Më gjërësisht për shkollimin e fëmijëve

Pas botimit të artikullit “33 qindarka për të nxënë, 67 për të ngrënë…”, mora disa komente private që ofronin kundërargumente seriozë ndaj sistemit të “çeqeve të shkollimit” të sugjeruar në të. Meqënëse problemet që ngrinin ato komente vlejnë të debatohen publikisht, po ndaj me lexuesit një përmbledhje të tyre dhe të përgjigjeve të mia. Ndërkohë, për të respektuar privatësinë e autorëve të komenteve, nuk po ua përmend emrat.
Për t'ia lehtësuar leximin kujtdo që nuk i ra në dorë artikulli i sipërcituar, fillimisht, po përmbledh me pak fjalë skemën e financimit që sugjeroja në të. Sipas asaj skeme, i binte që Ministria e Arsimit të merrej me gjërat më “interesante” (siç janë p.sh. përgatitja e programeve dhe miratimi i teksteve), pushteti lokal të merrej me gjërat më pak “interesante” (siç janë p.sh. liçencimi dhe inspektimi i shkollave), dhe prindërit të merreshin me gjënë më “të bezdisshme” të sistemit të arsimit – administrimin e parave. Dhe këtë e sugjeroja të realizohej nëpërmjet "çeqeve të shkollimit", të cilat shteti mund t'ia japë drejtpërdrejt familjeve të varfra dhe të mesme për të paguar sipas preferencave shkollimin e fëmijve.
Dhe tani le të shohim argumentet kundër sistemit të “çeqeve të shkollimit”. Në rrafshin teorik, argumenti kryesor kundër tij ishte se instrumentat që tentojnë t’i japin një të mire publike disa tipare të së mirës private kanë efekt të kufizuar, ndërsa zgjidhja e probelemeve duhet parë në kryerjen e reformave nga ana e ofruesve të së mirës publike, si dhe tek edukimi, informimi, dhe përfshirja e përfituesve të kësaj të mire në vendimmarrje. Duke ofruar këtë argument, autori i komentit i bashkohet një numri shumë të madh sociologësh dhe ekonomistësh të botës të cilët e pranojnë atë teorikisht.
Por nga pikpamja empirike, sistemi i “çeqeve të shkollimit” është eksperimentuar me sukses në disa qytete të Sh.B.A.‑së, dhe si rezultat, ka fituar jo pak mbështetës. Ndërkohë, ai ka hasur në kundërshtimin e ashpër të sindikatave të mësuesve, ngaqë trondit stabilitetin financiar të tyre, si dhe të Demokratëve liberalë, të cilët shohin të fshehur pas këtij sistemi dëshirën e Republikanëve konservatorë për të financuar shkolla me baza fetare.
Fakti që kryetari i bashkisë së Uashingtonit (një Demokrat liberal klasik) përqafoi idenë e “çeqeve të shkollimit”, tregon se ai është bindur që kryerja e reformave për të ofruar sa më cilësisht të mirën publike "arsim", si dhe edukimi, informimi, dhe përfshirja e përfituesve të kësaj të mire në vendimmarrje janë provuar për më shumë se 200 vjet në qytetin e tij, dhe prapë gjëndja e shumicës së shkollave publike është skandaloze. (Dikujt që ka vizituar shkollat publike të lagjeve zezake të Uashingtonit, krahasimisht, disa nga ato të Tiranës do t'i dukeshin si parajsë). I dëshpëruar nga gjëndja e shkollave nën juridiksionin e tij, kryebashkiaku i kryeqytetit amerikan zbatoi sistemin e “çeqeve të shkollimit”, të cilin filozofia e tij politike nuk ia pranon, por që është demonstruar si i suksesshëm në qytete të tjera.
Një shëmbull tjetër empirik i suksesshëm i komercializimit të të mirave publike është sistemi i kujdesit shëndetsor në Sh.B.A.. Kujdesi shëndetsor konsiderohet si një e mirë publike në shumë vënde të botës, por jo në Sh.B.A. Shteti amerikan, përveçse në sektorin ushtarak, nuk ka në pronësi spitale, klinika, etj. Ai thjesht ofron fonde për siguracionin shëndetsor të familjeve të varfra dhe të punonjësve shtetërorë, si dhe për pensionistët.
Por edhe sistemi amerikan e ka një thëmbër të Akilit – kufiri i të ardhurave që e kualifikon një familje si të varfër është aq i ulët sa që rreth 14% e amerikanëve nuk mbulohen me siguracion shëndetsor nga shteti, ndërkohë që nuk janë të mbuluar as nga punëdhënësit, dhe as nga xhepi i tyre. Mbulimi i këtij 14 përqindëshi ka vite që është vënë në qëndër të debatit politik, por asnjë nga politikanët dhe opinionbërësit seriozë amerikanë nuk sugjerojnë shndërrimin e kujdesit shëndetsor në një të mirë publike të ofruar apo administruar nga shteti. Kjo sepse shërbimi që ofrojnë aktualisht spitalet, klinikat, dhe mjekët privatë amerikanë është i cilësisë më të lartë në botë.
