Depresioni dhe demokracia

Postuar në 15 Dhjetor, 2011 03:11
Paul Krugman

Evropianët duhet të mendojnë më mirë rreth politikave të tyre të dështuara ekonomike. Po qe se nuk e bëjnë këtë gjë, atëherë demokracia do të vazhdojë ta humbë përkrahjen – dhe shpërbërja e euros do të mbetet shqetësimi i tyre më i vogël

Është koha që gjendjen aktuale ta quajmë me emrin e duhur: depresion. Natyrisht se nuk është kjo një përsëritje e plotë e depresionit të madh, ndonëse një gjë e tillë vështirë se mund të quhet ngushëllim. Nivelet e papunësisë si në Amerikë, ashtu edhe në Evropë mbesin jashtëzakonisht të larta. Liderët dhe institucionet janë diskredituar me të madhe. Po ashtu, vlerat demokratike ndodhen në rrezik.

Sa i përket kësaj pikës së fundit, nuk po mundohem që ta ngre alarmin. Sa i përket frontit politik, ashtu si edhe atij ekonomik, është me rëndësi që të mos biem në grackën e “jo edhe aq keq”. Papunësia e lartë duhet të na shqetësojë, edhe pse ajo nuk ka arritur në nivelet e 1933-s, trendet politike nuk duhet të nënvleftësohen vetëm për shkak se në skenë nuk ka ardhur ndonjë Hitler.

Të flasim në veçanti rreth asaj që është duke ndodhur në Evropë – jo për shkak se gjithçka është në rregull në Amerikë, mirëpo për shkak se serioziteti i zhvillimeve politike evropiane nuk është edhe aq i kuptueshëm. Së pari, kriza e euros është duke e vrarë ëndrrën evropiane. Valuta e përbashkët, e cila pritej se do t’i lidhte shtetet, në vend të kësaj e ka krijuar një atmosferë të armiqësisë së hidhur.
Në mënyrë specifike, kërkesat për masa më të ashpra kursimi, pa ndonjë përpjekje për ta stimuluar zhvillimin, kanë bërë dëm të dyfishtë. Ato kanë dështuar si politikë ekonomike, duke e përkeqësuar papunësinë pa e kthyer besimin; recesioni në mbarë Evropën tani duket i mundshëm, madje edhe pasi që kërcënimi direkt i krizës financiare është frenuar. Po ashtu, ato kanë shkaktuar zemërim të madh, pasi që shumë evropianë tani janë të mllefosur rreth asaj që e konsiderojnë ushtrim i tepërt i pushtetit gjerman.
Secili që ka njohuri me historinë e Evropës ndien frikë kur sheh këtë ringjallje të armiqësisë. Megjithatë, tani ka gjëra edhe më të këqija që po ndodhin.
Populistët e krahut të djathtë janë në ngritje në Austri, ku “Partia e lirisë” (lideri i së cilës ka pasur lidhje me neonazistët) është duke zhvilluar një garë kokë më kokë në sondazhe me parti të etabluara. Gjendje e rëndë është edhe në Finlandë, ku partia antiimigrante, “Finlandezët e vërtetë” pati një rezultat të mirë zgjedhor gjatë prillit të kaluar. E këto janë shtete të pasura, ekonomitë e të cilave janë mbajtur bukur mirë. Gjendja duket më e rëndë në shtetet më të varfra të Evropës Qendrore dhe Lindore. Gjatë muajit të kaluar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim prezantoi një rënie drastike në përkrahjen publike për demokracinë në “BE-në e re”, apo shtetet që u anëtarësuan në Bashkimin Evropian pas rënies së Murit të Berlinit. Nuk është befasuese se humbja e besimit në demokraci ka qenë më e madhja në shtetet që kanë pësuar rëniet më të mëdha ekonomike. Dhe, në të paktën njërin prej këtyre shteteve, Hungari, institucionet demokratike ndodhen në rrezik të madh tani. Njëra nga partitë e mëdha të Hungarisë, “Jobbik” është ankth i të tridhjetave; ajo është anti-rome, anti-semite e madje e ka pasur edhe një krah paramilitar. Mirëpo, kërcënimi direkt vjen prej “Fidesz”, partia qeverisëse e qendrës së djathtë.
“Fidesz” fitoi shumicën dërrmuese në parlament gjatë vitit të kaluar, kryesisht për shkaqe të ekonomisë. Hungaria nuk është anëtare e eurozonës, mirëpo ajo pësoi rëndë për shkak të huazimeve enorme në valutat e huaja dhe për shkak të keqmenaxhimit, si dhe korrupsionit nga partitë e atëhershme qeverisëse të krahut të majtë.
Tani Fidesz, që e kaloi Kushtetutën e re gjatë pranverës së kaluar përmes një votimi përgjatë linjave partiake, duket se po synon të mos e lëshojë më kurrë pushtetin.
Detajet janë komplekse. Kim Lane Scheppele, që është drejtoreshë e programit të Princetonit për Drejtësi dhe Marrëdhënie Publike – dhe është duke e përcjellë për së afërmi gjendjen në Hungari – më thotë se “Fidesz” është duke ndërmarrë masa për shtypjen e opozitës. Ligji i propozuar zgjedhor krijon qarqe të dizajnuara për t’ua pamundësuar partive të tjera të formojnë qeveri; pavarësia e gjyqësorit është komprometuar dhe gjykatat janë të stërmbushura me luajalëve partiakë; mediet shtetërore janë kthyer në organe partiake; mediet e lira po shtypen derisa amendamenti i propozuar kushtetues faktikisht do ta kriminalizonte partinë kryesore majtiste.
Marrë në tërësi, e tërë kjo paraqet rivendosje të sundimit autoritar, nën vellon e demokracisë, në zemër të Evropës. Po ashtu, është ky një shembull i asaj që mund të ndodhë, po qe se depresioni vazhdon.
Nuk është e qartë se çfarë mund të ndodhë rreth rrëshqitjes së Hungarisë drejt autoritarizmit. Departamenti amerikan i Shtetit është marrë bukur shumë me rastin, mirëpo kjo është në esencë një çështje evropiane. Bashkimi Evropian e huqi shansin për ta marrë kryesimin – pjesërisht për shkak se Kushtetuta e re ishte kaluar derisa Hungaria e mbante presidencën rotative të BE-së. Do të jetë shumë më e vështirë që gjendja të kthehet në nivelin e mëparshëm. Megjithatë, liderët evropianë është më mirë që të provojnë, sepse në të kundërtën do të humbasin gjithçka që e përfaqësojnë.
Po ashtu, evropianët duhet të mendojnë më mirë rreth politikave të tyre të dështuara ekonomike. Po qe se nuk e bëjnë këtë gjë, atëherë demokracia do të vazhdojë ta humbë përkrahjen – dhe shpërbërja e euros do të mbetet shqetësimi i tyre më i vogël.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.