Gazetarí, vulgaritet dhe padije

Në fillim të viteve ‘90, kur vendet e Europës Lindore të sapo dala nga komunizmi po përpiqeshin të ndërtonin institucionet e reja, Cass Sunstein një profesor shumë i njohur i filozofisë së ligjit ndihmoi në hartimin e kushtetutës së re të Ukrainës. Në librin “Shoqëritë kanë nevojë për mendim ndryshe”, ai thotë se politikanët në Ukrainë i kërkuan që në kushtetutë të përcaktohej që shtypi do të ishte përgjegjës nëse nuk shkruante vetëm të vërtetën. Profesor Sunstein thotë se u ndje i befasur nga kjo dhe u tha ukrainasve se gjithë thelbi i demokracisë është se “ti ke të drejtë edhe t’ia fusësh kot”.
Në fakt SHBA i ka garantuar lirisë së shprehjes pikërisht këtë gjë me amendamentin e parë ku thuhet thjesht se Kongresi nuk mund të bëjë ligje që rrudhin lirinë e shprehjes. Por edhe pse Kushtetuta lejon këtë hapësirë pa fund lirie (edhe për t’ia futur kot) në dhjetëra raste Gjykata Supreme ka përcaktuar kufij për lirinë e shprehjes.
Luis Brandeis, ish gjyqtar i kësaj gjykate në vitet 1920-1930, një prej njerëzve më me ndikim në gjithë jetën e kësaj gjykate ka shkruar; “Kushtetuta mbron vetëm padhunueshmërinë e tregut të ideve”. Përkufizimet e tij mbi të drejtën dhe privatësinë janë sot burim për gjithë gjykatat dhe shkencëtarët socialë në SHBA e kudo. Brandeis thotë gjithashtu se media nuk duhet të krijojë kërkesë por duhet të krijojë vetëm ofertë.
Robert Bork ish profesori i Yale-it (Bill dhe Hillary Klinton kanë qenë studentë të tij), thotë se detyra e medias është të garantojë informim për çështje të interesit publik dhe shkëmbim të lirë pikëpamjesh dhe idesh. Ai thotë se media nuk është vetmasturbim që mund t’iu drejtohet instiktit të njerëzve por vetëm mendjes dhe shpirtit të tyre. Në gjithë diskurin e asaj që përbën kredon e lirisë së shprehjes në SHBA prej dekadash interesi publik nuk është domosdo ajo që i intereson publikut, sigurisht jo gjithçka që intereson publikut mund të publikohet.
Rasti i zbuluar i një pedofilie dhe dyshimi për vrasje në Shqipëri mund të jenë alarm për shumëçka( për një shoqëri pa vetdije, që nuk merr dot asnjë përgjegjësie, për një shoqëri që ka mbetur tek mendësia kolektiviste hipokrite dhe jo komuniteti, për policinë dhe gjykatat në gjendje të tmerrshme etj, etj) por ekzistenca e njollave kanceroze që rriten përditë në median shqiptare është për shumë më tepër se sa alarm. Është një media që dëshmon se pas 20 vitesh nuk e kupton lirinë, që e dhunon atë dhe poshtëron njeriun. I tërë shtypi ishte në këtë qasje por shkelqeu me tërë errrësirën e vet një gazetë e re dhe një gazetare e vjetër që publikuan detaje të mënyrës se si pedofili kishte dhunuar fëmijën, detaje që tejkalonin çdo horror, çdo pornografi, fëlliqësi dhe mungesë të pafundme mëshire. Ditën e publikimit të këtyre detajeve gazetarja e vjetër dhe drejtore justifikoi botimin në një editorial. Në corpus juris civilis, në Romën e lashtë thuhej kush justifikohet pa iu kërkuar është fajtor. Të nesërmen drejtorja kërkon ndjesë për publikimin e dëshmisë së pedofilit homoseksual, të dyshuar si vrasës dhe thotë se shoqëria nuk është e gatshme t’i shohë të vërtetat në sy dhe se ata thjesht po publikonin diçka të vërtetë. Një justifikim i dytë. Meqë jemi tek e drejta e Romës atje thuhet errare humanum est, perseverare autem diabolicum – të gabosh është njerëzore, të këmbëngulësh është djallëzore.
Por t’i kthehemi edhe një herë lirisë së medias dhe mënyrës se si i ka përcaktuar kufijtë vendi më demokratik në botë, i cili për lirinë e medias ka vetëm një amendament me një rresht që thotë se “Kongresi nuk mund të bëjë ligje…. që rrudhin lirinë e shprehjes”.
