Heronjtë amerikanë kthehen në Kosovë si biznesmenë

Kryeministri Hashim Thaçi ndodhet në pozitë të vështirë. Ndërmarrja më e madhe dhe më fitimprurëse e shtetit të tij, kompania shtetërore e telekomunikacionit, është vënë në shitje. Konkurrenca midis blerësve potencialë është e ashpër. Krijimi i listës së ngushtë nuk ka ndihmuar shumë.
Njëra nga ofertat vjen prej fondit të themeluar nga ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine K. Albright. Për ofertën tjetër është duke lobuar James W. Pardew, emisari i posaçëm për Ballkanin në administratën Clinton.
Që të dy këta ish-diplomatë janë në mesin e amerikanëve që mbajnë statusin e heronjve në Kosovë, për rolin e tyre në ndërhyrjen e vitit 1999, që ndau Kosovën nga Serbia dhe krijoi një prej shteteve më të reja të botës.
Gjatë një takimi me Pardew në tetor, kryeministri ia sqaroi “pozitën e vështirë” në të cilën gjendet, pasi i duhet të zgjedhë midis blerësve, është bërë e ditur përmes një dokumenti të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”, “për shkak se pa marrë parasysh se cili prej dy ofertuesve fiton, ai do të shihet nga dy milionë banorë se e ka tradhtuar tjetrin”.
Shumë ish-zyrtarë amerikanë janë kthyer në Kosovë për biznes – në fushën e qymyrit dhe telekomunikacionit, apo për lobim si dhe kontrata të tjera fitimprurëse qeveritare – kështu që është e vështirë të mos ketë përplasje midis tyre.
Mes tyre është edhe Wesley K. Clark, gjenerali amerikan në pension dhe ish-komandanti i forcave të NATO-s në Europë, që e udhëhoqi fushatën e bombardimeve kundër diktatorit serb, Slobodan Milosheviç; si dhe Mark Tavlarides, ish-drejtor legjislativ në Këshillin Nacional të Sigurisë gjatë administratës Clinton.
Departamenti i Shtetit nuk ka politika që ndalojnë ish-diplomatët nga lobimi në emër të shteteve ku kanë shërbyer apo të kthehen në to për përfitime, me përjashtim të rastit të punonjësve federalë në tërësi, që ndalon zyrtarët e lartë nga kontaktimi i agjencive ku dikur kanë punuar për një vit dhe i ndalon të punësuarit federalë që t’i këshillojnë ato për të njëjtat çështje.
Kosova nuk është i vetmi shtet ku ish-zyrtarët janë kthyer për të bërë biznes – Iraku është shembull tjetër – por paraqet rast ekstrem e mbase edhe një rast të komplikuar në aspektin etik, duke e pasur parasysh ndikimin e madh amerikan këtu.
Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, mund të jetë i vetmi qytet në botë ku rruga “Bob Dole” kryqëzohet me bulevardin “Bill Clinton”.
Ekspertët e politikës së jashtme pohojnë se praktika e kthimit të ish-zyrtarëve për biznes është më e përhapur sesa pranohet publikisht. Jozyrtarisht, ish-zyrtarët e pranojnë mundësinë e konfliktit të interesit, e madje edhe potencialin për të ndikuar në politikën e jashtme amerikane, pasi diplomatët që kanë bërë karrierë në sektorin publik tani u kthehen më shpesh punëve fitimprurëse në sektorin privat.
Të pyetur për koment, ish-zyrtarët e përfshirë kanë thënë se nga bizneset e tyre me qeverinë e Kosovës do të përfitonin kosovarët, duke ndërtuar një ekonomi më të suksesshme.
“Do të punësojmë njerëz, do të sigurojmë trajnim, krijojmë eksporte dhe do të ndihmojmë shtetin të rritet dhe të zhvillohet si demokraci”, ka thënë gjenerali Clark, që është kryetar i “Envidity”, kompani kanadeze në fushën e energjetikës, që po synon të hulumtojë rezervat e Kosovës në linjit dhe të prodhojë lëndë djegëse sintetike.
Lawrence Lessig, profesor i drejtësisë dhe drejtor i Qendrës “Edmond J. Safra” për Etikë në Harvard, ka thënë se paraqitja e “arkëtimit” e vë në rrezik prestigjin e SHBA-së, duke e mjegulluar natyrën humanitare të ndërhyrjes së vitit 1999, e cila synonte t’u jepte fund krimeve serbe kundër kosovarëve.