Duke u rikthyer tek sistemi i “çeqeve të shkollimit” në Shqipëri, një argument konkret kundër tij ishte se prindërit në zonat e thella nuk kanë mundësi të zgjedhin një shkollë tjetër, në qoftë se ajo që kanë pranë nuk u pëlqen. Dhe kjo është më se e vërtetë. Por “çeqet e shkollimit” i japin atyre një mjet të fuqishëm dhe të drejtpërdrejtë për të zgjedhur se kush do ta drejtojë atë shkollë dhe kush do të japë mësim në të – në qoftë se shumica e prindërve të një fshati vendosin për të mos ia paguar çeqet trupës mësimore të shkollës së tyre lokale, ajo do të detyrohet ose të përmirsojë mësimdhënien, ose t’ia lërë vëndin eventualisht një trupe tjetër.
Një argument tjetër kundër sistemit të “çeqeve të shkollimit”sugjeronte se bordet e prindërve me kompetenca të qënësishme në çështjet e administrimit të shkollave publike mund të jetë një alternativë më e mirë se sa ky sistem. Dhe në fakt, shëmbuj nga vënde të ndryshme tregojnë se bordet e prindërve kanë qënë të suksesshme në shumë zona. Por një karakteristikë e përbashkët e këtyre zonave ka qënë se ato janë populluar nga familje relativisht të pasura dhe me ndjenjë të zhvilluar komuniteti.
Ndërsa eksperienca amerikane e lagjeve të varfra të qyteteve dhe ajo e zonave të thella rurale tregon se prindërit, megjithese e kanë në dispozicion strukturën për përfshirjen në administrimin e shkollave publike (nënkupto bordet e prindërve), praktikisht nuk e përdorin atë. Kjo sepse ndikimi nëpërmjet asaj strukture është i terthortë dhe kërkon kohë, përkushtim, dhe botkuptim më të sofistikuar se sa ai që ata disponojnë. (Bëhet fjalë për afro-amerikanë që jetojnë me çeqet e asistencës sociale ose fermerë të vegjël të zonave të thella që nuk kanë mbaruar as shkollën e mesme.)
Dhe argumenti i fundit kundër sistemit të “çeqeve të shkollimit” ishte se po të zbatohet ai, do të ishte e pamundur që bashkësia e prindërve në gjithë Shqipërinë të merrte vendimet e duhura për të bërë një shpërndarje racionale të shpenzimeve për arsimin. Dhe kjo do të ishte më se e vërtetë në qoftë se shteti do të bënte një ndarje thjesht përpjestimore të fondeve midis prindërve. Në një rast të tillë, do t'i binte që në zonat e thella malore, "çeqet e shkollimit" të përballonin vetëm mbajtjen e një shkolle për shumë fshatra bashkë dhe jo për çdo fshat apo çdo dy fshatra veças.
Për të shmangur këtë problem, duhet të jetë shteti përsëri ai që do të caktonte shpërndarjen e fondeve sipas rretheve duke mbajtur parasysh karakteristikat gjeografike dhe kulturore të tyre. E vetmja gjë që do të ndryshonte po të zbatohej ky model, do të ishte eliminimi i hallkave të ndërmjetme të administrimit të fondeve, siç janë p.sh. hallkat që bëjnë tendera, hallkat që votojnë nëpër konferencat e partive etj., etj…
Përmëndja e këtyre hallkave më kujton faktin e thjeshtë që edhe sikur shumica e shqiptarëve të ishin të bindur plotësisht se zbatimi i sistemit të "çeqeve të shkollimit" do të sillte një përmirsim dramatik të arsimit në Shqipëri, udhëheqësit aktualë politikë nuk do ta zbatonin atë. Por pavarsisht nga ky fakt, nuk e quaj të humbur kot kohën që i dedikova këtyre dy artikujve për “Lulat e vocërr”. Ka shumë gjëra që duken sikur nuk do të ndryshojnë kurrë në Shqipëri për shkak të mungesës së vullnetit politik. Megjitatë, duan apo s'duan politikanët e sotëm, ato eventualisht do të ndryshojnë. Dhe ndryshimi do të vijë jo vetëm si rezultat i presionit të vazhdueshëm të BE‑së, por edhe si rezultat i ndërgjegjsimit të publikut rreth domosdoshmërisë së reformave në shumë fusha të jetës shqiptare.
Comments
Eshte mire kur arsimi vjen ne

