Impakti i krizës italiane dhe greke në integrimin e Shqipërisë

Gjatë 20 viteve të fundit dy partnerët kryesorë të Shqipërisë nga pikëpamja ekonomike kanë qenë Italia dhe Greqia. Në momente të caktuara pesha që këto vende kanë zënë në ekonominë dhe tregtinë e vendit ka kaluar edhe 80% të flukseve të huaja. Megjithatë, prej vitit 2008 impakti i krizës ekonomike që ka përfshirë këto vende, dhe më gjerë, ka bërë që të ketë lëkundje edhe në raportet ekonomike të Shqipërisë me to. Kështu viti 2009 paraqiti një rënie të përgjithshme të shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë me këto dy vende, sidomos me Greqinë. Kjo tendencë vazhdoi edhe në vitet e mëpasshme, duke bërë që pesha që këto vende zënë në totalin e ekonomisë dhe tregtisë shqiptare të bjerë në mënyrë konstante. Në këtë mënyrë, Greqia tashmë po zëvendësohet gradualisht në ekonominë shqiptare nga vende si Turqia apo Kina. Në fillimet e këtij spostimi, pati disa pasoja në Shqipëri, si mbyllja e disa kompanive të lidhura direkt me firma greke, rialokim i disa investimeve, rritje e lehtë e papunësisë etj. Por gradualisht, zëvendësimi i kompanive greke me partnerë të tjerë bëri që ekonomia në tërësinë e vet të rekuperonte terren. Pra, aktualisht mund të thuhet se dallga më e madhe e krizës greke dhe italiane, nga pikëpamja e shkëmbimeve tregtare, ka kaluar dhe nuk priten goditje të tjera të mëdha si ajo e 2009-s. Por, përtej shkëmbimeve tregtare, ka të tjerë indikatorë tejet të rëndësishëm që ende presin ndikimin dhe impaktin e krizës. Sistemi bankar, kthimi i emigrantëve dhe kostoja e madhe sociale dhe financiare që kërkojnë ndërhyrjet në drejtim të ri-integrimit të tyre, rënia e remitancave (dërgesave) etj. janë disa elemente të tjera që kërkojnë studim dhe vlerësim nga pikëpamja e impaktit në Shqipëri. Sinjalet që japin zhvillimet në këto vende janë kontradiktore dhe ende nuk mund të bëhen parashikime të sakta.
Por përveç impaktit direkt që kjo krizë ka patur dhe ka në ekonominë shqiptare, është edhe një tjetër për të mos u nënvlerësuar, që ka të bëjë me rolin që këto vende kanë në Bashkimin Europian në kuadër të anëtarësimit të vendeve të reja. Loja e zonave të influencës është një praktikë që ka ekzistuar që në fillimet e Bashkimit Europian dhe vazhdon edhe sot. Vendet e mëdha ose anëtarët relativisht të vjetër marrin tiparet e sipërmarrësit politik në Bruksel sa herë që kanë interesa apo partneritete me vende të treta jashtë komunitetit. Në këtë mënyrë ato funksionojnë si avokatë dhe lobues informalë pranë institucioneve të BE-së për ato vende, duke ndihmuar dhe favorizuar axhendën e tyre integruese. Mund të kujtojmë rolin e jashtëzakonshëm të Gjermanisë në vitet ‘90 e më tej, për të ndihmuar dhe shtyrë vendet postkomuniste të Europës Qendrore drejt anëtarësimit.
Në rastin tonë, duhet thënë që Greqia nuk ka patur ndonjë rol influencues drejt integrimit. Në momentet më të mira, ka patur neutralitet dhe indiferencë, ndërsa në ato më të këqija ka patur ndërhyrje dhe vonesa siç ka qenë historia e bllokimit të Korridorit 8 apo vonesa e skajshme në ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit të Shqipërisë nga Parlamenti grek (ishte shteti i fundit që e ratifikoi). Përveç deklaratave politike apo retorikës së disa europarlamentarëve grekë, nuk ka patur ngjarje të rëndësishme konkrete për të luajtur rol nxitës dhe lobues në këtë drejtim. Kështu që mund të dalim në përfundim se rënia e peshës së Greqisë në BE dhe dalja e mundshme e saj nga euro apo të tjera zhvillime në dëmtim të saj, nuk pritet të ndryshojnë kursin e integrimit të Shqipërisë.
Rasti i Italisë paraqitet ndryshe. Në radhë të parë kjo vjen prej faktit që Italia është një shtet shumë më i madh, ekonomi më e fuqishme dhe anëtar më i hershëm, madje themelues, i Bashkimit Europian. Së dyti, ka të bëjë edhe me faktin që vetë Italia ka qenë më e angazhuar dhe ka marrë pjesë aktive në përfaqësimin indirekt të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Duke parë edhe lidhjet e mëdha midis dy vendeve, ky pozicion informal është legjitimuar edhe nga BE edhe duke e formalizuar disi me anë të shpërndarjes që i është bërë strukturave koordinuese të fondeve dhe monitorimit të Shqipërisë (kryesisht staf italian në struktura përfaqësuese, koordinimi po nga zyrtarë italianë etj.) Me të drejtë edhe Shqipëria ka ndihmuar më tej në legjitimimin e këtij pozicioni, duke lobuar shpesh në mënyrë direkte tek Italia për çështjet e integrimit. Pavarësisht luhatjeve periodike, pavarësisht ndryshimeve të qëndrimeve të zyrtarëve italianë në Romë me ato të tyre më pas kur shkojnë në Bruksel, roli i Italisë ka qenë pozitiv dhe konstruktiv. Kriza në të cilën është zhytur Italia, rënia e madhe e prestigjit të këtij vendi në Bruksel, humbja e pozitave të rëndësishme dhe mosbesimi i krijuar nga institucioneve e politikanëve italianë prek në mënyrë indirekte edhe integrimin e Shqipërisë. Përfaqësimi i dobët i çështjeve që lidhen me Shqipërinë, neglizhenca që vjen nga problemet e brendshme të Italisë dhe zbehja e besimit te vlerësimet e tyre, bën që edhe fijet që lidhen me atë vend të preken në mënyrë indirekte.
Pra, në rastin e Italisë, kriza duhet të na shqetësojë jo vetëm nga pikëpamja ekonomike por edhe nga impakti që pëson roli i saj në avokaturën pranë BE-së, për vendet që ka si zonë influence. Megjithatë, ashtu siç ka impakte negative, ka edhe pozitive, kur ka zhvillime të tilla. Kështu zgjedhja e Mario Montit në krye të qeverisë teknike, i ka rikthyer gradualisht Italisë imazhin që duhet të ketë në Europë. Kjo jo vetëm për reformat dhe luftën që ai po bën ndaj fenomeneve negative, por edhe për shkak të staturës dhe prestigjit që Monti gëzon në Bruksel, pas shumë vitesh eksperience pozitive në zyrat e BE-së. Kjo valë pozitive ndryshimesh duhet shfrytëzuar sa më mirë nga diplomacia shqiptare. Në pritje të përmirësimit të situatës së brendshme të vendit tonë, si element kryesor, rifreskimi i partneriteteve strategjike mund të jetë një hap pozitiv plotësues drejt përshpejtimit të integrimit.
Mapo
Add new comment