“Ajo, ai, koha dhe kënga” ose “Duke gërmuar nën lëkurë”

Çfarë duam tek një burrë, çfarë duam tek një grua, çfarë duam tek një shok, çfarë duam tek vetja dhe si i shohim të tjerët dhe veten në raporte dashurie të tipave të ndryshëm? Nuk e kam idenë, sido që janë pyetje që ia bëj shpesh vetes, madje edhe u jap shpesh përgjigje. Disa përgjigje mbijetojnë në kokën time, disa vdesin e harrohen dhe nuk janë të qëndrueshme. Ajo ku fokusohem sot, është nëse ka një lloj stabiliteti që i reziston kohës në atë që një grua do tek një burrë; a kërkon një burrë të caktuar sipas një modeli emocional e social ‘atavik’ e të pandërgjegjshëm, ndërtuar në fazën kur arsyeja nuk luan rol themelor në perceptimin e realitetit, apo kërkimi e përzgjedhja ndjekin vija më praktike e të diktuara nga realiteti i momentit. Nëse ka një stabilitet të tillë e konsistencë që vërehet në zgjedhje të ndryshme, atëherë ai duhet të lidhet me thelbin tonë, me atë ç’ka nuk është kontingjente. Por ndoshta thelbi ynë është iluzioni më i madh që kemi, krejt kontradiktor e me copa pa lidhje, prodhim i kohës dhe ambientit që na ka formuar. Ndoshta, pjesërisht, mbetemi deri në fund rob të tij. Ndoshta, pikërisht ajo që marrim nga koha dhe vendi ku jetojmë fëmijërinë e që duket kontingjente, nuk është e tillë, por është vetë thelbi ynë, i domosdoshëm, që vazhdimisht nxjerr kokën dhe konkurron modelet tona ndërtuar arsyeshëm e materialisht më vonë.
Kjo linjë mendimi nisi para pak javësh duke degjuar këngën soul të Aretha Franklin “You make me feel like a natural woman”. Kam gati dy muaj që mendoj çfarë është një “natural woman”, pra një “grua natyrale”. Sado “natural” që jam unë dhe shumë gra të tjera që njoh, kjo shprehja “natural women” duket redundante dhe, sinqerisht, pa kuptim. Bëhet edhe acaruese, po të mendosh se kënga nënkupton që, në fakt, gruaja e këngës nuk qe ashtu, por një burrë i caktuar e bënte të ndihej ashtu. Pra çfarëdo qoftë kjo gjëja e mrekullueshme e quajtur “natural woman”, protagonistja nuk e ka tiparin brenda vetes ose nuk e di që e ka, por e merr si vlerë të shtuar prej burrit që i ka qëlluar kaq elektrik. Çfarë fati! Thua vërtet gratë venë pas burrave (ato që janë pas burrave) që i bëjnë të ndihen ndryshe nga si janë vërtet? Kur mendoj për burrat në jetën time, besoj që gjithnjë kam dashur ata lloj burrash që më lenë të jem ashtu si jam, e që më duan tamam se jam ashtu si jam. Po a kam gjetur ndonjëherë një burrë që mendon se jam tamam siç do donte ai? Jo: pavarësisht nga sa më kanë thënë, pa përjashtim, kanë dashur të ndryshojnë diçka tek unë. Kjo për mua ka qenë dhe është argëtuese. Por tamam mënyra se si një burrë shfaq shenja se do dëshironte një ndryshim, është pjesa që më bën të vendos për të. Nuhatja më e lehtë e një potenciali violence apo abuzimi minimal në këtë proces, ka qenë gjithnjë mjaft për të mos i dhënë fuqi një lidhjeje. (Por kjo është çfarë NUK dua të ketë një burrë i imi; karakteristikat që DUA të ketë, janë shumë më shumë, e më të komplikuara për t’u përshkruar, ndaj as nuk do merrem me to këtu.) Prapë pyes veten se si është e mundur që fakti që një burrë rreket të ndërhyjë në mënyrën se si ekzistoj unë, të më gudulisë më shumë sesa të më bezdisë ose edhe revoltojë. Atëherë mendoj se vaniteti, dëshira për të luajtur, ashtu si edhe dëshira për të ndryshuar tjetrin, të jenë të natyrshme për njeriun, pra ‘natural’ siç thotë kënga. Por di se tamam në atë ‘natural’ rri ‘lepuri ideologjik’ i normalizuar në kulturën ‘natyrale’ me të cilën jemi rritur.
Jo se ua vë veshin shumë fjalëve të një kënge, por vargu kryesor kënduar nga Aretha Franklin më lart, është i painjorueshëm, se të varet në vesh e të rri varur aty tërë ditën. Sapo e mendon se ç’thuhet, të vret veshin agjencia mashkullore dhe varësia visherale e karakterit që këndon. Por kjo, as që më prek fare; me këngën jam mësuar, e më sjell në qejf; madje mund ta këndoj nën zë gati e identifikuar me gruan, vargun e sëcilës as e kuptoj dhe as e pëlqej. Ndoshta tamam fakti që kuptimi është i paqartë, më ndihmon që ta pranoj si pjesë timen pa u fyer fort.
Ka një tjetër këngë, që gjithashtu s’kam fuqi ta shtyj krejt tutje, sido që mesazhi i saj më sakëlldis stomakun dhe irriton: “She’s a lady” e Tom Jones. Nuk e besoj dot veten time kur e dëgjoj me volumin lart, madje kur jam ca si tepër e relaksuar, edhe e kërcej duke qeshur fort me kërcimin e Jones në skenën e 1974ës. Çfarë do të thotë “lady” në këtë këngë? Jones krenar e përkufizon fjalën përgjatë këngës me gjithçka fyese për një grua: “lloji i gruas që një burrë ka qejf ta çojë diku për darkë”, “që di si t’i bëjë qejfin një burri”, “që di vendin që i takon, dhe kurrë s’kërkon shumë e s’bëhet pengesë”. Dhe për t’i vënë kapak acarimit tim, Jones e mbyll këngën me vargun “dhe kjo ‘lady’ është e imja”. Kënga thotë gjëra që, në realitetin jokëngëtor, do më bënin të hidhesha në një tjetër kontinent në shenjë proteste; e kjo, pasi t’i zbrazja Jones-it gjithë arsenalin e ironisë që do kisha fuqi të flakëroja me një frymë kuçedre.