Eshte mire kur arsimi vjen ne tryezat e diskutimit te studiuesve nga fusha te ndryshme.

Sa i takon shkrimit te Zaloshnjes, ne komentin tim te meparshem theksoja nevojen per nje skeme te re te financimit te arsimit, por kundershtoja perdorimin e skemes Voucher ne Shqiperi.

Ne respekt te hapësires qe rezervon Respulika per komentet, konceptin tim rreth qasjes qe propozon Zaloshnja do ta zhvilloj ne shtypin e shkruar.

Argumenti me pelqen,si lexues

Argumenti me pelqen,si lexues i thjeshte mendoj qe z.Zaloshnja mund te sjelle propozimin e tij qytetar krahasuar me sistemin aktual te subvencionimit te shkollave.Duke i krahasuar te dyja,natyrisht ne vija te trasha mund te krijohet nje fryme debati.Mbase disa forma subvencioni ekzistojne ne leter,pavaresisht se nuk praktikohen,si shume ligje shqiptare e rregulla qe jane konform botes,por nuk aplikohen.Per kuriozitet,se kam lexuar nje proçes kunder Bertrand Russell,kur bordi i prinderve, shtyre nga kisha, nuk donte qe ai te jepte mesim ne Liceun e Nju Jorkut,sepse ai kishte shkruar shume per lirine seksualei ishte per bashkejetesen,etj.Russell thote se eshte idiotesi qe bordi i prinderve te mesoje nje pedagog sesi e çfare ai duhet te jape leksion,edhe pse ata paguanin profesorin,ne emer te subvencionit te ketij liceu.Russell nuk e fitoi gjyqin,por dha ne gjyq nje leksion gjigand mbi demokracine dhe lirine e mesimdhenies.z.Zaloshnja kam frike se nuk e sqaron dallimin midis shtetit dhe pushtetit lokal; shteti eshte ministria e Arsimit,kurse pushteti lokal jane bashkite e komunat,qe mund te financojne shkollen me mundesite e tyre.Gjersa shteti dhe pushteti lokal nuk ndajne detyrat,mbetet qe t'ia hedhin njera-tjetres dhe perfundimisht mos ta beje askush.

