Mafia e karrotrecave, arritja e parë e kryetarit Basha

Postuar në 20 Prill, 2012 03:27

Prej mbi njëzetë ditë, makina ime ndodhet në ambientet e Policisë Bashkiake në Tiranë, në pritje të përgjigjes së një ankimimi të bërë prej meje, dhe që ankimon dëmtimin e automjetit gjatë tërheqjes me karroatrec. Deri më sot, asnjë përgjigje, përveçse: Sipas ligjit afati i përgjigjes është deri dt ….. .(!) Një muaj për përgjigjen. Një muaj, unë duhet të bllokoj makinën (nuk mund ta tërheq pa një përgjigje ndaj ankimimit). Të faleminderit o Shtet! Të faleminderit Bashki! Që të jem i sinqertë, ankimimi është bërë pikërisht për të vërtetuar dhe këtë aspekt të prepotencës bashkiake, dhe të atyre që Ligjin, Forcën, Procedurën, e kanë kthyer në instrument përfitime të paligjshme, situatë groteske. Kisha kohë që po dëgjoja një shqetësim qytetar mbi karroatrecat, dhe aktivitetin e tyre tepër të zellshëm dhe intensiv në Tiranë. Në përgjithësi, i përkas atij formati të shoqërisë shqiptare, që gëzohem kur shoh shtetin të veprojë, kur i gjej instrumentet e shtetit të gjallë dhe aktivë, kur shoh shkelësin ligjor të ndëshkohet. Nuk ka demokraci, prosperitet, zhvillim dhe mirëqenie pa ndëshkim. Por kërbaçin varet se kush e ka në dorë. Apo jo? Po futem drejt e në temë, për të treguar që prej fillimit rrethanat dhe arsyet që më detyruan të bëj këtë shkrim.
NGJARJA 
Fundjava e gjallë në Tiranë. Ora 23:35 parkoj automjetin në një parkim publik, ku tabela orientuese shkruante: “Parkim për Gjykatën e Lartë”. Bashkia punon ditë e natë, të hënën dhe non stop të Dielën, 24 orë në 24. Dhëndurr i ri, zakone të reja. Në orën 24.00 (fiks në këtë orë) shkoj të marr mjetin tim, po sakëm se gjeta gjësend. Thashë mos ma kishin prerë faturën hajdutët e automjeteve (të shtuar këto vite), por gjysma e të keqes, nuk ishin ata hajdutë që mendova në çastin e parë, këta që më ranë për hise të shtunën janë ca më të kollarisur, ta mbajnë peng derisa t’u çosh hisen. Paraqitem në polici (rajoni 3) për të bërë denoncimin e vjedhjes, por informohem, pas rreth gjysëm ore në komisariat, se makina ishte tërhequr me karroatrec nga Bashkia. Shkoj dhe një herë tek vendi i parkimit të sigurohem nëse sinjalistika rrugore informon mbi penalizimin me këtë masë (dhe pse isha i bindur së një tabelë e tillë nuk ekzistonte), për më tepër që ekzekutimi i kësaj mase penalizimi në orën 24.00 ditën e shtunë, përbën një absurditet, (fundja gjyqësori i ka vënë me kohë punët në vijë, dhe nuk kanë nevojë për orare të zgjatura pune!). Në vend parkim konstatoj vetëm tabelën “Parkim për Gjykatën e Lartë”. Gjithsesi të nesërmen, paraqitem në ambientet e Policisë Bashkiake, ku marr dokumentacionin e penalitetit, dhe filloj procedurat e pagesës së gjobave. Paguaj gjobën e parkimit të gabuar në Bashki.

