Tërheqja e Berishës nga nacionalizmi

Postuar në 23 Mars, 2013 08:41

 

Në një nga mbledhjet e fundit të qeverisë, kryeministri Sali Berisha foli gjatë për efektet çudibërëse të gjethes së ferrës dhe cilësinë e lartë të rakisë së manit. Dashuria e tij për pemëtarinë dhe prodhimet bujqësore ishte lënë disi në harresë, kur një tjetër pasion i fortë e mbërtheu papritur në muajt e fundit të vitit të shkuar. Nga ajo periudhë e deri pak kohë më parë, kryefjala e kryeministrit në mbledhjet e qeverisë, grupit parlamentar e gati në çdo dalje publike ishte: Bashkimi Kombëtar. Albanofobia, pozicioni i ri shqiptarëve në rajon, referimi ndaj padrejtësive historike në kontekste delikate, dyshtetësia, mbulimi mediatik apo liga e përbashkët e futbollit Shqipëri- Kosovë, ishin temat që dominonin diskurin e Kryeministrit shqiptar. Tani, me ardhjen e pranverës, lideri historik i të djathtës shqiptare i është kthyer edhe njëherë punëve të bujqësisë. Nuk dihet me sa qejf e ka rimarrë ai pasionin e vjetër, por është e sigurt së presioni ndërkombëtar, veçanërisht ai amerikan, e ka detyruar ta harrojë, të paktën përkohësisht, zjarrin që e kaploi në 100-vjetorin e shtetit shqiptar. Sali Berisha po tregohet sot shumë më i kujdesshëm në mesazhet e tij që prekin ndjeshmëri nacionale apo mund të krijojnë probleme te fqinjët. Temat e mësipërme janë anashkaluar, sfondi i takimeve publike nuk është më flamuri i madh kuqezi dhe çështjet e politikave lokale zënë vendin kryesor në bisedat me qytetarët.

Tonet nacionaliste të Sali Berishës, të cilat fillimisht ishin të arsyetuara nga një moment entuziazmi që lidhej me 100-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar, erdhën duke u rritur. Me Kosovën e çliruar dhe Shqipërinë anëtare të NATO-s, në një çast historik si Pavarësia, shqiptarët me të drejtë manifestonin një ndjenjë krenarie dhe euforie kombëtare. Në këtë atmosferë inkadeshente, Sali Berisha nuk mund të mos përfshihej, me pasion siç di ai, dhe të shndërrohej në protagonist. Me një meritë të padiskutueshme në afrimin e Kosovës me Shqipërinë dhe anëtarësimin e kësaj të fundit në NATO, edhe ky protagonizëm ishte i arsyetuar. Madje me nxehtësinë e këtij protagonizmi u kaluan edhe deklaratat për Shqipërinë etnike nga Presheva deri në Prevezë e nga Shkupi në Podgoricë.

Vala e nxehtë patriotike shpjegon përfshirjen dhe deklaratat pasionante të Berishës në ditët e festimeve, ndërsa qëndrimet që erdhën më pas kanë edhe shkaqe të tjera. Kryeministri nuk mund të linte që emocionet e shqiptarëve të devijonin edhe në shtratin e partive opozitare që kishin filluar të luanin me to. Jo aq Aleanca Kuqezi sesa Edi Rama që, ndryshe nga prerja e tij, po sillej vërdallë nëpër Kosovë, Preshevë e Maqedoni, duke tentuar të dilte nga kostumi i politikanit të vogël lokal. Socialistët organizuan disa aktivitete festive në këto vende, ku Rama nuk mungonte të akuzonte Berishën se punonte kundër interesave të shqiptarëve. I joshur nga tentacioni për ta kapitalizuar të gjithën vetë këtë frymë patriotike në rritje dhe i provokuar nga loja e opozitës, Sali Berisha e ngriti shumë lart retorikën nacionaliste. Aq lart sa nuk mund ta kontrollonte më as vetë. Vërtet që ai i la në hije të gjithë të tjerët kur vuri në qendër të politikës së tij çështjen kombëtare, por e bëri me aq forcë sa zhurma shqetësoi jo vetëm fqinjët por edhe ShBA-në e BE-në.

Nëse për dhënien e pasaportave apo për ligën e futbollit u mbyll një sy e një vesh, deklarata se Shqipëria do të rishikonte marrëdhëniet me Serbinë pas heqjes së monumentit për dëshmorët shqiptarë në Luginën e Preshevës, e kishte kaluar kufirin e entuziazmit patriotik, duke anuar nga tensioni etnik. Anulimi i njëanshëm i vizitës së një ministri shqiptar në Beograd ishte konfirmim që deklarata nuk ishte një lapsus. Acarimi i marrëdhënieve shqiptaro-serbe, në një kohë kur ShBA dhe BE po investojnë në dialogun Prishtinë-Beograd u pa me alarm dhe mesazhet drejtuar udhëheqësve shqiptarë për të qenë të kujdesshëm në përdorimin e retorikës nacionaliste u bënë gjithnjë e më të zëshme. Për të arritur kulmin pas deklaratës së kryeministrit Berisha në konferencën e sigurisë në Munich, ku duke iu referuar bisedimeve Prishtinë-Beograd, ai tha që Serbia nuk mund të festojë datat e fillimit të fushatave të shfarosjes së kombit shqiptar dhe se “duhet të hiqet dorë nga albanofobia dhe përpjekjet për të klonuar 5 kombe shqiptare të veçanta nga një komb, i cili në të vërtetë është një dhe në shekuj e mijëvjeçarë ka qenë vetëm një”. Këtë herë më shumë se mesazh, Departamenti amerikan i shtetit dërgoi një paralajmërim të prerë: Shqipëria po i largohet rolit konstruktiv në rajon. Deklaratat e politikanëve shqiptarë kanë kapërcyer vijën e diskutimeve të përgjegjshme… nxisin dhunë dhe ndikojnë në marrëdhëniet me ShBA-në. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk janë justifikim për retorikë të papërgjegjshme.

Ndoshta kjo deklaratë por edhe shumë sinjale të tjera kanë bërë që Kryeministri shqiptar të tërhiqet nga një terren të cilin nuk mund ta kontrollonte. Ai nuk provoi të përsëriste gabimet e 17 viteve më parë. E kapërceu këtë moment dhe madje bëri një lëvizje në kahun e duhur me ofertën e strehimit për 210 muxhahedinët iranianë, duke siguruar kështu një vlerësim publik maksimal nga Departamenti i shtetit. Berisha i vitit 2013 di të bëjë hapa prapa. Të bësh politikë me tema të nxehta si nacionalizmi është një tundim i fortë, por ndonjëherë duhet gjetur prehje edhe tek efektet çudibërëse të gjetheve të ferrës dhe rakisë së manit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.