Celulari, një “vrasës” i kudondodhur në rrugët tona!

Postuar në 26 Tetor, 2013 01:25
Eduard Zaloshnja

 “Një vrasës i pamëshirshëm endet në rrugët tona. Eshtë i kudondodhur. Madje, tamam tani, mund të ndodhet në xhepin tuaj. Quhet telefon celular!” Me këtë tekst fillonte një spot publicitar i Departamentit të Transportit të SHBA-së në vitin 2009, i cili pasqyronte një skenë të tmerrshme aksidenti, ku dikush që dërgonte SMS gjatë kohës që voziste automjetin, humbi jetën tragjikisht. Këtë spot Departamenti i Transportit të SHBA-së e transmetoi pas një sondazhi natyralistik të universistetit Virginia Tech, nga i cili rezultoi se rreziku për aksident ose pothuaj-aksident rritet 2.8-23.2 herë kur vozitësi i automjetit përdor celularin për të folur apo për të komunikuar me SMS.

Në fakt, rezultatet e atij sondazhi shërbyen si shtysë për pothuaj të gjitha parlamentet lokale të shteteve të SHBA-së që të sanksiononin në kodet e tyre rrugore ndalimin e përdorimit të celularëve nga vozitësit e automjeteve. Pra, u ndërthur fushata sensibilizuese me atë shtrënguese, për të parandaluar një “vrasës” që po bënte kërdinë në rrugët e Amerikës.

Në Shqipëri, ndalimi i përdorimit të celularëve nga vozitësit e automjeteve ka kohë që është përfshirë në Kodin Rrugor, por rrallë, për të mos thënë fare, Policia Rrugore ndalon dikë për këtë shkelje. Ndërkohë, në rrugët e Shqipërisë, rrallë të zë syri dikë që nuk e përdor celularin gjatë kohës që vozit automjetin. Se sa e rrit rrezukun e aksidentit ky përdorim në rrugët tona, nuk mund ta kemi idenë, sepse nuk janë kryer studime në këtë fushë. Por të dhënat e sondazhit të kryer nga universiteti Virginia Tech, në rrugë e rrjedha trafiku shumë më të mira se sa të Shqipërisë, mund të shërbejë si një pikë referimi.

Siç e përmenda më sipër, ai sondazh ishte natyralistik, jo i simuluar. Konkretisht, u vunë kamera dhe instrumente që punonin non-stop në automjete reale, në vozitje reale, të cilat përshkuan gjithsej 9.7 milion kilometra. Të dhënat e kamerave dhe instrumenteve të tjerë u analizuan vetëm në rastet kur regjistroheshin ndryshime të papritura të shpejtësisë apo drejtimit të vozitjes, që nënkuptonin një situatë aksidenti të ndodhur apo pothuaj të ndodhur.

Nga analiza rezultoi se formimi i një numri në celular apo përgjigjia e një telefonate e rriste rrezikun e aksidentit ose pothuaj-aksidentit me 2.8 herë. Ndërsa gjatë komunikimit me SMS, vozitësit e automjeteve i mbanin sytë tek celulari mesatarisht 4.6 sekonda, kohë në të cilën automjeti mund të përshkojë një fushë futbolli, kur lëviz me shpejtësi rreth 100 kilometra në orë. Për këtë arsye, komunikimi me SMS e rriste rrezikun e aksidentit ose pothuaj-aksidentit me 23.2 herë. Krahasimisht, vozitja në gjendje të dehur e rrit këtë rrezik vetëm me 7 herë.

Këto rezultate të sondazhit të universitetit Virginia Tech, si dhe fushata sensibilizuese e shtrënguese që pasoi publikimin e tyre në SHBA, mund të shërbejnë si një model që mund të zbatohet edhe në Shqipëri, ku problemi i aksidenteve është shumë më i rëndë – ndodhin 21 aksidente për 10.000 automjete, ose 3.6 herë më shumë se në vendet ish-komuniste e 10.5 herë më shumë se në SHBA.

Vërtet Shqipëria mund të mos ketë kushte për të kryer sondazhe si i mësipërmi, por Ministria e Brendshme mund të udhëzojë Policinë Rrugore që të zbatojë me rreptësi ndalimin e përdorimit të celularit gjatë vozitjes së automjeteve. Gjithashtu, kjo ministri mund të prodhojë e transmetojë një spot publicitar për sensibilizimin e publikut mbi rrezikun e madh që sjellin në trafik celularët “vrasës”.

Boll shqiptarë po vriten e vetvriten çdo ditë nga shkaqe të tjera – mos të vriten edhe nga celularët!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.