Hamoviçët, Fazlliçët dhe “shqiptarët”

Postuar në 17 Prill, 2012 17:01

Është shumë e vërtetë se Vuk Hamoviqin dhe Damir Fazliqin nuk i solli në Kosovë Qeveria e Shqipërisë dhe as familja Berisha. Ata u gjetën këtu edhe atëherë kur ne ende po mundoheshim t’i hapnim sytë nga përfundimi i luftës. Në fakt, me gjasë ata nuk ishin larguar kurrë. Rrinin këtu si një statujë, për të na treguar se të lirë ishim, por varësisë nga Serbia dhe serbët nuk i shpëtuam dhe që shtet mund të mos bëheshim kurrë.

Kur zezakët u liruan nga robëria, shkuan 100 vjet derisa ata morën të drejta civile e shtetformuese, që më në fund sot të zgjedhin edhe presidentin e vet në Amerikë. Aty diku jemi- si komb.

Nga viti 2000 e këtej, fillimisht UNMIK-u e pastaj qeveritë tona, u dhanë këtyre dy biznesmenëve serbë gati 1 miliardë euro para nga buxheti, në emër të furnizimit me rrymë të vendit. S’ka asnjë dyshim, por edhe asnjë fakt, se një pjesë e mirë e këtyre parave përfunduan në xhepat e atyre të cilët lejuan. Një zyrtar i lartë u UNMIK, Joe Truschler, madje edhe hëngri burg, sepse një pjesë të këtyre parave i kishte shmangur në konto personale në Gjibraltar. Për të gjitha këto ishin mediet dhe gazetarët që raportuan dhe po raportojnë.

Edhe atëherë edhe sot, mundësia e vetme për të “shpëtuar” nga dominanca e “mafisë” energjetike ishte ndërtimi i “autostradës energjetike” me Shqipërinë. Për 13 vjet me radhë këtë punë e shtyu secili që ishte në qeverisje në Kosovë e Shqipëri, e secili që ishte në krye të ndërmarrjeve të energjetikës. Nëse jo për përfitim personal, atëherë për cilat arsye? S’ka dyshim se arsyet nuk ishin gjë tjetër veçse personale. Tërë këto vite ishin te vetmet mediat, gazetarët, një pjesë e “atdhetarëve” të lirisë energjetike, që po kërkonin me ngulm nga qeveritë në të dy anët të heqin veten e tyre dhe shtetin e Kosovës nga monopoli energjetik serb. Tamam kur menduam se kjo po arrihej, na doli se tash ishte Qeveria e Shqipërisë, e cila po e pengonte realizimin e këtij projekti, të përkrahur madje edhe nga vetë gjermanët. Reagimi nuk mund të ishte ndryshe, veçse të thuhej qartë që Qeveria e Shqipërisë dhe kryeministri Sali Berisha ishin bërë bashkë me “mafian” serbe të energjetikës për të zvarritur e penguar pavarësimin e Kosovës nga rrjeti serb dhe krijimin e ndërvarësisë sonë me Shqipërinë. Bashkë me Hamoviçët e Fazlliqët dhe kundër Kosovës. Këtij konstatimi nuk ia heqim dot as edhe një presje e lëre më shkronjë. Përtej luftërave politike e të biznesit, e kemi të qartë deri në asnjë pikë dyshimi, se nga zvarritja e këtij projekti, qoftë edhe për një dite, një javë apo muaj, përfitojnë miliona mafiozët ballkanas. Hamoviçit të “EFT” dhe Fazlliqit të “Energoinvest” e “Rudnapit”, nuk jemi ne kosovarët që ua lamë emrin “mafi”, por ishin vetë malazeztë, dikur robër të tyre e tash të liruar nga ta, nga 400kw me Shqipërinë që i quajtën ashtu qysh në vitet 2002/2003. Bashkë me ta ishin edhe anglezët, e ata madje i hetoi edhe vetë OLAF, Zyra antikrim e Bashkimit Evropian. Si është e mundur që Shqipëria të ketë një linjë interkoneksioni me Malin e Zi dhe ta pengojë e zvarritë një tjetër me Kosovën, e ta mbajë gojën plot me patriotizëm, ndërsa në anën tjetër të punojë sërish me serbët, ashtu sikur po bëjnë edhe qeveritë tona? Pavarësia energjetike e Kosovës është po aq vitale, gati sa Deklarata e pavarësisë.