Pas ndarjes, Kosova ishte protektorat ndërkombëtar, i udhëhequr nga mijëra zyrtarë të shteteve tjera dhe OKB-së. Ata shërbenin si përfaqësues qeveritarë dhe kontraktues privatë. Katër vitet e “pavarësisë së mbikëqyrur” ndërkombëtarisht morën fund në shtator. Rreth 6.000 paqeruajtës mbesin në Kosovë.
Lidhja e ngushtë midis ndërtuesve të shtetit dhe shtetit që ata kanë ndërtuar ua ka bërë të lehtë zyrtarëve që të kalojnë në rol tjetër. Ndonëse Kosova është një prej shteteve më të varfra të Europës, aty ende ka potencial për përfitime, posaçërisht pasi qeveria është duke privatizuar asetet kryesore.
“Albright Capital Management”, e themeluar nga Albright, ndodhet në listën e ngushtë në tenderin për 75 për qind të aksioneve në kompaninë shtetërore të telekomunikacionit, PTK. Shitja e kompanisë pritet që të sjellë midis 400- 800 milionë dollarë.
Zyrtarët e lartë të kompanisë simotër, “Albright Stonebridge Group” tashmë janë aksionerë në kompaninë e vetme konkurruese të PTK-së, kompaninë private IPKO, gjë që ngre shqetësime rreth faktit se konkurrenca e tregut mund të vihet në rrezik, po qe se konsorciumi i Albright e fiton tenderin.
Pardew, ish-përfaqësues amerikan, ka lobuar tek zyrtarët e lartë të Kosovës në emër të konsorciumit konkurrues, “Twelve Hornbeams S.a.r.l /Avicenna Capital LLC”.
Memorandumi rreth takimit të kryeministrit me Pardew u është dhënë fshehurazi mediave nga dikush që ka mbetur i pakënaqur me procesin e tenderimit. Zgjidhja e Pardew si emisar i tyre ishte “jashtëzakonisht e rëndësishme”, shkruante në dokument, për shkak se elita e Kosovës “e njeh dhe e do, për rolin që ka pasur në terren gjatë luftës”.
Pas publikimit të memorandumit, Pardew u tërhoq nga lobimi për konsorciumin, dhe nuk ka dashur të komentojë. Është ende e mundur që asnjë nga tenderuesit e mbështetur nga amerikanët të mos e fitojnë tenderin, për të cilin pritet të vendoset në janar.
Albright i është përgjigjur kërkesës për intervistë me një deklaratë. Duke iu referuar kufizimeve gjatë procesit të tenderimit, në deklaratën nga Nelson Oliveira, drejtori menaxhues dhe këshilltari i përgjithshëm i “Albright Capital Management”, shkruan “Ne i marrim seriozisht të gjitha obligimet tona – ligjore dhe etike, në këtë dhe të gjitha investimet tjera potenciale”.
“Besojmë se një privatizim transparent dhe i menaxhuar mirë i kompanisë shtetërore të telekomunikacionit do t’i sjellë përfitime substanciale ekonomisë dhe popullit të Kosovës”, shkruante në vazhdim të deklaratës.
Qeveria e Kosovës ka mohuar që ndonjë prej ish-diplomatëve të ketë pasur trajtim special. “Shpresoj se ata do të bëjnë para në Kosovë dhe se Kosova do të bëjë para prej investimeve të tyre”, ka thënë zv.ministri i Jashtëm, Petrit Selimi. “Qeveria e Kosovës nuk do ta zgjedhë kompaninë, vetëm për shkak se është amerikane”.
Telekomunikacioni në Kosovë mund të jetë biznes i ashpër. Më 2007, persona të armatosur tentuan – së pari me armë zjarri, e pastaj me sulm me mortaja mbi veturën e tij – që të vrasin Anton Berishën, drejtorin e Agjencisë rregullatore të telekomunikacionit. Ai u mbijetoi të dyja sulmeve, të cilat ndodhën jo shumë kohë pasi dha licencën e dytë të telefonisë celulare të Kosovës për IPKO-n sllovene. Një vit më vonë, ai u bë ambasador në Slloveni.
Më 2004, Albright u bë këshilltare speciale e kryetarit të bordit të IPKO-s, Akan Ismaili, që tani është ambasador i Kosovës në SHBA. Kontrata për telekomunikacionin është njëra prej të shumtave për të cilën janë munduar amerikanët. Projekti më i madh infrastrukturor në historinë pas-jugosllave të Kosovës, autostrada që lidh Prishtinën me kufirin e Shqipërisë, iu dha më 2010-ën kompanisë “Bechtel” të San Franciscos në bashkëpunim me kompaninë turke, “Enka”.