Vende si Finlanda dhe Suedia

Vende si Finlanda dhe Suedia me sistemet e edukimit me te mira ne bote filluan aplikimin ketyre modeleve ne fillim te viteve 70, 80 (ironikisht nga qeveri te majta) dhe ne pak kohe arriten te zgjidhin te gjitha problemet e arsimit dhe edukimit nepermjet ketij sistemi te thjeshte.

Psh ne Shqiperi ka 500,000 nxenes qe duhet te vene ne shkolla viti 1-12. Qeveria planifikon nje buxhwet per edukimin le te themi 500,000,000 dmth 1,000,000 leke ne vit per cdo nxenes.

Keto para shpenzohen nga prinderit, dmth qeveria per cdo nxenes shperndan nje voucher prej 1,000,000 qe te perdoret nga prinderit ne shkopllen e preferuar.

Komunitetet lokale do manaxhojne shkollat dhe prinderit do i cojne femijet ne ato shkolla qe ofrojne edukim me te mire per femijet e tyre. Me siguri qe do ju duhet te paguajne me shume per shkolla te ndryshme

Ky sistem punon kur ka dhe nje klasifikim te shkollave qe behet ne baze te rezultatete te organizuara nga ministria cdo vit.

Ky sistem ka shume avantazhe dhe kryesori e kalon pushtetin tek prinderit dhe komunitetet lokale, plus qe motivon perfomancen dhe llogaridhenien duke eleminuar korrupsionin

Miqësore, ndaj një propozimi

Miqësore, ndaj një propozimi të zotit Eduard Zaloshnja

A mundet ta shpëtojnë çeqet shkollën publike në Shqipëri?!

Nga ARBËR SHTËMBARI

Sociolog

Artikujt interesantë të zotit Eduard Zaloshnjës «“33 qindarka për të nxënë, 67 për të ngrënë… » dhe «Më gjërësisht për shkollimin e fëmijëve», të ngacmojnë që me leximin e titujve. Të venë në mendime dhe, krejt natyrshëm, të nxisin për t’u futur në diskutim. Dhe kuptohet përse: çështja e shkollimit të fëmijëve në Shqipëri aktualisht është një problem serioz dhe me kosto të lartë familjare.

Po le të merremi konkretisht me disa nga tezat e shkrimit:

Thelbi i shkrimit të analistit të mirënjohur Eduard Zaloshnja rrotullohet rreth pyetjes: “Si mund të shkollohen më mirë fëmijët shqiptarë?”. Në përgjigje të kësaj pyetjeje, autori përmend, natyrisht me shumë të drejtë, krizën që ka mbërthyer sistemin arsimor shqiptar, përqindjet e larta të dështimit në shkollë dhe analfabetizmin në rritje etj., etj. Shton, më tej, zgjidhjen që familjet me të ardhura të majme i kanë dhënë këtij problemi: i rregjistrojnë fëmijët e tyre në shkolla private. Të tjerët, po i quajmë me origjinë klasë e mesme, arrijnë të paguajnë kurse jashtë-shkollore. Në fund, familjeve me të ardhura të pakta u mbetet të vuajnë padrejtësinë e sistemit tonë arsimor.

Për lexuesin do të ishte me interes të mësonte, përmes këtij shkrimi, se nga vuan ky sistem arsimor aktual. Përse fëmijët i braktisin shkollat? Përse rezultatet vijnë e bëhen gjithmonë e më dobëta? Se nga këtej do të mund të na lind e drejta të sugjeronim edhe rrugët e daljes nga ky batak arsimor. Se zoti Zaloshnja, po të bënim një analogji me një të sëmurë, thjesht numëron simptomat, ndërkohë që për vet sëmundjen nuk na jep asnjë analizë. E kuptoj dëshirën e mirë të këtij analisti të nderuar për ndryshimin e gjëndjes aktuale në arsim, por, të më fal, nuk gjej të shkruhet për rrugëdaljet! Për mua nuk mjafton të thuhet, se sistemi arsimor nuk funksionon për shkak të shpërdorimit të fondeve publike, e se, ky shpërdorim, na qënkësh universal.

