjo e panjohur është FRD-ja, që nuk e ka matur asnjëherë forcën e saj elektorale. Ka gjasa që FRD-ja të hyjë në Parlament me 1-2 deputetë, por asgjë të sigurt nuk ka në këtë mes.

LSI-ja ka një mbështetje të nivelit 5-6%, që nuk ka arsye të vihet në dyshim. Por kjo mbështetje nuk dihet se me sa deputetë është e barabartë. Këtë do ta marrim vesh pas numërimit të votave, ashtu siç do të marrim vesh se në ç’masë është dëmtuar PDIU-ja nga partia tjetër e çamëve. Ndërsa AK-ja duket se është shkërmoqur gjatë fushatës. Do të ishte lajmi i ditës, nëse kjo parti do të nxirrte ndonjë deputet.

 

Skënder Minxhozi

Rezultati i zgjedhjeve është pasojë direkte e fushatës dhe e programeve elektorale të partive, por jo vetëm. Dimë nga eksperienca që ky rezultat del gjithashtu edhe përmes fenomenesh shumë më pak fisnike sesa oferta e partive për votuesit. Del përmes shitblerjes së votës, kërcënimit me vendin e punës, listave false dhe trukimit të dokumenteve të identifikimit. Për pasojë, është i vështirë një parashikim, megjithëse entuziazmi i opozitës dhe konsumi i qeverisë janë në majat më të larta sot, se më parë. Sa u përket partive të vogla, parashoh mundësinë që LSI të shtojë numrin e mandateve të vitit 2009, ashtu sikurse e shoh të mundur një mandat për FRD.

 

Aleksandër Çipa

Dominohem deri në këto çaste nga arsyetimi i një rotacioni politik. Natyrisht për premtimet e kësaj fushate kam skepticizëm të shtuar dhe më duhet të shtoj se të dyja palët, domethënë dy liderët e koalicioneve përballëse, përsëritshëm janë tradhtuar në komunikimin e tyre zgjedhor nga qëndrime dhe deklarata demagogjike. Ka pasur ikje nga realizmi realizues dhe ai premtues. Këto zgjedhje, nëse vijojnë normalitetin e shënuar deri në ditën zgjedhore, do të na japin qeverisjen e një koalicioni të ri.

Mendoj se partitë që përmendni respektivisht mund të sigurojnë; LSI katër, plus….mandatet që i garantohen prej aleates së saj, në listën socialiste. Pra parashihet një numër prej 6 ose 7 mandatesh. FRD siguron një mandat, PDIU tre mandate dhe AK ndoshta një mandat.

 

Ilir Yzeiri

Rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk është vështirë të parashikohet. PS dhe koalicioni i saj fitojnë bindshëm. Fitorja do të jetë aq e dukshme sa që KQZ-ja e rrudhur e Berishës dhe Kolegji i modelit të Tomës e Sashenkës nuk do ta zhbëjnë dot. Fitorja e opozitës këtë radhë vjen për shumë arsye. E para dhe më e rëndësishmja është zgjimi i shqiptarëve përballë një regjimi që po ua ngushton ajrin e lirisë. E dyta, është meritë e Edi Ramës që diti të strukturojë një opozitë me bazë të gjerë dhe që gjatë gjithë këtyre viteve në opozitë është treguar modeli i politikanit modern e të qartë. Natyrisht që Edi Rama nuk është Mesia që do na shpëtojë, por është një model që unë e kam çmuar qysh atëherë kur ai e realizoi atë. Modeli i Edi Ramës është Tirana. E kam thënë dhe e përsëris me forcë që Tirana e sotme që është metropol i vërtetë modern, me gjelbërim dhe me luks perëndimor është vepër e Edi Ramës. Ja ku e kemi modelin tjetër që ka dy vjet dhe përveç qendrës që na e ka bërë si zabel për harabelat po krijon modelin e rrugicave që u hedh nga një grusht zift. Ajo që më bën të besoj se opozita do të fitojë është edhe shpresa dhe entuziazmi që ka ngjallur Edi Rama sidomos në Shkodër e në Veri në përgjithësi dhe vendi i merituar që i dha Vlorës në këtë fushatë. Ndërsa sa i takon LSI-së, nuk jam në gjendje të them se si do të dalë realisht, por rreshtimi në koalicion natyrisht që e favorizon të marrë mbi tre ose katër deputetë. Deputetë mund të marrin në numër të reduktuar edhe partia e Idrizit, megjithëse personalisht unë pëlqej partinë e Dojakës. Ndërsa FRD-ja mendoj se do të marrë deputet në Tiranë dhe në Durrës. Të tjerat, nuk e besoj.