Ka dy-tri ditë që një hulumtim në vazhdime i “Zërit” (që do të vazhdojë edhe më tej), është bërë pjesë e debatit publik në Shqipëri. Në redaksinë tonë kanë ardhur reagime e përgënjeshtrime, por edhe fakte të reja për këtë skandal “mbarëkombëtar”. Të gjitha i kemi botuar dhe do t’i botojmë, se media para së gjithash është aty për të hapur debat. Por, përtej luftës politike të atjeshme dhe reagimeve frazeologjike, demanti i vetëm i pranueshëm ndaj shkrimeve tona mund të jetë: zhbllokimi i këtij projekti nga Qeveria e Shqipërisë dhe një hetim i pavarur i zvarritjes së deritashme. Në mesin e shumë dokumenteve që posedojmë, janë edhe ato që kanë të bëjnë me procedurat tenderuese, me këtë apo atë firmë dhe kush qëndron pas tyre, etj. Ne nuk kemi bërë përzgjedhje firmash e as fituesish, kemi kërkuar vetëm të zhbllokohet procesi, si e kërkon ligji e rendi për t’i hequr vetes sonë lakun e varësisë energjetike. Nuk do të ndalemi derisa ta shohim të ndërtuar këtë linjë.

Në Kosovë kjo çështje u hesht, si edhe shumë gjëra të tjera. As nuk na përkrahu dhe as nuk na demantoi askush, për dallim nga Shqipëria. Politikanët tanë në qeveri dhe opozitë u bënë sikur të ishte puna për Afganistanin dhe jo për Kosovën. Heshtën po këta të njëjtit politikanë, që ishin dhe janë në gjendje të afrohen dhe të largohen me këdo, qoftë ky Berisha, Rama apo Topi, edhe për 100 euro. I frikësohen aq shumë popullaritetit të Berishës, saqë gëzohen si fëmijët kur dikush e kritikon (kujtojeni kabllogramin e Thaçit), por nuk guxojnë as të hapin gojën kundër tij, as edhe kur është në pyetje interesi i vendit. Janë politikanë të tipit të “Muppet Show”, që vështrojnë nga dritarja e përqeshin gabimet e tjetrit. E duan të ligë edhe atë, bile më të ligë se vetja, por nuk guxojnë t’ia thonë. U strukën madje edhe ata që gojën e kanë plot me Shqipëri e me bashkim. Nuk janë qytetarë dhe nuk kanë guxim, ky është dallimi mes nesh dhe tyre.

Nga Kosova me probleme dhe e mbushur me korrupsion e keqmenaxhim qeverisës, për të cilat shkruajmë përditë nuk është se kemi ambicie të zgjedhim problemet në Shqipëri, e as të rrëzojmë e mbajmë qeverisje atje. Ama nga dëmet që na bëhen direkt neve, nuk e falim askënd dhe nuk i frikësohemi askujt- as edhe Berishës si kryeministër.

Kur e pa ballinën e së hënës, një mik gazetar më tha: Nuk është faji i historisë që jemi kështu si jemi sot, këndej e andej kufirit. Mendimit të tij nuk kam asgjë për t’i shtuar, veçse “Jemi një” në krim e korrupsion.

 

Artikulli i mësipërm është reagimi zyrtar i kryeredaktorit të gazetës Zëri në Kosovë mbi skandalin e zbuluar nga kjo gazetë në lidhje me interkonjeksionin energjetik Shqipëri - Kosovë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.