Pikat ku raporti shmanget

Raporti i Komisionit Evropian i cili pritej të adresonte problemet qartazi, duket se nuk e bëri një gjë të tillë. Duke fajësuar në përgjithësi klasën politike pa emra dhe iniciale konkrete të partive politike si dhe duke iu shmangur shumë pikave të rëndësishme që sollën dhe rrjedhën e ngjarjeve si 21 janari dhe 8 maji.
Rrëshqitje te korrupsioni
Ngjarjet e 21 janarit nuk lidhen në raport me video-skandalin Meta-Prifti. Dorëheqja e ish-zv.kryeministrit Ilir Meta shprehet se erdhi pas akuzave për korrupsion pa bërë të ditur cilave akuza.
Meta-Basha, dy dorëheqje pa lidhje
Dorëheqja e Metës shoqërohet me dorëheqjen e Lulzim Bashës si ministër i Brendshëm brenda të njëjtës fjali, pavarësisht se këto dy dorëheqje ndodhën në një distancë të gjatë kohore nga njëra-tjetra dhe për arsye të ndryshme.
Shpërdorimet e parave në Kuvend
Në kapitullin ku flitet për punën e Parlamentit, jep vlerësime për “infrastrukturën e Kuvendit”. Në infrastrukturë hyjnë instalimi i rrjeteve, si dhe investimi për sallën e Kuvendit. Kjo pjesë vlerësohet nga ana e Raportit, megjithëse këto investime pritet të shkojnë dëm dhe t’i kushtojnë shqiptarëve shumëfish më tepër në rast të ngritjes së sallës së re të Kuvendit.
21 janari, shmanget termi “vrasje”
Për 21 janarin, raporti shmang fjalën vrasje dhe thekson se “katër persona vdiqën në incidentet e dhunshme të 21 janarit”. Raporti thekson më poshtë se një komision hetimor për Shërbimet e Kuvendit dhe Organet drejtuese u krijua me votat e shumicës. Sipas raportimit të Komisionit Evropian, ky ishte një hap i rëndësishëm. Por, funksionimi i këtij komisioni, në fakt, të lë për të dëshiruar, pasi organi hetimor parlamentar në fjalë ka zhvilluar vetëm një mbledhje dhe drejtohej nga deputeti Erjon Braçe. Përse nuk u mblodh më ky komision? Përse ky komision nuk u mandatua për të kryer një analizë të rregullave të procedurës së Kuvendit? Këto dhe shumë të tjera raporti nuk i sqaron dhe me siguri jo për shkak të mungesës së informacionit.
Raportimet në Komisionin e Integrimit
Tek veprimtaria e Komisionit Parlamentar për Integrim raporti vlerëson shumë pjesëmarrjen e ministres së Integrimit dhe zv.ministrit për raportime para komisionit, a thua sikur prezenca e tyre për raportim nuk është një detyrim ligjor.
Edhe njëanshmëri, edhe transparencë
Në rastin e zgjedhjeve, raporti shpreh opinionin e OSBE/ODIHR dhe sulmon KQZ-në dhe Kolegjin Zgjedhor për njëanshmëri politike. Por, zgjedhjet vlerësohen si “transparente falë teknologjisë”.
Marrë nga Shekulli
Comments
shyqyr qe doli dikush ti
<p>shyqyr qe doli dikush ti thote gjerat troc dhe ne menyre racionale. Kjo eshte detyra e gazetarit, jo te jap qindra faqe raport edhe te te thon edhe shprehjen bizarre "publiku gjykon vet". Komplimente gazetarit qe e ka shkruar. Mua me dha shume ne fare pak rreshta</p>
shume mire gazetari per
<p>shume mire gazetari per sqarimin</p>
Add new comment