 

3.

Një mesazh për ata që do të votojnë sot?

 

Andrea Stefani

Mesazhi im për votuesit e majtë është të dalin sa më në shumicë dhe të votojnë “Aleancën për Shqipërinë Europiane”, ndërsa për ata të djathtë është të votojnë FRD, sepse këto janë dy opsionet e vetme që bëjnë të sigurt që vota e tyre do të shkojë kundër autokratizmit berishist që lakmon të përjetësohet në pushtet si regjimi komunist që shqiptarët përmbysën para 23 vjetësh. Ndërkaq vota për “Aleancën për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim” është votë për të kundërtën e atyre gjërave që premton kjo aleancë. Është votë kundër punësimit, gjë që faktohet nga 8 vjet qeverisje që nuk arriti të shtojë as edhe një vend pune. Është votë kundër mirëqenies, gjë që faktohet nga varfëria masive që po bën kërdinë në Shqipëri, rrjedhojë edhe e grumbullimit të masës më të madhe të pasurisë në pak duar, për shkak të një korrupsioni galopant. Është votë kundër integrimit europian, sepse regjimet hibride dhe autokratike, sikundër klasifikohet së fundi Shqipëria edhe nga “Freedom House”, nuk të çojnë drejt Europës, por drejt modeleve të tjera, drejt Rusisë putiniste, drejt Turqisë erdoganiste. Me një autokrat si Sali Berisha në krye të shtetit, e ardhmja europiane e Shqipërisë është e kompromentuar dhe e rrezikuar. Të votosh Berishën do të thotë që të bësh të pashmangshme në ardhmëri ditën kur ky autokrat do të justifikohet para shqiptarëve se Shqipëria nuk hyri në Europë për faj të kushedi se kujt apo kushedi se për çfarë, por jo për faj të tij. Të votosh Berishën do të thotë të votosh kundër aspiratës që shqiptarët kanë shprehur në nisje të tranzicionit: E duam Shqipërinë si gjithë Europa! Dhe se sa i është larguar Shqipëria Europës nën udhëheqjen e Berishës e rrëfen me një elokuencë tragjike vrasja e 4 protestuesve paqësorë më 21 janar. Me këtë masakër Berisha çoi Shqipërinë prapa më 2 prill të vitit 1991, në prillin e masakrës komuniste! Të votosh këtë qeveri do të thotë të pranosh se qeveria ka të drejtë të të vrasë. Dhe kjo nuk është aspak europiane.

 

Skënder Minxhozi

Mesazhet i japin politikanët dhe ofiqarët. Unë më mirë po shpreh një dëshirë: që gjithçka të shkojë normalisht dhe që Shqipëria të njohë rotacionin e saj të dytë paqësor radhazi, si shenjë të pjekurisë demokratike.

 

Aleksandër Çipa

Të votosh do të thotë t’i japësh vendit dhe atdheut ndihmën, për të shmangur njërën prej sentencave të Konicës, atë që pohon se Shqipëria “ruhet nga rastet dhe vritet nga politikanët…”.

 

Ilir Yzeiri

Sot ne duhet të votojmë masivisht, sepse ne jemi ndër vendet që kemi vuajtur më shumë se askush tjetër nga mungesa e demokracisë. Që të shëndoshet demokracia, që të arrijmë standardet që duam, duhet edhe kohë, duhet edhe durim. Ndaj i vetmi pushtet që kemi është vota e sotme. Këtë pushtet duhet ta ushtrojmë plotësisht sot. E di që ka shumë presion, shumë ankth e frikë në disa qarqe. Por nuk kemi ç’të bëjmë. Kjo është demokracia shqiptare. Këtë radhë duhet të votojmë masivisht që ta mundim frikën dhe ankthin.

 

Mustafa Nano

Nuk më vjen asnjë mesazh në këtë moment.

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>Te iki qeni Sali dhe bashke me te dhe ju dallaverexhijte e tjere.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.