A po çmontohet Maqedonia e Ohrit?

Postuar në 20 Nëntor, 2013 05:22
Emin Azemi

Kalorësit e çmendur të apokalipsës po hazdisen papengueshëm nëpër linjat e autobusëve urban nëpër Shkup, ndërkohë që në skenën politike maqedonase po ndodh një inxhiniering i çuditshëm që duan t’ia fillojnë atje ku Gligorovi e kishte lënë dikur: tek anashkalimi, defaktorizimi dhe dezintegrimi i fuqisë politike të shqiptarëve në Maqedoni.

Të bësh jetë paralele, por jo me stereotipet e dikurshme. Kështu disi mund të definohet bashkëjetesa shqiptaro-maqedonase, e cila, sociologjikisht do të mund të thuhej se më tepër është e projektuar mbi mosbesimin ndaj njëri-tjetrit, e më pak mbi urrejtjen. Por, ngjarjet e fundit nëpër rrugët e Shkupit, sikur e demantojnë këtë bindje. Urrejtja, nëse jo në përmasa kolektive, ajo ngadalë po i rrënon disa shtylla të ardhmërisë së këtij shteti të brishtë. Në këto incidentet ku viktima janë kryesisht shqiptarët (mbi 90 për qind e rasteve), flasin për një ‘urrejtje laboratorike’ me përdorim të dedikuar politik. Kufiri kohor i rënies së stereotipeve në Maqedoni mund të merret viti 2001, ndonëse në praktikë ka ende gjurmë recidiviste që shkojnë përtej këtij kufiri. Insistimi për të përfshirë maqedonishten si gjuhë obliguese për fatosat shqiptarë nëpër shkolla, shkelja e detyrimeve ndaj përdorimit të gjuhës shqipe nëpër disa institucione të themelta publike, mungesa e sensit bashkëpunues të partive maqedonase me drejtuesit e rinj shqiptarë nëpër komuna, eklipsimi i problemeve të brendshme ndëretnike dhe favorizimi i atyre të jashtme si pengesë për mosintegrimin e Maqedonisë në BE e NATO, tendenca gjithnjë e më hapur për të zhbërë Marrëveshjen e Ohrit dhe frymën që prodhon ajo në praktikën institucionale e konstitucionale, zërat gjithnjë e më të shpeshtë për të hequr dorë nga  anëtarësimi në BE e NATO, janë disa nga shenjat dalluese të recidivizmit maqedonas. Kur flasin për stereotip në planin ndëretnik, disa nga aktorët e ndryshimeve politike pas vitit 2001, pranojnë se kanë qenë të lajthitur për sa i përket konceptit të shtetit të Maqedonisë dhe rolin e shqiptarëve në shoqërinë e këtij shteti. Njëri nga ta është edhe

ish-kryeministri Lubço Georgievski, njëri nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit, cili  duke e komentuar qasjen e tij personale ndaj shqiptarëve, para do kohësh pranoi se edhe ai vetë para vitit 2001 ishte pjesë e stereotipeve klasike që ekzistonin në planin ndëretnik. Sipas tij, stereotipi i parë ishte se “Maqedonia është vend vetëm i maqedonasve dhe se ne jemi pronarët e vetëm, kurse të tjerët janë pakicë”, thotë Georgievski dhe shton: “Fotografia tjetër që u thye pas vitit 2001, kishte të bënte me atë se Maqedonia ishte shtet i krishterë, por realiteti dëshmon të kundërtën se Maqedonia është edhe vend mysliman”.

Ka disa qasje sa i përket marrëdhënieve në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve. Njëra qasje mbështetet nga politikanët, të cilët mendojnë se falë kontributit të tyre ka ardhur deri te përmirësimi i marrëdhënieve ndëretnike. Tjetra, nga sociologët dhe analistët, të cilët nuk e shohin situatën bardh e zi. Ata në njërën anë e shohin me pozitivizëm Marrëveshjen e Ohrit si pikënisje e një bashkëjetese të re në Maqedoni, por në anën tjetër e shikojnë me pesimizëm funksionimin e sistemit, duke aluduar në parimin e Badenderit dhe në principet e demokracisë konsensuale.