Bash këtu fillon ….
Më jepet një mandat në të cilin ishte shkruar Parkim i Gabuar. (Tërheqje me karroatrec). I kërkoj punonjësit të Policisë Bashkiake të identifikojë në mandat se për llogari të kujt subjekti bëhej kjo pagesë (Subjekt ose dhe Automjet). Kërkesa ime refuzohet prerë nga punonjësi. Atëherë kërkoj një dokument, se cili ishte subjekti që kishte kryer aktin e tërheqjes me karroatrec, ishte shtetëror (i Bashkisë ), apo privat. Përsëri refuzim ABSOLUT. Po përse? Të kenë vallë ndonjë hall ATA, apo jam unë që u kam lënduar sedrën bashkiake me kërkesat e mia të tepruara?! Nuk pata ndonjë dilemë të madhe, se nja një vit e kusur më parë, bëra një investigim privat për trajektoren që ndiqnin paratë e gjobave të Karroatrecëve të Policisë Rrugore (Ndërsa Ministër i Brendshëm ishte zoti Lulzim Basha). Në atë kohë më doli: Gjobat i faturonte Shteti, por i arkëtonte “Maliqi”. Plot 250.000,0 Euro ishte humbja ne Buxhet (Fitimi natyrisht shumëzoje me… shumëfisha). E konservova këtë investigim, nuk u investova për publikim, thjesht për çështje morale (po trokiste fushata elektorale e nuk doja që një shqetësim si qytetar të lexohej si një nismë tendencioze, apo me prapavijë). Po mesa duket këtu abuzimi është kthyer në normë është filozofi. Mesa duket ku ndodhet ky njeri nuk mund të jetë ndryshe. Siamezët Karroatrec-Kryetar, nuk mund të jetojnë pa njëri-tjetrin. Ndërkohë kur aksioni i karoatrecëve të realizuar nga Policia e Shtetit bie ndjeshëm, ai i kryer nga Bashkia çuditërisht rritet në mënyrë progresive. (Atëherë ishte ndryshe: Punonte shteti, rrinte duarkryq Bashkia). Automjetet merren vend e pa vend me apo pa të drejtë në çdo kohë. Nuk mjaftojnë vetëm karroatrecë të Bashkisë, por dhe privatë. Këta të fundit me aktivë më të zellshëm. Deri këtu asgjë për t’u veçuar specifikisht. Tek e fundit po zbatohet Ligji. Por ka dhe më shumë se kaq. Për argument po marr rastin tim. Sjell në kujtesë se ditën që pagova gjobat, në ambientet e Policisë Bashkiake konstatova dhjetëra njerëz (dhjetëra vërtet nuk hiperbolizoj). Dikush, një i këputur qante, s’kishte të paguante, ndërkohë që makinën e kishte të ndërrmarjes ku punonte, mesa kuptova. Dikush tjetër bërtiste “Po të kam dhënë Votën mor HAJDUT” etj, etj. Shyqyr që policët e Bashkisë e dinin se çdo të thoshin këto Gjoba, dhe mëshironin e njëkohësisht ngushëllonin “VIKTIMAT”.
Ora 24.00, në një vend që nuk pengon qarkullimin publik, që nuk pengon funksionimin e institucionit, të shtunën në darkë ora 24.00, kur nuk kishte aktivitet të Bashkisë (shumë i rëndësishëm ky detaj referuar kompetencave ligjore të Policisë Bashkiake, shiheni është në faqen e Bashkisë), karroatreci na bën “gol” në minutat shtesë. Shpjegoj se: Në fletën e gjobës me iniciale të Bashkisë Tiranë konstatohen tre masa ndëshkimore: Gjoba, Bllokimi me Kapëse Rrotash, dhe heqja me karroatrec. Përse duhej të kalohej tek penaliteti ekstrem?! Mos vallë u bllokua arbitrarisht trafiku? Mos vallë u bllokua funksioni i vendqëndrimit të automjeteve të institucionit? Apo u shkel hapur një paralajmërim tabele për marrje me Karroatrec në rast Vend Parkimi në atë zonë, në çdo orë të ditë-natës? Asnjëra prej tyre. Për më tepër ora 24.00 e natës, dhe ditë e shtunë në darkë. Në çdo vend të botës të gjitha hapësirat e rezervuara zyrtare të parkimit ditën e Premte në darkë, deri të Hënën në mëngjes janë të lira për përdorim publik. Ju garantoj për këtë. Dhe kjo është normale në një shtet që Administratën Publike e percepton si shërbim dhe jo si gjobëvënës. Madje, gjetkë ky fakt bëhet i ditur dhe në sinjalistikë. Ky rregull ka funksionuar dhe kur në Bashki ishte ”satrapi Rama”. Po përse kjo masë penaliteti atëherë?! Gjatë pagesës u ballafaqova me dy mandate të ndryshme. I pari me siglën Bashkia Tiranë, e cila bashkëngjitej dhe me vulën e Bashkisë për pagesë 3.000,0 lekë (gjoja e parkimit të gabuar). Ai paguhej në Financat e Bashkisë (shumë i rëndësishëm ky fakt). I dyti ishte një Mandat pa kokë, pa përshkrim subjekti, pa vulë, pa firmë pa..pa.. Paguhej “Heqje me karrotrec“ 4.000,0 lekë . Këtë mandat e paguaje në ambientet e Policisë Bashkiake (kati i Parë dhoma e Tretë Majtas), para … një polici bashkiak me uniformë, por pa emër (ai nuk guxonte në Mandat të firmoste as marrjen e lekëve). Çdo i gjobitur (të gjitha aksionet gjobëvënëse parkim i gabuar të Bashkise janë marrje me karroatrec) e ka konstatuar pa kushte këtë fakt, dhe ne këtë përshkim jam i sigurtë se sheh veten e vetë në harbimin Bashki- Polici Bashkiake për pagesat. Ja tek na doli dhe MERSELEJA.
Së pari, çfarë standardi të shtetit shqiptar plotëson kjo procedurë ku lekët nuk derdhen në një arkë, apo institucion ligjor financiar. Po ky mandat arkëtimi. Theksoj se ky standard (format) është absolutisht i paligjshëm për më tepër kur lëshohet nga institucione shtetërore në favor të subjekteve private. (Për këtë ftoj Kompetentet Këshilltarët Opozitarë të zbardhin……).
Së dyti: Për llogari të cilit subjekt derdhet vlera e paguar. Nga investigimi i mëtejshëm konstatoj se Bashkia e Tiranës disponon Karroatrecë të saj (pronë publike), por ndërkohë ka realizuar kontrata dhe me subjekte private. Natyrshëm kam të drejtë të pyes se ku është specifikuar në këtë mandat destinacioni në të cilën shkon kjo pagesë, tek Bashkia apo tek privati, apo të gjitha tek privati?
Pyes se nuk di gjë, por në kushtet e një mandat paçavure a nuk kam ndopak të drejtë të aludoj?
Së treti: Në Republikën e Shqipërisë çdo pagesë duhet të shoqërohet me faturë tatimore shitje në të cilën duhet të jetë evidentuar qartë dhe saktë ngarkesa tatimore e TVSH -së. Kush i jep të drejtë Bashkisë të kapërcejë këtë detyrim ligjor? Përse? Ç’është kjo Përse mor Zotëri! E Thjeshtë.
Në investigimin e para një viti e gjysmë, referova se si rrjedhim i kësaj praktike, (e cila çuditërisht aktivizohet atje ku është Luli titullar), shteti referuar llogaritjeve të mia ka pësuar një humbje (Shmangie nga detyrimi tatimor TVSH Fitim) që pa frikë shkonte në rreth 250.000,0 Euro në vit.
Po te pyes ty Shtet: Sa është rrjedhja fiskale me mandatin e Arkëtimit Nr .. me të cilin prej meje Bashkia Tiranë mori 4.000,0 Lekë. Dhe e Mandateve Nr …. qe nuk janë të mitë, por që i disponoj, po të atyre mijëra mandateve që ju “Viktima” të këtij Akti i kini paguar pa Faturën e TVSH, por që i dispononi si Arkiv dhe që jini të gatshëm t’i vini në dispozicion për të shfarosur këtë praktikë e këto afera. Vetëm kur bëhemi shumë, kur reagojmë kemi të drejtë të ngremë zërin.

