Lexime e Paragjykime

Duke falënderuar për komentet e ofruara për shkrimin “Vitrina dhe Pasqyra Ligjërimi” botuar me 25 nëntor, vura re se disa prej jush u shprehët të shqetësuar sa i takon kuturisjes për të folur lidhur me librin Kurban të E. Ramës pa e lexuar atë më parë. Kjo gjë, sipas jush, i çvlerëson vetiu opinionet duke i kthyer kështu ato thjesht në tufë paragjykimesh (ose lakrash në kokë).
Shpresoj të jem ose së paku mëtoj të jem mendje hapur e të mos qas “lakra” në komunikim. Por kjo s’do të thotë se s’kam (para)gjykime, që i mbaj në vete (me vetëdije ose pa vetëdije) si kanguri të voglin, aq më tepër kur është fjala për komunikim shkrimor ose gojor. Natyrisht që kam. A nuk ka çdokush? Në të vërtetë do të ishte e pamundur në mos e frikshme që një njeri çfarëdo, që jeton e punon mes njerëzve e që përdor fjalën e folur e të shkruar të mos ketë (para)gjykime,– jo lakra! – që themelohen mbi struktura konceptuale, këndvështrime, informacione, njohuri e vlera paraprake. E meqë s’jam e s’mund të jem tabula rasa, edhe ajo ç’kam shprehur për Kurbanin s’mund të mendohej po të mos mbështetej ndër të tjera edhe mbi një truall (para)gjykimesh. Po ç’janë këto (para)gjykime? Shumë gjëra. Kryesore, sidomos në rastin tonë, besoj janë çfarë kemi zgjedhur e zgjedhim për t’u informuar e për të ushqyer mendjen, qofshin këto sasi e cilësi e lëndës intelektuale e shpirtërore, qofshin përvoja të tjera jetësore të përftuara përmes shkëmbimeve e komunikimit me njerëz. Quajini po të doni kut matjeje ose gurë peshoreje, ose sistem bazë e paraprak vlerësimi. Këto - por aspak vetëm këto - natyrisht ma kushtëzojnë qasjen edhe ndaj Kurbanit. E kur them “aspak vetëm këto” e kam fjalën tek e kaluara e freskët e sidomos faktet e vrojtueshme që ajo evidenton e që s’duan t’ia dinë për paragjykime.
Shkrimi është këqyrur prej disa komentuesve si qëndrim negativ ndaj librit. Le të sjell në vemendje se shkrimi në tërësi nuk merrej vetëm me librin e Ramës, as me përmbajtjen e tij në veçanti. Përkundrazi, interesi im qe tjetërkund – te disa nga format e komunikimit dhe të përpunimit mediatik të informacionit, duke përfshirë edhe ato që lidhen me Kurbanin. Me fjalë të tjera më interesoi më fort mediumi që përcolli mesazhin e që rrëfen shumëçka për të.
Do thënë se një rrëfim ose nismë e një lideri politik për të komunikuar me publikun në vetvete është pa dyshim gjë e lëvdueshme e pozitive. Qoftë edhe si formë e “stream of consciousness” (derdhje e ndërgjegjes) është gjithaq me vlerë, edhepse besoj jo aq për publikun sesa për autorin vetë. Në fund të fundit dobia terapeutike dhe ndikimi pozitiv në shëndetin mendor e mbajtjes së ditarit dhe e shkarkimit të barrave mendore e shpirtërore në formë shkrimore është sot e vërtetuar edhe shkencërisht, përmes eksperimenteve. Politikanë si Berisha ose Basha ose Mediu ose Meta ose Prifti ose… (ju e dini lista është e gjatë e nuk do të dilte vendi ta përfshija këtu të gjithën), për nga fajet e mëkatet e hatashme që u rëndojnë në ndërgjegje, do të përfitonin ku e ku më shumë sesa Edi Rama sikur të uleshin e t’i rrëfeheshin vetvetes me shkrim. Por, s’mbaj shpresë…
Megjithatë, pavarësisht se e lexon a jo Kurbanin, s’mund të mos vëresh një koleksion shenjash (cilido mund t’i vështrojë e lexojë) që krijohen e shpërndahen me anë të marketingut dhe fushatës mediatike duke përfshirë edhe pjesë prej librit, të cilat mund ta bëjnë librin të suksesshëm pavarësisht vlerave; por edhe që sidomos janë krijuar gjatë kontaktit thuajse të përditshëm të kujtdo me autorin e veprimtarinë e tij falë ndjekjes së përditshme të syrit mediatik tash sa vjet. Këto shenja varet sesi i lexon. Mua më thonë gjëra të rëndësishme e paralajmëruese. Më sugjerojnë se nuk mund të flitet për të kaluar, ose po të kujtojmë një thënie të William Faulkner, më dëftejnë se: “E shkuara [e Shqipërisë/Tiranës/lidërve politikë] s’është kurrë e vdekur. Madje as që ka shkuar.” (Shënim: teksti brenda kllapave katrore është imi, AB) Akoma, jo! Më thonë se Shqipëria është ajo që është sepse është kurban i të dy krahëve politikë, që deri tani kanë vënë në plan të parë interesat e tyre, jo të Shqipërisë. Ndofta një vizion i ri për të ardhmen është duke marrë formë, edhe Shqipëria do të përfitojë prej tij, por vallë a janë nxjerrë mësime prej të kaluarës?
