Përse Jozefina s’kishte asnjë koment? Ndoshta prej LSI-së…

Postuar në 28 Shtator, 2012 17:06
Eduard Zaloshnja

Kur Ilir Babaramo, në emisionin e tij “5 pyetje nga Babaramo”, i bëri Jozefina Topallit pyetjen “Një grup të përndjekurish politikë janë në grevë urie – a keni ndonjë koment, sepse ju vini nga ajo shtresë?”, Jozefina u përgjigj se nuk kishte asnjë koment. Dhe kjo përgjigje nuk të çudit. Në qoftë se Jozefina do të mundohej të justifikonte qeverinë Berisha për vonesën në mbajtjen e premtimit për kompensimin e të përndjekurve politikë brenda 8 vjetësh, vetëm do ta irritonte këtë shtresë.

Zëri i kompensimit të të persekutarve politikë është i fundit fare ndër zërat e buxhetit të shtetit, për nga pesha specifike. Ai perbente vetëm 1 të njëmijtën (jo të njëqindën) e Produktit të Brendshëm Bruto në vitin 2011! Ndërkohë, qeveria shpenzon miliona euro për të reklamuar vetëveten apo për të modernizuar mobiljet e vilave të saj me paratë që mund të kishte kompensuar të përndjekurit politikë…

Nga ana tjetër, në qoftë se Jozefina do të mundohej të vinte në dyshim kredibilitetin e të ngujuarve në grevën e urisë, siç ka bërë ndonjë figurë e dorës së dytë apo të tretë të PD-së, irritimi që do të shkaktonte tek shtresa e të përndjekurve mund të ishte edhe më i madh – jehona e mbylljes me dhunë së grevës së urisë në vitin 1994 është ende gjallë tek kjo shtresë.

Pra, Jozefina, ashtu si Berisha dhe mediat pranë tij kanë zgjedhur taktikën e heshtjes ndaj grevës së urisë së të përndjekurve politikë, sepse vota e tyre mund të jetë tejet e rëndësishme pas 9 muajsh…

Vota e shtresës së të përndjekurve politikë, pa më të voglin dyshim, ndëshkoi Ramiz Alinë në zgjedhjet e vitit 1992, ku mori më pak se 33% të votave të shqiptarëve. Vota e të persekutuarve, pasi Berisha i nxorri me dhunë nga greva e urisë, duhet ta ketë ndëshkuar atë në referendumin për Kushtetutën në vitin 1994, ku ai mori më pak se 42% të votës së shqiptarëve. Vota e të persekutuarve, pasi Fatos Nano nuk bëri asgjë për kompensimin e tyre (ndërkohë që kompensoi vetveten për pak vite burg), duhet ta ketë ndëshkuar atë në zgjedhjet e vitit 2005, të cilat e nxorrën në pension politik.

Dhe në vitin 2013, shtresa e të persekutuarve mund ta ndëshkojë përsëri Berishën, në një kohë që ai mund të mos e ketë luksin e lejimit të rrjedhjes se votave nga thesi i tij elektoral, pavarsisht se në krye të KQZ-së mund të vërë një Ristan të ri.

Në vitin 2009, kur në krye të KQZ-së ishte Ristani i vjetër, koalicioni i udhehequr nga PD-ja nuk arriti të regjistronte ne favor te tij as 47% të votave (46.9% për saktësi). Dhe kjo ndodhte pas 4 vjetësh që ekonomia e kishte vazhduar inercinë rritëse të viteve 2000-05 (rreth 5.6% në vit), ndërkohë që të persekutuarit ende shpresonin për një kompensim të plotë financiar.

Ndërsa në vitin 2013, në qoftë se LSI-ja i bashkohet koalicionit të PS-së (shqiptarja.com raportoi se Rama dhe Meta do të paraqiten me një platformë bashkëpunimi pas takimit të tyre në Bruksel), 47 përqindëshi i 2009-ës mund të bëhet një ëndërr e paarritshme për koalicionin e PD-së, pavarësisht se sa i zellshëm mund të jetë një Ristan i ri në krye të KQZ-së. Dhe ja përse.

Një armiqësim i shtresës së të përndjekurve politikë mund ta shtyjë atë drejt partive të reja të djathta si FRD dhe AK, të cilat po tregojnë një solidaritet të spikatur me grevën e urisë së të burgosurve politikë dhe ndaj kësaj shtrese në përgjithësi.

Një shtresë tjetër, ajo e biznesmenëve të vegjël, e cila po vuan nga rënia e stërzgjatur e fuqisë blerëse, mund të joshet nga premtimet e PS-së për heqjen e taksës së biznesit të vogël dhe t’ia japë votën në masë në zgjedhjet e 2013-ës.

Një kombinim i këtyre dy faktorëve, dhe faktorëve të tjerë, mund ta zbresin koalicionin e PD-së në kuotën e rrezikshme 42%, të ngjashme me kuotën e referendumit të 1994-ës. Dhe ndoshta kjo qe arsyeja pse Jozefina nuk tha se “do t’i qesin prej zhelesh” të përndjekurit nga greva e urisë, ose që do ta bëjnë kompensimin e tyre shumë shpejt. Ajo tha se nuk kishte koment, ndoshta ngaqë pret të qartësohet pozita e LSI-së. Në qoftë se LSI-ja i bashkohet koalicionit të PS-së, dëmshpërblimi i të përndjekurve do të bëhet fët e fët me paratë e privatizimit të Albpetrolit… Ndërsa në qoftë se LSI-ja qendron në koalicion me PD-në, të përndjekurit mund “të qiten prej zhelesh”…

Comments

Submitted by ilir (not verified) on

<p>Kjo greve eshte e shtyre nga FRD per ta paraqitur veteveten sa me mire si parti e Djathte Tradicionale qe mbron interesat e shtreses se te perndjekureve dhe per tia mbyllur &quot;Gojen &quot;Saliut duke e njehesuar Topin-FRD&nbsp; si pjelle e majte........FRD shtfrytezon boshllekun dhe pakenqesine e kesaj shtrese por edhe ato te ish pronareve.....per te zene pozicionin qe i takon....dhe kjo eshte nje prurje e Re dhe shume e mire se me ne fund do Dalin parti qe do konkurojne me programe dhe projekte...dhe Topi e ka&nbsp; treguar kete kur ishte ne Presidence ku formoi nje figure te pavarur brenda linjave te Shtetit...dhe tek e fundit eshte nje parti e djathte me vlera intelektuale dhe qytetare te djathta sidomos ato tiranase....</p>

Submitted by astrit (not verified) on

<p>Fuqia votuese dhe energjia e ish-te perndjekurve nuk eshte me ajo e viteve &#39;90. Rrjedhimisht edhe forca e tyre elektorale.</p><p>Per te ardhur keq qe nje shoqeri qe e quan veten demokratike nuk perpiqet te laje fajet e shumices se saj dhe tu jape nje demshperblim modest ketyre njerezve fatkeq qe diktatura komuniste e ndihmuar nga heshtja e shumices se popullates u shkaterroi jeten.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.