Gjatë asaj kohe, kryeministri e ka vlerësuar marrëveshjen në një shumë prej një miliard dollarësh.
“Bechtel” kishte ndihmë në marrjen e kontratës nga Tavlarides, drejtor legjislativ i Këshillit amerikan të Sigurisë gjatë ndërhyrjes së vitit 1999 në Kosovë. Sipas një raporti për lobim, që i është paraqitur Qeverisë amerikane, Tavlarides ka lobuar në emër të “Bechtelit” në Kosovë, rreth “çështjeve të lidhura me autostradën”, derisa punonte për “Van Scoyoc Associates”, firmë lobuese me seli në Washington.
Tavlarides tani punon në “Podesta Associates”, që ka nënshkruar një kontratë mujore në shumë prej 50.000 dollarësh me Qeverinë e Kosovës më 1 janar, për ofrimin e shërbimeve këshillimore në komunikim dhe përforcim të lidhjeve të Kosovës me Qeverinë e SHBA-së. “Podesta Associates” u bashkëthemelua nga John Podesta, shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë gjatë mandatit të dytë të Clintonit. Podesta u largua nga firma më 1993. Kompania vazhdon të jetë në pronësi të vëllait të tij, Anthony.
Tavlarides nuk ka dashur të komentojë, duke iu referuar politikës së firmës së tij për të mos folur me mediat rreth klientëve.
Nga ana e tij, gjenerali Clark ka thënë se është “fyese” të thuhet se mund të ketë konflikt midis fitimprurjes private dhe përgjegjësive të tij në të kaluarën. “Biznesi im është transparent dhe i ndihmon popullit të Kosovës”, ka thënë ai. “Ne do të përdorim një resurs që nuk kishte pasur vlerë për popullin e Kosovës dhe të sjellim qindra miliona dollarë investime”.
Zyrtarët ushtarakë amerikanë kanë një ndalesë njëvjeçare pas daljes në pension që të kontaktojnë ish-shërbimin e tyre ushtarak për çështje zyrtare, si dhe një ndalesë për tërë jetën sa i përket kontaktimit rreth çështjeve për të cilat kanë punuar, sipas Pentagonit.
Grupe të ndryshme vëzhguese e kanë paraqitur mundësinë që Qeveria e Kosovës mund të jetë duke bërë biznes me ish-zyrtarët amerikanë për t’ia bërë qejfin Administratës aktuale amerikane. Ata po ashtu druajnë se ndikimi i ish-zyrtarëve rrezikon konkurrencën dhe dëmton konsumatorët.
E tërë kjo gjë ka dekurajuar konkurrencën “për shkak se ata e dinë se loja është e vendosur”, ka thënë Avni Zogiani, gazetar kosovar, që drejton “Çohu”, një organizatë kundër korrupsionit në Prishtinë, që ka hetuar lidhjet midis biznesit të telekomunikacionit, krimit dhe politikës. “Kompanitë me reputacion nuk kanë më interes të investojnë në Kosovë”.
Madje edhe disa ish-zyrtarë e pranojnë se ndodhen në siklet për shkak të përmasave të ndërlidhjes midis marrëveshjeve dhe diplomacisë.
Steven P. Schook, brigadier-gjeneral (në pension) amerikan dhe ish-shef i Shtabit të KFOR-it, ka thënë se ka “ndjenja të përziera” rreth kësaj.
Schook, që po ashtu kishte shërbyeri si zv.shef i misionit të OKB-së në Kosovë, është kthyer si këshilltar privat për ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, që u lirua muajin e kaluar nga Tribunali i Hagës. Ai thotë se punon për Haradinajn për shkak se ka besim në aftësinë e tij për të udhëhequr dhe se i vetmi kompensim është për shpenzimet e tij për të jetuar në Kosovë, rreth 2.600 dollarë në muaj.
“Ka shumë ish-diplomatë që vijnë dhe shkojnë dhe që tani janë duke përfaqësuar interesat private”, ka thënë ai. “Po të isha korporatë e madhe dhe të doja të jem konkurrues, atëherë do të doja të punoja me njerëz që do të më ndihmonin”.
“Por, në anën tjetër duket paksa vulgare”, ka thënë Schook. “Një çast je duke e çliruar një vend dhe çastin tjetër mundohesh ta sigurosh një tender në fushën e energjetikës”.
MAPO
Add new comment