Detantë shqiptare - fundi i dilemës së të burgosurit

Postuar në 19 Nëntor, 2011 02:28
Arian Koçi

Kushdo që ka ndjekur rrokopujën e politikës shqiptare të dy viteve të fundit do të ketë nxjerrë një psherëtimë lehtësimi pas shpalljes së fillimit të kompromisit PD-PS.  Për shumë vetë, psherëtima do të ishte edhe shfrehje dufi se më fund dy balozët e politikës, të lodhur nga dueli dy vjeçar, ulën armët dhe ranë dakort të bëjnë pushim.

Mënyra e përcjelljes së lajmit në media ishte po ashtu domethënës; ai u bë pa shumë triumfalizëm,  por me drojtje, si për të mos tunduar shejtanin, apo xhindin e ‘magjisë’ që tani prehej i tulatur nga përplasjet sfilitëse.

Padyshim që kjo detantë mes pozitës dhe opozitës është e mirëpritur, por ajo krijon edhe shqetësime.  Aspekti mikëpritës është vetëkuptues, ndërsa shqetësimi lidhet me anët e panjohura të marrëveshjes dhe me pikëpyetjet që ngre ajo.

Pikësëpari, pse palët ranë dakord pikërisht tani dhe jo, përshembull, gjashtë muaj më parë kur edhe mund të ishin krijuar gjasat për një përgjigje pozitive nga Bashkimi Europian për kandidaturën e Shqipërisë? Çfarë faktorësh dhe cilët aktorë ndikuan në arritjen e kompromisit?  Çfarë kohëzgjatje do të ketë ky kompromis dhe çfarë mund ta përmbysë atë?  Përgjigjet e këtyre pyetjeve do të mundësonin të kuptonim thelbin e këtij bashkëpunimi të papritur dhe të parashikonim jetëgjatësine e tij.

Shkurtimisht, PD dhe PS janë marrë vesh e bashkëpunojnë në tre fusha; në reformimin e sistemit zgjedhor, atë të funksionimit të parlamentit dhe të miratimit të ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, pra 3/5 e votave në parlament.  Rëndësia e marrëveshjes qëndron në faktin se ajo ul palët në tryezë për të diskutuar disa nga nyjet gordiane që bënë lëmsh politikën këto dy vitet e fundit.  Por, thelbi i marrëveshjes qëndron në faktin se opozita më në fund pranon të njohë legjitimitetin e të drejtës së koalicionit PD-LSI për të qeverisur. Ka qënë pikërisht kontestimi i vazhdueshem i këtij legjitimiteti nga ana e PS-së që shkaktoi një nga krizat me të gjata dhe të dëmshme në politikën shqiptare.

Merita kryesore për vendosjen e kësaj detante i është dedikuar ndërhyrjes së ndërkombëtarëve, një term përmbledhës ky që përfshin ambasadorët kryesorë në vend dhe të derguar të posaçëm amerikanë dhe europianë. Si vend aspirant për kandidaturë anetarësie në Bashkimin Europian, Shqipërisë i duhet të përbushë një numër reformash që kërkojnë bashkëpunim mes qeverisë dhe opozitës. Por, në kushtet e konfliktit të skajshëm politik, ky bashkëpunim krijoi një dilemë tepër të koklavitur për politikën shqiptare, dhe kryesisht opozitës, sepse nuk i sillte asaj ndonje fitim të madh.  Ndryshe nga vendimi për heqjen e vizave, statusi i kandidatit te BE-së, për shumicen e popullsisë, është me shume nje perfitim teorik sesa praktik.  Për këtë arsye, nga bashkëpunimi i opozitës do të përfitonte më shumë qeveria që do te ishte ne gjendje ta paraqiste atë si arritje institucionale.  Por, nga ana tjetër, nëse refuzonte, PS-ja do të fajësohej nga qeveria për mosdhënien e statusit të kandidatit të BE-së, ashtu siç dhe ndodhi.

Ky është një skenar tipik që në shkencat sociale cilësohet si alegoria e dilemës së të burgosurit ku dy persona  të arrestuar merren në pyetje veç e veç. Sipas këtij skenari, meqënëse policia nuk ka shumë fakte për ta, nëse ata refuzojnë të tradhëtojnë njëri-tjetrin, atëhere dënohen vetëm me gjysëm e kohës, por nëse njëri tradhëton atëhere ai lirohet dhe shoku i tij dënohet me kohë të plotë. Në rastin e politikes shqiptare, bashkëpunimi është i barabartë me gojëkyçjen e të burgosurve për të mos tradhëtuar shokun. Në këtë rast, të dy palët e ndajne meritën. Instiktivisht, aktoret e përfshirë në këtë skenar në përgjithësi tentojnë të kujdesen vetëm për veten e tyre, ç’ka fatkeqësisht, gjatë dy viteve të fundit, ka ndodhur me dy partitë politike kryesore shqiptare të cilat kanë parapëlqyer të tradhëtojnë njera-tjetrën sesa të bashkëpunojnë.  S’ka asgjë tipike shqiptare në këtë përzgjedhje, ajo është thjeshtë një instikt mbijetese. Por, fatmirësisht, gardianët e burgut alegorik, (lexo këtu ndërkombëtarët) e kanë përsëritur të njejtin eksperimet me durim disa herë derisa të dy palët e kanë kuptuar se e mira e të dyve është te  bashkëpunimi dhe jo tradhëtia.