Për kryetarin e ri
Nuk i përkas asaj pjese të qytetarëve të Tiranës që kanë ndonjë besim se ti do t’i shërbesh Tiranës. E di mirë se çfarë di të bësh. Por kjo tashmë nuk i intereson askujt, fundja Ti je kryetari legjitim i Tiranës. Por kryetar, nuk do të lejoj që të cënosh me kaq prepotencë lirinë time, të drejtën time! Nuk e di sa në këtë moment po përfaqësoj një njeri në hallin e vet, i cili vajton djersën e gjakun e punës së tij, që dikush ja rrëmben padrejtësisht me pushtetin e arrogancës dhe prepotencës. Nuk e di sa përfaqësoj shpirtin e atij demokrati që votoi për Ty, por që i duhet të paguajë filozofinë tuaj. Nuk e di sa përfaqësoj dhe atë socialistin që ndoshta dhe të urren në këtë moment dhe si ilaç për urrejtjen i ke dhuruar një gjobë antiligjore në xhep. Të gjitha këto kategori ama kanë një të përbashkët, janë “VIKTIMA” të asaj që ti di të ndërtosh më mirë: Makutërisë. Por e di mirë kryetar se ata do të shohin në këtë material veten e tyre, protestën e tyre të pa shprehur në publik por në shpirtin e tyre, do të ndiejnë veten të qetë se: Po! Po ! Folën, Denoncuan dhe tani presin përgjigje. Dhe zoti kryetar, je i detyruar të përgjigjesh.
Së Pari: Kujt i përkasin këta karroatrecë që çuditërisht ti po i ekspozon si zbatuesit më konsekuentë dhe më të pamëshirshëm të Ligjit?
Se Dyti: Ku dhe çfarë rruge ndjek pagesa e gjobës së Karroatrecit si gjobë që vendoset në emër të Bashkisë, dhe thithet nga Kush ne fare Raporti ligjor?
Së Treti: Cilat janë të ardhurat në Bashki nga kjo politikë ”Ligj Zbatuese”? Sa para, kalojnë tek Shoqëria e Karroatrecëve?
Së katërti: Çfarë detyrimi tatimor paguhet në Buxhet të shtetit?
Së Pesti: Ka mbi 20 ditë që automjeti im është bllokuar në ambientet e Bashkisë, vetëm sepse nuk po jepet përgjigje në pritje të afatit një mujor (ju i kini shkurtuar seriozisht afatet Administrative, e ka thënë AI). Është në natyrën tuaj që përgjigjen ta jepni me retorikë, apo kundër akuza.
Bëni mirë që përgjigjen ta jepni publikisht, me dokumente, natyrisht nëse Këshilltarët Opozitarë nuk do heshtin për ndonjë arsye madhore që lidhet me fatet e Kombit. Ndoshta do të intensifikoni dhe daljet mbi punime serioze në infrastrukture apo në banesat e reja për të pastrehët dhe të harroni apo nënvleftësoni përgjigjen. Dhe për to do të flasim por jo tani. Kemi kohë. Kryetar i qytetit tim, unë i mbyll dhe veshët dhe sytë, nuk dua të dëgjoj, nuk dua të shikoj, por ju “bërtisni” shumë. Ju futeni dhunshëm në qënien time, në jetën time, në ndërgjegjen time, në djersën time, në dinjitetin tim. Nuk është faji im. Të qeverisësh është status i madh, dyshoj se je shumë larg të qenurit Kryebashkiak. Me vjen keq, por pushteti yt arrin deri tek yxhym-pazaret me karroatrecat. Të tjerat i ka tjetër kush. E Ti e di kush zoti Kryetar. Dhe ne e dimë! E ngaqë e di mirë këtë punë, sa herë më del ti Kryetar duke “bërtitur”, mua vetvetiu më vjen ndërmend ajo shprehja kryetar: “Mos e var xhaketën tënde te gozhda e tjetrit, se po ta hoqi gozhdën të ngelen shpatullat zbuluar”.
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)