Në vitin 1942 në Gjykatën Supreme arriti një çështje e quajtur Chaplinski vs New Nampshire. Ky institucion i admiruar kudo në botën demokratike dha një vendim i cili sot është piketa udhëzuese për të gjitha çështjet e ngjashme, çështje të lirisë së medias, të lirisë së shprehjes të çdo kategorie. Kryetari Frank Murphy tha se ka disa kategori të shprehjes, ndalimi dhe dënimi i të cilave nuk e thyen lirinë e shprehjes që përcakton Kushtetuta. Këto janë e pista, e ndyra, mes tyre skenat seksuale, sharja e fesë, fjalët luftarake etj, publikimi i të cilave shkakton dhimbje ose tenton të shkaktojë thyerje të menjëhershme të paqes. Dmth sherr, grindje, vrasje etj. Lejohet publikimi i tyre vetëm kur ai dëshmon për ide të madhe. Këtë tha Frank Murphy dhe ky është definicioni themelor, i palëkundshëm mbi të cilin nuk shkel dot asnjë gazetë, televizion apo individ.
Publikimi i dëshmisë së pedofilit homoseksual që dyshohet për vrasje është mizor, i ndyrë dhe shkakton dhimbje të madhe, dërrmon në palcë njerëzit sidomos të afërmit e fëmijës. Mospublikimi nuk pengon asnjë ide të madhe. Çfarë ideje të madhe po mbronte gazetarja apo drejtorja me publikimin e asaj dëshmie!!!
Gjyqtari Murphy kishte parasysh raste genocidi ku mund të lejohej publikimi i fotove me kufoma për të treguar se sa mizor është nazizmi se sa e ligë dikatura.
Publikimi i skenave se si një pedofil përdhunon dhe terrorizon një fëmijë mund të tregojnë vetëm alarmin tonë si shoqëri për median dhe nivelin e turpshëm të atyre që bëjnë publikime të tilla. Nuk mund të ketë shoqëri të pagatshme të shohë të vërtetën siç thotë drejtorja për dëshminë e lemerishme të pedofilit, por gazetë dhe gazetarë që nuk e dinë se ç’është profesioni dhe se fati thjesht i ka keqvendosur aty.
Ky nuk është rasti i parë që mediat thërrasin anët e dobëta të njeriut për t’u shitur, që iu drejtohen instikteve të tij si kuriozitetit pervers apo epsheve, anës seksiste, vetmasturbimit etj etj.
Ka vite që shkruhet për njerëz të burgosur që tregojnë skena dashurie apo flirtesh, që publikohen sms private pas një vrasjeje dhe tradhëtie. Madje këto edhe nga shumë gazetarë çmohen si gjëra të mëdha, si gjëra që i do publiku apo që shesin. Duhet të jetë kjo arsyeja pse nga 40 tituj gazetash që dalin në ditë shiten gjithsej vetëm 70 mijë kopje, në një popullatë 3 milionëshe. Gazeta “Fakt” në Maqedoni para disa kohësh shiste 35 mijë kopje në një vend me rreth 50 mijë shqiptarë. Si kanë shkuar punët, ka mbetur të themi se në Shqipëri është një gjë e mirë që gazetat nuk i lexon njeri.
Comments
Fitim, ti ben shume mire qe
<p>Fitim, ti ben shume mire qe kritikon, por ki parasysh qe eshte e nevojshme te ndahet shapi nga sheqeri. Permend emra, byrazer. Mos beni tymse kot. Thuaj Secili te mbaje pergjegjesite qe i takojne, mos te futen te gjithe ne nje thes sepse kjo nuk na con gjekundi. Ajo media qe permend, ka bere ate gabim, ta mbaje ajo pergjegjesine. Ka patur media te tjera qe paten qasje tjeter ndaj ngjarjes: qasje analitike, vune ne pah pergjegjesite e organieve te hetimit dhe drejtesise, etj, etj. Perbaltja e te gjitheve me stil Berishe nuk sherben per gje. Te jemi te kthjellet dhe te drejte - mendoj une, mbase e kam gabim, por klima qe krijon kjo shenjester e pafokusuar e shton edhe me teper kaosin dhe papergjegjesite. Flm</p>
"Profesor Sunstein thotë se u
<p>"Profesor Sunstein thotë se u ndje i befasur nga kjo dhe u tha ukrainasve se gjithë thelbi i demokracisë është se “ti ke të drejtë edhe t’ia fusësh kot”."</p><p>Mua me duket se vetem ky ja ka fut plot, te tjeret me poshte ja fusin kot si perfundim, pavarsisht deshires se mire per te vene nje rregull ne kaos, shprehin vetem emocione nga te cilat dalin vetem interpretime kaotike.</p>
Ne Ameriken qe citon Zekthi
<p>Ne Ameriken qe citon Zekthi publikimi qe beri Anila Basha tek Shqiptarja.com mund te ishte bere shkas per heqjen e saj nga puna. Por sa i vetedijshem eshte Carlo Bollino se c'botohet ne gazeten e tij? Per te eshte vetem biznes, dhe bosja e vertete aty eshte Basha, keshtu qe s'ka shans pendese. Edhe kur kerkonte ndjese ajo e bente ne menyren me arrogante te mundshme sa qe ishte me mire te mos e kerkonte fare. Turp Anila Basha Turp.</p>
Add new comment