Sherifi i Shkupit me dy allti!

Postuar në 05 Maj, 2015 07:27
Agim Muhaxheri

Luftënxitësi Nikola Gruevski, me pretekst të sulmit të stacionit policor, i ndjek shqiptarët me autoblinda e helikopterë. Ministrja e tij, Gordana (Jankulovska), e kapur me presh në dorë, shqiptarët i quan “indianë, fis i egër”! Gordana ka komplekse, kompleksin e inferioritetit dhe të identitetit kombëtar, nuk e di ajo të jetë serbe, bullgare, apo? Gruevski nuk e ka me tapi Maqedoninë! Në Ballkan ka përfunduar kapitulli i luftërave. Kush e ndez luftën, ngulet. Gruevskin mund ta rrëzojnë nga pushteti vetëm të vetët, opozita maqedonase, jo shqiptarët. Kush i bën gropën tjetrit, bie vetë brenda. Quo vadis Maqedonia?

Unë jam shteti, bëj ç’të dua me “qytetarët e mi”. Krekoset i pari i Qeverisë maqedonase, Nikola Gruevski. Kur shqiptarët nuk rrinë urtë, ia kthejnë fjalën regjimit, i pret kërbaçi, procedura ligjore…

Lum i forti, mjerë i ligu!

Sherifi i Shkupit me dy allti, Gruevski mund të bëjë ç’të dojë me “qytetarët e tij”, i ka dizgjinët në dorë. Mund t’i shtypë shqiptarët, t’i vrasë, t’i burgosë, t’i ndjekë jashtë Atdheut, por këtij duhet ndalur turrin. Më mirë sot, nesër bëhet vonë. Harron ai se e kap shpata e drejtësia ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit.

E vazhdon politikën e moçme të Maqedonisë, këtij shteti të brishtë, shteti “dhuratë” të Titos. Për një katramë ia kalon Kiro Gligorovit. Shtypjen e shqiptarëve e bën sot në mënyrë sofistike. Kësaj radhe i futi nën rrethim të hekurt dy fshatrat, Goshnicën dhe Malinën. I ndoqi shqiptarët me autoblinda dhe helikopterë. Lihej përshtypja sikur këto fshatra janë në Irak, Siri apo Afganistan.

Inskenoi sulmin në stacionin policor të fshatit Goshnicë, më 21 prill. Loz me kartën e terrorizmit, por edhe të nacionalistit. Kujton se e ka me tapi Maqedoninë. Pandeh, e alarmon botën se po e lufton terrorizmin!

SHBA e Evropa bëjnë sehir, nuk përzihen në punët e brendshme të Maqedonisë. Nuk përzihen në punët e brendshme as Shqipëria, as Kosova!

Regjimet totalitare ushqehen me proceset e inskenuara. Rastit të “Sopotit” ia nxori partallet LSDM-ja e Zoran Zajevit. Ajo zbuloi detajet për rastin e “Sopotit”, për të cilin u gjykuan 11 shqiptarë të fshatit Sopot të Kumanovës, të dënuar me gjithsej 156 vjet burg. Sipas kësaj partie, ministrja e Brendshme, Gordana Jankulovska, dhe shefi i Shërbimit Sekret, Sasho Mijallkov, konfirmojnë se nuk kanë asnjë provë për këtë rast.

Cila është anatomia e këtij procesi ? Më 2003 një xhip i NATO-s duke kaluar nëpër fshatin Sopot për të shkuar në fshatin Sushevë ka hasur në një minë ku humbën jetën dy ushtarë të NATO-s dhe një përkthyes. Gjykata mori vendim t’i fajësojë të akuzuarit shqiptarë. Me torturë fizike e detyruan Ramadan Bajramin t’i nënshkruajë akuzat. Shtrëngimin, si në kohën e inkuizicionit, e bëri publike Ramadan Bajrami. Dënimin e vuajtën 5 banorë: Sulejman Sulejmani, Samet Lutfiu, Hasan Klaiqi, Shaban Limani dhe Zenel Klaiqi, ndërsa 6 të tjerë u detyruan ta braktisin atdheun.

“Banorët e dënuar të Sopotit janë të pafajshëm”, këto ishin fjalët e ish-ambasadorit të NATO-s në Maqedoni, Nikolas Bigman, i cili e përgënjeshtroi aktakuzën.

Dhe ironia, shqiptarët i paraqitën si terroristë!

Shqiptarët janë i vetmi popull në Ballkan që kanë simpati të madhe ndaj Amerikës, NATO-s! Jorastësisht Shqipëria nuk është anëtare e NATO-s.

Në qershor të ’99-s kur marshuan nga Shkupi trupat e KFOR-it drejt Kosovës, shqiptarët u ngritën në këmbë, i brohoritën NATO-s, hodhën lule në tanket e paqeruajtësve. Ndërkaq, maqedonasit e serbët, të çartur nga ky marshim, fishkëllyen dhe hodhën gurë! Ekstazën anti-NATO, të maqedonasve dhe serbëve e kam paraqitur në mënyrë plastike në gazetën “Fakti” të Shkupit.

Opozita maqedonase ia nxori partallet edhe procesit “Monstra”, ku sot dergjen në burg të akuzuarit të dënuar me burgim të përjetshëm. Për gjykatësit maqedonas nuk vlen rregulla e të drejtës romake kur gjykatësi i drejtohej prokurorit: “Daho mihi facta, tabo tebi ius” (M’i jep provat, ta ndaj drejtësinë).