Ideja që përcjell përemri i emërzuar “je e imja” ka aq shumë posesivitet, gjë që mund të mos ndihet fare tek mbiemri pronor “e dashura/gruaja/zemra ime” etj. Kjo më sjell tek një tjetër dekadë pas Jones, kur Toto Cutugno këndon “Donna, donna mia”. Edhe ky i mëshon aq fort së vetës “gjë të thyeshme e të pasigurtë”, asaj “gjësë midis gruas dhe fëmijës”, sa të vjen keq të jesh grua: “ti amo e lo sai che sei mia/mia mia mia mia/donna, donna mia/mia mia mia mia/ non dirmi che tu/vuoi andare via/mia”. Cutugno, në fakt, s’më ka pëlqyer asnjëherë shumë. Por ati, biri dhe shpirti, Adriano Celentano, një nga përfaqësuesit më të suksesshëm të ideologjisë “macho” të tipit mesdhetar në muzikën që rriti brezin tim në Shqipëri, zotëron artin e përvetësimit dhe dhunimit me dashuri ekstreme të gruas. Të lemë mënjanë “një përkëdhelje brenda një grushti” (“Una carezza in un pugno”) ku e dashura që ka ikur “kudo qoftë ajo, është e tija”. Kënga “Një histori dashurie”, e cila ende sot më bën të qaj, që mund ta dëgjoj pa fund e me dobësi të spikatur, është një këngë që bën gallatë fyese me gruan. Këtu ka veç dy burra, njëri superior, në rolin e të dashurit, e tjetri inferior, në rolin e burrit, ndërsa gruaja merr qendrorësi veç si objekt dhe ekziston që këta dy burra të kenë arsye për t’u ndeshur, e për t’i treguar vendin njëri-tjetrit. Nuk e besoj dot që të kem dëshira kaq irracionale e (pse jo) që s’më japin nder, por ja që unë kësaj kënge s’i rezistoj dot. E këndoj, e ndiej, e kthej shumë here; një këngë që objektifikon gruan në mënyrën më të qartë e të shëmtuar. Në raste të tilla, nuk mund të thuash që “hajde, mos i jep aq rëndësi, se është veç një këngë!”. Jo, është më shumë se një këngë, dhe është brenda meje në rrafshin emocional. Nuk mund të jetë fakti që unë fshij krejt tekstin dhe le vetëm melodinë të ketë efekt mbi mua, sepse e dëgjoj qartë në vesh poezinë e këngës. Unë mund t’u mësoj vargje feministe vajzave të mia dhe studentëve të mi, dhe të analizoj në mënyrë perfekte një tekst (të shkruar apo jetuar) ku abuzohet gruaja, por ka një zonë gri të qenies sime që e pëlqen Adrianon. Dhe, për ta keqësuar situatën time, kënga “Amica donna mia” e Eros Ramazzottit që ndan në mënyrë perfekte gjithë idetë, besimet dhe dëshirat e mia për gruan dhe marrëdhëniet grua-burrë, nuk më jep as kënaqësinë më të vogël emocionale.
Ka disa fije që kategorizojnë gjithë burrat e mi të afërt në jetë, dhe prej tyre duket se unë e shmang për bukuri burrin e tipit Adriano. Por edhe vërej një tërheqje të vazhdueshme nga ky tip, sado e qetë dhe e gëzuar qofsha me burrin tim me të cilin ndaj shumë dashuri, humor, sfidë e debat. Edhe kur rreziku nuk materializohet në një inkonsistencë reale e mishtore, është idealisht aty. Kur unë e dëgjoj shumë herë rresht një nga këngët e Adrianos (sido që mund të shkruaj një ese për disa aspekte ‘banale’, madje edhe ‘vulgare’ të saj), e sidomos kur më krijon emocion të cilit nuk i gjej referent në botën racionale, unë e di se është mardha e mallit për atë tipin e këngës me të cilën u rrita që më ligështon, sido që s’e njoh, sido që dua ta mbaj larg, sido që e luftoj e nuk e lë të viktimojë asnjë grua afër meje. Është një lloj varësie e pakontrolluar romantike mesdhetare nga një tip rrugaço-intelektual, pa vetëmbrojtje e sakrifikues, që nuk respekton gjithë gratë e botës, por është ndryshe me ty, që ka një lloj brutaliteti e violence ndaj botës, por është i ëmbël e delikat me ty. Thua të jetë ky kompleks gati filmik i lidhur vetëm me një brez femëror, atë timin? Thua ky tip të jetë krijuar shumë herët, jo aq nga këngët, filmat apo letërsia, sa nga prania apo mungesa e një burri real që ndeshej ose jo në qytetin tim, shtëpi, lagje, shkollë, e që pastaj çon në krijimin e një figure ideale varur nga natyra dhe prirjet e vetë personit? Apo ndoshta është krijuar po aq edhe nga prania dhe mungesa e një gruaje të caktuar që hasej ose që më mungonte përreth? Është krejt e mundur të jetë një prodhim ideal fëmijënor që sharton idealen me të mundshmen në kushte të caktuara. Më intereson të kuptoj atë që më duket si inkonsistencë e hipokrizi në sjelljen time ndaj burrave. E rritur në urën mes viteve 70 e 80, këto këngët më lart, sado kritike qofsha unë, kanë lënë një vulë me reliev të dukshëm në botën time emocionale. Dhe, sigurisht, ajo është bota që merr në dorë situatën herë pas here. Njerëzit gënjejnë veten kur thonë që, me moshë, mësohemi si t’u shmangemi ose t’i shmangim emocionet. Bëjmë ç’kemi në dorë, por ato nxjerrin krye kur më pak e pret.
Comments
Të falenderoj që ndave këto

