Gjen. Pirro Ahmetaj manifeston injorancë turpëruese

Postuar në 02 Dhjetor, 2014 12:00
Gjergj Thanasi

Gjeneral Piro Ahmetaj Këshilltar ushtarak i Presidentit të Republikës, Shkëlqesisë së tij Bujar Nishanit (Mehmetit), në një artikull të tij të titulluar: Pushtimi pas clirimit, botuar në të përditshmen Panorama manifeston një injorancë të skajshme në përpjekjet e veta të tipit “after Pilafi” për tu hequr si antikomunist. Në shkrim me mendje lehtësi shpaloset një injorancë totale për subjektin për të cilën shkruhet. Po citojmë këtë pasazh nga shkrimi për të kuptuar guximin e gjeneral Pirros për ta shitur injorancën e vet për argument shkencor:

Në periferitë e shtrenjta të Varshavës gjendet një vend i quajtur Belvedere (pamje e bukur – foto majtas). Këtu deri para luftës së dytë ishte akomoduar Mbreti, më tej “bllokmenët e Polonisë” dhe në vijim shërben si muze.Krahas vlerave arkitekturore, historike etj. kjo ndërtesë është simbolike për tju treguar vizitorëve një ngjarje kuptimplotë në lidhje me clirimin “ Ushtria mbretërore e Polonisë pas përpjekjesh heroike e vetëcliroi Varshavën nga fashizmi. Mbreti e mblodhi ushtrinë mbretërore në këtë vend )Belvedere) dhe ju drejtua: Të dashur luftëtarë, nuk gjej fjalë tju flenderoj për heroizmin, sakrificat sublime dhe besnikërinë ndaj kombit polak. Me keqardhje ju them se ata (Ushtria e Kuqe), që i bënë sehir nga afër, vetëm përtej lumit të masakrës së Varshavës janë djaj të kuq, janë dhe më barbarë se bishat hitleriane . Prandaj keni aprovimin tim të largoheni sa më parë dhe sa më larg të mundeni” Mbreti dhe besnikët e tij të afërt u larguan.

Ata, që s’dëgjuan këshillën e mbretit u morrën zvarrë nga ushtria e djajve të kuq rusë derisa vdiqën në rrugët e Varshavës, pavarësisht se kishin luftuar si ata për clirimin e kryeqytetit të tyre”.

Citimi është fjalë për fjalë, bashkë me shenjat e pikësimit e me ndonjë gabim ortografik e kuptimor të përfshirë në të. Le t’i marrim një e nga një gafat e gjeneral Pirros në këtë pasazh.

Së pari: Nuk është një vend Belvedere, por një ish pallat mbretëror Belvedere, i cili sot nuk është muze, por rezidenca zyrtare e Presidentit të Republikës së Polonisë Bronislaw Komorowski. Pallati po ashtu nuk ka shërbyer si vendbanim bllokmenësh, sic shkruan gjenerali por si rezidencë e presidentit komunist të Polonisë Boleslaw Bierut në vitet 1945-1952, pak a shumë si banesa e Berishës në Brrakë në vitet 1992-1997.

Së dyti: Në vitet 1944-1945, kur ndodhin ngjarjet e shkruara nga Baroni Mynhauzen shqiptar, Gjeneral Brigade Pirro Ahmetaj, Polonia nuk kishte mbret, sepse ishte republikë me një qeveri legjitime në mërgim në Londër, qeveria kishte president WladislaW Raczkiewicz (1939-1947). Mbreti i fundit i Polonsë para copëtimit të saj ndërmjet Rusisë, Austrisë dhe Prusisë ishte Stanislaë Poniatowski, që vdiq në 1798, por abdikoi nga froni në 1795, pra gjeneral Pirro gabon me 146 vjet, kur e bën Poloninë me mbret në vitin 1944.

