E keqja e kredive të këqija

Postuar në 15 Shkurt, 2013 03:18
Endrit Avdullari

Niveli i kredive të këqia ka arritur nivele shqetësuese. Verën e vitit të kaluar kjo shifër kaloi tavanin e 20%-ëshit. Termi teknik që përshkruan kreditë e dhëna nga bankat të cilat nuk po shlyhen nga klientët dhe ndaj bankat nisin proçedurat e likuidimit në gjuhë të tjera evropiane është më pak ekstrem si p.sh “kredi që nuk po ecin” apo “kredi pa rendiment”. Në shqip me të drejtë i quajmë thjesht dhe qartë “të këqija” sepse ato dëmtojnë ekonominë në mënyrë të rrezikshme dhe me efekte afatgjata.

Në qershor të vitit 2012 kreditë e këqija arritën 21.2% të totalit të kredive të dhëna. Kjo do të thotë që më shumë se 1 një 5 klientë nuk e shlyen (dot) kredinë e marrë. Për ta shpjeguar sa alarmante është kjo shifër mjafton të përmendim se në vitin 2005 ky nivel ishte 2.3%, gati 10 herë më pak.

Bankat në Shqipëri shquhen për nivel të lartë likuiditeti, jo dhe aq sepse duan por sepse thjesht nuk kanë ku t’i investojnë paratë. Ato kufizohen së tepërmi nga Banka e Shqipërisë në  mundësinë e investimit jashtë vendit ndaj mund të investojnë vetëm brenda kufinjve. Në Tiranë nuk ka as treg burse ndaj mundësia e investimit në letra me vlerë është e kufizuar në obligacione thesari. Kreditë, siç tregojnë shifrat, kanë rrezik të madh mosshlyerje ndaj bankat tona (që në fakt janë gati krejtësisht të huaja) s’kanë mundësi tjetër përveçse të ekspozohen së tepërmi ndaj qeverisë duke mbajtur mbi supe rreth 70% të borxhit publik ndërkohë që të gjithë investitorët e tjerë jo-shtetërorë blejnë jo më shumë se 17% të këtij portofoli. Një portofol kaq i njëtrajtshëm  do skandalizonte çdo bankier evropian.

Bankat tregtare tani janë të ndërgjegjshme se po e dhanë kredinë, egziston një probabiltet 21.2% që ato nuk do i marrin paratë e tyre mbrapsht. Përveç sikleteve burokrate dhe ligjore që sjell shitja e kolateralit, bankat shpesh kanë vështirësi dhe në përvetësimin e objekteve të lëna peng në përputhje me kontratat e kredisë.  Sfidat nisin me zvarritjet nga përmbarimi, anshmëria e gjykatave, moslejimi i lëvizjes së çmimit të pronave sipas tregut nga qeveria, proçedurat e gjata dhe të kushtueshme etj. Rrjedhimisht bankat preferojnë ta mbajnë lekun fort dhe t’ua japin vetëm pak individëve apo personave tepër të përzgjedhur dhe me interesa shumë të larta, rreth 7% mbi interesin e bonove të thesarit.

Efektet negative janë zinxhir. Në rradhë të parë, veçanërisht moshat e reja detyrohen të jetojnë me qera apo me prindërit sepse nuk e përballojnë dot kredinë për të blerë shtëpi. Kjo sjell probleme në sektorin e ndërtimit e më pas në atë të lëndëve të para duke shkaktuar papunësi. E njëjta situatë ndodh me të gjitha produktet jo të përditshme me çmime domethënëse për konsumatorin e thjeshtë si p.sh. pajisje elektroshtëpiake. Me rënien e konsumit edhe bizneset nisin të ndiejnë barrën. Sigurisht, nëse askush blen askush nuk mund të shesë. Biznesi ka dhe halle të tjera. Përveç rënies së kërkesës sipërmarrësit nuk marrin dot kredi dhe ndaj nuk zgjerohen dot bizneset egzistuese dhe as nuk hapen dot të reja. Me rëndimin e situatës, bizneset që kanë likuiditet nuk investojnë nën frikën se gjëndja do përkeqësohet dhe bizneset që kanë marrë kredi nuk e shlyejnë dot atë. Jo rastësisht 80% e kredive të këqija janë të bizneseve. Kështu papunësia rritet dhe më tej, nisin falimentimet, bien taksat e rrjedhimisht të ardhurat për qeverinë duke bërë që ekonomia të kalojë nga shiu në breshër duke zbritur nga një rritje prej 5.5%% në 2005-ën, në vetëm 0.5% në 2012-ën, pra 11 herë më pak duke bërë që realiteti i përshkruar më sipër të jetë tashmë i prekshëm në Shqipëri.

Për këto arsye, është thelbësore që qeveria t’i inkurajojë bankat të japin kredi dhe jo t’i mbajnë paratë nën dyshek. Ky borxh publik kaq i lartë, mbi 60% duhet të ishte përdorur për të stimuluar ekonominë dhe jo për të rritur ad hoc pagat e sektorit publik, hapur ambasada dhe shëtitur zyrtarë në vende pa asnjë lidhje ekonomike apo më keq akoma për të bërë lobingje për Partinë në Nju Jork, blerë helikopterë për ministrat që pushojnë në Borsh apo vënë ashensor për kryeministrinë trekatëshe. Bankat e dinë se kur individët s’e paguajnë dot borxhin, as bizneset s’e paguajnë dot kredinë dhe po vazhduam në këtë rrugë, shpejt as qeveria s’do e paguajë dot borxhin e saj. Kur kjo të ndodhë, termi “kredi e keqe” nuk do e shprehë dot as së largu sa ekstreme është situata.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.