Arbën Xhaferri, i pazëvëndësueshëm

Postuar në 16 Gusht, 2012 03:55
Alfred Lela

Më ka hutuar në fillim me emrat e Tij. Kjo ndoshta sepse prezantimi me Të u përcoll nga e folmja ende e mbyllur e kohës kur Shqipëria u hap dhe Ai erdhi me emër e figurë përmes kanonit zyrtar si Arbër Xhaferri. Nuk e di pse dhe kur, ndoshta pas luftës në Maqedoni, që u bë politikë dite me firmosjen e Marrëveshjes së Ohrit, në të cilin Ai pat rol kryesor, por emri i Tij u zhvendos drejt Arbën ose Arben.

E doja Arbër-ishten tek emri dhe personaliteti i Tij, por në përdorim e sipër u pajtova me Arbën, ndoshta sepse kuptova se ishte gegnishtja e Arbër.

Ky është një shkrim në vetë të parë, dhe më vjen keq për këtë e kërkoj ndjesë, por është i tillë sepse vdekja është diçka intime. Dhe, mes meje e Arbën Xheferrit ka hyrë vdekja: e terrtë, e plotfuqishme, ndarëse si një kamë përmes mishit e gjithë historisë. Ky çast intim ku Ai ikën, arbërisht, nëpër vdekjen e Tij, plotësohet me mua që nëpër rreshtat e këtij profili dua të gjej të përbotshmen, të përshqiptarshmen, të përshpirtshmen e Arbnit.

Nuk mund t’ia filloj me një curriculum vitae. Megjithatë, e dini çfarë: Arbën Xhaferrit, më shumë se kujtdo, do i kishte shkuar përkora latine e këtyre dy fjalëve. I tillë qe Ai: i rrallë dhe i papërsëritshëm si një gjuhë e vdekur, si latinishtja e Mark Antonit, Senekës e Virgjilit.

Kjo rrallësi, ky latinicitet, e bën edhe më të pazëvendësueshme humbjen e Tij. Nëpër këtë rrallësi Ai erdhi e u bë pol. Ç’tjetër njeri i botës shqiptare mund të mëtojë për vete atë që Arbën Xhaferri ishte: një institucion politik, një citadel që priste të gjitha shigjetat e u bënte strehë të gjitha shpresave; një far që lëshonte të gjithë dritën rreth së cilës pështilleshin fluturat e mendimit shqiptar në Maqedoni e përtej.

Shpesh, kur na paraqitet nevoja e një standardi, kur duam të evokojmë kohë burrash të mëdhenj e shqiptarësh që u bënë etër themelues të kombit, përmendim Rilindësit. Gjithherë ata ia brendavendosim përfytyrimit të një shekulli të shkuar (nuk e di pse numri 1878 i shkon për së mbari figurës së një Rilindësi.)

Na duhet, ta rishkruajmë historinë, qasjen tonë personale, sepse mes nesh, me mjekrën por pa pretendimin; me dritën por pa breroren; me mendimin por pa kolanën; kemi pasur një bashkëkohës si Rilindës. E kemi pasur, nuk e kemi më, por do ta kemi: në atë vend ku Rilindësit futen pa pyetur për renditjet zyrtare, përmendoret, historicizmin, por me historinë e tyre të intimitetit me mendimin.

E kam takuar Arbën Xhaferrin, pranverën e kahershme të vitit 2000, në selinë e PDSH në Tetovë. Ç’e sjell një gazetar rishtar në Tetovë? më pyeti aq butë sikur pyetjet të ishin thika që nxirrnin gjak. Ju dhe Elita 5, i thashë. I hodhi sytë nga dritarja përtej së cilës pështillej në mesditë qytet-shteti i tij, dhe si në pëshpërimë tha se i pëlqente Elita 5. Bota shqiptare e tillë ka qenë përherë, shtoi. Nuk kemi funksionuar si galaksi, por yje të shndritshëm sigurisht që kemi pasur.

Sigurisht që po, Arbën. Ti, padyshim, je një prej yjeve.

Comments

Submitted by Zapbone (not verified) on

<p>Ndjesi e cuditshme! Mendoja per pafuqine tone si potencial shkencor &nbsp;qe, te na jepte te drejten qe njerzve/intelektualeve, mendimtareve, ti perjetsonim duke i vene Yjeve emrat e tyre. Dhe shkrimi bente paralele me yjet! Ne mungese te yjeve arben Xhaferri duhet te perjetsohet ne toke me emrin e nje rruge......!</p>

Submitted by ilir fetahu (not verified) on

<p>kur mendoj se do me mungojne shkrimet intervistat e tij ..me ther ne shpirt .Kur mendoj se do vazhdoj te lexoj e degjoj intervistat e &nbsp;pd istave ps istave e aq me keq ls istave me vjen te ve kujen dhe te them pse nuk i bie parkinsoni &nbsp;te pakten nja 135 nga atyre deputeteve kartona &nbsp;jeshile per shefat e tyre partiake te parlamentit shqiptar</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.