Së treti: Polonia nuk kishte jo vetem mbret por nuk kishte as ushtri mbretërore. Në Poloni ekzistonin 4 ushtri në vitet 1944-1945: Ushtria e Qeverisë së ligjshme polake në Londër, që vepronte në Poloninë e pushtuar,e quajtur Armija Krajowa d.m.th. Ushtria Kombëtare. Po ashtu ishte Ushtria Polake në Perëndim, që bashkëvepronte më anglo-amerikanët në Afrikën e Veriut, në clirmin e Francës, të Italisë dhe në furnizimin nga ajri të guerriljeve ballkanase përfshirë dhe forcat e Abaz Kupit në Shqipëri. Ekzistonte ushtria bolshevike polake e quajtur Armija Ladowa d.m.th. ushtria popullore, që teorikisht varej nga qeveria kukull e Lublinit e ngritur nga Stalini. Ekzistonte edhe Korpusi Polak i njohur me emrin Armata Berling, që ishte pjesë integrale e Ushtirisë së Kuqe staliniane. Z. gjeneral ndër katër ushtritë e Polonisë së kohës asnjëra nuk ishte monarkiste, sepse nuk kishte monarki polake. Nuk kishte as mbret dhe as pretendent të fronit polak. Qartë, besoj z. GJENERAL!

Ishte pikërisht Armija Krajowa, që organizoi Kryengritjen e Varshavës nga 1 gushti 1944, e cila cliroi zona të gjera të kryeqyteti polak dhe rrethinave, por u mbyt në gjak nga nazistët. Rusët nw fillim qëndruan 50-60 Km. larg Varshavës thuajse në buzë të Lumit të Vistulës, ndërsa anglo-amerikanët me bombarduesit strategjikë kryesisht Wellington dhe B 29 i dëmtuan forcat gjermane rreth Varshavës, por nuk mund t’i bombardonin brenda në Varshavë, sepse do godisnin edhe patriotët polakë. Bombarduesit Liberator dhe B 17 të shndërruar në avionë transporti parashutuan armatime, municione dhe ilace përfshirë penicilën e sapo zbuluar, por ishte tepër pak dhe një pjesë e parashutave binte në zonat në kontrollin e nazistëve. Kryengritja ndër të tjera u thye, sepse gjermanët përdorën obuza 203 mm, të kapura trofe Ustrisë së Kuqe, për të cilat Armija Krajowa e komanduar nga Gjenerali legjendar Bor Komorowski ( jo nga ndonjw mbret, qw nuk ekzistonte) nuk kishte topa me rreze të mjaftueshme për zjarr kundër baterije. Përdorimi i tankeve gjermane Koenig Tiger d.m.th. super-tiger në betejat në rrugë ishte i papërballueshëm nga polakët, sepse ato nuk kishin asnjë mjet antitank përfshirë PIAt-ët britanikë, apo bazukat amerikane për të shpuar koracën e Tigrave gjermanë. Z. gjeneral në manualin komunist të luftës popullore partizane në qendrat e banuara pa u cituar janë përfshirë edhe pjesë nga përvoja e Kryengritjes së Varshavës, si lufta në Lagjen Vola, fortifikimi i ndërtesave nga taraca në bodrum (përvoja e luftimeve në Rrugën Rakowiecka), ngritja e barrikadave të mbuluara me zjarr të tipit kinxhal nga përvoja e luftimeve në Rrugën Okopowa etj.). Z. gjeneral të paktën manualet ushtarake të kohës së Dullës duhet t’i kishe lexuar, që mos na tregoje përralla me ushtri mbretërore në Kryengritjen e Varshavës.

Së pesti: ushtarakët polakë besnikë të qeverisw legjitime polake në Londër nuk morrën asnjë urdhë apo këshillë për t’ia mbathur nga Polonia. Ato u udhëzuan të kontaktonin komandën e Ushtrisë së Kuqe të Mareshalit Rokossovski (polak etnik) dhe me të koordinonin luftën kundër nazistëve.Me urdhër të Stalinit një nën/repart i SMERZH-it sovjetik i arrestoi në vend. Si antikomunist realist, jo antikomunist pas pilafit si ju z. gjeneral ju informoj se oficerët madhorë polakë, që shkuan të bisedojnw me bolshevikët për luftë të përbashkët kundër gjermanëve u vranë me tortura me urdhër të Abumakovit, zarit të Lavrenti Berias, ndërs gjeneral Bur Komorowski, kolonel Deczkowski apo komandant Waclaw Michuta dolën të gjallë nga kampet e përqëndrimit të Hitlerit. Pas 5 shtatorit 1944 me urdhër të Rajsfyhrerit Himler gjermanët ndaluan pushkatimin pa gjyq të kryengritësve të kapur rob dhe të popullsisë civile, ndërsa Stalini i pushkatonte edhe aleatët e vet jo komunistë.