Por një qasje që gjithmonë ngel pezull dhe nuk është studiuar gjithaq, është vetë perceptimi i qytetarëve sa i përket evoluimit të raporteve ndëretnike. Sipas anketave të viteve të fundit është vërejtur se Marrëveshja e Ohrit ka ndihmuar në relativizimin e marrëdhënieve të acaruara ndëretnike në mes të dy kombeve më të mëdha: maqedonasit dhe shqiptarët, ndonëse ky nuk ishte faktori kryesor që ka ndikuar në formimin e mendësisë së re dhe as që janë eliminuar plotësisht dallimet.

Këto të drejta që i kanë shqiptarët, do të arriheshin me luftë a me politikë paqësore? Rreth kësaj pyetjeje janë thyer shtizat më së shumti dhjetë vjetët e fundit. Hulumtimet e opinionit publik kanë rezultuar në të dhëna interesante, duke marrë përgjigjen e mbi 50 për qind të shqiptarëve, të cilët e arsyetojnë luftën e armatosur për arritjen e më shumë të drejtave për shqiptarët. Por, kështu nuk mendojnë mbi gjysma e të anketuarve maqedonas, të cilët me pezëm e mllef e kualifikojnë konfliktin si komplot kundër Maqedonisë.

Përpjekja për ta dekompozuar ‘Maqedoninë e Ohrit’ nga qarqe vendimmarrëse politike maqedonase, është kundërtendencë e frymës që ka gjeneruar kjo marrëveshje. Faktorizimi i më shumë atributeve shqiptare në institucionalizimin e jetës politike e shtetërore ka prodhuar jo pak bllokada nga vetë ata që janë të obliguar ta implementojnë Marrëveshjen e Ohrit.

Por në Maqedoni ekziston një mekanizëm i çuditshëm shtetëror i relativizimit të rolit të shqiptarëve në ruajtjen e balancave ndëretnike dhe jo vetëm kaq. Huqet e këtij mekanizmi madje nuk arrijnë të identifikojnë disa nga kontributet e shqiptarëve në mëkëmbjen ekonomike të këtij vendi. Ndonëse strukturat qeveritare po mbajnë të fshehtë vlerën e remitancave, të dhënat megjithatë flasin për afro ¼ e prodhimit bruto të vendit apo rreth 2 miliardë euro, 90 për qind e së cilës shumë sillet në vend nga emigrantët shqiptarë. Sipas ekspertëve të financave, me këto para mbulohet deficiti tregtar, mbahet stabël denari, krijohen rezervat devizore dhe mbahet përgjithësisht gjallë ekonomia e Maqedonisë. Me fjalë të tjera, prurjet monetare të shqiptarëve nga diaspora kanë bërë që Maqedonia si shtet të mos ndjejë krizë monetare, dhe as me investimet, në forma të ndryshme, sidomos në sektorin e ndërtimit, ashtu si dhe sektori i shërbimeve, si për shembull hotelet, restorantet, të cilat gjatë muajve të verës punojnë me kapacitete të plota.

Blerja e paqes sociale e ndëretnike e ka shndërruar politikën në një ‘bankomat misterioz’ që përveç stereotipeve në mes të njerëzve të zakonshëm, prodhon edhe mjeshtërinë e fshirjes së gjurmëve të atyre që mbajnë në këmbë qëndrueshmërinë e Maqedonisë.

Kur jemi te kontributi nuk do të mund të mos përmendim edhe bujarinë e tepruar të një pjese të politikanëve shqiptarë, të cilët, duke dashur të shesin lirë angazhimin e tyre në planin e politikës së jashtme, po paguajnë shtrenjtë koston e futjes nën rrogoz të problemeve të brendshme që kanë shqiptarët, sidomos pas incidenteve të pazbardhura dhe të paprocesuara në gjyq. Një populli që i rrihen fëmijët në çdo tre-katër ditë, duhet pyetur veten: janë jetimë pse s’kanë prind, apo ende nuk kanë lindur politikanët e ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm?

Kalorësit e çmendur të apokalipsës po hazdisen papengueshëm nëpër linjat e autobusëve urban nëpër Shkup, ndërkohë që në skenën politike maqedonase po ndodhë një inxhiniering i çuditshëm që duan t’ia fillojnë atje ku Gligorovi e kishte lënë dikur: tek anashkalimi, defaktorizimi dhe dezintegrimi i fuqisë politike të shqiptarëve në Maqedoni. Me këtë qëndrueshmëri politike që kanë aktualisht shqiptarët (pa opozitë dhe me pushtetarë të lodhur nga vetëbegenisja), është e pritshme të ndodhë çdo gjë e keqe, me pasoja rrënuese për ardhmërinë e tyre.

 

Nga Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.