Përse u arrit marrëveshja pikërisht tani?  Mos vallë të dy palët janë të drobitur pas përplasjeve konstante dhe tani nuk kanë më fuqi, porsi dy kaposhë që e lënë kacafytjen kur kuptojnë se nuk e mundin dot kundërshtarin? Ky argument është i besueshëm sepse shumë konflikte sociale dhe ndëretnike në botë, kanë gjetur zgjidhjen vetëm atëhere kur palët ndërluftuese e kanë kuptuar se nuk fitojnë dot. Por kjo nuk e shpjegon gjetjen kohore të marrëveshjes pasi pas grevës së urisë së socialistëve të majit të kaluar dhe përleshjeve të 21 janarit, si PD edhe PS duhet ta kishin kuptuar fuqinë e kundërshtarit. Edhe zgjedhjet lokale dëshmuan pikërisht këtë barazpeshim politik forcash mes dy partive kryesore. Që të arrihej kjo detantë poltike, të dy palët duhet të kishin një kohezion të brendshëm, një qëndrueshmëri pozicionesh i cili do të mundësonte arritjen e barazpeshimit të forcave me kundërshtarin.

Gjatë dy viteve të krizës, Partia Demokratike e ka pasur kohezionin e saj. Zënkat e brëndshme kanë qenë pozicionime vartësish dhe jo sfida lidershipi. Askush nuk ka guxuar të kontestojë të drejtën e Sali Berishës për të udhëhequr partinë në pushtet. Por, Partisë Socialiste i është dashur të luftojë në dy fronte, si brenda vetëvetes ashtu dhe kundër PD-së. Humbja e zgjedhjeve të përgjithshme në 2008-tën krijoi një furtunë të brendshme dhe vuri në pikëpyetje gjykimin politik dhe lidershipin e Edi Rames.  Vetëm pak muaj para zgjedhjeve, ai përkeqësoi marrëdheniet me LSI-në duke zvogëluar ndjeshëm gjasat e koalicionit zgjedhor. Kështu, pavarësisht se Partia Socialiste fitoi më shumë vota sesa demokratët, këta të fundit u shpallën fitues si kryesues të koalicionit me shumicën e votave.  Sipas statutit të PS-së, si humbës i zgjedhjeve, Edi Rama duhet të jepte doreheqje, ç’ka nuk ndodhi.  Gjatë gjashtë muajve në vazhdim, ndërsa Edi Rama luhatej, ai u përball edhe me sfida lidershipi. Vendimi i tij për të mos pranuar rezutatin e zgjedhjeve kishte të bënte me shume me forcimin e pozitave brënda partisë sesa me kontestimin e votave.

Pak kush mund të thotë me bindje se nuk kishte manipulime të zgjedhjeve të 2008-ës, por shumëkush beson se pavarësisht kësaj, një aleancë PS-LSI do t’i fitonte ato. Për këtë arsye, radikalizimi socialist që pasoi ishte një shfajësim i Edi Ramës për të qëndruar në krye të PS-së e cila sipas tij i kishte humbur zgjedhjet jo për shkak të gjykimeve të gabuara politike, por te manipulimeve nga kundërshtarët. Thirrjet per rinumërim votash ngjanin me shumë me një bllof sesa një kërkesë të vërtetë.  Ndërkohë, PD-ja e shihte PS-në si një kundërshtare të plagosur dhe instiktivisht i vërsulej për t’i marrë frymën dhe jo për ta lënë të forcohej.  Përderisa vazhdoi ky disbalancim forcash, politika konfliktuale shqiptare kaloi nga një konflikt në tjetrin. Ajo tashme ishte kthyer në politikë të instiktit dhe jo të arsyes.

Paradoksalisht, sulmet e PD-së e forcuan Edi Ramën pikërisht sepse i dhanë atij argumente se po përballej me një pushtet autokratik që kishte ardhur në pushtet duke vjedhur votat. Në të njëjtën kohë, forcimi i pozitave të Edi Ramës, duket se ka berë të mundur edhe detantën aktuale. Ndërhyrjet e ndërkombëtarëve kanë qenë të rëndësishme, por ato i ngjajnë një përpjekjeje për të hapur portën e çkycur e cila me parë ishte e mbyllur me çelës nga brënda.  Ridrejtimi i Partisë Socialiste larg politikave personale dhe drejt atyre qeverisëse dhe fokusimi i saj tek zgjedhjet e 2013-ës është një hap shumë pozitiv për balancën politike në vend. Ajo ngjall dhe shpresën se detanta politike mund të zgjasë të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme.

Comments

Submitted by A.G (not verified) on

"Te burgosurit" jemi ne. "Rolet" jane te njejta, ( si te shkruara nga nderkombetaret apo vet aktoret), "aktoret" jane te njejte vecse nga shfaqja ne shfaqje ndryshojne "grimase" nga transferimet e grimiereve, ndersa spektatoret e "burgosur" jemi ne, jemi ne te topiturit, te  drobiturit, te "temjanosurit", qe i beme parate "bileta" per shfaqje arriviste ne pritje...te kujt (?)...Godose...

Submitted by Emigranti (not verified) on

Pershendetje zoti Koci

Vetem nje pyetje fjala detante=???

Me respekt

Emigranti

Submitted by Agim Shkodra (not verified) on

Keni te drejte Arian Koçi!

Tre  gjera na  keni bere shume te qarta:

1) Qe politika shqiptare eshte  "rrokopuje".

2) Alegoria e dilemes se te burgosurit : Te dyja palet duhen denuar.

3) Gardianet e burgut alegorik : Nderkombetaret.

Por na ngelen disa dilema ne kete detante :

- Si do te dalim nga kjo gjendje rrokopuje?

- Kush do te na nxjerre nga kjo gjendje rrokopuje?

Sepse keta " Gardiane",pasi e provuan Tribalizmin dhe Autoritarizmin si tradicione te politikes,tani u ngelet te provojne edhe traditen e trete politike ate te " SHTETIT MODERN KOMBETARE",siç e paraqet Bernard Lewis.

Siç duket boll u loz "dame",ka ardhur koha te luhet "shah".

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.