Comments

Submitted by Petro (not verified) on

<p>&nbsp;O Arben! Mirë o mirë i ke të gjitha sa shkruan, por pyetjet që ngre, rregullat që përshkruan qartë e saktë dhe vrejtjet që bën për praktikat që përdoren, kujt ja bën? Shkrimi yt i përket një shteti, ku qeverisja vendore ka dhe ushtron kontroll mbi territorin, në përputhje me ligjin. Shkrimi të mbahet parasysh që të zbatohet edhe dy breza&nbsp; më pas, kur të jetë vendosur shteti ligjor dhe të respektohet qytetari.</p>

Submitted by Lulushi (not verified) on

<p>Edhe pse e kuptoj irritim tuaj dhe shume probleme i ke permendur, ke harruar ate me kryesorin. Bashkia po ndermerr nje veprim te pa ligjshem, dhe pa moralshem duke sekustruar (rrembyer) makinat e qytetareve, sepse para se te mare nje akt te tille te tejskajshem duhet te ndertoje parkime publike dhe te heqe pagesat per vendparkimet ne rruget qendrore, sepse aty disa ordinere po marrin lek. &nbsp;Keto vend parkime jane te qytetareve dhe jo te bashkise dhe taksidareve pijanece. &nbsp;shembull keni nje taksidar para piramides qe pi gjith diten me leket qe &nbsp;rrjep nga qytetaret. mund ta verifikoni. Tjeter non sense i veprimeve te bashkise eshte bllokimi i shetitjeve me biciklete te qytetareve qe kane nje jete qe bejne xhiro ne park. &nbsp;Okupimi nga ekovolis (bicikletat e shemtuara ne hyrje te parkut) ne emer te mbrojes se ambientit duhet te marre fund, sa me shpejt. &nbsp;Edhe per to &nbsp;bashkia mund te krijoje vend kalime per bicikletat ne qytet dhe jo ti perdorin ne parkun qe po degradon nga mungesa e kujdesit te bashkise. PARKU I LIQENIT DUHET SHPETUAR.&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.