Mbreti vdiq, rroftë mbreti!

Sali Berisha e lë godinën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pasi mbretëroi për tetë vjet në të dhe mbarë Shqipërinë, për të marrë rrugën e pakthyeshme të perëndimit. Njeriu i fortë i politikës, që kondicionoi jetën tonë në gati çerekshekulli, ka kaluar zenitin e tij dhe filluar rënien, e cila nuk është e thënë të jetë e qetë, si muzgu i një patriarku. Në fakt do të ishte çudi nëse do të ishte e tillë. Berisha ka premtuar opozitë të fortë, duke u rikujtuar bashkëkombësve një ndër dhuntitë e tij, në mos më të spikaturën. Por koha ndryshk hekurin, e kësaj nuk i shpëton dot as “doktori i tmerrshëm” i së djathtës. Koha që ka në dispozicion, mosha që ecën dhe trendi i jetës, nuk mund të bëjnë përjashtim për Sali Berishën. Tashmë nëpër botë, udhëheqësit janë nga fasha 45-55 vjeçare e popullsisë, dhe 70-vjeçarët si Berisha janë dinozaurë të kohës së Reganit dhe Theçerit. Në këtë udhë ka hyrë edhe Shqipëria. Ku Berisha gjithsesi vendosi një rekord, sa për meritë të talentit të tij, aq edhe për dobësinë tonë.
Më shumë se të sulmojë pushtetin e ri, Berishës do t’i duhet të pastrojë rrugën e pasardhësit. Betejat e tij të ardhshme parlamentare, do të jenë leksione për rioshët e PD-së të cilët nuk e njohin “realpolitikën” e stilit berishian. Më shumë se politikë personale, ish-kryetari historik i PD-së, do të përpiqet t’iu tregojë pasardhësve se politika shqiptare, është krejt tjetër nga manualet e mësuara në Perëndim. Është një miks krahinorizmi, klanesh, intrige mesjetare, marrëveshje hajdutësh, vrasje pas shpine e pas gardhit, plaçkitje. Parimet humanistike e europianiste që do të shfaqin në publik, janë sa për t’u hedhur hi syve perëndimorëve dhe turmave. Pasi të largohen nga tribuna, mund të tallen me ata që lënë poshtë ballkonit. E gjithmonë të mos harrojnë kur shtrëngojnë dorën e dikujt, mos lëshojnë thikën që mbajnë shtrënguar në të majtën. Ai, më shumë se kushdo e njihte këtë art, i cili e ndihmoi t’i mbijetonte çdo kundërshtari. Sa do të nxënë pasardhësit e tij, kjo, përveçse punë përkrahjeje e mësuesi, është çështje e talentit të kursantit.
Nuk ka qenë e vështirë të kuptohej se preferenca e Berishës për pasardhësin e tij, ka qenë projektuar tek Lulzim Basha. Kryetari i ri i PD-së, e ka pasur rrugën të shtruar për të arritur këtu ku është, dhe për këtë engjëlli që ka vigjiluar mbi të, është Sali Berisha. Nuk do mënojë ta bëjë edhe në të ardhmen, duke i kursyer shizmat dhe luftën e brendshme, mbytjen e të cilave e ka zanat, që e njeh më mirë se kushdo.
Kush është në atë parti, bën mirë të përshtatet me klimën e re. E ardhmja e PD-së është Lulzim Basha, të paktën për katër vitet që vijnë. Kush nuk përshtatet, e ka mbyllur karrierën e tij në atë parti. Kush nuk pëlqehet nga Basha, të përpiqet t’i fitojë zemrën, e nëse nuk mundet, të ikë vetë, përndryshe, do ta shikojë veten jashtë radhëve. Era e re ka filluar. E ka kuptuar Imami, Pollo, Bode, dhe po përshtatet Topalli. Ndoshta me shpresën se një ditë, kur mentori i Bashës nuk do jetë më, do ta hanë delfinin e tij në pjatë argjendi. Kanë vetëm një shans: Nëse kjo do të ndodhë këta katër vjet. Në të kundërt, emrat e tyre do t’i takojnë historisë. Do të ikin, siç iknin ndërtuesit e piramidave, bashkë me faraonin. Pasi bashkëpunëtorët e një udhëheqësi ikin bashkë me të, pavarësisht moshës; duan apo jo. Ikën njerëzit e Nanos, tok me të. Do të ndodhë dhe me bashkëpunëtorët e Berishës. E kështu me radhë. Është ligji i dialektikës. Është teknologjia e pushtetit, që nuk të fal, nëse lë pas shpine njerëz që kanë ambicien që ke ti; nuk e përtypin që iu ke zënë një vend që e mendonin të tyrin; që besonin se iu takonte më shumë se ty.
Tashmë era e Bashës ka filluar në PD. Ende stili i tij është i profilit të ulët. Nuk mund të imitojë paraardhësin, pasi ai ishte një shkollë unike. Por fuqia soft e tij, ka filluar të ndihet. Lëvizjet e buta në kupolë, spostimet, simbolikat. Ruajtja nga protagonizmi, është tregues i instinktit politik për të mos ngjallur xhelozinë e mbrojtësit, dhe për të mos u bërë grotesk, me një sjellje që nuk e ka stofin. Më shumë se të vrasë mbretin, po pret që ai të ikë vetë; më mirë se ta rrëmbejë fronin, po pret që t’ia japin; duke arritur me një stil dhe mënyrë personale në finishin që të tjerët e mendojnë se arrihet vetëm me luftë. Dhe shumë shpejt do fillojmë të flasim për të, si kryetar real i PD-së. Duke kuptuar se edhe në Shqipëri, ka kuptim fraza “Mbreti vdiq, rroftë mbreti!”. Vetëm se këtu mbretërit vdesin pak ndryshe.
Add new comment