Inskenuan sulmin në stacionin policor të Goshnicës. Shpërtheu lajmi se këtë stacion e kanë sulmuar 40 pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), që kishin hyrë nga Kosova. Sipas papagajve, në këtë aksion sulmuesit i kishin “lidhur” tre policë shqiptarë.

I kishin numëruar “diversantët”, as më pak, as më shumë, ishin rrumbullak 40!

Gazetarëve maqedonas iu lejua t’i afrohen “vendit të ngjarjes”, jo edhe kolegëve të tyre shqiptarë!

“Shfaqja e madhe” paraqitej si në filmat e Alfred Hichkkokut

Luftënxitësi Nikola Gruevski loz me kartën e terrorizmit. Mbase ai kujton se evropianët dhe amerikanët e gëlltisin këtë formulë stereotipe, me të cilën dikur janë marrë regjimet totalitare, merret sot edhe regjimi i Gruevskit.

I vogli i kap “veshin” të madhit. Kështu ngjet me popullin shumicë në Maqedoni, shqiptarët, të cilët ndiqen me autoblinda e helikopterë.

Maqedonasit imponojnë parimin latin “Quis lingua eius region” që i bie: E kujt është gjuha, atij i takon territori. Dhe për të dëshmuar këtë parim, Gruevski e ka mbushur Shkupin me kryqe gjigantë dhe përmendore. Pikësynim i tij është të tregojë se Maqedonia na qenka tokë sllave!                                                                                                                                                                                                                Në rrethimin e hekurt të këtyre fshatrave kishin qasje gazetarët maqedonas, jo ata shqiptarë!!! Përse nuk i lejuan gazetarët shqiptarë?

Përgjigjja është e qartë. Do t’u dilte duqi për lëndine.

Operacionin e “materializuan” me xhirimet e turbullta, të transmetuara në emisionet e ndryshme televizive.

 I aktivizuan bombat, të cilat shpërthyen aty ku e kishin cakun. Gruevski me tespihe në dorë i fërkoi duart. Duart i fërkoi ministrja e Brendshme, Gordana Jankulovska, dhe shefi i Shërbimit Sekret, Sasho Mijallkov.

Kryepolicja Jankulovska u kap me presh në dorë. Dikush e përgjoi bisedën e saj telefonike me Mijallkovin, duke i quajtur shqiptarët “indianë, fis i egër”. Racizmi i saj ndaj shqiptarëve mori dhenë.

S’bën për t’ia zënë për të madhe Gordanës për urrejtjen patologjike që ka ndaj shqiptarëve. Nuk e ka sefte. Ka komplekse ajo, jo vetëm kompleksin e inferioritetit, por edhe atë të ndjenjës së përkatësisë kombëtare. Nuk e di të jetë serbe, bullgare, apo?

Lideri i LSDM-së, Zoran Zajev, i bie “flakaresh” regjimit të Gruevskit, i bëri publike përgjimet telefonike.

Çka fshihet prapa përgjimeve telefonike?

Regjimi i Gruevskit i ka listat, adresat e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK). Kur i duhet i “viziton” ata. E bastisën edhe shtëpinë e ish-luftëtarit të UÇK-së, Sulejman Osmani, në Malinë, të cilin nuk e gjetën. Me të kontaktoi RTK-ja, më 1 maj 2015. Paraqiti pamjet e shtëpisë së Sulejmanit, në të cilën kishin mbetur gjurmët e plumbave. Deklarata e këtij Televizioni i dhanë edhe anëtarët e familjes Osmani, të cilët e kanë braktisur Malinën dhe tash gjenden në një fshat të komunës së Vitisë. Sulejman Osmani u shpreh: “Na bajnë terroristë, na nuk jemi terroristë”, tha ai. Bëri me dije se edhe vëllai i tij ka qenë luftëtar, ka luftuar në Kosovë. Foli për proceset e montuara, rastin “Sopoti” dhe “Monstra”.

Në Ballkan ka përfunduar kapitulli i luftërave. Kush e ndez luftën, ngulet

Politikanët shqiptarë në Maqedoni bëjnë politikë. Ali Ahmeti i BDI-së që është në koalicion me Qeverinë e Gruevskit nuk ia prish shefit të tij. Menduh Thaçi i PDSH-së nuk ia prish shefit të Shërbimit Sekret, Sasho Mijallkovit.

Politikanët heshtakë, të konsumuar, Ahmeti e Thaçi, që bëjnë “lepe-peke”, duhen pensionuar. Le të zëvendësohen nga gjeneratat e reja, të denja për të mbrojtur interesat e kombit shqiptar në këtë republikë.

Cila është zgjidhja për qetësimin e shpirtrave në Maqedoni? Zgjidhja e vetme është rrëzimi nga pushteti i proserbit, Nikola Gruevskit. Gruevskin mund ta rrëzojnë nga pushteti vetëm të vetët, opozita maqedonase, jo shqiptarët.

Kush i bën gropën tjetrit, bie vetë brenda.

Quo vadis Maqedonia?

 

Zeri

Comments

Submitted by Leonard (not verified) on

<p>Keni më se të drejtë ti japim fund kësajë mehijane dhe ti largojmë këta bythë lëpirësa dhe të vihwn në krye të rinjë për të patur një frymë të re dhe brezi i ri të ketë divizën e mbarëvatjes së mirë të kombit dhe të tjerat vinë vetvetiu</p><p>&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.