Të falenderoj që ndave këto mendime me ne.

Rrugëtim të mbarë

Shkrim i mire. Problemi i

Shkrim i mire. Problemi i vetem qendron ne faktin se eshte shkrim ne kohen dhe vendin e gabuar.

Ketij shkrimi do ti shkonte me per shtat ajo shprehja nga filmi "Malet me Blerine Mbuluar" : "Ne kohe lufte gjete te besh dasem o Safa Ymeri".

Pse krenohemi vetem me Kadarene dhe kerkojme vetem nga ai cmimin NOBEL ne artin e shkruar. Shikoni cfare ka Shqiperia, madje edhe ne kohe pushtimi.... nja Anna Frank e dyte.....

Bravo. Shkrim i gjate, do kohe te konspektohet, i tipit kinez 2 te bardha tre te kuqe, dhe (ne pak raste), me ndihmen e nje fjalori shqip-anti shqip mund te kapet thelbi i teatrit absurd....

Shkrim i bukur, por si edhe

Shkrim i bukur, por si edhe ne shkrimet e tjera ndihet nje fryme proteste gati gati sikur autorja e urren seksualitetin e vet. Nje gru eshte nje grua dhe nje burre eshte nje burre. Ajo barazie fikse nuk eshte nuk mund te behet sepse diferenca eshte natyrale.....

Add new comment