Zoti gjeneral, nuk ka nevojë për të gënjyer për të qenë antikomunist, qoftë edhe pas pilafit. Nuk ka nevojë të tregosh përralla për djajtë e kuq, spese mjaftojnë bëmat e hordhive bolshevike në Poloni, që pa gënjeshtrat e juaja të etiketohen si djaj. Hordhitë bolshevike në Poloni dhe jo vetëm plackitën c’u zinte dora. Ata vran pleq e fëmijë pa hesap. Pushkatuan pa gjyq apo mbytën me tortura mijëra polakë, të shquar si luftëtarë me armë në dorë kundra nazistëve. Ata përdhunuan disa mijëra gra e vajza polake përfshirë, murgesha, personel mjëkwsor, të mitura madje edhe paciente të spitaleve psiqiatrike. Për turp të zotit Mareshali Rokosovski i torturuar qenërisht gjatë terrorit stalinian (1938-1939) me urdhër të vetë Jezhovit famëkeq,shefit të GPUs-ë (NKVD-aj e mëvonshme), nxorri urdhër me shkrim, që i ndalonte ushtarakët polakë tw Armatws Berling dhe i kërcënonte me ekzekutim me vendim gjyqi ushtarak po të ndërhynin, kur personeli i Ushtrisë së Kuqe merrte në pyetje femrat polake të dyshuara si të lidhuara me nazistët. Mareshali përdorte eufemizëm, sepse me këtë urdhër ai ndalonte ushtarakët polakë të mbronin nga përdhunimi i kafshëve të Ushtrisë së Kuqe nderin e femrave polake.

Gjeneral ky farë antikomunizmi juaj vulgar bie erë servilizëm dhe është akoma më i pështirë sesa enverizmi prej debili i komisarëve të qëmotshëm, kur organizonin punën politike me trupën. Z. gjeneral le të shpresojmë për të mirën e dinjitetit të Shqipërisë, që asnjë 007 dhe asnjë atashe ushtarak akredituar në Tiranë vecanërisht ai polak të mos e ketë përkthyer dhe lexuar pacavuren tuaj të botuar te e përditshmja Panorama.

Kolegëve të gazetës Panorama do t’u sugjeroja miqesisht të mos i botonin pa i kontrolluar shkrimet e gjithfare gjeneralucëve legena, kokëboshë, gënjeshtarë e mitomanë. Mjafton një konsultim i përciptë me Wikipedian dhe rrenave të gjeneral Pirros do tu dilte kalllaji menjëherë. Botuesi paguan për të botuar shkrime serioze jo pacavure të mjera! Rrogën të dashur kolegë të Panoramës nuk e merrni për të botuar të tilla rrena, të qepura me pe te bardhë!

Gjeneral. Ju që i keni kryer gjithë “ucilishtet” ushtarake në Shqipëri, që keni qenë edhe në Kolegjin e Mbrojtjes në Rromë, që jeni edhe Doktor i shkencave ushtarake si i prodhuat të tilla budallëqe e gënjeshtra vetëm për tu dukur si antikomunist i thekur?! Z. gjeneral vërtet Shqipëria është vend i vogël, i varfër dhe jo serioz, por le mos ta cojmë jo seriozitetin e Atdheut tonë deri në nivelin e palacollikut. Fatkeqësisht jo për faj të shtetasit Bujar Nishani (Mehmeti) ne kemi një Komandant të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura andikapat fizik, z. gjeneral ju lutem shumë andikapit fizik të Komandantit mos i shtoni andikapin mendor të këshilltarit të tij ushtarak. Pa qenë nostalgjik i diktaturës kam të drejtë të them se ne,ndonëse në të kaluarën kishim një ushtri me tanke dhe sot kemi një ushtri të komanduar nga tangat, prap se prap mos ta cojmë punën deri në atë derexhe sa që palacollëku të dalë sheshit duke nxirë faqet e gazetës më të shitshme në Shqipëri.

"Dita"

Comments

Submitted by Epiroti (not verified) on

<p>Shkrim qe ia vlen te lexohet. E pergezoj autorin per shtjellimin e ketyre ngjarjeve ku nder te tjera tregon se sa kapacitet dhe njohuri kane keshilltaret e kryeqeveritareve tane.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.