Esencializimi i problemit të shpërdorimit të fondeve, sipas sugjerimit të zotit Zaloshnja, nuk ka pse ta çojë këtë analist në disa zgjidhje tepër relativiste për Shqipërinë. Sipas logjikës së këtij autori të nderuar, është, si të thuash, meqë krimi ndodh rëndomë kudo, është e kotë të harxhojmë fonde financiare për sigurinë publike e për rendin! Kjo të kujton Adhamudhin e famshëm, sipas të cilit, në qoftë se të dhimbte njëri sy duhej të kërrehej tjetri!

Teksa lexon shkrimin mëson, se zoti Zaloshnja propozon një praktikë të quajtur “çeqet e shkollimit”. Në linja të trasha, sipas kësaj praktike, familjeve duhet t’u jepet nga një çek në përpjestim me të ardhurat e tyre dhe, pastaj, të jenë vet këto ato që do të zgjedhin se në cilën shkollë do t’i rregjistrojnë fëmijët e tyre! Kështu, familjet e pasura, me mundësitë që kanë, mund t’i regjistrohen fëmijët e tyre në shkollat e mira private apo në institucione shkollore ku u jepet mundësia që të marrin bonuse plus për fëmijët e tyre! Këto familje, me çekun në dorë, të shkojnë dhe të zgjedhin shkollën që dëshirojnë, madje, pse jo - edhe stafin pedagogjik që duan!

Propozimi i zotit Zaloshnja ia vlen të diskutohet jo sepse sjellë ndonjë risi, por sepse vë në diskutim serioz mjaft probleme të karakterit social në Shqipëri. Modeli i “çeqeve të edukimit”, sipas mendimit tim, i vë përfundimisht minat një shërbimi publik dhe falas për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Se ja se ç’mund të ndodhë nëse instalohet ky model:

Së pari, ai do të krijojë një segregacion social të thellë në Shqipëri! Modeli i “çeqeve” do të mund të krijojë një rend simbolik edhe më të dëmshëm se ky që kemi aktualisht. Të pasurit do t’i çojnë fëmijët e tyre në shkolla fillore dhe të mesme prestigjioze. Do të krijohen kështu klube elitare apo ekskluzive dhe, me efekt zinxhir, ky model do të projektohej, më pas, në arsimin universitar dhe, akoma më pas, në postet e punësimit! Familjet nga klasat e mesme do të zgjidhnin midis sakrificës për regjistruar fëmijët në klubet ekskluzive private të kategorisë së mësipërme, ose regjistrimit në shkollat publike, që do të përzgjidheshin prej listës së më të mirave në hierarkinë e cilësisë së edukimit. Nuk po zgjatemi këtu të përshkruajmë, se si me kohë do të krijohet në shkollat e pasanikëve edhe “tradita”, edhe “emrat e famshëm të Familjeve”, emblemat, simbolet, medaljet etj.

Në fund, familjeve me të ardhura të ulta u rrofshin çeqet! Këtyre do t’u mbetej si zgjedhje, më sakt: si dënim, veçse shkollat me reputacion të ulët, të klasuara në fund të kësaj hierarkie shkollore.

Me sa merret me mend, modeli që propozon zoti Zaloshnja, të më falë në qoftë se shprehem paksa rëndë, është i thjeshtë: më pak barazi, më shumë geto shkollore! Dhe ky do të ishte fundi i Shkollës Publike për të Gjithë në Shqipëri! (Këtu, nuk po zgjatemi të përmendim se modeli i “çeqeve” ka potencialin të prodhojë edhe homogjenizim gjinor, fetar, apo komunitarist në shkolla, etj).

