Politika europiane, e paaftë dhe në agoni

I ndezur ndoshta prej fejesës me një grua 49 vjet më të re se vetja, Silvio Berluskoni ka shpallur rikthimin në politikë. Do të drejtojë të djathtën e qendrës, Popolo della Liberta në zgjedhjet e pranverës. Pasardhësi i tij, i pavotuari Mario Monti, është, sipas Berluskonit, duke e shtyrë vendin drejt recesionit me programin e rreptë dhe nuk gëzon më mbështetjen e PDL. Si përgjigje, Mario Monti dha menjëherë dorëheqjen. Liderët europianë u tronditën nga frika. Nervozizmi mbizotëroi tregjet dhe normat e interesit mbi bondet e qeverisë italiane u rritën. Elementë të rëndësishëm e shtynë partinë e Berluskonit të rebelohet e të bëjë presion, por nëse Monti do të qëndronte si kandidat i një koalicioni të qendrës, ata do të bashkoheshin rreth tij. Ndërkohë, opozita e majtë, Partia Demokratike, është në pritje. Sondazhet u japin atyre epërsi e zgjedhjet duken “në thesin” e tyre.
Por çfarë bën Berluskoni? Thotë se, nëse Monti do të hyjë në zgjedhje, ai do të tërheqë mbrapsht kandidaturën dhe do ta mbështesë. E çuditshme?! Ai shton më tej se, nëse do jetë ai që do të zgjidhet, akti i parë do të jetë shfuqizimi i një takse të urryer mbi pronën, me të cilën Monti po godet të gjithë pronarët. Më së pari, PDL po përballet me rrezikun e përçarjes. Nëse Monti hyn në garë, rebelët e PDL-së do të jenë të gatshëm ta mbështesin atë. Nëse jo, atëherë ata nuk do të kenë një lider për t’i lënë në dorë partinë.
Pra, projektorët janë mbi Montin: ky njeri i dashur dhe i civilizuar duhet të vendosë nëse është gati për sharjet dhe keqinformimin e një fushate të vërtetë elektorale. Mos e bëj – ulërijnë senatorët e së majtës. Në mënyrë alarmante, manovrimi i Berluskonit ka hedhur hije dyshimi mbi fitoren e tyre. Me thirrjet në rritje që Monti të mos kandidojë, të majtët duken gjithnjë e më shumë të cenueshëm.
A ka kjo ndonjë rëndësi për lexuesit britanikë? A thotë ndonjë gjë të re veç konfirmimit se skena politike italiane është kaotike dhe e pakuptueshme, edhe për ata si ne që kanë jetuar në këtë vend për 30 vjet? Unë them se po.
Së pari, Berluskoni nuk është një bufon. Është e vërtetë që ai ndodhet në një proces gjyqësor për nxitjen e një minoreneje për prostitucion. Po aq sa edhe proceset e pafundme për ryshfete dhe korrupsion. Është e vërtetë që ai nuk dështon asnjëherë në prodhimin e gafave të sikletshme në samite ndërkombëtare. Por në politikë, konteksti është gjithçka. Berluskoni zotëron një pjesë të madhe të medias italiane dhe kjo i bën të tjerët të maten mirë, teksa e sulmojnë. Ai është shumë i pasur dhe proporcionalisht i rrezikshëm.
Kriticizmi i tij mbi politikën monetare të Montit është njësoj si kriticizmi i Ed Miliband ndaj Cameronit. Pozicioni mbi euron, që është e paqëndrueshme dhe përgjegjëse për rënien ekonomike në Itali, është e krahasueshme me ortodoksinë mbizotëruese në Britaninë e Madhe. Berluskoni është i vetmi politikan senior që ka kurajën të thotë të tilla gjëra, ndonëse e ha fjalën, ende pa e lëshuar nga goja. Në përgjithësi, ai mundohet të bindë këdo që pëlqen sharmin e tij, si njeri që thotë çfarë mendon. Sa më i çmendur të duket ky burrë, aq më shumë bind se ka një përpjekje sistematike për sakatimin e tij.
Por shenja më e thellë e rikthimit të Berluskonit është shpagimi për krizën e lidershipit, vështirë e izoluar vetëm në Itali. Në një përpjekje për reklamuar liderët e partive, italianët përvetësuan zakonin amerikan të primareve. Nuk funksionoi. E majta sapo ka rizgjedhur Pier Luigi Bersanin, një zyrtar i gatshëm, por edhe i mërzitshëm partie. Që prej momentit kur e majta filloi të përkulej përballë nevojës ekonomike, duke mbështetur shkurtimin e pensioneve dhe rritjen e taksave, humbi linjën ideologjike dhe tashmë nuk ngazëllen kurrkënd.
Botuar në gazetën MAPO
Add new comment