Pikërisht disa prej këtyre shenjave u orvata të cekja në shkrim. Nëse kjo nuk është kuptuar qartë, faji do të jetë imi. E nëse po gaboj, mbetem gjithnjë e hapur për t’i testuar, e rivështruar këndvështrimet e kornizat, ose për ta thënë me Karl Popper-n, “t’i lejoj idetë të vdesin në vend”. Në të vërtetë dëshiroj të jem gabim.
Përfitoj nga rasti të them se më vjen keq që, edhepse Kurbani në Shqipëri është tani i kudogjendur në treg e media, “nga ata që e kanë lexuar” s’kam parë ende një shkrim që të flasë për librin në mënyrë kritike duke i treguar lexuesit të interesuar se përse është i nevojshëm për t’u lexuar (përtej mëshimit në bukuri të gjuhës, tipar me rëndësi por jo i mjaftueshëm, as i dorës së parë në këtë kontekst), në ç’mënyrë të pasuron mendjen përsa i takon ideve e këndvështrimeve që sjell, në ç’mënyrë të bën të vrasësh mendjen e të ndërrosh opinon për gjëra që kujtoje se i dije më parë? Si të ndihmon që të mësosh më shumë për veten e shoqërinë? Ç’boshllëqë a nevoja për ushqim mendor të plotëson? Si i ka raportet me etikën e shëndoshë? Vallë a ndriçon si qiri një qeler të errët? A është çelës që hap skuta ndërgjegjeje? A është i besueshëm, i sinqertë, autentik? Vallë me ç’shkrepa e thepa përplaset etika dhe ndërgjegjia e një lideri e në ç’mënyrë e ruan të pacënuar ose përkundrazi e korrupton integritetin? A rrëfen për rrugëtimin e dikujt që duke udhëtuar bëhet njeri e lider më i mirë? (Jo se një vepër që tregon të kundërtën, sesi njeriut i shkatërrohet integriteti ose i korruptohet shpirti – Barry Lyndon, po më vjen në mendje - nuk mund të jetë po aq e mirë dhe e vlefshme; por prej një autobiografie kuptueshëm s’mund të pritet një gjë e tillë.) Sa të kënaq estetikisht? A mund të kritikohet për gjëra të pasakta? A ka dobësi e cene? Më e rëndësishmja për mua (të cilën e përmendja në artikull): përtej padrejtësive e pengesave nga ana e klikës politike në fuqi, si e trajton dhe si e vlerëson autori rolin e vet në mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve ose disa prej tyre, të cilat nuk pandeh se janë bardh-e-zi, si lexuese çfarëdo do të kisha dashur t’i gjeja në shtyp. E vërteta është se nuk i gjej as për libra të tjerë. Ndoshta Kurbani ofron përgjigje edhe ato mund të jenë përnjimend mbresëlënëse e ndriçuese. Por, për fat të keq kush ka shkruar për Kurbanin, ose e ka baltosur skajshmërisht sidomos autorin vetë (kryesisht kundërshtarët politikë), ose e ka lëvduar po aq skajshmërisht e pa shije. Të tjera shkrime e trajtojnë Kurbanin si të ish pisqollë në skizmat që zhvillohen midis ekstremistëve vetë në fushëbetejë. Të tilla orvajtje nuk shërbejnë shumë. Unë do të doja të lexoja diçka tjetër, përtej pozicioneve ekstreme edhe e sidomos prej dikujt që nuk është “vested” në një farë mënyre, d.m.th që nuk lidhet me veprën, siç janë p.sh. botuesit ose ndihmësit e marketingut dhe reklamës.
Comments
Ekselente! C'do te thonit ju

Ekselente! C'do te thonit ju nese une do te jepja nje opinion per atrtikullin tuaj pa e lexuar fare!

Pershendetje zonja Bishka me

Pershendetje zonja Bishka

me ben pershtypje qe ju kerkoni te gjeni ne shtypin e shkruar shqiptar nje kritike letrare apo filozofike/politike ndaj librit te Rames. Tanime e di i madh e i vogel qe kritika e mirfillte letrare ne Shqiperi ka 20 vjet qe ka vdekur. Nuk di te them ne ishte e mire apo e keqe ajo e para viteve 90-te dhe e kam fjalen gjithmone per kritiken letrare se per ate filozofike/politike eshte e kuptueshme qe para vitit 90-te kishte ngjyrimet politike te kohes.

Meqe ju vete jeni Studjuese,Publiciste, te pakten keshtu ju prezanton Res Publika, ndofta mund ta benit ju nje kritike te tille, duke ju pergjigjur pyetjeve qe ju beni dhe duke ndihmuar njekoheshit edhe publikun e gjere shqiptar.

Me respekt

Emigranti

Add new comment