Beautiful

Shakaxhinjtë e ngeshëm thoshin se telenovela e njohur nuk mbaronte kurrë, sepse secili nga personazhet mund të dashurohej, martohej a të bënte sherr me cilindo nga të tjerët, e kur të mbaronin të gjitha kombinacionet, ja nisnin nga e para. Kështu dhe me listat tona
Politika, si një sport i masave për shqiptarët, ka kapur kulmet e audiencës këto ditë. Dhe me të drejtë: Kureshtja e më pas komentimi i emrave të përveçëm të listave të kandidatëve për deputetë, duhet quajtur një e drejtë legjitime e votuesve, një interesim i kuptueshëm mbi ligjvënësit e ardhshëm. Dhe në rastin konkret, shumica dërrmuese e emrave të partive të mëdha, me futjen në një vend të caktuar të listës janë automatikisht deputetë. Edhe sikur bazimi tek rezultatet e zgjedhjeve të kaluara (që përcaktojnë vijën virtuale të sigurisë) të jetë i gabuar, ky marzh gabimi është i vogël. Pra, një “e mirë” e sistemit proporcional është se i dimë që dy muaj para zgjedhjeve, emrat e shumicës së deputetëve.
Komentimi i emrave dhe personazheve, aq më shumë në stadin aktual të politikës shqiptare, është i parezistueshëm pikërisht sepse audiencës i ngjason shumë me telenovelat e stërgjatura shumëvjeçare, skenaristët e të cilave me kalimin e kohës detyrohen të shpikin lloj-lloj zhvillimesh e dinamikash, për ta mbajtur gjallë interesin. Dhe ashtu si, fjala vjen, tek “Beautiful”, tek listat tona të kandidatëve gjen gjithçka: Personazhe që janë martuar (politikisht, kuptohet) e janë ndarë, janë rikthyer e rimartuar, kanë bërë fëmijë me njërin por lidhen me tjetrin, zhduken nga skena për t’u rishfaqur njëqind seri më pas, ridalin si vëllai apo motra binjake që nuk dihej se ekzistonte; pastaj ka personazhe që edhe pse të mënjanuar a të larguar, betohen për besnikëri të përjetshme ndaj përjashtuesit, ti më braktise por unë nuk të mbaj mëri, zënë be kalamajtë se ideali i tyre është i paoksidueshëm, për t’u rishfaqur ca ditë më pas përkrah partnerit konkurrent. Vite më parë, shakaxhinjtë e ngeshëm thoshin se “Beautiful-i” nuk mbaronte kurrë, sepse secili nga personazhet mund të dashurohej, martohej a të bënte sherr me cilindo nga të tjerët me rradhë, e kur të mbaronin të gjitha kombinacionet, skenaristët fusnin nja dy karaktere të reja që e fillonin xhiron nga e para. Dhe në politikën tonë, aq prurje të reja sa për rifilluar ciklin, nuk mungojnë.
Të tilla pra, kanë qenë pakënaqësitë e rromuzet post-listash, që në këtë sistem janë kryekëput në dorë të kryetarëve partiakë, duke i shndërruar ata në akoma më të plotfuqishëm se më parë. Megjithatë, si gjindje kujtesëshkurtër që jemi, e harrojmë shpejt se sa ankesa kemi patur ndaj sistemit mazhoritar me 100 zona, kombinuar me 40 deputetë proporcionalë. Harrojmë kur shikonim se në vend të “djalit të zonës sonë”, kandidimin partiak e fitonte një biznesmen i dyshimtë a ndonjë një shef komisariati, që i imponohej qendrës me një a më shumë mënyra; e që përballjen e tij elektorale me të ngjashmin e vet konkurrent, e shndërronte në shesh beteje, shpesh edhe në kuptimin e parë të fjalës.
Kjo ndodh edhe tani, mund të thotë dikush. Padyshim, prandaj në rastin shqiptar nuk ka faj lloji i sistemit, cilido qoftë ai me të mirat e difektet e veta, por njerëzit, liderët e të përzgjedhurit e tyre në rradhë të parë. Është efekti i garës së paskrupullt politike për pushtet 20 vjet rresht, që ka korruptuar e ndotur gjithçka e këdo, e mbi të gjitha atë, drejtësinë. E cila pastaj, afërmendsh që nuk ka mundur e nuk mundet dot të bëjë korrigjimin e duhur: Të ushtrojë ndëshkimin sipas ligjit dhe rrjedhimisht të vendosë diktatin e shtetit të së drejtës. Politikanët duhej të ishin nxitësit dhe partnerët e drejtësisë së pavarur, por janë asfiksuesit e saj.
E meqë jemi këtu, mëtonjësi i pushtetit Edi Rama, pikërisht këtë ka theksuar në artikulimet e tij të fundit publike: Që tek e fundit, sistemi zgjedhor pak rëndësi ka; opozita kur të vijë në pushtet do të çmontojë rrënjët e korrupsionit dhe do inkurajojë drejtësinë të veprojë, e kësisoj edhe ata të dhënë pas mëkatit të korrupsionit, vetvetiu nuk do kenë hapësira. Thënë ndryshe, do të luftojë shkaqet, ndaj logjikshëm pasojat do zbehen. Se si, qysh e në ç’mënyrë, kjo mbetet për t’u parë. Por përpara kësaj, prioriteti është fitorja e zgjedhjeve. Fakti që Rama, ashtu si Berisha, bëri spastrimet dhe sistemimet që deshi në trupën e ardhshme ligjvënëse, mund të komentohet në dy mënyra: Për dashamirësit, është e kuptueshme që Rama kërkon të fitojë me ekipin që zgjedh vetë, pa u bezdisur nga cmirëzinjtë që i vënë shkopinj nën rrota; për kritikët, kjo purgë partiake ja çimenton pushtetin në PS edhe sikur të humbasë. Padyshim që e njëjta gjë vlen edhe për krahun tjetër, paçka se PD është çimentuar që kur lindi. Përgjigja, për të dyja palët do të vijë pas zgjedhjeve, kur kjo seri e “Beautiful-it” të mbarojë.
/revista Klan/
Add new comment