Së dyti, modeli që orienton zoti Zaloshnja prek rëndë autonominë e mësuesve dhe, në mënyrë direkte, mund të godasë rëndë qoftë programin mësimor, qoftë mësimdhënien. Nëse një fëmijë apo prindit të tij, që ka çekun në dorë, nuk i pëlqen, ta zëmë, filan mësues (e), këtyre u jepet e drejta që me ca të tjerë, edhe këta me çeqe, të zgjedhin mësuesit e preferuar, duke flakur në rrugë të tjerët! E po, ky është rendi kapitalist, ku njerëzit janë të lirë të zgjedhin, mund të thotë dikush. Po, kështu është, por jo çdo liri kushtëzon një zhvillim që kryhet vetëm mbi bazën e ligjeve të një vendi të caktuar, konkretisht siç është Shqipëria. Përse u dashka që çeqet të vendosin se kush duhet e kush nuk duhet të jap mësim? Në fund të fundit, çfarë kompetence ekskluzive kanë prindërit për të vlerësuar se cili mësues duhet të kalojë klasën e cili duhet të ngelë?! Nga ana tjetër, iluzionit të zgjedhjes së lirë së shkollës me çeqe në dorë do t’i përgjigjej në realitet zgjedhja brutale nga drejtoritë shkollore të nxënësve që ato do të dëshironin të regjistronin në shkollë. Sepse nuk do të jetë thjesht çështje lekësh, kur në fakt do të luhet edhe prestigji, statusi, emri, nderi i institucionit arsimor.

Skema neoliberale që propozon zoti Zaloshnja vendos në pikëpyetje disa zgjidhje. Në Shqipëri sot përdoret modeli i “hartës shkollore”: fëmijët e një lagjeje apo të një fshati regjistrohen në shkollën pranë asaj zone gjeografike. Mirëpo, nga sa shikohet, edhe ky model po pëson ndryshime në Shqipëri. Kështu, ndryshimi drastik i morfologjisë urbane (homogjenizim i habitatit, të pasurit jetojnë gjithmonë e më pranë njëri-tjetrit, ndërsa të varfërit po shtyhen drejt periferive), si dhe korrupsioni ka goditur thelbin e këtij modeli: garantimin e miksitetit social dhe shkollor, që do të thotë, se gjithmonë e më tepër po krijohen klasa mësimore të përbëra me fëmijë nga familja të pasura e me rezultate të larta, dhe klasa mësimore me fëmijë nga familje të varfërish, me rezultate më të dobëta. Ja, këtij problemi që ka lindur i duhet dhënë zgjidhje. Sigurisht, jo duke propozuar segregacion social edhe më të madh, siç sugjerohet në shkrimet e Zaloshnjës.

I kuptoj qartë shqetësimet e drejta të artikullshkruesit, por nuk mund të pajtohem me zgjidhjet që sugjeron. Aktualisht Shqipëria ka nevojë për një sistem të tillë shkollor, ku fëmijët të ndihen socialisht të barabartë. Dhe kjo kërkon, që të reformohet thellësisht sistemi aktual shkollor, duke qënë më vigjilent mbi hallkat e pushtetit, ndarjes së tenderave, duke qenë edhe më pranë shqetësimeve shkollore, kuotave sociale e shkollore (nivelit arsimor), cilësisë së mësimdhënies, numrit të nxënësve në klasa etj. Këtu nuk kemi sesi të mos përmendim, mbi të gjitha, gjendjen e rëndë ekonomike që ka mbërthyer shumë familje shqiptare, sidomos në zonat rurale, gjendje që ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në arsimimin e fëmijëve të tyre!!! Mbi këtë reformë tepër të nevojshme le të diskutohet e të reflektohet nga organet përkatëse dhe njerëzit e kësaj fushe, por modeli i “çeqeve të edukimit”, jo, kjo nuk është zgjidhja që i duhet sistemit arsimor shqiptar.

PS: Se si sistemi i komercializimit të të mirave publike në fushën e shëndetësisë në SHBA na qënkësh një succes story, sipas zotit Zaloshnja, çelësat e këtij misteri vetëm ai i ka…

Add new comment